Pikëpamje | COVID-19

Në rrethim

Nga - 24.03.2020

Shkrimtari Faruk Shehiq flet për jetën në kohën e COVID-19 dhe kufijtë e ngritur ndaj lirive.

Po e shkruaj këtë prej qytetit që ka përjetuar rrethimin më të gjatë ushtarak në historinë bashkëkohore. Tash kur e gjithë bota është tronditur nga pandemia e koronavirusit dhe kur duket se është vetëm fillimi i “rrethimit” të jetës së zakonshme që kemi bërë para shpërfaqjes së virusit të rrezikshëm.

Të gjitha udhëtimet, promovimet dhe obligimet që kam pasur janë shtyrë për ditë më të mira. Duket se po bëhemi robër të kësaj gjendjeje të re që goditi brenda natës, dhe që po ndryshon me nxitim prej ditës në ditë.

Rrugët e qytetit janë zbrazur shpejt. Autoritetet kanë nxjerrë urdhra dhe dekrete që qytetarët i zbatojnë, sidomos nëse kuptojmë që është vështirë t’i vëmë në rregull njerëzit tanë pas asaj që ka ndodhur gjatë luftës.

Sarajeva duket si qytet që së shpejti do të shembet prej breshërisë së artilerive.

Pas një kërkimi të shkurtër në Twitter, kuptova se ka ende solidaritet njerëzor dhe gatishmëri për t’i ndihmuar të tjerët në kohë të vështira.

Një atmosferë e çuditshme është shpërhapur ngado, madje edhe në shpirtrat e njerëzve. Sarajeva duket si qytet që së shpejti do të shembet prej breshërisë së artilerive. Aq e rëndë duket heshtja. Një paqe e panatyrshme po e trazon trafikun e mpakur në rrugët dhe bulevardet kryesore të qytetit. Kjo heshtje ua sjell ndër mend qytetarëve kohën e luftës. 

Sidoqoftë, heshtja gjatë luftës ka qenë gjithmonë jetëshkurtër, kurse kjo e tashmja po vazhdon me ditë. E dimë se lufta formale ka mbaruar para shumë kohësh por ende mbijeton në mendjet e njerëzve, jo si konflikt me një armik të përcaktuar, por si frustrim që është bërë pjesë e jetës sonë.

Askujt këtu nuk i pëlqen rikthimi i kujtimeve prej kohës kur qyteti ka qenë i rrethuar. Tash po rrethohemi prej një armiku të padukshëm.

Raftet e dyqaneve dhe supermarketeve janë dëme kolaterale. Nuk ka ndonjë mungesë të madhe por raftet e miellit janë të zbrazura. Jemi ballkanas, dhe kur vjen puna te kohët e vështira, buka dhe brumërat na ushqejnë. Njerëzit janë gjithmonë vigjilentë kur një pjesë e madhe e jetës së tyre përcaktohet prej një historie të përgjakshme.

Edhe raftet e sheqerit janë gjysmë të zbrazura. Tash për tash ka letër tualeti të bollshme.

Shpesh mendoj se në qoftë se gjendemi në buzë të ndonjë katastrofe globale, atëherë fillimi i kiametit mund të shihet nëpërmjet aktit të luftës për ta rrëmbyer një copë letre tualeti. Kiameti i Letrës së Tualetit. Pa lugetër, pa alienë, pa kometa a meteorë për një fund të përkryer të botës, vetëm rrotulla letre tualeti.

Kurdo që sirenat e ambulancave e thyenin qetësinë e panatyrshme, kisha dëshirën për të shkuar të dritarja ku mund të shihet një pjesë e madhe e komunave të Qendrës dhe Qytetit të Vjetër, por s’e kam bërë kurrë. Vetëm e lija sirenën të humbiste në labirintin e ndërtesave dhe rrugëve derisa zhdukej.

Duhet të mbetemi vetvetja, të mendojmë me kokat tona, e jo të mposhtemi nga thashethemet dhe lajmet e rreme.

Po ta vështroja se si bashkëqytetarët e mi këtu dhe në pjesën tjetër të Bosnjës e Hercegovinës po e sodisin realitetin e tyre në mediat sociale, vërtet do të kisha arsye për t’u shqetësuar. Ndihem me fat që realiteti i mediave sociale kushtëzohet prej kufizimeve të vetë realitetit virtual.

Në këtë realitet, sunduesit e vetëm janë paniku, frika, ankthi dhe mosbesimi. Mjafton të dalësh në rrugët e qytetit dhe të shohësh se si jeta nuk është avulluar brenda natës. Ata që janë vetizoluar sigurisht që kanë realitetin e tyre, por meqë nuk mund ta heq zakonin e vozitjes së biçikletës çdo ditë, e shoh realitetin drejtpërsëdrejti.

