Blogbox | Drejtësi sociale

Neglizhenca emocionale e prindërve ndaj fëmijëve

Nga - 27.05.2025

Kuptimi i ndikimit të neglizhencës emocionale në prindërim dhe marrëdhënie.

Tensioni mes dëshirës për lidhje emocionale dhe frikës nga kërkesat e saj nxjerr në pah një të vërtetë themelore të natyrës njerëzore: përvojat tona të hershme na shoqërojnë në çdo marrëdhënie që ndërtojmë më vonë gjatë jetës. Fëmijëria është filozofia jonë e parë, një kornizë e pashprehur që përcakton besimet tona për dashurinë, sigurinë dhe besimin. Kur këto mësime të hershme na shtyjnë të fshehim emocionet, rrezikojmë të krijojmë marrëdhënie të cekëta, që nuk pasqyrojnë thellësinë e lidhjeve që fshehurazi i dëshirojmë.

Duke qenë pranë njerëzve, duke i dëgjuar dhe vëzhguar në jetën e përditshme, në biseda të thella apo momente të vogla, kam kuptuar sa shpesh funksionojmë në mënyra që nuk na shërbejnë. Një nga modelet që kam vërejtur është neglizhenca emocionale, një formë e mungesës së lidhjes që shpesh rrënjët i ka në përvoja të hershme, të cilat asokohe nuk kemi ditur si t’i përballojmë. Si psikologe, kam pasur mundësinë të shoh këtë jo vetëm te të tjerët, por edhe tek vetja dhe kjo më ka bërë të reflektoj më shumë rreth mënyrës si rritemi dhe si lidhemi me veten dhe me të tjerët.

Neglizhenca emocionale e prindërve ndaj fëmijëve është një problem që shpesh kalon pa u vënë re, por ndikon thellë në emocionet dhe mirëqenien e fëmijës. Kjo ndodh kur prindërit nuk u kushtojnë rëndësi ndjenjave të fëmijës, nuk e dëgjojnë apo nuk e mbështesin emocionalisht. Si pasojë, fëmijët rriten me nevoja emocionale të paplotësuara, të cilat nuk dinë si t’i shprehin.

Kur këto lidhje nuk formohen siç duhet për shkak të stresit, mungesës së njohurive apo presioneve shoqërore, fëmijët mund të zhvillojnë lidhje të pasigurta, pasojat e të cilave zgjasin gjatë gjithë jetës.

Ndryshe nga abuzimi fizik, i cili është i dukshëm, neglizhenca emocionale është më e fshehtë dhe manifestohet si mungesë e mbështetjes dhe lidhjes emocionale. Fëmijët që rriten në këto kushte shpesh përballen me vështirësi në besimin ndaj të tjerëve, frikë nga hapja emocionale dhe tendencë për të shmangur ndjenjat e tyre.

Pasojat e mungesës së mbështetjes emocionale mund të jenë të mëdha, jo vetëm në vetëvlerësim dhe në aftësinë për t’i menaxhuar emocionet, por edhe në marrëdhëniet e ardhshme. Sipas teorisë së lidhjes, së psikologut John Bowlby, lidhjet e forta emocionale mes prindërve dhe fëmijëve janë thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm emocional. Kur këto lidhje nuk formohen siç duhet për shkak të stresit, mungesës së njohurive apo presioneve shoqërore, fëmijët mund të zhvillojnë lidhje të pasigurta, pasojat e të cilave zgjasin gjatë gjithë jetës.

Këto sfida nuk janë vetëm rezultat i ndryshimeve shoqërore, por shpesh rrjedhin nga modelet e prindërimit të trashëguara brez pas brezi, duke ndikuar thellësisht në mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë dhe përballen me emocionet gjatë jetës.

Prindërit, pavarësisht roleve tradicionale apo gjinisë, shpesh veprojnë brenda një sistemi që dikton qasjen e tyre ndaj nevojave emocionale të fëmijëve. Në vende si Kosova, ku përplasen vlerat tradicionale dhe elementet e jetës bashkëkohore, mungesa e sigurisë emocionale shpesh normalizohet dhe trashëgohet brez pas brezi. Për shembull, disa prindër mund të jenë fizikisht të pranishëm, por nuk arrijnë të ofrojnë siguri emocionale, jo nga mungesa e dashurisë, por sepse as ata vetë nuk e kanë përjetuar një mbështetje të tillë. Kjo  ua bën të vështirë zhvillimin e aftësisë për të krijuar dhe ofruar siguri emocionale si prindër.

Rrënjët e neglizhencës

Në shumë familje, gjeneratat e mëparshme, si gjyshërit, përqendroheshin në përmbushjen e nevojave bazike dhe shpesh ishin të zënë me sfida si puna e rëndë apo problemet ekonomike, duke lënë pak hapësirë për mbështetje emocionale. Për shembull, pyetja “Si ndihesh sot?” mund të mos ketë qenë pjesë e komunikimit të përditshëm dhe kjo ishte e normalizuar.

