Më 30 qershor sivjet, Seldin Alia i ishte përveshur punës në SatStyro, kompani prodhuese e stiroporit në Prizren. Atë ditë e goditi tragjedia.
Në orën 11:40, ndërsa 17-vjeçari po nxirrte copëza stiropori nga thesi dhe po i hidhte në makinën recikluese, ajo ia kapi një pjesë të thesit. Meqë thesi iu lidh për duarsh, makina filloi ta tërhiqte edhe atë.
Derisa punëtorët e tjerë e panë ç’po ndodhte dhe arritën ta ndalnin makinën, ishte bërë shumë vonë. Seldini ishte tërhequr brenda makinës dhe trupi i ishte bluar bashkë me stiroporin.
Vetëm para tri javësh, familja e tij – babai, nëna dhe motrat 12 e 18 vjeçare – ishte mbledhur për t’ia festuar ditëlindjen. Herën tjetër, u mblodh për t’ia vajtuar vdekjen.
Sipas familjarëve të Seldinit, kjo kishte qenë puna e parë formale e tij, ndonëse edhe më herët ishte marrë me pylltari dhe punë përreth shtëpisë në fshatin Lubizhdë.
Punësimi i Seldinit ishte rezultat i nevojës së familjes. Babai i tij, Sedati, i cili është me shkollim të ulët, punon si rojtar i një fabrike të vogël të fshatit për çka paguhet 150 euro në muaj, me marrëveshje gojore.
Ai humbi jetën pa gëzuar as rrogën e parë që, sipas marrëveshjes, do të ishte 200 euro në muaj.
I brengosur për kushtet ekonomike të familjes pesanëtarëshe, Sedati i ishte lutur pronarit të kompanisë “SatStyro”, Adil Bajramit, që t’ia punësonte djalin. Shpenzimet e zakonshme familjare të Sedatit ishin rritur, pasi Seldini kishte nisur të udhëtonte rregullisht për ta vijuar shkollimin në medresenë “Alauddin” në Prizren.
Përveç udhëtimit, shkollimi në medrese, sipas zyrtarëve të kësaj shkolle, për një vit kushton 135 euro për të mbuluar procedurat e regjistrimit, pajisjen me literaturë dhe ushqimin.
Ramush Rushiti, bashkëshorti i motrës së Sedatit dhe i vetmi familjar që ka folur publikisht rreth rastit, thotë se pronari i kompanisë kishte hezituar shtatë a tetë herë ta punësonte djalin, për shkak se i ishte ri dhe i papërvojë, por në fund e kishte marrë në punë, i prekur nga lutjet e shumta të babait.
Mirëpo, puna i doli shumë e shkurtër Seldinit, i cili kishte vetëm nëntë ditë pune para se t’i ndodhte aksidenti. Ai humbi jetën pa gëzuar as rrogën e parë që, sipas marrëveshjes, do të ishte 200 euro në muaj.
Aq shpejt rrodhën ngjarjet sa shokët e shkollës ende nuk e kishin kuptuar që Seldini kishte nisur të punonte.
“Nuk ka ndodhur shpesh të mungojë në mësim”, thotë Enes Kryeziu, shok i klasës. “Nga pamja e jashtme është dukë që nuk i ka pasë punët mirë [materialisht], po jo që është anku ndonjëherë”.
Ai shton se Seldini ka qenë shok i mirë, i qetë dhe i angazhuar në mësime.
Familjes së Seldinit tani i kanë mbetur vetëm disa fotografi të pakëta në të cilat i biri shihet me veshje hoxhallarësh.
Ky ishte aksidenti i parë me fatalitet në kompaninë prizrenase, kamerat e të cilës e kanë regjistruar ngjarjen tragjike.
“Në video-incizim shihet se i aksidentuari nuk e ka bërë këtë veprim nën ndikimin e presionit të ndonjë të punësuari a të menaxherit, por ka qenë dashtë të vazhdojë ta tërheqë (stiroporin) nga thesi me e vendosë në makinë me duar, ashtu siç e kishte filluar”, thotë Rrahman Mazreku, inspektor i punës në Prizren, i cili ka bashkëpunuar me Inspektoratin e Prishtinës për të hartuar raportin për rastin e familjes Alia. “Makina ka pasur dy vende për ndalje në raste emergjente, por të ndjerit nuk i bie ndërmend – hutohet dhe nuk e ndal makinën”.
Sipas raportit të Inspektoratit të Punës, të siguruar nga K2.0, përveç që Seldini nuk kishte trajnimin e duhur për punën, makina recikluese nuk ishte e standardit europian. Ajo kishte dy pulla për ndalje, por nuk kishte alarm që ndizet në rast rreziku të drejtpërdrejtë e as nuk ndalej në mënyrë automatike në rast nevoje. Prandaj, përdorimi i saj nuk ishte i sigurt.
