Blogbox | Mjedis

Nëpër hapësirat publike si vajzë dhe më pas, si grua

Nga - 21.10.2024

Kush përjashtohet nga hapësira publike?

Hapësirat publike kanë formësuar thellësisht botëkuptimin tim. Si fëmijë, trotuaret, parqet dhe këndet e lojërave i shihja jo vetëm si hapësira fizike, por si vende që ta ofronin ndjenjën e lirisë dhe pavarësisë. Kujtimet e mia më të hershme për hapësirat publike përqendrohen rreth trotuarit pranë shtëpisë sime, ku unë dhe shoqëria ime zhvillonim të gjitha llojet e lojërave imagjinare.

Gjithçka ndryshoi kur u ndërtua një kënd i ri lojërash në lagjen e kushërinjve të mi, rreth 15 minuta në këmbë nga shtëpia ime. Si fëmijë, ai shesh lojërash më dukej shumë larg dhe i paarritshëm. Por shumë shpejt u kthye në një pikë qendrore dhe zgjeroi të të kuptuarit tim se çka mund të ishin hapësirat publike.

Kur e shoh nga pikëpamja e sotme, e kuptoj se problemi s’kishte të bënte vetëm me atë se sa larg ndodhej, ndonëse dukej si udhëtim në atë kohë. Problemi në fakt ishte se, nuk ishte aq mikpritës. Parku ishte projektuar në atë mënyrë që të mos parashikonte nevojat ose dëshirat e të gjithë fëmijëve, duke ofruar pak mundësi për aktivitete më të qeta, që mund t’i kishin angazhuar edhe ata e ato që s’u interesonin aq sportet. Distanca ishte vetëm një pjesë e problemit; mungesa e përfshirjes dhe projektimit të mirë-menduar, më bënë të ndihesha sikur nuk përkisja në atë park. 

Fillova ta kuptoja se këto hapësira udhëhiqeshin nga rregulla të pashkruara, që formësonin mënyrën se si ne i përdornim ato. Pajisjet dukej se i shërbenin më tradicionalisht lojës “aktive” dhe fizike, e cila shpesh përkonte me atë që pritej nga djemtë. Vajzat, në anën tjetër, inkurajoheshin kah aktivitetet më të qeta, më shoqërore — më pak nga ç’na pëlqente dhe më shumë kah rolet që na mësoheshin. E kuptova se hapësirat publike s’ishin vetëm për t’u argëtuar, por edhe vende ku zhvillohej dinamika e pushtetit — dinamikë që shpesh i vendoste vajzat e reja në pozita më pak të favorshme.

Vajzat dhe hapësira publike

Hapësira publike merr shumë forma. Përfshin parqe, rrugë, trotuare dhe shtigje që lidhin këndet e lojërave dhe tregjet, si dhe rrugicat mes ndërtesave ose anëve të rrugëve, të cilat mund të jenë hapësira të rëndësishme për njerëzit në vende urbane, të cilët nuk kanë kopshte a oborre. Hapësira publike gjithashtu pasqyron presionet dhe dinamikat që i japin formë të vazhdueshme jetës së vajzave. Gjeografja feministe, Mary Thomas thekson se vajzat dhe gratë e reja shpesh e kanë të vështirë t’i zotërojnë të drejtën në hapësira ku mund të jenë të pavarura. Këto vështirësi nxjerrin në pah rëndësinë e gjetjes së vendeve të përkatësisë dhe lidhjes në zonat për të mësuar, punuar, luajtur dhe për të kaluar kohë në qytet.

Për shumë vajza dhe gra të reja, përvetësimi i këtyre hapësirave dhe ndërtimi i ndjenjës se ato hapësira u takojnë atyre, përfshin tejkalimin e pengesave shoqërore dhe fizike, që ndikojnë në përvojat e tyre të përditshme dhe ndjenjën e lirisë së zgjedhjes. Një tjetër gjeografe feministe, Doreen Massey, ka shkruar se si beteja për kontrollin e hapësirave publike ndërlidhet thellësisht me mënyrën se si shoqëria e përkufizon “rininë”. Ajo argumenton se të rriturit shpesh përpiqen t’i kufizojnë të rinjtë dhe të rejat, veçanërisht vajzat, përmes formave të vëzhgimit dhe kontrollit të racizuar dhe seksualizuar. Këto përpjekje shpesh rezultojnë në përjashtimin e vajzave nga hapësirat publike dhe kufizimin e lirisë së tyre.

