Gjerë e gjatë | Personat e pagjetur

‘Neve na lanë me jetu me flakë’

Nga - 13.11.2020

Dy gra kujtojnë të dashurit e humbur në mars të vitit 1999 në Krushë të Madhe e të Vogël.

Në oborrin e Ajshe Shehut në Krushë të Vogël janë dy shtëpi. Në njërën banon ajo me familje, e tjetrën ka filluar ta ndërtojë shteti por e ka lënë në gjysmë, të pabanueshme. Ilustrim i shkëlqyeshëm për punën gjysmake të institucioneve të Kosovës për adresimin e çështjes së personave të pagjetur nga lufta e vitit 1999.

Ajshja, 71 vjeçe, me bujari më pranoi në shtëpinë e saj, por kur i kërkova të bisedojmë për djemtë e bashkëshortin e pagjetur dhe orvatjet e saj tash e 21 vjet në kërkim të trupave të tyre, me vendosmëri më tha: “Jo! Jam lodhë!” Megjithatë, në fund foli. 

Bashkë me Ajshen shkuam në Krushë të Madhe për kafe te 64 vjeçarja Ferdije Hoti, që na priste në oborrin e saj të vogël, të rregulluar me merak. Asaj dhimbja i fshihej në sy; teksa ngadalë rregullonte shaminë, më tha, “Për ne nuk ka jetë! Ne vetëm jetojmë si figura”. 

Dy gratë që dikur i kishin oborret përplot fëmijë, lojë e gaz, sot në moshë të shtyrë — jo aq nga motet sa nga vuajtjet — ndajnë fatin e padurueshëm të heshtjes, boshllëkut e mungesës së më të dashurve të tyre që nga marsi i vitit 1999.

Një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë në Kosovë, më 25 mars, Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël u rrethuan nga forcat speciale të policisë serbe. Të nesërmen, në të dy fshatrat u mblodhën dhe u vranë mbi 300 persona, kryesisht burra e djem të rritur. Duke qenë se një pjesë e mbetjeve mortore të të vrarëve u hodhën në lumin Drin, kërkimi i tyre u shndërrua në makth për familjarët që shpëtuan gjallë.

Shoqet që u rritën në Piranë të Prizrenit, në dy shtëpi që i ndante veç një gardh, u takuan pas 21 vjetësh.

Në vitet e para pas përfundimit të luftës, identifikimi i trupave kryhej përmes metodave tradicionale, nëpërmjet gjësendeve që të vrarët mund t’i kenë pasur veshur apo me vete në momentin e vrasjes. Në vitin 2003, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur dhe Misionit të OKB-së në Kosovë, kjo metodë u zëvendësua me kërkimin e bazuar në ADN, që sigurohet përmes mostrave të gjakut të të afërmve të mbetur gjallë.

Për shkak të mosgjetjes së të gjitha mbetjeve mortore apo edhe identifikimeve të gabuara në vitet e para të pasluftës, familjarët shpesh u detyruan të kalojnë nëpër dhimbjen e rihapjes së njëpasnjëshme të varreve nga EULEX-i në bashkëpunim me akterët vendorë; me raste iu morën të holla nga individë të ndryshëm shqiptarë e serbë nën premtimin se familjarët e tyre do të gjendeshin, e ka ndodhur edhe të dëgjojnë lajme të rreme në media se të pagjeturit janë gjallë. Kjo ka shtuar mosbesimin e familjarëve në punën e institucioneve përkatëse për gjetjen e më të dashurve të tyre.

Më 26 mars 1999, ditë pranvere e hershme, në vigjilje të festës së Bajramit, në Krushë të Vogël Ajshja humbi bashkëshortin Salihun dhe katër djemtë: Sahitin 27 vjeç, Xhavitin 25 vjeç, Dritonin 20 vjeç dhe Naitin 18 vjeç. Të njëjtën ditë, pak kilometra larg Ajshes, në Krushë të Madhe Ferdija humbi të birin 20 vjeçar Dritonin dhe bashkëshortin Muhametin. 

