Biseda | Muzikë

Nemesis: Ky nuk është tregim për vajzat që duan të jenë djem

Nga - 03.01.2020

Një bend death metal i grave nga Serbia po thyen barrierat dhe po pushton rajonin.

Si fillim, është e rrallë që një vajzë/grua të perfomojë në një bend. Së dyti, është edhe më e rrallë që një vajzë/grua të performojë në një bend të zhanrit death metal. Është fenomen unik kur pesë vajza/gra e themelojnë një bend.   

Ky fenomen mund të mos jetë aq mbresëlënës në shumë vende, por tërheq vëmendje në shoqëritë ballkanike të mbërthyera me patriarkalitet. Gratë nga grupi Nemesis e dinë këtë dhe flasin vazhdimisht për problemin. Ato kanë hapur rrugën që vajzat e tjera ta zgjedhin kitarën, basin, bateritë, apo ndonjë instrument tjetër që konsiderohet i papërshtatshëm.

Ky është tregimi i tyre.

Janë pesë veta. Vokalistja Sanja Drča, kitaristet Aleksandra Petrović dhe Tijana Milivojević, basistja Biljana Sovilj dhe bateristja Selena Simić. Rrallë mund t’i shihni të gjitha në një vend, përveç kur kanë prova ose koncert, sepse Aleksandra dhe Biljana nuk jetojnë në Beograd. Kjo është arsyeja pse K2.0 foli vetëm me tri prej tyre.

Në fund të vitit 2018 — pesë vjet pasi u themeluan — albumi i tyre i parë “The War is On” dhe videoja “Dead End” doli në treg. Nemesis performon shpesh, sidomos në festivale. Debutimi i albumit sinjalizoi një fazë të re të zhvillimit të tyre.

Gjatë periudhës pesë vjeçare, vajzat nga Nemesis u përqëndruan të performonin live në të gjithë rajonin. Foto nga Nemesis.

K2.0: Do të thoja që keni qasje old school në punën tuaj dhe në raport me albumin që doli pesë vjet pas themelimit të bendit. Kjo thotë shumë për përkushtimin tuaj. Pavarësisht faktit se jetojmë në një kohë kur albumet nuk janë aq të rëndësishme për bendet, çfarë do të thotë kjo për ju, pikërisht sepse është përfundimi i një periudhe të veprimit?

Selena: Po, ky është padyshim përfundimi i një epoke, për ta thënë në mënyrë dramatike. Dhe fillimi i një të reje. Pse jemi vonë me albumin? Sepse kemi pasur shumë koncerte. Ishim shumë të përqendruara në koncerte. Nuk e kemi pasur asnjë moment të ulemi dhe të vendosim se të gjitha këngët janë gati dhe se do ta inçizojmë një album. Edhe tani kur dëgjojmë këngët, mund të themi se ato nuk janë gati, por ne do të mund ta bënim këtë pafundësisht, derisa të arrinim nivele të sëmura të perfeksionizmit. Vendosëm të inçizojmë dhe besoj se e kemi gjetur kompaninë më të mirë inçizuese në rajon — Grom Records, e cila është krejt underground. Personi që e drejton këtë kompani na mbështet plotësisht.

Tijana: Nëse mendoni për gamën e pesë vjetëve, duhet të keni parasysh se nuk janë pesë vjet të angazhimit rreth albumit. Nemesis filloi si një bend që bënte covers dhe më pas e ndryshoi strukturën. Kanë kaluar vetëm dy vjet që kur filluam të punojmë në muzikën tonë. Dy vjet nuk janë periudhë e shkurtër, por na duhej koha për t’i bërë bashkë të gjitha.

Megjithatë, albumet nuk janë gjëja e parë që bëhet këto ditë. Shumë interpretues ofrojnë albumin e tyre për shkarkim falas. Duke e bërë këtë, ata hapin dyert për performanca të reja. Për ju, në anën tjetër, performancat nuk janë problem. Tashmë kishit mbajtur shumë koncerte para se ta publikonit albumin.

Selena: Sa i përket inçizimit të albumit, së pari duam ta kemi atë si produkt tonin. Diçka që do të mbetet për ne, familjet tona, diku në sirtarë. Që ta dimë se e bëmë. Ashtu si kur dikush shkruan një libër dhe paguan që ta printojë. Kjo është arsyeja pse duam ta kemi një CD.