Por rruga s’është automatikisht vend rreziku dhe kërcënues, siç sugjerojnë disa narrativa.

Për shumë vajza, krijimi i hapësirave të veta dhe të qenit të pranishme në to kërkon sfidimin e strukturave ekzistuese të pushtetit.

Gjeografitë e Fëmijëve, fushë sociologjike që analizon përvojat e fëmijëve lidhur me procesin e lojës, jetesës dhe të mësuarit, vë theksin te funksioni i rrugëve si hapësira jetike shoqërore ku shoqërohen dhe lidhen të rinjtë. Por vajzat dhe djemtë i përjetojnë ndryshe këto hapësira. Për shumë vajza, krijimi i hapësirave të veta dhe të qenit të pranishme në to kërkon sfidimin e strukturave ekzistuese të pushtetit.

Hulumtimet tregojnë se deri në moshën shtatë-vjeçare, djemtë dhe vajzat përdorin në mënyrë të barabartë hapësirat publike siç janë këndet e lojërave. Megjithatë, pas kësaj moshe e tutje, 80% e përdoruesve janë djem, ndërkaq vajzat kanë 10 herë më shumë gjasa të ndihen të pasigurta në hapësira publike. Kjo shtron një pyetje qenësore: A po projektohen hapësirat tona publike si vende që i përjashtojnë në vazhdimësi vajzat? Dhe nëse po, si po ndodh kjo?

Duke parë djemtë tek i dominonin këto hapësira

Hapësirat publike, veçanërisht parqet, këndet e lojërave dhe objektet rekreative, shpesh janë të dizajnuara për aktivitete që zakonisht lidhen me burrërinë, si fushat e basketbollit ose të futbollit. Këto mjedise priren t’i plotësojnë nevojat qenësore për aktivitete fizike garuese, në të cilat djemtë inkurajohen më shpesh të marrin pjesë, duke iu lënë vajzave mundësi të kufizuara për t’u angazhuar në hapësira publike që plotësojnë interesat e tyre. Kjo ndikon në pjesëmarrjen e vajzave në këto hapësira dhe ka ndërlikime për përfshirjen e tyre në sport, pasi mungesa e mjediseve përkrahëse mund ta ulë vetëbesimin dhe interesin.

Këtë ndjesi ma ka ofruar ai kënd lojërash i fëmijërisë. Edhe pse më pëlqenin sportet, nuk më dukej si vend ku mund të bashkëngjitesha dhe të luaja. Më dukej më shumë si vend ku shikoja djemtë tek i dominonin ato. Në këtë hapësirë “publike”, nuk konsiderohesha pjesë e publikut.

Hapësirat publike mund të projektohen mbi supozime të caktuara se kush i përdor ato, supozime që mund t'i margjinalizojnë pa dashje vajzat.

Përjashtimi i vajzave nga hapësirat publike mund të jetë i qëllimshëm dhe i paqëllimshëm, i ndikuar nga planifikimi urban, pritshmëritë shoqërore dhe përvojat e jetuara të grave dhe vajzave. Hapësirat publike mund të projektohen mbi supozime të caktuara se kush i përdor ato, supozime që mund t’i margjinalizojnë pa dashje vajzat. Pritjet shoqërore shpesh diktojnë se cilat hapësira konsiderohen të përshtatshme ose të sigurta për gjinitë e ndryshme, duke e ndërlikuar më tej qasjen dhe përfshirjen.

Për gratë, procesi i përshkimit nëpër këto hapësira përfshin negociata të vazhdueshme për sigurinë dhe përkatësinë.

Kush përket e kush jo?

