Në thelb | BiH

Në kujtim të grave të Vilina Vlas-it

Nga - 13.11.2020

Çfarë ka lënë pas kampi i përdhunimit në Vishegrad.

Në vitin 2010, gjatë punimeve për digën hidroelektrike të Peruqacit, hetuesit gjetën mbetjet e Jasmina Ahmetspahić-it në fund të liqenit. Në vitin 1992, Jasmina kishte vrarë veten pasi kërceu prej një dritareje në katin e dytë të kampit të përdhunimit Vilina Vlas në Vishegrad.

Jasmina është një ndër viktimat e pakta nga ky vend së cilës i është gjetur dhe identifikuar trupi.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, rreth 200 të burgosura – përfshirë vajza jo më të vjetra se 14 vjeçe – janë mbajtur në Vilina Vlas nga maji deri në fund të gushtit të vitit 1992. Ato janë përdhunuar dhe janë torturuar në mënyrë të përsëritur dhe në shumicën e rasteve janë vrarë.

Gjatë atyre muajve, i zoti i luftës në Vishegrad ishte Milan Lukić. Ai ishte udhëheqësi i një njësiti që disa e quanin Hakmarrësit, kurse disa të tjerë Fajkojtë e Bardhë. Lukić dhe ushtarët e tij luftuan përkrah policisë dhe ushtrisë së asaj që atëbotë quhej Republika Serbe e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ata ishin zotërinjtë e jetës dhe të vdekjes në Vishegrad atë verë dhe ishin të pandalshëm në kërdinë që bënin.

Kërkimi i gjatë

Në verën e vitit 2010, Liqeni i Peruqacit – që gjendet mes Vishegradit në Bosnjë dhe Bajina-Bashtës në Serbi – ishte zbrazur për herë të parë pas shumë dekadash për t’i meremetuar turbinat e digës. Kur u kullua liqeni, qindra eshtra të njerëzve u zbuluan në fund të tij. Më pas, hetuesit kuptuan që Peruqaci është varreza më e madhe masive në Evropë.

Instituti Boshnjak i Personave të Zhdukur dhe hetuesit e tjerë kishin vetëm disa javë për ta gjurmuar hapësirën para se të kryheshin rregullimet në digë. Kërkimet e tyre përfunduan me gjetjen e më shumë se 400 mbetjeve njerëzore, kryesisht skelete të pjesshme. Pas gati 2 vjetësh — në maj 2012 – ishin identifikuar 174 trupa, shumica e të cilëve ishin banorë të Vishegradit, kurse të tjerët nga Srebrenica, nga Zhepa dhe madje nga Kosova.

Në mesin e mbetjeve që ishin gjetur ishin edhe ato të një numri grash, përfshirë Jasmina-n. Hetuesit pjesëmarrës besojnë që disa nga skeletet mund të jenë të grave që janë vrarë në Vilina Vlas. Sidoqoftë, nuk ka ndonjë mënyrë për ta provuar, nuk ka dëshmitarë për t’i kujtuar ato dhe askush s’mund të jetë i sigurt.

Të mbijetuarit e Vishegradit kujtojnë Lukić-in dhe ndihmësit e tij nga viti 1992. Ata thonë se pjesëtarët e këtij njësiti vozisnin nëpër qytezë të dehur dhe të tërbuar — ata vrisnin, vidhnin dhe rrëmbenin gra e vajza për t’i çuar në vendet ku torturoheshin dhe përdhunoheshin. Vendi më famëkeq, por jo i vetmi në këtë qytezë, ishte Vilina Vlas, një hotel dhe banjë në periferi të qytetit.

Foto: Andy Spyra.

Fantazmat e Vilina Vlas-it

Godina e bardhë me çati të kuqe gjendet pakëz më larg nga qendra e qytezës, në pyllin pranë burimit. Në afërsi ndodhet një hamam dhe një shtëpi e vjetër e drunjtë buzë lumit.

Vilina Vlas është një banjë që promovohet si vend ku “ndikimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë i ujit dhe ajrit krijojnë kushtet e jashtëzakonshme për çdo lloj rekreacioni dhe rehabilitimi”. Ajo është pronë publike nën administrimin e Republikës Serbe, një nga dy entitetet e Bosnjës.

Gjatë pandemisë COVID-19, qeveria lëshoi kuponë për Vilina Vlas për ta promovuar “turizmin lokal”. Sipas ekipit menaxhues, 700 njerëz përdorën këta kuponë gjatë verës. Në të njëjtën kohë, një grua nisi një peticion online duke i kërkuar Google-it t’i heqë reklamat për Vilina Vlasin-in, duke ua kujtuar vizitorëve të mundshëm historinë e vendit. Deri në tetor, mbi 26,000 njerëz kishin nënshkruar këtë peticion.

Sidoqoftë, nëse kërkon “Vilina Vlas” online, edhe tash gjërat e para që dalin janë reklamat dhe reportazhet për banjën. Disi, rrëfimet e lemerishme për këtë vend gjenden më poshtë.

