Në mëngjesin e 1 tetorit të vitit 1997, një student i ri me këmishë të bardhë dhe flokë të gjata deri te krahët, po përgatitej t’i udhëhiqte studentët tjerë dhe stafin akademik në një marsh simbolik, nëpërmjet të cilit kërkoheshin të drejtat themelore të arsimit nga një regjim shtypës.
22 vjet më vonë, me flokë të prera, e këmishën me setër e kravatë, Albin Kurti po përgatitet ta udhëheqë qeverinë e ardhshme të Kosovës, pas fushatës në të cilën partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, premtoi që reformat në arsim do të ishin në krye të agjendës së tyre (zotim që është përsëritur nga ata që pritet të jenë partnerët e tyre në koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës).
Pas dy dekadave duke protestuar nga jashtë, tani me sa duket Kurti do ta ketë pushtetin në dorë. Puna e vështirë nis tani.
Atij i është dhënë drita e gjelbër për reforma, por shkalla e detyrës që e pret nuk duhet të nënvlerësohet. Vite të shpërfilljes, interesave vetanake dhe politikëbërjes ad hoc, si dhe trashëgimia e shkatërrimit të arsimit në Kosovë, gjatë shtypjes së orkestruar e viteve të 90-ta, kanë lënë pas një sistem shumë të kritikuar arsimor që ka nevojë të skajshme për kujdes.
Shumë nga të metat dhe dështimet e viteve të fundit janë dokumentuar mirë: Rezultatet e studentëve të shkollave të mesme të Kosovës në teste të standardizuara janë në mesin e më të këqijave nga të gjitha shtetet e botës; shumë shkolla, si dhe Universiteti i Prishtinës, vuajnë nga pasojat e korrupsionit me rrënjë të thella; ka tendencë që stili i mësimdhënies të jetë i ngurtë, pa pyetje, pa inkurajim të aftësive thelbësore si mendimi kritik; librat shkollorë shpeshherë janë të vjetruar, të papërditësuar dhe thellësisht problematik.
Por thellësia e krizës e bën edhe më të madh potencialin për ndryshime përbajtësore.
Derisa Kosova po përgatitet të hyjë në një epokë të re politike, pyetja sa i përket arsimit, dhe plot fushave tjera — është: Çfarë duan të shohin qytetarët?
Derisa po përgatiteshim për monografinë tonë të fundit (para se të fillonte të vinte era zgjedhje), kishim dëshirë ta diskutonim arsimin në formën e tij më të thjeshtë. Sigurisht se fakt i pamohueshëm është që arsimi është shtyllë fundamentale e çdo shoqërie, por e pyetëm veten: Për çfarë na duhet arsimi, saktësisht?
A është arsimi për nota dhe kualifikime? Apo po aq e rëndësishme është ajo që e mësojmë dhe si e mësojmë? A është në fund të fundit për ta fituar një vend pune apo për t’u ngritur në pozitë? Apo është më shumë një proces i vazhdueshëm, të cilin nuk e “kryejmë” kurrë? Çfarë na motivon ta kërkojmë dhe ndjekim arsimin? Dhe çfarë ndikon në këto vendime?
Diskutuam për këtë, dhe e kuptuam që ajo për të cilën po flisnim ishte arsimi për jetë — është një fije që kalon nëpër të gjithë artikujt tonë.
Për shumicën e njerëzve, ndërveprimi i parë me arsimin e institucionalizuar vjen në shkollë fillore, rreth moshës pesë vjeçare, ku shtrohet themeli i së ardhmes. Arsimi fillor në Kosovë ka qenë subjekt i reformave prej fundit të luftës, në përpjekje për ta krijuar një sistem që i përgatit fëmijët në mënyrë adekuate, jo vetëm me njohuri, por edhe me aftësi të cilat janë të nevojshme për ta më vonë gjatë jetës. Në “Problemet kryesore që i dëmtojnë reformat arsimore”, Nerina Guri i analizon sfidat me të cilat jemi ballafaquar në përpjekje për ta krijuar një sistem të bazuar në kompetenca dhe aftësi.