Në kontekste me transformime të shpejta politike, sociale dhe ekonomike, prindërimi shpesh kthehet në një akt mbijetese. Sfidat e papunësisë, migrimit dhe mungesës së burimeve i bëjnë prindërit të ndihen të mbingarkuar dhe emocionalisht të shkëputur. Edhe pse përpiqen të sigurojnë një jetë më të mirë për fëmijët, kjo shpesh vjen me koston e mosadresimit të nevojave emocionale të tyre. Ky nuk është një dështim personal, por pasojë e faktorëve sistemikë dhe ndër-breznorë.

Ky model prindërimi ka krijuar një cikël të heshtur ku mungesa e sigurisë emocionale bëhet një trashëgimi e rrënjosur thellë.

Pos kësaj nga një këndvështrim psikologjik, neglizhenca emocionale mund të shihet edhe si nënprodukt i sistemit kapitalist. Kapitalizmi, me fokusin te produktiviteti, konkurrenca dhe suksesi material, shpesh i shtyn njerëzit t’i vendosin punën dhe arritjet përpara ndërtimit të marrëdhënieve të shëndetshme emocionale. Kjo krijon një cikël ku mungon koha, energjia dhe vetëdija për të përmbushur nevojat emocionale, si të vetvetes ashtu edhe të fëmijëve, duke thelluar shkëputjen emocionale në familje dhe shoqëri.

Një individ që ka përjetuar neglizhencë emocionale mund të ndiejë pasiguri dhe frikë nga refuzimi, qoftë në marrëdhënie personale apo profesionale, duke ndikuar kështu në mirëqenien e vet dhe cilësinë e lidhjeve që krijon.

Me gjithë rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e lidhjeve emocionale, shumë njerëz vazhdojnë të përballen me pasojat e këtij cikli, çka shpjegon problemet e shpeshta me stilet e lidhjes dhe vështirësitë në krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme. Për shembull, një i rritur që nuk ka përjetuar mbështetje emocionale si fëmijë mund të ketë vështirësi të ndihet i sigurt në marrëdhënie apo të përballojë konflikte emocionale. Kjo tregon se neglizhenca emocionale është më shumë se një fenomen bashkëkohor; është një trashëgimi që ka formësuar mënyrën se si njerëzit përballen me emocionet dhe marrëdhëniet.

Fëmijët e rritur në këto kushte shpesh përballen me vështirësi në vendosjen e kufijve të shëndetshëm, shprehjen e nevojave dhe ndërtimin e marrëdhënieve të forta si të rritur. Një individ që ka përjetuar neglizhencë emocionale mund të ndiejë pasiguri dhe frikë nga refuzimi, qoftë në marrëdhënie personale apo profesionale, duke ndikuar kështu në mirëqenien e vet dhe cilësinë e lidhjeve që krijon.

Imagjinoni një fëmijë të rritur në një familje ku heshtja është më e zakonshme se komunikimi dhe ku emocionet konsiderohen shenjë dobësie. Kur ky fëmijë rritet dhe has në një partner/e që kërkon intimitet emocional, ai mund të ketë vështirësi të hapet dhe të ndajë ndjenjat, edhe pse dëshiron të krijojë lidhje. Kur partneri/ja përpiqet të krijojë hapësirë për ndjeshmëri, personi tjetër mund të reagojë me pasiguri dhe tërheqje, jo nga mungesa e interesit, por sepse ndjeshmëria është diçka e panjohur dhe e frikshme.

Studimet tregojnë se fëmijët që përjetojnë neglizhencë emocionale kanë më shumë gjasa të përballen me sfida të shëndetit mendor, si ankthi, depresioni dhe vetëvlerësimi i ulët. Këto pasoja nuk kufizohen vetëm te fëmijët e neglizhuar; ato shtrihen në marrëdhëniet, komunitetet dhe kulturën që ata ndihmojnë të formojnë.

Pikërisht në këtë boshllëk lindin dështimet ndër-breznore dhe mbijnë farat e neglizhencës emocionale. Pasojat përhapen si valë: të rritur që luftojnë me intimitetin, fëmijë që kërkojnë vlerësim në arritje të jashtme dhe shoqëri të ndërtuara mbi dëshpërim të heshtur. 

Për të adresuar këtë problem, është thelbësore të pranohet se neglizhenca emocionale është një çështje sistemike që kërkon ndërhyrje të gjera, përfshirë masa sociale dhe ekonomike që promovojnë mirëqenien emocionale. Kjo përfshin rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e shëndetit emocional, mbështetjen për prindërit në zhvillimin e aftësive emocionale dhe krijimin e politikave që lehtësojnë presionet mbi familjet. 

Në fund, për të transformuar marrëdhëniet dhe për të shëruar plagët emocionale ndër-breznore, duhet të kthehemi te ajo që ka vërtet rëndësi: ndërtimi i lidhjeve të sigurta dhe të thella me të tjerët.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.