Turne nëpër ferr

Hera e parë që kam shkuar në këtë vend ka qenë para shumë vjetësh, në 2002 ose 2003. Më është dashur të përpiqem mjaft që ta bind veten për të hyrë në ndërtesë, kurse edhe më shumë për t’u folur punëtorëve në banjë.

Kur më në fund e binda veten, disa prej tyre më thanë se kishin punuar aty edhe gjatë luftës.

“Në vitin 1992 nuk punuam për disa muaj, në fillim të luftës, por më vonë u kthyem”, më tha një pastruese. Kur e pyeta se mos di çfarë ka ndodhur gjatë atyre muajve, ajo u përgjigj, “Nuk e di, ishte luftë”.

Ende më kujtohet hera e parë kur hyra në këtë vend. Kisha ndjenjën që britmat e grave disi ishin të ngjitura në mure, dyer, dritare, tavolina, pllaka… gati-gati ua shihja fytyrat e paemërta.

Foto: Andy Spyra.

I shihja edhe fytyrat e vrasësve dhe gjakatarëve. Të veshur me uniforma, të pistë; me çizme, thika dhe armë. Të dehur dhe të zhurmshëm.

Gjatë viteve në vazhdim, unë vija në këtë vend se paku një herë në vit. Dhe çdo herë shtyja veten të hyj brenda dhe të flisja me njerëzit që takoja. Për mua, këto vizita janë mënyrë për t’i kujtuar gjithë ato vajza, për t’i nderuar, por edhe për t’i dënuar vrasësit dhe përdhunuesit.

Herën e fundit që e vizitova isha me shoqen time shkrimtare Mona Eltahawy. Ajo u shtir si turiste që donte të qëndronte në banjë. Ne pyetëm recepsionisten të na tregojë dhomat dhe ajo na dha një turne të vogël. Ndërsa shkonim te dhomat, ajo na tregoi se kishte punuar atje që nga viti 1993.

Iu ngjitëm shkallëve dhe përpiqeshim të mos preknim asgjë, edhe pse nuk e biseduam këtë punë.

Ecëm nëpër dyshemenë e njëjtë që ishte aty në vitin 1992. Kaluam pranë mureve të njëjta. Hymë në njërën nga dhomat dhe krevatet ishin të vjetra — ka shumë gjasë që janë përdorur në 1992.

Nuk flisnim. Vetëm shikonim, merrnim frymë rëndë.

Foto: Andy Spyra.

Mandej zbritëm poshtë ku gjendet pishina. Pamë disa njerëz duke notuar, disa duke qeshur anash, disa të ulur pranë ujit.

Uji kishte ngjyrën sikur të pllakave — e kaltër e çelët. Por s’mund të mendoja për gjë tjetër përveç rrëfimin e njërës prej të mbijetuarave për përjetimet në këtë vend, që përfshinë përdhunimin grupor dhe torturën; objektet e përdorura për penetrim; djegien e pjesëve të trupit.

Dhe gojën e kisha të kyçur.

Në fund dolëm jashtë. Pa ia thënë njëra-tjetrës asnjë fjalë, ne u përqafuam dhe qamë. Na u deshën orë të tëra para se të mund të flisnim me njëra-tjetrën gjatë rrugës së kthimit për në Sarajevë.

Më vonë, Mona bëri një postim në Twitter për vizitën tonë, duke e quajtur Vilina Vlas-in “vendin më të lig që ka parë ndonjëherë”.

Ai vend ende shkakton dhimbje.

Lufta kundër harresës

Sidoqoftë, pas kaq shumë vjetësh, përpjekjet për ta treguar historinë e plotë të Vilina Vlas-it kanë qenë të mangëta. Disa nga dorasit, përfshirë Milan Lukić-in, janë arrestuar dhe janë përballur me ligjin, por vetëm për shkak të orvatjeve të të mbijetuarave të përdhunimit në Bosnjë.

Gratë sikur Bakira Hasečić, e cila drejton shoqatën e të mbijetuarve të përdhunimit gjatë luftës në Bosnjë, nuk hoqën dorë dhe – bashkë me anëtarët e shoqatave të tjera nga Vishegradi – ajo gjurmoi disa nga dorasit dhe udhëhoqi fushatën për arrestimin e tyre.

Lukić në fund u zbulua ndërsa fshihej në një shtet të largët dhe u gjykua në Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, që njihej edhe si Gjykata e Hagës. Ai u dënua me burgim të përjetshëm por kurrë nuk u ndoq penalisht për veprat në Vilina Vlas.

Për aq kohë sa përdorim termin 'viktima', këto gra do ta mbartin një damkë dhe do të shihen si të dobëta.

Pas përfundimit të gjykimit, Amnesty International nxori një deklaratë ku thotë se “viktimat” e përdhunimit në Vishegrad meritojnë drejtësi. Disa nga to u ftuan si dëshmitare gjatë gjykimit dhe çfarë folën u bë pjesë e gjykimit final që përshkruan çfarë ka ndodhur në Vishegrad atëkohë. Sidoqoftë, prokuroria nuk ka mundur të gjejë prova dhe dëshmitarë të mjaftueshëm për t’i konfirmuar këto pretendime.