Shoqet që u rritën në Piranë të Prizrenit, në dy shtëpi që i ndante veç një gardh, u takuan pas 21 vjetësh. Dhimbja e humbjes, zhgënjimit e vuajtjes tani kish ndërtuar një mur midis tyre, por nuk ua kish prekur kujtesën për kohën e dikurshme. Teksa mes rreshtash përmendnin lojërat e tyre fëmijërore, tanimë ngjarja më e rëndësishme e tregimeve të tyre përzihej me dhimbje, lodhje e dëshpërim. 

Në bisedën më poshtë, nuk ka çmallje të zakontë mes dy shoqeve që nuk janë parë kaherë. Ato bisedojnë pikërisht për të kundërtën, për mallin dhe dhimbjen që nuk shterren. 

Ajshja: A jeni mirë, a po lodheni a po mërziteni a?

Ferdija: Po m’u lodhë po pushojsh oj dada Ajshe, a me u mërzitë boll valla. Ti a je mirë? Qysh i ki djemtë?

Ajshja: Mirë janë.

Ferdija: Ti a je lodhë, a je mërzitë, a?

Ajshja: Valla me u mërzitë boll. Valla s’deshta me ardhë, u lodha ma. 

Ferdija: Po qe, çka m’kanë ba [tregon shenjat e herpesit në buzë]. Gjithë natën s’kom fjetë pramë.

Ajshja: Një orë taman s’kom flejtë…

Ferdija: Kujtoju, kujtoju… qysh hupën, pse s’ikën, pse s’nejtën me ty…

Kah Pirana [në gjini] a po shkojsh?

Ajshja: Valla boll rrallë. S’po më dilet bre Ferdije hiç; hiç s’po më shkohet.

Ferdija: Qashtu krejt.

Ajshja: E kom vëllaun e vogël valla pa qejf, ai t’çum s’ka ma, po… Marre është me thanë s’po më doket kurgjo. Ngat flakës teme, kurgjo s’po m’doket.

Ferdija: Unë i kom pasë tre djem. I dyti ka hupë me babën e vet, të madhin e kom edhe të voglin. Dy djem i kom, çikë s’kom pasë.

Ajshja: Unë dy djem i kom edhe nji çikë. Shtatë djem i kom pasë. Katër [janë të pagjetur që nga lufta] me burrin. Qe! Jeta e ranë valla, jeta e vështirë shumë.

Ferdija: Me evlad nuk krahasohet. Të thotë kush çka t’don. Kur p’e menoj po thom qysh po jetojna moj? Qysh po jetojna? Djali tu u rritë thojke, “Nanë, kjo luftë çka u tallavit, qysh du me shku në shkollë në Prishtinë?” Kishke qejf me shku n’shkollë n’Prishtinë.

Mjerë nanat që jetojnë, edhe nuset e reja që kanë metë valla — katastrofë. 

Ajshja: Edhe djali jem në Prishtinë u kanë [duke punu] n’furrë, po qysh e çojti Zoti prej Prishtinës erdh. 

Kur p’e shoh i thashë, “Xhavit nanë çka erdhe?”
“Eiii, edhe unë po mërzitna najherë!”
“Tash paske ardhë”, i thashë, “ku me t’çu tash”.
“Aiii nana jeme, si krejt edhe unë”. . 

Ky tjetri n’shkollë n’Prizren u kanë, punojke qështu dru e sene… Shkun krejt! Krejt shkun, m’u tha shpija…Që vlojshin oborret burra e djem të ri, tash s’ka kërkush…Ai djali tash në Gjermani, i vogli. Ky tjetri në dializë.

Ferdija: Djali jem ka pasë qef n’Prishtinë…Ai dojke me shku në fakultet niherë, e la nji vjet nejti n’shpi se lufta, niherë anej ka Ratkovci, Drenica…Te na ma së mrami, ma së mrami na shafoi neve tani. 

Ajshja: Po kaj për djem se për burrë s’po kaj hiç.

Ferdija: Jo po, po kaj për djalë se ma i ri djali, e burri…

Ajshja: Burri jetën e kaloi, djemtë të ri pa u kënaqë, pa… Jo bre! Po qysh i tuboi bijë lufta, prej Prizrenit djali erdh, prej Prishtinës erdh…

Ferdija: I Kymetit [kunatës] erdh prej Zvicrës…

Ajshja: Tash kemi metë pa djem pa… more burrin kush p’e përmen pashë Zotin.