Përveç kësaj, ne sinqerisht besojmë se një rreth i ngushtë i audiencës po e dëgjon muzikën tonë dhe po qëndron me këtë qasjen old school. Ata do të donin të kishin një kopje të albumit. Kjo është arsyeja e vetme pse nuk kemi kaluar streaming plotësisht. Ne besojmë se ka një numër të caktuar të audiencës që do ta donin një variant të printuar. Njerëzit që kanë rafte me disqe. Ne e duam një vend në ato rafte.

Kush ndikoi që t’i zgjedhni instrumentet dhe a vazhdoni ende të luani me të njëjtit?

Tijana: Për mua është i njëjti — instrumenti im i parë ishte kitara. Dhe kush ka ndikuar tek unë? Nuk mund të them që dikush kishte një ndikim të veçantë. Prindërit e mi e dëgjonin këtë lloj muzike. Kam disqe me këtë muzikë. Dëgjoja bende… kjo më frymëzoi të filloja t’i bija kitarës.

Selena: Në rastin tim ishte ndryshe. Fillova t’i bija pianos kur u regjistrova në shkollë fillore të muzikës. Ashtu si të gjithë fëmijët e tjerë të mirë të prindërve të mirë. Më vonë, më larguan nga ajo shkollë. Asnjëherë nuk kam dashur të ndjek shkollën e muzikës, të luaja piano ose të këndoja solfeggio (një ushtrim vokal)… Kam pasur dëshirë të madhe t’u bija baterive pavarësisht të gjithëve dhe gjithçkaje. U regjistrova në shkollën e mesme të muzikës, ku luaja bateri të xhazit. Kjo nuk ka asnjë lidhje me çfarë jam duke bërë tani. Ky [bend] m’u duk ide e shkëlqyer.

Sanja: Unë e gjeta rastësisht — këndoj, por ky nuk ishte aspak plani im. Si vajzë e vogël kam mësuar vet. I bija sintetizuesit dhe më vonë doja t’i bija kitarës. Megjithatë, nuk më shkoi aq mirë. Pastaj shkova në një koncert. Mikrofoni kaloi nga një pjesëtar i audiencës te një tjetër dhe disi arriti tek unë. Atëherë fillova të rritesha. Kitaristja [e bendit] më dëgjoi dhe më pyeti nëse isha në ndonjë bend. Më tha se mund ta bëjmë një bend bashkë. Kështu fillova. Nuk ishte e planifikuar.

Ishte e vështirë në fillim. I këndoja tri këngë dhe pastaj më humbte zëri sepse nuk dija taktika. Ishim të gjitha bashkë dhe e pashë se mund t’ia dalim. U regjistrova në disa tutoriale për të mësuar si të këndoj dhe mos ta humb zërin gjatë procesit.

Nemesis filloi si cover bend, por në vitin 2019 e lajmëruan albumin e tyre të parë. Foto nga Nemesis.

Asnjëherë nuk kam dashur të bëhem vokaliste. Gjithmonë kam dashur të jem prapa. Duke luajtur bas. Ose ndoshta duke bërë vokalet mbështetëse. Por ndodhi gjithsesi. Gjithmonë them se ndodhi rastësisht. Më pëlqeu. Kështu që qëndrova.

A u themelua grupi thjesht ashtu, rastësisht?

Selena: Po, krejt rastësisht. Aleksandra foli me Sanjan gjatë një koncerti. Sanja më dërgoi një mesazh përmes Facebook-ut. Në atë kohë luaja në gjashtë bende. Veç edhe një bend tjetër më mungonte. Pastaj, ajo më dërgoi mesazh: “Hej, tung! Të pashë duke luajtur me atë bend. Dua ta krijoj bendin tim që do të jetë tribute i Arch Enemy.”

Nëse nuk do ta kishte përmendur Arch Enemy (një bend suedez death metal melodik, që poashtu e ka një grua vokaliste), kurrë nuk do të pranoja. Në atë kohë, ai ishte bendi im i preferuar. Që nga dita e parë kur fillova tu bija baterive, gjithçka që doja ishte të kisha një bend të grave. Dhe që të tingëllonte si Arch Enemy.

Nëse ajo nuk do ta kishte përmendur atë bend, unë do t’i thoja që ishte e sjellshme dhe e ëmbël, por nuk kam kohë. U takova me të dhe ajo solli me vete Aleksandran, kitaristen. I shikoja dhe mendoja: “Dy vajza, kjo është!” U thashë që duhet t’i gjejmë edhe dy vajza tjera dhe ta bëjmë një bend veç me vajza. Atyre u pëlqeu ideja. Kështu lindi Nemesis.

