Në thelb | Photo story

Nëpër fotografi: Historia e Trepçës përmes kristaleve

Nga , - 25.08.2025

Muzeu i Kristaleve në Stantërg ruan trashëgiminë e Trepçës.

Në hyrje të Stantërgut në Mitrovicë, mbi nëntokën që ruan minierën e famshme të Trepçës, disa dyer të hekurta dhe një roje që rri ulur në një qosh, ruajnë Muzeun e Kristaleve. 

Në pamje të parë, duket si një ndalesë e rëndomtë turistike, por brenda muzeut fshihet një histori e gjatë e pasurive nëntokësore së Kosovës dhe paraqet një arkiv gjeologjik të gjallë që ndriçohet me ngjyra e forma të rralla minerale.

“Mirësevini në Muzeun e Kristaleve të Kosovës ‘Trepça’”, na e pret Ibrahim Musa, inxhinier gjeologjie nga Shala e Bajgorës, që ka jetuar gjithë jetën pranë këtyre mineraleve nëntokësore dhe tani është bërë kujdestar i tyre. Me duar të mësuara për të punuar me gurë e minerale, Ibrahimi prek tri pulla në pilotët e dritave në sallën ekspozuese dhe kristalet marrin jetë. Vezullimi reflekton në të kuq, të gjelbër, të bardhë si akulli, apo edhe në të kaltër.

Janë mbi 2.000 minerale që janë të ekspozuara në raftet e drunjta. Por, në hyrje vizitorët ndalen para një pune të jashtëzakonshme të dorës së njeriut, një model klasik 3D i zonës minerare, i krijuar në vitet e ’60-a pllakë për pllakë. Ky model tregon secilin horizont nëntokësor të minierës së Trepçës, duke shfaqur se si miniera shtrihet në thellësi.

Ky instalacion rrëfen historinë e minierës që nis qysh në vitet e ’20-a, kur një kompani angleze “Trepca Mines Limited” ndërtoi banesat e para dhe nisi shfrytëzimin e xeheve. Ibrahimi kujton se vetë minatorët nisën t’i koleksionojnë kristalet, që shënojnë edhe fillet e muzeut, i cili mori formën e muzeut në vitin 1964, në atë që quhet “Lagja Angleze”. Ndonëse ai objekt nuk ekziston më, trashëgimia e muzeut sot ruhet në këtë ndërtesë që nga viti 2012, nën përkujdesjen e Ministrisë së Ekonomisë, e cila menaxhon sektorin e minierave dhe mineraleve.

Brenda rafteve të muzeut qëndrojnë të vendosura qindra mostra. Kuarcë në forma të kristaleve të mëdha e të ndritshme, mineralet si galenit e sfalerit që dëshmojnë pasurinë industriale të Trepçës, barit me ngjyrat e tij të verdha, pirrotin që duket si metal i gjallë, fluoriti që ndërron ngjyrë sipas dritës.

Ndër më të veçantit është një eksponat i mineralit të galenitit, që është bazë për nxjerrjen e plumbit. Ai ka formë rrethore, me një gropë brenda, teksa format dhe prerjet e bëjnë të duket si një qytet.

Por, për të kuptuar rëndësinë e këtij muzeu, duhet të kthehemi prapa në kohë.

Trepça ishte zemra industriale e Kosovës. Gjatë kohës së Jugosllavisë, që është koha më e lavdishme e Trepçës, kjo minierë ishte shtyllë e rëndësishme e zinxhirit industrial jugosllav, dhe një nga asetet kryesore strategjike të Jugosllavisë. Trepça ishte një nga komplekset më të mëdha minerare në Evropë, që prodhonte mbi 1.6 milionë tonë xehe në vit. Ajo përfaqësonte rreth 70% të pasurisë minerale të Jugosllavisë dhe e bëri Kosovën një qendër të rëndësishme minerare në Ballkan. Për këtë arsye shpesh quhej “gjiganti ekonomik” i vendit. Eksportet e saj arrinin tregjet ndërkombëtare, dhe mineralet e nxjerra gjenden sot edhe në muzetë më prestigjiozë, nga vendet e ish-Jugosllavisë deri në Tokio.

Përtej prodhimit industrial, Trepça pati ndikim të madh social e kulturor, duke punësuar mijëra qytetarë shqiptarë e serbë.t. Përveç kësaj, nga minatorët e tuneleve të po kësaj miniere, nisi filli i rezistencës civile të Kosovës. Kur rrezikohej Kushtetuta e vitit 1974 dhe autonomia e Kosovës, minatorët e Trepçës, të konsideruar si “shenjtorët e industrializimit”, ishin ndër të parët që u rreshtuan në mbrojtje të saj.

Sot, ndonëse kapacitetet e saj nuk janë më ato të dikurshmet, trashëgimia e Trepçës jeton përmes muzeve si ky në Stantërg, ku bukuria natyrore e nëntokës është kthyer në vlerë kulturore e turistike.

Përveç që pret rreth 10,000 vizitorë në vit, muzeu i Kristaleve është edhe qendër kërkimore. Studiues nga vende të ndryshme marrin mostra, bëjnë matje dhe shfrytëzojnë të gjeturat për studimet e tyre shkencore.

Jashtë muzeut, vizitorët ndeshen me dy vagonë të vjetër të minierës, që ilustrojnë mënyrën se si janë bartur xehet për dekada brenda nëntokës. Në një pjesë tjetër rrinë të ekspozuara mjetet e punës që janë gjetur nëpër horizontet e minierës: vegla të ndryshme të vjetëruara, e deri te helmetat e hekurta të periudhës së anglezëve, që sot duken si relikte të një epoke tjetër.

E kur mbrëmja bie, dyert e hekura mbyllen dhe dritat fiken, kristalet mbeten, duke ndriçuar në heshtje, si dëshmitarë të kohës, të paprekura nga vitet që kalojnë jashtë.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.

Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.