Teatri rom, që mban emrin e dramaturgut të ndjerë rom Nexhip Menekshe, u themelua në vitin 1989. Tash e dy vjet shfaqjet e tij luhen në hapësirat e Kino “Lumbardhi” në Prizren meqë Shtëpia e Kulturës “Xhemajli Berisha”, ku teatri zhvillonte aktivitetin e vet është ende në renovim.
Të dielën, në ato hapësira u dha premiera e shfaqjes “Funny Money”, me autor Ray Cooney dhe regjisor Deniz Dadale. Komedia është një rrëfim i aventurave të Henry Perkins, një personazh që përjeton ngjarje të papritura pasi gjen një çantë të mbushur me para në një situatë të çuditshme në metro.
Repriza do të shfaqet sot, më 8 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Romëve.
Sejnur Veshall, drejtor artistik i teatrit, me nostalgji kujton fillet e aktivizmit të tij në teatrin rom, r që në klasën e parë, kur siç thotë ai “nisi edhe aktivizmi im për çështjet e komunitetit tonë”.
Javën e kaluar, K2.0 ndoqi provat për shfaqjen “Funny Money” dhe kaloi kohë me ekipin e teatrit dhe shfaqjes. Të gjithë të angazhuarit/at mbanin më shumë se veç kapelën e aktorit/aktores. Asnjëri/a nuk e kishte profesion aktrimin. Ishin aktorë/e, por edhe producent/e. Aktorë/e, por edhe skeonografë/e, edhe përkthyes/e, edhe fotografë/e. Mbi të gjitha, të gjithë aktorët/et ishin edhe aktivistë.
Hapësirat punuese të teatrit janë të integruar në studion e radios së vetme rome, Radio Romano-Avazo. E njëjta hapësirë strehon edhe bibliotekën rome, e cila ndonëse e vogël, ruan përmbledhje të rëndësishme për historinë dhe kulturën rome. Në të gjendet edhe Monografia e Teatrit Rom, e botuar në vitin 2019, në 30-vjetorin e themelimit të teatrit.
“Përpos dëshirës, u bë edhe obligim”, thotë Veshalli për punën që teatri rom “Nexhip Menekshe” bën për ta ruajtur gjuhën dhe kulturën rome.