Në shumicën e rasteve, gratë (dhe disa burra) që kanë shpëtuar gjallë pas këtyre përvojave quhen “viktima” e jo “të mbijetuar”. Përpjekjet e tyre për përkujtim shihen më fort si pasojë e traumës sesa si betejë për ruajtjen e një kujtese që shërben si paralajmërim për brezat e ardhshëm. Nuk duhet të jetë kështu. Për sa kohë që përdorim termin “viktima”, këto gra do ta mbartin një damkë dhe do të shihen si të dobëta. Nëse përdorim termin “të mbijetuar(a)”, këndvështrimi mund të ndryshojë për të gjithë.

Hetuesit e Hagës që ishin të përfshirë në gjykimin e Milan Lukić-it po ashtu janë marrë me pretendimet për përdhunime dhe kanë ardhur në përfundimin se të mbijetuarat ishin tepër të traumatizuara për të dëshmuar rreth ndodhive.

Shoqata e të mbijetuarve të përdhunimit gjatë luftës ka kërkuar që ky vend së paku të shenjohet dhe të riemërtohet për hir të Jasminës, si një ndër gratë e pakta që janë mbajtur këtu që u dihet emri. Por s’është bërë asgjë.

Deri më tash dimë se janë pesë gra që kanë mbijetuar dhe kanë folur për Vilina Vlas. Kam folur me dy nga to – Aldijana-n* dhe bijën e saj.

“Pastaj nisën të ma pritnin trupin. Gjithkund. Ende i kam vragat.”

Aldijana, e mbijetuar e kampit të përdhunimit të Vilina Vlas-it

Nëna është ftuar nga Gjykata e Bosnjës e Hercegovinës për të dëshmuar kundër njërit prej kryerësve të krimeve në Vilina Vlas. Unë kam qenë me të në gjykatë atë ditë. Në fund ajo mezi u shpreh nga foltorja e dëshmitarëve dhe gjykata erdhi në përfundimin që ajo nuk mund të konsiderohej dëshmitare e besueshme.

Aldijana shpjegoi se nuk dinte për sa kohë kishte qenë aty. “Ndoshta disa javë, ndoshta disa ditë, ndoshta edhe një muaj”, më kishte thënë kur jemi takuar.

“Më kanë lidhur për krevati. Ushqimin ma hidhnin dhe haja nga dyshemeja si qen”, thoshte ajo ndërsa ishim në dhomën e saj të vogël në Sarajevë.

“Vinin vazhdimisht. Nuk e dija a është natë a ditë. Dikur s’i numëroja më burrat që vinin. Pastaj nisën të ma pritnin trupin. Gjithkund. Ende i kam vragat. Kishte gra të tjera në dhomë por nuk guxonim as ta shihnim njëra-tjetrën.

Të kujtosh dhe të mbijetosh 

Vilina Vlas nuk ishte i vetmi kamp përdhunimi që ekzistonte në Bosnjë e Hercegovinë gjatë gati katër viteve të luftës. Zakonisht, kampet formoheshin dhe kontrolloheshin nga komandantët lokalë që përdornin trupat e grave për të treguar pushtet.

Disa qytete të tëra sikur Vishegradi dhe Foça u shndërruan në qendra përdhunimi. Gratë përdhunoheshin në shtëpitë e tyre, në restorante, në hotele, në shkolla… kudo. Sidoqoftë, as edhe një vend ku janë kryer përdhunime masive nuk është i shënuar sot. Bakira Hasečić është përpjekur ta vë një pllakë në murin e jashtëm të Vilina Vlas-it por pa sukses.

Emrat e vajzave dhe grave që janë vrarë në Vilina Vlas nuk do të dihen kurrë. Ato konsiderohen zyrtarisht si të zhdukura, bashkë me 7,500 të tjerë. Ka gjasë që në shumicën e rasteve, asnjë gjurmë e tyre nuk do të gjendet. Sikur nuk kanë ekzistuar kurrë. Por ato kanë ekzistuar.

Foto: Andy Spyra.

Sot në Vilina Vlas dikush qesh, gëzon çlodhje në banjë, fle në dhomën ku është përdhunuar Aldijana, ose në atë prej së cilës është hedhur Jasmina.

Më e pakta që mund ta bëjë shoqëria jonë është të mos i lëmë në harresë dhe të ngulim këmbë që Vilina Vlas— si dhe kampet e tjera të përdhunimit — të përkujtohen si vende të tmerreve që s’duhet të ndodhin më kurrë. Në të njëjtën kohë, kërkimi për të zhdukurit — si dhe për të vërtetën prapa gjërave që u kanë ndodhur — duhet të vazhdojë.

Dhe mbi të gjitha, ne duhet të luftojmë për një botë ku njerëzit s’mund thjesht të zhduken dhe të harrohen.K

Imazhi i ballinës: Andy Spyra.

* Shënim nga redaktori: Emri Aldijana është pseudonim për ta mbrojtur identitetin e të mbijetuarës. 

Kthehu prapa tek Monografia