Nuk dua që opinioni im mbi krizën të formohet prej mediave online sepse lufta për klikime është e pambarim. Duhet të mbetemi vetvetja, të mendojmë me kokat tona, e jo të mposhtemi nga thashethemet dhe lajmet e rreme.

Shkrova në Twitter se nuk do ta promovoja hashtagun #stayhome (#rrinshpi) për arsyen e thjeshtë se nuk dua dhe nuk mund të mbyllem në kafaz sikur tigër. Kjo mbase tingëllon e papërgjegjshme nga ana ime por jam gazetar dhe shkrimtar, andaj më duhet t’i shoh gjërat ndërsa zhvillohen para syve të mij. Nuk mund ta bëj këtë përmes xhamit të dritares. Për rastësi, po e shkruaj një novelë pasapokaliptike dhe tash kam kuptuar se si realiteti po kërcënon ta përdorë “imagjinatën” për t’i tejkaluar ngjarjet në dorëshkrimin tim.

Një mbrëmje, mediat sociale u vërshuan prej një dokumenti për njoftimin rreth masave të jashtëzakonshme për ndalimin e punës së kafeneve dhe grumbullimeve publike. Më kapi paniku edhe mua, sepse refuzoja me këmbëngulje të përfshihesha nga histeria e blerjeve masive. Nuk po mbaja rezerva, dua të jem kundër masës, dhe u besoj shqisave të më tregojnë kur do të jetë e rëndësishme të furnizohem mirë.

Gjithmonë duhet t’i kundërvihemi neurozës kolektive që mund të na çojë te psikoza e pastër. Kur lexoj lajmet prej shtetit fqinj, më vjen ndjenja që psikoza është bërë tashmë normë atje, duke pasur parasysh se lideri i shtetit është si duket psikotik. Liderët tanë duken mjaft të mirë krahasuar me të.

Do të mjaftonte të thuhet se gjendeshim në vetizolim për gati katër muaj në Distriktin e Luftës të Bihaqit (i njohur po ashtu si Xhepi i Bihaqit sepse ishim të rrethuar në katër anët).

E përmenda imazhin e një tigri në kafaz sepse kjo është ndjenja ime personale për izolimin. Do të dilja jashtë edhe po të hidheshin predhat e kalibrit më të lartë, siç kam bërë edhe gjatë luftës.

Shkas për ringjalljen e traumës për mua u bë thashethemi për orën policore, e cila tashmë është vendosur në minishtetin psikotik, sepse ende kam kujtimet e freskëta të orës policore në Cazin të Bosnjës perëndimore, ku e kam kaluar luftën. Policia të arrestonte sepse e puthje të dashurën në park, dhe se rrije vetëm një minut pas kohës së lejuar për të qenë jashtë. Më kujtohen ngacmimet në Sarajevë gjatë orës policore. Janë gjëra që kanë fuqinë ta formësojnë njeriun dhe është vështirë t’i heqësh.

Do të mjaftonte të thuhet se gjendeshim në vetizolim për gati katër muaj në Distriktin e Luftës të Bihaqit (i njohur po ashtu si Xhepi i Bihaqit sepse ishim të rrethuar në katër anët). Vetë fjala më zgjon kujtime të pakëndshme, dëshpërimin dhe mungesën e shpresës që pushtonte mendjet dhe zemrat tona gjatë atyre viteve të pafundme.

Sigurisht që do të mendoj ta lë qytetin posa të vendoset ora policore. Liria personale është gjëja më e rëndësishme në jetën time; me e domosdoshme se secili shtet, ide, fe apo komb. Asgjë, përfshirë këtu një pandemi të rrezikshme virusore, nuk është më relevante sesa liria ime e lëvizjes dhe të drejtat e tjera të njeriut.

Kjo kohë është ideale për ta kufizuar lirinë e lëvizjes, gjë që po shihet tashmë në Serbi, ku ushtria ka dalë në rrugë pa asnjë arsye. Të gjitha regjimet autoritare do ta përdorin këtë situatë që t’iu shërbejë interesave të tyre.

Tri rastet e para të njerëzve të infektuar me virusin u evidentuan në ditën e parë të pranverës në Sarajevë.

Dielli rrezon përjashta dhe i dëgjoj cicërimat e zogjve, të cilat s’mund t’i dëgjoja gjatë viteve të pafundme të luftës, i rrethuar nga armiku me armatim të pafundmë.

Heshtja e panatyrshme vazhdon.

Imazhi i ballinës: Velija Hasanbegović.