Shpeshherë shumë larg ngurtësisë së klasës është domeni i arsimit joformal, që është për zhvillim të aftësive të buta dhe fokusohet në zhvillimin e njerëzve. Sindre Langmoen e eksploron këtë koncept më tej në “Shkolla s’është gjithçka”, dhe tregon që gjithfarë lloje të arsimit ndodhin kur njerëzit as nuk e vërejnë që janë duke mësuar.
Me koncepte kaq të ndryshme të arsimit dhe mësimdhënies, është e qartë që arsimi është nocion i gjerë që ka kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Në foto-storjen tonë, “Qysh të edukojmë për jetë?” ne pyetëm njerëz të ndryshëm, nga nxënësit e shkollës fillore dhe të diplomuarit e universiteteve, te edukatorët joformalë e mësuesit profesionalë, çfarë do të thotë “arsimi për jetë” sipas tyre.
Mbase disa prej atyre që i kishin interpretimet më të mira për mënyrat e ndryshme në të cilat mund të funksionojë arsimi janë njerëzit të cilët kanë përjetuar arsimin në sisteme të ndryshme. Kryeredaktorja e K2.0, Besa Luci, i ftoi tri gra të cilat janë arsimuar në faza të ndryshme në sistemin e Kosovës dhe jashtë vendit, për t’i krahasuar përvojat e tyre në episodin tonë të fundit të podkastit Konteksti, “Edukimi për jetë – nga jashtë në Kosovë dhe anasjelltas”.
Në plot vende, një pjesë thelbësore e sistemit arsimor është arsimi profesional, që i përgatit mekanikët, motrat medicinale, fermerët, veterinerët, kuzhinierët dhe rrobaqepësit për ekonominë e shekullit 21. Por në Kosovë, shkollat profesionale shpeshherë stigmatizohen dhe konsiderohen si vende për nxënësit të cilët thjesht nuk kanë marrë nota të mira. “Bërja e shkollave profesionale funksionale” nga Sihana Klisurisa zhytet në realitetin e arsimit profesional dhe analizon atë se çfarë po bëhet për ta përmirësuar reputacionin e tyre.
Ideja që arsimimi universitar është i vetmi arsimim i respektueshëm mbizotëron në mesin e një seksioni të madh të popullsisë, por është alternativë që ka qenë në dispozicion për shumicën e kosovarëve vetëm prej kur është hapur Universiteti i Prishtinës para gjysmë shekulli. Në “50 Vjet Universitet”, Aurela Kadriu u takua me gjashtë ish-studentë të gjeneratave të para të universitetit, për të mësuar nga kujtimet, përvojat dhe sfidat me të cilat u ballafaquan ata.
Për gjeneratat e para të studentëve, ato që i mësuan në universitet, si në amfiteatër të ligjëratave, ashtu edhe në qarqe shoqërore, me të vërtetë ishin edukim për jetë, dhe kjo ka pasur ndikim të pashlyeshëm në ngjarjet e së ardhmës. 49 vjet më vonë, mësimet jetësore të mësuara në UP nuk janë gjithmonë aq të mira. Në artikullin tonë të fundit, “Përpjekjet e zorshme për të luftuar ngacmimet në universitet”, Leonida Molliqaj dokumenton betejat që po luftohen nga ata që po bëjnë përpjekje për t’i luftuar dënimet për ngacmime seksuale në kampus. Sepse nëse një institucion arsimor nuk i njeh sigurinë dhe autonominë si fundamentale për studentët e saj, atëherë ai e ka humbur qëllimin e tij kryesor.
Kemi mësuar shumë duke e përpiluar këtë monografi, dhe shpresojmë që do të mësoni edhe ju. Mirësevini në “Edukimi për Jetë”. K
Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.
Kthehu prapa tek Monografia