“Ekzistojnë fakte të pamohueshme se makina punuese paraqet rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin në punë”, thuhet në raportin e inspektoratit për rastin, të datës 2 korrik 2018.
“Të gjithë kemi faj”, thotë Rushiti, duke iu referuar vdekjes aksidentale. “Por askush nuk është krejtësisht fajtor, përveç situatës ekonomike në Kosovë”.
Të nesërmen, më 3 korrik, Inspektorati suspendoi përdorimin e kësaj makine. Kompanisë iu kërkua që në pajtim me Ligjin e Punës dhe Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë të punësojë punëtorë të trajnuar, të bëjë vlerësimin e rreziqeve në vendin e aksidentit dhe të caktojë një person përgjegjës për siguri dhe shëndet në punë. Këto masa, sipas Inspektoriatit, kompania i ka ndërmarrë.
“Të gjithë kemi faj”, thotë Rushiti, duke iu referuar vdekjes aksidentale. “Por askush nuk është krejtësisht fajtor, përveç situatës ekonomike në Kosovë”.
Bazuar në të dhënat më të fundit lidhur me punën e rëndë të fëmijëve nga anketa e treguesve të shumëfishtë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), e botuar më 2014, në Kosovë 11 për qind e fëmijëve ishin të përfshirë në punë të rënda. Në bazë të parashikimeve të agjencisë për popullsinë, i bie që pothuajse 46,000 fëmijë kanë punuar në vitin 2014.
Lindita Boshtrakaj, drejtoreshë e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) në Kosovë, thotë se bazuar në monitorimin 10-vjeçar të rasteve të punëve të fëmijëve, më së shpeshti “situata e keqe ekonomike në familje i detyron fëmijët të punojnë” në punë të tilla.
Sipas ILO-së, përfshirja në forma të ndryshme të punëve të fëmijëve dëmton mirëqenien e fëmijës, zhvillimin dhe standardin e ardhshëm jetësor të tyre. Për më tej, puna mund t’i dëmtojë, shfrytëzojë e abuzojë duke ua shkelur të drejtat.
Boshtrakaj thotë se format e dëmshme të punës së fëmijëve përfshijnë punën në bujqësi me pesticide të rrezikshme, punën në pylltari, në ndërtimtari, në rrugë me shitjen e gjësendeve ose lypsarinë, trafikimin e fëmijëve, ekspozimin ndaj pornografisë e të tjera.
Standardet ndëkombëtare si dhe korniza ligjore e Kosovës lejojnë fëmijët më të rritur të përfshihen në forma specifike të punës, me mbrojtje të shtuar krahasuar me punëtorët e moshës së rritur.
Në Shtetet e Bashkuara, sipas Aktit të Standardeve të Punës, fëmijët 14 dhe 15-vjeçarë lejohen të kryejnë punë të lehta deri në 18 orë në javë, por vetëm nga tri orë në ditët kur kanë shkollë. Të miturit 16 dhe 17-vjeçarë lejohen të punojnë katër orë në ditët e shkollës dhe në total 20 orë në javë.
Ndërkohë, Ligji i Punës në Kosovë lejon fëmijët e moshës 15-17 vjeçë që të angazhohen në punë “të lehta” për 30 orë në javë dhe ndalon orarin e zgjatur ose punën gjatë natës. Personat nën 18-vjeçarë nuk lejohen të punojnë në punë që ua dëmton shëndetin, sigurinë, zhvillimin ose moralin, dhe atyre duhet t’u ofrohet mbrojtje shtesë, si pushime të zgjatura gjatë punës.
Pavarësisht prej legjislacionit të punës, në vitet e fundit, dhjetëra persona kanë vdekur ose janë lënduar në vendet e punës. Siç dëshmon rasti i Seldinit, edhe fëmijët po preken nga kushtet e rënda të punës në të cilat detyrohen të hyjnë nga varfëria.
Valltaret e mitura të shfrytëzuara dhe të abuzuara
Rastet e tjera të punëve të fëmijëve në Kosovë përfshijnë fëmijë edhe më të rinj se Seldini dhe punë edhe më kontraverse.
Të miturat Arta*, Donika* dhe Mimoza*, të trija 14 vjeçe në kohën e punësimit, punonin në lokalin “Xhakat” në Shtime, që u hap në nëntor 2016 pranë stacionit të autobusëve mjaft të përdorur nga udhëtarët.
Kafeneja gjendej në bodrum, çka nxiste dyshime rreth aktiviteteve që ndodhnin në vendin që punësonte tri vajza të mitura si kamariere.