Ferdija: Valla burri…Kaniherë kur po bahna nervoz po thom i ka ba hyzmet vetit ai. 

I thojsha, “Mos dil more!”
Thojke, “Jo p’e rujna katunin…”
“More rri”, i thojsha, “mos dil!”

Ajshja: Se thojke burri jem, “Kuku gru m’i flakërove fëminë”. Unë iu bana bukën gati me ikë. 

Ferdija: Po veç juve ju tradhtun, ju thanë: “Rrini këtu edhe çka kini familjarë bini këtu se na s’ju prekim…” E qe çka ju bonën.

Ajshja: Kur jom çu n’sabah veç i kom kqyrë djemtë: i madhi, i dyti, i treti, edhe me të kunatit këta s’u ndajshin. 

Tha i madhi, eh qëky [tregon në mbështjellësin e telefonit fotografinë e djalit]: “Nana jeme, a s’ki ikë, a?”
Thashë, “Jo, nuk kom ikë!”
“Shpejt”, tha “shkoni nalt te t’axhës Haki”.
Thashë, “Pse?”
Tha, “Krejt kanë shku nalt!”
Thashë, “Unë po shkoj nalt. Ju anej Drinit!”
“Ani!” tha. 

Unë hajt [kishe] e heka dertin e tyne, thashë unë deri t’i merr edhe këta të rijtë e shkojnë anës Drinit…

Ferdija: Me shku anës Drinit ish kanë ma mirë se me shku teposhtë.

Ajshja: Atë natë burrat janë kanë tu pi çaj në odë, këta djemtë kanë thanë, “Ooo ikni se erdhën!” [Po burrat:] “Hajt more se s’na bajnë neve kurgjo!” 

Ata shpatit përpjetë djemtë krejt, ata [forcat serbe] tu gjujtë, krejt [djemve e burrave] s’un iu kanë ngjitë [qëllu]… Kur po i shoh erdhën. 

“Kuku Sahit, nanë!” djalit të madh i thashë. “Pse moj nanë s’keni shku anej Drinit, çka paskët ba!”
Tha, “Nanë nejtëm te Batusht. Dojna me shku për Pagarushë”.
“E kur doni me shku masi s’paskët shku natën n’Pagarushë”, thashë, “Po ti nalu more bir thuju djemve ikni”. 

Veç edhe s’kanë pasë ku me ikë. Krejt rreth vneshtit, Randobravë, Piranë ishin rrethu me tenka, me topa. Kah me ikë, n’kurthë! Kuku…Thashë, “Nanë, çka doni me ba!” 

Tha [zyrtari i armatosur serb], “Tubohi krejt tubë”. Gratë e fëmijët e burra e djem, krejt… Më rrishin djemtë lidhë për guni, kuku… 

Thashë, “Çka dona me ba more?”
U çelën dyert tha, “Fëmija le të dahen veç, burrat veç, gratë veç…” Jo, tha, “Gratë mos të dahen veç prej fëmijëve, le të rrijnë me fëmijë”. 

Burrat i dajtën, o’ për Zot na dajtën, t’i murrën djemtë e ri, burrat krejt. I kishin renu ren. Qëky djali jem me djalin e kunatës versnika (moshatarë) janë kanë. Kuku kur ia kom lëshu sytë, nihere s’guxojsha me i kqyrë, lotët [e tyre] tak, tak, tak…

Ajshe Shehu humbi bashkëshortin dhe katër djemtë më 26 mars 1999, kur forcat serbe sulmuan Krushën e vogël. Nga e majta në të djathtë: Sahiti, Militi (i cili ka shpëtuar nga lufta por ka ndërruar jetë më vonë), Xhaviti, Naiti dhe Dritoni. Foto: Aurela Kadriu / K2.0.