"Mbijetuam disi sepse bendi na bëri fillimisht shoqe, pastaj bashkëpunëtore që e ndihmojnë njëra-tjetrën me gjithçka."

Selena, bateriste

Tijana: Që unë jam këtu është gjithashtu rastësi, edhe Bilja njësoj. Atë e njihnim nga Facebooku. Ajo e mbante një kitarë. Prandaj, thjesht e pyetëm: “A dëshiron të luash në Nemesis?”

Bendi mund të jetë krijuar rastësisht, por gjithçka tjetër rreth tij është bërë qëllimisht. Nga shfaqjet e stiluara ashpër, deri te albumi.

Tijana: Kemi kaluar shumë kohë hustling, siç do të thoshin të rinjtë. Kemi bërë gjithçka ngapak.

Selena: Je duke bërë diçka me jetën tënde që nuk është fitimprurëse. Je duke e neglizhuar jetën personale. Nuk është diçka që mund ta bësh në të njëjtin nivel për një kohë të gjatë. Por megjithatë ne po e bëjmë këtë. Me të vërtetë kemi kaluar shumëçka së bashku dhe kemi pasur probleme të paimagjinueshme.

Mbijetuam disi sepse bendi na bëri fillimisht shoqe, pastaj bashkëpunëtore që e ndihmojnë njëra-tjetrën me gjithçka.

Kur ishim të vogla, të gjitha shikonim bende të djemve dhe donim të bëheshim si ata. Ishim të gjitha vajza të vogla që donim të dilnim në skenë një ditë. Dhe t’i bënim gjithë ato gjëra argëtuese dhe t’i bënim njerëzit të na duartrokasin. Mendoj se kemi arritur diçka prej kësaj. Nëse jo këtu, atëherë në Bullgari sigurt. Ne performojmë atje më shpesh sesa në Serbi. Këto koncerte janë të jashtëzakonshme, me audiencë të madhe. Zakonisht performojmë në festivale kushtuar këtij lloji të muzikës. Vijnë plot njerëz. Të gjithë na duan. Na japin pije dhe ushqim falas. Na lënë të flemë në hotele. Na sigurojnë gjithçka.

A jeni duke u rebeluar sepse vetëm burrat lejohen të dalin në skenë dhe të kënaqen? A është dëshira për ta mbytur këtë stereotip motivimi juaj kryesor?

Selena: Pikërisht kjo ishte për mua. Pse vetëm djemtë mund të dalin në skenë dhe të bëhen të famshëm? Pse vetëm djemtë mund t’u bien baterive? Unë dua ta kem këtë përvojë dhe dua të jem ajo që interpreton në skenë.

"Edhe pse jam grua, çfarë dallimi bën? Dua ta imitoj James Hetfield, një nga idhujt e mi. Pse nuk mund ta bëj këtë?"

Tijana, kitariste

Nuk dua të kem përvojat stereotipike të të qenit e dashura e dikujt në bend ose diçka dytësore si kjo. Dua të jem ajo që u bie baterive në skenë të festivaleve të mëdha, me atë zjarr që shpërthen në kokën time.

Tijana: Edhe unë isha fëmijë dhe e vetmja gjë që doja ishte të dilja në skenë dhe të isha si kitaristët meshkuj. Por edhe të jem një grua që luan kitarë në një bend të muzikës metal. Nuk ishte me rëndësi a ishin pesë gra apo tri, ose nëse pjesa tjetër ishin burra. Thjesht kam dashur të jem aty dhe t’i bie kitarës. Të jem ajo me të gjitha lëvizjet.

Edhe pse jam grua, çfarë dallimi bën? Dua ta imitoj James Hetfield, një nga idhujt e mi. Pse nuk mund ta bëj këtë? Historia e grave ishte gjithmonë ose të luanin muzikë klasike ose të rrinin në shtëpi. Padyshim që në familjen time nuk ishte kështu. Por kur u largova nga shtëpia, gjithmonë më thoshin se dikur do t’i bie kitares klasike akustike. Gjithmonë kam dashur të luaj me njerëzit. Por ato bende gjithnjë e kishin tashmë të ftuar ndonjë burrë. Kam dashur vetëm të dal me më shumë njerëz dhe të performoj atë që dua.