Ndjenja e përkatësisë në hapësirën publike është ndryshe për gratë dhe dallon ndër gra. Nga ndërrimi i rrugëve për në shtëpi, tek përzgjedhja e ulëseve në transportin publik për ta reduktuar veten fizikisht në hapësirën publike, tek përdorimi i kufjeve dhe syzeve të diellit si mënyrë për t’u ndier të padukshme, gratë dhe vajzat në gjithë botën zakonisht bëjnë zgjedhje të ndryshme strategjike, për t’iu shmangur ngacmimeve seksuale dhe formave tjera të dhunës seksuale. Këto zgjedhje janë pjesë e strategjisë së gjerë për ta menaxhuar sigurinë tonë dhe për të përshkuar hapësirat publike në mënyrë që minimizon rrezikun nga lëndimi.

Në kontekst vendor, nevoja e këtyre strategjive nënvizohet nga rezultatet e indeksit të sigurisë “SafoMeter” për Prishtinën. Studimi merr parasysh treguesit objektivë të sigurisë, siç janë ndriçimi publik, kamerat e sigurisë, qentë endacakë dhe prania e institucioneve publike, si dhe ata subjektivë, siç janë ngacmimet, vjedhjet, diversiteti dhe kërcënimi fizik.

Studimi vlerësoi hapësirat publike në Prishtinë, nga një shkallë prej zero deri në 10, duke analizuar treguesit objektivë dhe subjektivë, ku rezultatet më të larta përbëjnë zona më të sigurta. Rezultatet ishin shqetësuese. Shumica e hapësirave publike në Prishtinë radhiten nën mesataren e indeksit të sigurisë, ku vlerësimi maksimal shënoi vetëm 5.57. Akoma më shqetësues është fakti se 17% e këtyre hapësirave renditen në kategorinë më të ulët, me rezultate mes 0 dhe 1. Parku i Gërmisë, i Qendrës së Qytetit dhe i Arbërisë radhiten ndër vendet më pak të sigurta, ashtu si edhe disa lokacione qendrore në qytet. Vendet e pakta që u vlerësuan mirë, ishin të vogla për nga madhësia, të vendosura në zona të izoluara dhe jo të lidhura mirë me qytetin, duke e bërë të vështirë lëvizjen e sigurt nëpër to, veçanërisht për grupet e margjinalizuara.

Teksa kalojmë nga të qenit vajza në të qenit gra, ndërveprimet tona me hapësirat publike pasqyrojnë pritshmëritë e shoqërisë dhe ofrojnë një mundësi për t’i ripërcaktuar narrativat tona.

Kjo dëshmon se pavarësisht nëse jemi në kërkim të një vendi për të pushuar, punuar apo për ta praktikuar aktivizim, gratë dhe vajzat shpesh e gjejnë veten në mjedise që nuk duken gjithmonë të projektuara për t’i plotësuar nevojat e tyre. Beteja për përfshirje shkon përtej infrastrukturës së ndërtuar. Ka të bëjë po ashtu edhe me perceptimin e sigurisë në hapësirat publike, nxitjen e ndjenjës së sigurisë dhe agjencisë në hapësirat ku mund të ndihemi të pambrojtura apo sikur nuk përkasim.

Teksa kalojmë nga të qenit vajza në të qenit gra, ndërveprimet tona me hapësirat publike pasqyrojnë pritshmëritë e shoqërisë dhe ofrojnë një mundësi për t’i ripërcaktuar narrativat tona. Mënyra se si i përshkojmë këto hapësira dhe e vendosim praninë tonë, shpërfaq aftësinë tonë për t’i sfiduar normat ekzistuese dhe për ta formësuar sërish mjedisin tonë.

Për vajza dhe gra, hapësirat publike janë më shumë se thjesht rrugë, parqe apo kënde lojërash. Janë zona ku ne i ballafaqojmë dhe sfidojmë narrativat që na imponohen. Kur e shoh nga pikëpamja e sotme, e kuptoj se këndi i lojërave, nga i cili dikur ndihesha e përjashtuar, nuk kishte të bënte thjesht me distancën fizike. Bëhej fjalë për pushtetin — kush ndihej sikur i përkiste dhe kush jo.

 

Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Pse kjo klauzolë?

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.