Sipas aktgjykimit të lëshuar më 19 prill 2017 nga Gjykata Themelore e Ferizajt, vajzat nuk ishin punësuar vetëm si kamariere. Ndonjëherë, gjatë natës, së paku dy nga to punonin si “valltare”.
Bazuar në përshkrimet e dhëna për K2.0 nga punonjësit e lokalit, dy nga vajzat – Arta dhe Donika – performonin “lap dance” dhe vallëzim erotik në tavolinë që përfshin edhe prekje trupore.
“U shtuan myshterinjtë nga e gjithë Kosova”, thotë pronari i lokalit, Rrahim Miftari, 23 vjeçar.
Biznesi po ecte mirë derisa një natë të janarit 2017, dy policë të veshur në rroba civile kishin hyrë në lokal, kinse si klientë të rregullt.
Pasi kishin parë gjendjen, policët kishin marrë pronarin dhe tri vajzat në stacionin policor. Vajzat më pas i ishin nënshtruar edhe kontrolleve mjekësore.
Riza Murati, që udhëheq seksionin përbrenda Policisë së Kosovës për Hetime të Trafikimit me Qenie Njerëzore, thotë se ata që jetojnë në varfëri janë dukshëm më të ndjeshëm ndaj trafikimit dhe shpesh edhe më hezitues që ta raportojnë.
Gjykata fillimisht kishte dënuar me nga gjashtë muaj burg Miftarin dhe bashkëpronarin tjetër të lokalit, Fitim Beqën, 26 vjeçar, në bazë të nenit 7 të Ligjit të Punës që ndalon punën për personat nën 15 vjeçë, nenit 27 që ndalon punën e natës për personat nën 18 vjeçë dhe nenit 221 të Kodit Penal që sanksionon cenimin e të drejtave në marrëdhënien e punës për të mitur. Gjykata ua kishte konvertuar dënimin pronarëve me nga 1,800 euro gjobë, pasi të dy kishin pranuar fajin dhe ishin penduar.
Gjykatësja Hakile Ilazi, që ka dhënë verdiktin mbi rastin në prill, thotë se pasi të akuzuarit në rastin e lokalit “Xhakat” e kishin pranuar fajësinë dhe familjarët ishin zotuar se do të tregonin kujdes të shtuar për vajzat e veta, ato u kthyen në shtëpitë e tyre dhe nuk u dërguan në qendra të kujdesit social larg familjeve.
Miftari, i cili para se ta hapte lokalin kishte punuar në ndërtimtari, thotë se nuk e kishte ditur saktë moshën e vajzave e as kufizimin ligjor për punësimin e të miturve.
Ai shton se Donika dhe Arta kanë qenë të punësuara me dijeninë e prindërve të tyre.
“Atyne edhe ua kam dhanë gjysmën e rrogës së vajzave për shkak se ishin nevojtarë”, thotë Miftari. “E kam thënë gjithkund dhe do të vazhdoj ta them se detyra e vetme e tyre ka qenë që të shërbejnë pije, përfshirë edhe ato alkoolike”.
Miftari thotë se vajzat kishin filluar të vallëzonin përkundër këshillave të tij që të mos e bënin këtë. “E panë që aty janë paret. Kanë fitu më shumë se unë e vetëm unë i kam bartë pasojat”, thotë ai.
Familja e njërës prej vajzave ka refuzuar të flasë rreth rastit, ndërsa familjet e dy vajzave të tjera nuk janë gjetur për shkak të mungesës së informacionit identifikues.
Sociologu Albert Mecini, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, thotë se Kosova është bërë terren i përshtatshëm për këtë lloj skllavërie moderne dhe eksploatimi që vijnë prej varfërisë.
“Duke pasur një ekonomi dhe nivel arsimimi të dobët, prodhohen fenomenet e tilla”, thotë ai. “Atyre në fillim u premtohen punë normale, për shembull kamariere, por e vërteta qëndron se ato mashtrohen për shkak të moshës. Padrejtësia që bëhet në raport me to vazhdon dhe kjo është shumë tragjike, se po flasim për një moshë të re.”
Në fillim të dhjetorit 2018 ishte në proces një gjykim i dytë, i lidhur me rastin e lokalit “Xhaka”. Për rolin e pretenduar në nxitjen e vazjave për kërcim, Miftari është akuzuar edhe për shpërdorim seksual të personave nën moshën 16 vjeçe, bashkë me të vëllanë, Afrimin, i cili po ashtu është akuzuar për trafikim me njerëz.
Riza Murati, që udhëheq seksionin përbrenda Policisë së Kosovës për Hetime të Trafikimit me Qenie Njerëzore, thotë se ata që jetojnë në varfëri janë dukshëm më të ndjeshëm ndaj trafikimit dhe shpesh edhe më hezitues që ta raportojnë.