Sanja: Siç e thashë edhe më parë, kurrë nuk kam dashur të jem vokaliste, por tani kam ngecur me këtë rol. Për mua, një grua ishte idhulli im. Angela nga Arch Enemy. E shikoja dhe e dëgjoja duke kënduar dhe si sillej në skenë. Pashë energjinë e saj. Thashë, në rregull, nëse do ta bëj këtë, atëherë dua të jem si ajo.

Nuk e kam pasur mbështetjen e prindërve të mi. Ata më pyesnin: “Pse po bërtet para këtyre njerëzve? Po ia lëkund eshtrat gjyshit në varr. Si mund ta shpjegojmë këtë? Pse nuk po sillesh si grua?” Kjo vetëm më provokoi, prandaj thashë: “Në rregull, tani do të bërtas me zë edhe më të lartë para njerëzve të huaj.”

"Nëse një grua është e zemëruar, me siguri është e çmendur dhe skizofrenike. Duhet të mjekohet."

Selena, bateriste

Tijana: Po. Motivimi erdhi nga njerëzit që thanë: “Oh, hajde!” Iu bashkova bendit Nemesis për shkak të tyre.

Selena: Motivimi ynë për të ekzistuar i ka rrënjët në kundërshtim. Ajo që ne kundërshtojmë është misogjiniste dhe shoviniste. Vijnë dhe na thonë: “Demek ju luani në bateri? E pamundur. Por luani aq mirë sa do të luante një burrë, ju lumtë. Nuk e kam parë këtë më parë. Ju po bëni cirk, jeni palaço.”

Ndonjëherë me të vërtetë ndihesh si në cirk sepse janë pesë nga ne, të gjitha gra. Njerëzit nuk mund ta kuptojnë që gratë janë të afta të bëjnë diçka tjetër. Jo vetëm të punojnë me tigan dhe të luajnë muzikë klasike. Ata nuk mund ta kuptojnë që gratë gjithashtu mund të jenë të zemëruara. Nëse një grua është e zemëruar, me siguri është e çmendur dhe skizofrenike. Duhet të mjekohet. Shumë pajisje torturash u krijuan përgjatë historisë vetëm për torturimin e grave. Sepse janë të çmendura.

Tijana: Njerëzve u duket e çuditshme ta kuptojnë. Ata thonë që ka shumë muzikante të mira gra, të cilat bëjnë muzikë në zhanre të ndryshme. Por atyre u duket  interesante që ne zgjodhëm zhanrin death metal. Kjo është gjëja më interesante. Që ne e duam këtë. E kam dëgjuar këtë zhanër gjithë jetën. Pse të mos e luaj!

Ka shumë arsye pse disa njerëz zgjedhin të bëjnë muzikë death metal, qofshin burra apo gra. Ka shumë arsye pse duhet të zemërohen. Shikoje pak vendin ku jetojmë. Pas gjithçkaje që ka ndodhur, është me të vërtetë e vështirë ta marrësh një violinë ose piano dhe të luash me mendje të qetë. Ta diskutojmë këtë mllef, zemërimin që lind nga padrejtësia. Mund të fillojmë me vetë emrin e bendit, Nemesis, perëndeshë e drejtësisë.

Selena: Jam e sigurt që ka disa njerëz që shkojnë në shtëpi, i bien violinës dhe e shijojnë atë që ua jep jeta. Por ne të pestat… Pse jemi vetëm tri prej nesh këtu tani që po e bëjmë këtë bisedë? Dhe jo të pestat? Sepse njëra nga ne jeton në Badovinci, një fshat afër Šabac, në kufirin me Bosnjën. Ajo jeton me tri mace, dy qen dhe 750 pula. Ndërsa tjetra jeton në Novi Sad si nën-qiramarrëse, sepse e ka një punë atje. Vetëm vokalistja jonë Sanja është nga Beogradi. Të tjerat vijmë nga fshati.

Skena e metalit në Beograd ishte gjithnjë elitare dhe e padëshirueshme ndaj njerëzve nga fshati. Veçanërisht ndaj grave. Unë mendoj se, për fat të keq, jemi të vetmet që e bëjmë këtë tani. Por përveç kësaj, ne me të vërtetë mund ta ndiejmë atë padrejtësi kur arrijmë në shtëpi.

Folëm për emrin e bendit, Nemesis. Është një këngë nga grupi ynë i preferuar (Arch Enemy) që është vërtet shumë rebele. Tekstet e tyre janë plot drejtësi. Ata gjithashtu e kanë një grua vokaliste. Për ne, kënga e preferuar e tyre ishte Nemesis. Më vonë, ne hulumtuam dhe zbuluam se Nemesis është perëndeshë greke e drejtësisë që shkon përreth me peshore. Ajo e mat mirësinë e njerëzve.