“Gjendja [e rëndë] ekonomike po i bën gratë dhe vajzat që të pajtohen të shfrytëzohen”, thotë ai. “Trafikimi veç sa e thellon varfërinë, sepse viktimat nuk e marrin fitimin për vete”.
Disa muaj pas atij rasti, në shtator 2017, e njëjta gjykatë në Ferizaj për vepra të ngjashme dënoi me nëntë muaj burg edhe 35-vjeçarin Azmen Eminin, pasi në lokalin e tij “Italia” në fshatin Lloshkobare, kishte punësuar të miturën 13-vjeçare, Linditën*, për të punuar si kamariere, dhe gjatë natës, si valltare.
Në aktgjykimin e gjyqtarit Ilir Bytyqi thuhet se punësimi i këtillë i të miturës mund të ketë pasojë “stagnimin në mirëqenien psiko-sociale dhe edukativo-arsimore”.
Divizioni për të Mitur në Prokurorinë Themelore të Ferizajt kishte paditur edhe dy burra të tjerë në lidhje me barin “Italia” për veprën keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçe. Por më 20 nëntor, 2018, Gjykata Themelore në Ferizaj hodhi poshtë padinë.
Lokali “Xhaka” në Shtime tashmë është mbyllur, ndërsa lokali “Italia” në Lloshkobare vazhdon të jetë i hapur, por me pronar tjetër.
Mecini thotë se një arsye që rëndon gjendjen e grave të reja është mohimi i trashëgimisë në pronë.
Në Gjykatën Themelore të Ferizajt edhe katër lëndë të tjera në proces kanë të bëjnë me raste trafikimi të të miturve (nën nenin 171 të Kodit Penal), shërbime seksuale të viktimës së trafikimit (neni 213), dhe cenim në marrëdhëniet e punës (neni 221).
Sipas të dhënave të lëshuara nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për K2.0, gjatë vitit 2018 janë paraqitur 99 raste të keqpërdorimit seksual të personave nën moshën 16-vjeçare ose të shkeljes së të drejtave në marrëdhëniet e punës. Ndërkohë, të dhënat nga Departamenti i Shtetit të ShBA-së për vitin 2017 tregojnë se vjet gjykatat e Kosovës kanë dënuar 29 raste të trafikimit të njerëzve.
Bazuar në të dhënat e fundit të varfërisë nga Agjencia e Statistikave e Kosovës dhe nga Banka Botërore të vitit 2017, më shumë jetojnë në varfëri gra sesa burra, shkalla e varfërisë është më e lartë në fshatra sesa në qendra urbane, dhe më shumë fëmijë jetojnë në varfëri krahasuar me ata të moshës së punës apo më të vjetër.
Mecini thotë se një arsye që rëndon gjendjen e grave të reja është mohimi i trashëgimisë në pronë. Ky besohet të jetë shkaktari kryesor se pse vetëm 16 për qind e pasurive të paluajtshme kanë pronare gra në Kosovë, sipas një raporti të publikuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) më 2016.
“Ato janë të detyruara të fillojnë ta ndërtojnë ekonominë e tyre nga zeroja”, thotë Mecini.
Arta, Donika, Lindita dhe Mimoza filluan ta ndërtonin atë në lokale të dyshimta, derisa u zbuluan drejtpërdrejt nga policët ose, në rastin e Linditës, nga fotografia që arriti te prokurori.
Mecini thotë se rintegrimi i tyre në shoqëri është i vështirë, për shkak se mentaliteti kosovar e vë barrën mbi viktimën. “Ato stigmatizohen mbi idenë e punës që kanë kryer, e jo për kushtet dhe rrethanat që i kanë çuar atje”, thotë ai.
Shumë vajza të tjera mund të jenë duke bërë punën e njëjtë, ende të pazbuluara, pasi identifikimi i rasteve të punës së detyruar të fëmijëve po ngec.
Në bazë të Rezultateve të Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijëve për 2018, të lëshuara nga Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), shteti ka ndërmarrë vetëm 16 për qind të veprimeve potenciale që organizata i konsideron se do të përbënin masa efektive në luftimin e formave negative të punës së fëmijëve dhe të punës në rrugë.
Mecini thotë se veprimi institucional është i mangët dhe nuk arrin të zgjidhë probleme si ato të vajzave të mitura në Shtime dhe Ferizaj.
“Rastet si këto ose vjetërohen ose tejkalohen nga institucionet, e problemi mbetet i njëjtë”, thotë ai.
[Shënim i redaksisë: Arta, Donika, Lindita dhe Mimoza në të vërtetë kanë emra të tjerë].
Nga gjenerata në gjeneratë
Në shumë raste, varfëria trashëgohet nga gjenerata në gjeneratë.
Një ditë të nxehtë qershori, 42-vjeçari Blerim Malaj punon në mirëmbajtjen e varrezave të fshatit Strellc në komunën e Deçanit, i asistuar nga i biri 11-vjeçar.
Prej 1 dhjetorit 2016, Blerimi paguhet 100 euro në muaj nga shoqata “Haki Povataj” e themeluar nga bashkatdhetarët e fshatit që jetojnë e veprojnë në Zvicër dhe që ka për qëllim mbledhjen e fondeve për t’u ofruar ndihma financiare bashkëfshatarëve në nevojë.
Paga e tij është më e vogël sesa shuma që merr një familje e varfër shtatanëtarëshe në Kosovë – 120 euro përmes skemës së ndihmës sociale. Duke marrë parasysh kushtet e familjes, ai thotë se kryen “çfarëdo lloj pune” tjetër për të cilën e thërrasin në fshat, si për shembull pastrimi i oborreve të shtëpive.
Blerimi thotë se qysh nga mosha nëntëvjeçe kishte filluar të bënte punë të ndryshme në pylltari, bujqësi e sigurim ndërtesash për ta siguruar jetesën e familjes.
“Asnjëherë nuk kam mundur të zgjedh punën [nga presioni i varfërisë]”, thotë ai. “Kurrë nuk kam pasur një punë stabile”.
Tani ai druan se fati i tij do ta përcjellë edhe të birin.
Djalit 11-vjeçar i pëlqen matematika dhe futbolli, por ai nuk mund ta ketë shkollën zgjedhje primare.
Blerim Malaj merr të birin 11-vjeçar që ta ketë krah në punë. Ai ka merakun se varfëria që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës do t’i mbetet si trashëgim edhe të birit. Foto: Diellza Balaj.
Sociologu Albert Mecini thotë se fëmijëve të varfër që punojnë, siç është djali i Blerimit, u pamundësohen ose u ndërpriten shkollimi dhe qasja në jetën sociale. “Kështu, ata fillojnë të margjinalizohen dhe të mbesin të shfrytëzuar në ato punë të paligjshme, në të cilat i ka shtyrë varfëria”, thotë Mecini.
Blerimi pohon se është i varfër që nga fëmijëria e se tani fëmijët e tij po rriten në varfëri edhe më të madhe sesa ajo që kishte përjetuar ai vetë si i vogël.
“Kushtet e këqija i kam pasë unë si fëmijë, tash fati im e ka ndjekë edhe djalin”, thotë Blerimi. “Shkon te kushdo që e thirrë për punë me ia pastru shpinë. Edhe në mal për dru”.
Tendenca që varfëria të trashëgohet nga njëra gjeneratë në tjetrën, si në rastin e Blerimit dhe familjes së tij, mbështetet edhe në studime akademike. Ky fenomen vërehet edhe në shtete të pasura si Shtetet e Bashkuara dhe ka qenë pjesë e debateve të varfërisë kronike në Kombet e Bashkuara sivjet. Por fenomeni është më i përhapur në shtetet e varfra dhe në zhvillim si Kosova.
Bazuar në Indeksin e Varfërisë Shumëdimensionale (MPI) të shtatorit 2018, të publikuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) që mat varfërinë bazuar në indikatorët e shëndetit, të arsimit, dhe kushteve të jetesës, rreth 1.3 miliardë njerëz në botë jetojnë në varfëri dhe gjysma e tyre janë fëmijë.
Një tjetër person që jeton në varfëri kronike është 49-vjeçari Muharrem Alimehaj nga fshati Lybeniq i Pejës.
“Vetëm unë dhe vëllau i kemi mbajtë familjen e nanën prej moshës 14-vjeçare”, thotë ai, duke shtuar se babai i kishte vdekur në atë kohë. “Nëpër mal e fushë [kemi punuar], kemi lëvru në fusha me kuaj… gjithçka kemi punuar në jetë, vetëm për me siguru ekzistencën e familjes”.
Muharremit, përveç gjendjes së varfërisë familjare që në fëmijëri, trajektorja jetësore i është ndikuar më vonë edhe nga rrethanat politike të luftës në Kosovë.
Gjatë një masakre lufte në fshat, më 1 prill 1999, forcat e Qeverisë së Serbisë vranë 49 banorë. Ndër ta edhe vëllanë, kunatën, djalin e vëllait dhe nënën e Muharremit.
Përveç kësaj humbjeje të madhe, Muharremit dhe të shoqes Xufës u mbeti të kujdeseshin për tre fëmijët e mbijetuar të të vëllait dhe tre të tjerë që i lindën ata vetë më vonë. Xufa, 40-vjeçare, asnjëherë nuk ka mundur të punësohet meqë është dashur të kujdesej për familjen.