Ne nuk pretendojmë se dijmë ta matim mirësinë e njerëzve, por e dimë kur dikush nuk është i mirë. Kështu që emri ynë dhe tekstet tona reflektojnë përfundimisht këtë rebelim që ndiejmë brenda por nuk dimë si ta shprehim.

E shoh që po vazhdoni angazhimin tuaj me Kampin e Rokut për vajza (Rock Camp for Girls). Ju po përpiqeni t’ua përcjellni qëndrimet tuaja brezave të rinj. Tri kampe janë organizuar tashmë. Tri gjenerata të vajzave. Cili ishte motivimi juaj për t’u bërë pjesë e këtij tregimi?

Selena: Unë do të thoja së pari që ne nuk e kemi bërë këtë të vetme. As nuk e filluam projektin. Personi përgjegjës është Tatjana Nikolić, e cila ka vite që punon për të ndihmuar kreativitetin e grave në Serbi.

Përveç koncerteve live, vajzat nga Nemesis janë pjesë e Kampit të Rokut për Vajza (Rock Camp for Girls) që ekziston në Serbi që tri vjet. Foto nga Nemesis.

Iu bashkova sepse isha një vajzë që kishte nevojë për Kamp të Rokut për vajza. Një vend ku mund t’i bija një instrumenti pa u gjykuar. Aty ku mund të provoja t’i bija cilitdo instrument që më pëlqen dhe të takoj vajza të tjera që mendojnë si unë, që dëgjojnë muzikë të ngjashme. Rruga ime për t’u përfshirë në të ishte shumë e logjikshme. Tijana na u bashkua kur e ftova sepse e dija që ajo ndihej njësoj.

Në qytetet tona të lindjes, ne ishim disi të çuditshme. Disa vajza të çmendura. Më kanë quajtur edhe adhuruese të kulteve, narkomane dhe shumë të tjera. Sepse doja të luaja në bateri. Kjo është pikërisht arsyeja pse duam të marrim pjesë në Kamp të Rokut për vajza. Kështu që asnjë nga vajzat të mos ketë përvojë të ngjashme me tonat.

Tijana: Ashtu është. Filloi në shkollë fillore. Je duke i rënë kitarës. Tashmë konsiderohesh e çuditshme. Në shkollë të mesme, ishte një lloj lehtësimi. E ke një lloj identiteti. Bëhesh gjëja që po luan por nuk ka pse të jetë kështu.

E keqja është se nuk mund ta gjesh një bend në komunitete më të vogla. Zakonisht, ka bende të djemve/burrave, të cilat e kërkojnë një kitarist, një basist, një baterist. Ndoshta një vokaliste. Fati ose fatkeqësia ime është se nuk isha këngëtare. Në ato bashkësi, njerëzit kërkojnë djem për të luajtur në bende të muzikës rok. Ata nuk iu besojnë grave. Doja vetëm ta ndryshoja këtë. Jam një vajzë që aktualisht luan në Nemesis dhe mendoj se jam shumë e suksesshme në këtë. Pse nuk mundet një vajzë tjetër ta bëjë të njëjtën gjë nëse i vjen mundësia?

Selena: Dhe ky nuk është një tregim për ne, vajzat, që duan të jenë ata djem. Jo!

Tijana: Ne, vajzat, duam të jemi këto vajza. Të jemi ato që jemi tani. Jemi këtu që ato të mund të identifikohen me ne. Pastaj ato duhet të bëhen njerëz me të cilët mund të identifikohen edhe disa vajza të tjera.

Selena: Duam të sigurohemi që atyre të mos u duhet të identifikohen me djemtë në skenë, por të shohin gra në skenë që janë të zemëruara, të shkathëta dhe energjike, që janë tekstshkruese. Duam që ato të mos mendojnë se nëse dikush është grua, atëherë ajo nuk mund ta bëjë këtë apo atë.

Tijana: Ne duam ta ndryshojmë këtë. Jam po aq e aftë në muzikë sa dikush që quhet Dino ose Aleksandër. Nuk ka rëndësi se si dukemi, por çfarë lloj muzike krijojmë dhe si performojmë.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën serbe/kroate/boshnjake.

Foto kryesore: Nemesis.