Duke qenë se shtëpinë ua kishin bombarduar gjatë luftës, ata u detyruan të jetonin në një fshat tjetër për dy vjet derisa Kryqi i Kuq Zviceran ua rindërtoi shtëpinë, ku u kthyen në vitin 2001.
Burimi i vetëm i të ardhurave të familjes gjatë viteve të para të pasluftës ishte rroga e Muharremit e fituar si punëtor krahu, pa kontratë të rregullt, në ndërtimtari.
“Djali im më sheh se si lodhem dhe i di kushtet tona, prandaj edhe detyrohet të vijë me mua. Më tha ‘po vij të të ndihmoj pak’.
Muharrem Alimehaj
Të premten, më 20 nëntor 2002, Muharremi u rrëzua nga kati i tretë i një shtëpie që po e ndërtonin në Pejë. Në raportin mjekësor të mjekut Cenë Bytyqi – asokohe drejtor i klinikës së ortopedisë në QKUK – thuhet se Muharremi kishte pësuar thyerje unazash të qafës, lëndim të boshtit të kurrizit dhe ndrydhje në gjithë trupin. Për shkak të lëndimeve, i ishte dashur të qëndronte i shtrirë në spital për dy muaj.
Në raportin e mjekut thuhet se Muharremit pjesa e unazave të thyera iu imobilizua me gips dhe se gjatë gjithë kohës i është dhënë qetësues për dhimbjet.
Pasi u lirua nga spitali, me gjithë këshillimet e ortopedit që të rrinte shtirë dhe të mos punonte më në ndërtimtari, Muharremi u detyrua t’i kthehej punës pas vetëm një muaji pushim.
“U ktheva, se krejt familja varej prej meje”, thotë ai.
Familja merrte ndihmë sociale nga shteti prej vitesh dhe bashkë me të ardhurat e Muharremit nga punët e kohëpaskohshme ia dilnin mbanë deri më 2011. Atë vit fëmija më i vogël i familjes kaloi moshën pesëvjeçe dhe ndihma, atëherë në vlerën e 65 eurove në muaj, iu ndërpre.
Vetëm të ardhurat e Muharremit më nuk u dilnin. Prandaj, që atëherë, djali i madh i Muharremit filloi të punonte përkrah babait me punë më të vogla, si prerja e druve. Tashmë 16 vjeç, ka filluar t’i bashkohet babait edhe në punë ndërtimore.
“Ai më sheh se si lodhem dhe i di kushtet tona, prandaj edhe detyrohet të vijë me mua. Më tha ‘po vij të të ndihmoj pak’. Shefi e mori se e dinte gjendjen time ekonomike. ‘Le të vijë, pra le të të bëhet krah’ më tha”, thotë Muharremi. “Gjatë kohës së dimrit, kur nuk mund të punoj në ndërtimtari, duhet të gjendem duke marrë para hua nga njerëzit derisa të rifillojë sezoni i punës, që pastaj t’ua kthej borxhin”.
Djali i ri i Muharremit, është aktualisht nxënës në vitin e dytë të shkollës së mjekësisë “Ali Hadri” në Pejë. Thotë se e ka zgjedhur mjekësinë si drejtim, me shpresën e perspektivës për punë jashtë vendit.
“Ndoshta kur të shkoj jashtë, jeta ime dhe e familjes do bëhet më e mirë”, thotë ai.
Mirëpo planet e tij kanë më shumë gjasë t’i ndikohen nga e tashmja.
Besnik Ibishi, mjek i përgjithshëm në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kamenicë, thotë se fëmijëve që punojnë në ndërtimtari, për shkak të ngritjes së peshave të rënda, ekspozimit ndaj temperaturave shumë të ulëta ose shumë të larta, zhurmës dhe pluhurit, mund t’u shfaqen probleme me dhimbjen e shpinës, deformimin e boshtit kurrizor, thyerjen e gjymtyrëve dhe lëndime të tjera. Sipas tij, lëndimet e këtilla i pengojnë në punë dhe ua rëndojnë gjendjen socio-ekonomike.
Psikologu Fitim Uka, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime Psikosociale dhe Mjekësore në Prishtinë, thotë se puna në fëmijëri i pengon aktivitetet e rëndësishme të fëmijëve si loja, angazhimi psiko-social dhe pushimi.
“Fëmijët që punojnë, përpos lodhjes fizike kanë predispozitë më të lartë për të përjetuar depresion, pafuqi, turp, faj, mungesë vetëbesimi dhe vlerësim të ulët”, thotë Uka.
Përkrahja e shtetit: pak më shumë se premtime
Në qendrat urbane, varfëria shpesh manifestohet me lypsari të fëmijëve.
Mes tyre janë edhe tre fëmijët e 25-vjeçares Nakie Hajrizi, të cilët ajo vetë i ka mësuar të lypin.
Nakia ndez zjarrin me dru në barakën e saj në “Lagjen 29” të Fushë Kosovës për të gatuar ushqim, pasi nuk kanë shporet elektrik. Dy djemtë e saj, 5 vjeç dhe 18-muajsh, qëndrojnë ulur afër zjarrit, ndërsa vajza 2-muajshe flen.
Ushqimin e kishte blerë pas lypjes së asaj dite dhe gatuante copa sallami. “Mezi po e shtyjmë prej një dite në tjetrën”, thotë ajo.
Baraka është njëdhomëshe dhe në të flen e gjithë familja pesanëtarëshe. “Këtu rrimë, i mbajmë krejt teshat, ushqimin… Këtu i laj fëmijët”, thotë Nakia, e martuar para pesë vjetësh.
Nakia thotë se i merr fëmijët për dy arsye: ngaqë burri del për mbeturina dhe ajo nuk mund t’i lërë vetëm, si dhe ngaqë shpreson se njerëzit do kenë më shumë mëshirë kur ta shohin me fëmijë të vegjël.
Burri i saj Nehati, 28-vjeçar, sjell në shtëpi atë që fiton nga mbledhja e mbeturinave, por shuma është e vogël dhe nuk mjafton, prandaj ajo ka vendosur të dalë çdo të premte te Xhamia në Fushë Kosovë dhe t’ua zgjasë dorën njerëzve, pas lutjeve të tyre në xhami.
Më vonë Nakia kishte filluar të dilte çdo ditë në Prishtinë, fillimisht me djalin e madh e pastaj edhe me të dytin. Tash e merr edhe vajzën foshnjë. Thotë se i merr fëmijët për dy arsye: ngaqë burri del për mbeturina dhe ajo nuk mund t’i lërë vetëm, si dhe ngaqë shpreson se njerëzit do kenë më shumë mëshirë kur ta shohin me fëmijë të vegjël.
“Por”, thotë ajo, “janë bërë më shumë veta që lypin”.
Sipas statistikave të lëshuara nga Policia e Kosovës për K2.0, në vitin 2017, policia kishte identifikuar 351 lypës. Në mesin e tyre kishte gra dhe të moshuar, por më së shumti fëmijë dhe atë të minoriteteve më të vogla si romë, ashkali dhe egjiptianë.
Numri, megjithatë, mund të jetë më i madh, sipas një hulumtimi në terren të organizatës zvicerane për mbrojtjen e fëmijëve Terre Des Hommes.
Brenda vetëm katër ditësh pune, në qershor 2018, në dy komunat më të mëdha, Prishtinë dhe Prizren, organizata kishte regjistruar 153 raste fëmijësh që punojnë në situatë rruge – në lypsari dhe shitje të gjësendëve të imëta.
Vebi Mujku, që për shumë vite ka drejtuar Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë, institucion publik për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, thotë se ngritja e rasteve të lypjes shkon përtej rrethanave të varfërisë.
“Ka pasur raste kur lypësit i kemi dërguar në stacionin policor dhe kemi gjetur se secili nga ta kishte 50-100 euro në xhep”, thotë Mujku. “Duke dalë përditë, mbledhin para më shumë se rrogat e ministrave ndoshta. Prandaj janë bërë të varur nga fenomeni i të fituarit pa punuar”.
Vebi Mujku nga Qendra për Punë Sociale në Prishtinë punon me kolegët për ta ngritur vetëdijen mbi rreziqet e lypjes së fëmijëve në rrugë. Foto: Majlinda Hoxha / arkivi K2.0.
Mujku thotë se për një numër lypësish i kanë lajmëruar komunat prej nga ata vijnë. Me ekipin e QPS-së, që përfshin 12 punonjës socialë, u kanë mbajtur seanca e trajnime familjeve duke u folur për rreziqet që u kanosen fëmijëve që kërkojnë lëmoshë, si privimi nga arsimi, eksploatimi i tyre nga grupe kriminale, kequshqyrja, si dhe dhuna fizike e psikologjike.
Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) thotë se kapaciteti i Kosovës për të dhënë shërbime sociale për fëmijët është i ulët dhe se interesimi i Qendrave për Punë Sociale ka rënë.
Në një dokument të publikuar në nëntor 2018, vetë Ministria e Punës dhe Shërbimeve Sociale thotë se QPS-të ofrojnë më shumë shërbime në bazë të kërkesave sesa të nevojave. Sipas dokumentit, shumë nga shërbimet sociale për fëmijët e varfër dhe të cenueshëm ofrohen nga katër organizata joqeveritare (OJQ) të licencuara. Mirëpo, shtohet aty, një numër komunash as nuk kanë shërbime, as nuk kanë ndarë fonde për OJQ-të.
“Forma e ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare në Kosovë është reaktive, jo mirë e integruar me sektorët e tjerë si policia, gjyqësia, etj., si dhe mungojnë në fundament shërbimet parandaluese, të mbështetjes së hershme dhe shërbimet përcjellëse”, thuhet në dokument.
Në mungesë të kapaciteteve shërbyese dhe interesimeve të shtetit, organizatat ndërkombëtare dhe joqeveritare po përpiqen ta mbushin vakumin.
Terre Des Hommes po planifikon të ofrojë qendër ditore (Drop-In-Center) për rehabilitimin e fëmijëve në situatë rruge dhe organizata është në përzgjedhje të stafit.
Albulena Shabani, ish-zyrtare për mbrojtjen e fëmijëve në Terre Des Hommes, thotë se ideja është që qendra ditore fillimisht të krijojë një databazë në të cilën do të regjistrohen fëmijët që punojnë me forma negative të punëve të fëmijëve, dhe pastaj të shqyrtohet dhënia e shërbimeve ditore për ta, që mund të përfshijë ushqimin, ndihmesën në kryerjen e detyrave, dhe socializimin e tyre.
“Kujdes i veçantë duhet t’u kushtohet familjeve, përmes trajnimeve profesionale dhe aktiviteteve për të gjeneruar të ardhura”, thotë Shabani. “Fëmijët shpesh përfundojnë të shfrytëzuar [kur merren me forma negative të punëve të fëmijëve] pasi nuk mund të vendosin për vete”.
Mirëpo, siç thotë Kelmendi e KOMF-it, për shërbime të suksesshme duhet të vendoset një zinxhir i plotë dhe funksional aktorësh.
“Duhet të bëhen programe për t’i rehabilituar dhe për t’i tërhequr fëmijët nga rruga, për t’i kthyer në jetë normale, në familje, shkollë, e shoqëri”, thotë ajo.
Donjeta Kelmendi nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve thotë se beson në masa afatgjata për t’i përkrahur fëmijët që të dalin nga format negative të punës së fëmijëve Foto: Fjolla Hajrizaj / K2.0.
Megjithatë, ka indikatorë se situata do të ndryshojë në të ardhmën e afërme. Kritikët thonë se shuma prej 4.72 milionë eurosh të parapara për shërbimet sociale dhe familjare për vitin 2019 është joadekuate krahasuar me shtrirjen e çështjes, dhe është edhe më pak sesa 4.73 milionë eurot e alokuara për sivjet.
Qeveria e Kosovës ka politikë të mangët të mbrojtjes së fëmijëve edhe në fushën e transfereve me para (cash), që kohët e fundit është aktualizuar nga politikanët.
Aktualisht, vetëm familjet që strehojnë fëmijë jetimë, të braktisur, ose familjet e fëmijëve me aftësi të përhershme të kufizuara, marrin transfere nga shteti. Në familjet e varfra, në të cilat asnjëri prind nuk punon ose nuk është në gjendje të punojë, dhe të cilat nuk kanë tokë ose pronë tjetër të vlefshme, duhet të jetojë së paku edhe një fëmijë nën moshën pesëvjeçare në mënyrë që familja të kualifikohet për ndihmën sociale.
Më 27 qershor të këtij viti, deputetja Donika Kadaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), partisë së Kryeministrit aktual, propozoi një rezolutë në Kuvendin e Kosovës me të cilën i bënte thirrje qeverisë që të gjitha familjeve me fëmijë t’u jepet një shtesë prej 10 eurosh në muaj.
Sipas Kadajt, këto shtesa do t’i kushtonin 3 përqind buxhetit aktual, ndërkohë që do ta rrisnin barazinë dhe kushtet e fëmijëve. Nëse jetësohet, ky do të ishte programi më i madh në Kosovë i këtyre dekadave për mbrojtjen e fëmijëve, por përgjegjësia tani është në anën e qeverisë.
Derisa qeveria të vendosë të veprojë me politika më specifike, fëmijët dhe familjet e tyre vazhdojnë të heqin që të mund t’ia dalin nga dita në ditë dhe t’i kthehen çfarëdo mënyre që mund të gjejnë për të fituar të holla e për të mbijetuar.K
Redaktuar nga Artan Mustafa.
Redaktim shtesë: Besa Luci, Jack Butcher.
Redaktimi i gjuhës: Gazmend Bërlajolli.
Foto kryesore: Diellza Balaj.
Ky artikull është shkruar si pjesë e programit të K2.0, Bursa në gazetari për të drejtat e njeriut, 2018.
Kthehu prapa tek Monografia