Ferdija: E kanë ditë çka don me i gjetë në dorë të tijna…

Ajshja: Kuku për mu…I kanë kapë i kanë shti në shpi të Dragut, Drag Tapalli i thojshin. Aty i kanë shti, shpija njikatëshe. T’iu kanë grahë…

Kur kom shku te tyrbja veç kur ka ba “aaaaaaaarrrr” [imiton zhurmën e automatikut]. 

“Gra”, thashë, “i mytën!” 

Të nesrit në sabah dola në oborr të Hasit. Qështu i kom qitë durtë [ilustron si i ka vendosur duart në bel], se prroni u kanë ngat. 

“O”, thashë, “moj gra! Kqyre”, thashë, “timi djemtë që po na kallen…” Sikur t’isha kanë qaty.  

Kur erdh Qamili [kushëriri] tha,“i kallën krejt i mytën!” Ky nër xhenaze ka ra e ka pshtu. Çka i ka vyjtë pshtimi atijna? 

“Djalin”, tha, “ma kanë këputë te kamtë. Shkuma”, tha, “m’i dilke për goje. Vetë”, tha, “rashë, më mlunë me xhenaze”. 

“Kuku”, i thashë grusë së kojshive. “Moj Serbeze”, thashë, “janë tu u kallë djemtë e tanë!” 

Katër ditë timi ka dalë qaty në qat’ vend. 

Kur kemi ardhë prej Shqipnisë [ku kishin qëndruar gjatë luftës si refugjatë] sa këpuca e djegne, sa setra e gjujtne, sa rrypi i pantollve, sa pantollat, sa vinjakat (xhaketat) që jonë gjujtë kishe me pshtu. Pasha Zotin krejt i kishin ba shkrum e hi. Tani me kamion i kanë bajtë [mbetjet mortore dhe rrobat] që i kanë kallë i kanë çu në Dri, vetë i kom pa. Kamioni ka ardhë përskaj Drinit; i Krushës t’Madhe u kanë, i këtuhit u kanë. Edhe u shkarku në Dri, iu kanë shti flakën atje në Dri edhe nji herë…

Ferdija: Pse, a u tutë prej najkujna, a?

Ajshja: Kur erdha prej Shqipnisë thashë, “Du me shku në Dri!” 

Kur kom shku në Dri, edhe atje sa stubi i shpijave me gjak. Kuku sa zinxhiri i qafave, kush ka kqyrë sa këpucat… E kom qitë dorën në krye, po njeri s’po u mytke, jo valla. Qe në Dri jom kanë, s’jom mytë. I thashë çikës, “Hajde nanë kthehem prapa, s’pamë mirë kurgja. Ymyt s’ka!” 

Ferdija: Neve para sabahut na rrethun. Qët’ djalin që e kom të hupun, i thashë: 

“Zogi me nanën, fshihu qetu nër’ tavolinë”, se Driton e ka pasë emrin po Zogi e kemi thirrë.
“Nana jeme”, tha, “unë s’jom bebë! Unë i madh. Ku me hi nër’ tavolinë?” 

Kur u çu në kamë, ma i madh djali se milici. 

Tha, “Daj mi ličnu kartu! (Ma jep letërnjoftimin!)
Thashë, “Jo, nuk ka!” 

Se me marrë vesh mirrsha, po nuk disha. E e qiti, e murr [djalin].

Ajshja: Po neve s’na mytën, se neve na lanë me jetu me flakë.

Ferdija: Djalin qaty e kanë marrë, ma s’e kemi pa. Kur jom dalë n’oborr, krejt jonë kanë të dorëzum, me burrë e me dy djem. Ai i madhi djali m’ka ikë natën e djalin e vogël tani ma kanë lëshu. E ky i dyti me babën e vet ma prej asaj dite s’i kemi pa.

Ferdije Hoti nuk di për fatin e bashkëshortit Muhametit dhe djalit Dritonit që nga 26 marsi 1999, kur i pa për herë të fundit në Krushë të Madhe. Foto: Aurela Kadriu / K2.0.

Ajshja: As s’i keni vorrosë?

Ferdija: Jo, jo. As s’janë gjetë, as s’janë vorrosë.

Ajshja: Iu thojsha djemve, “Ooo ikni, shkoni në odë të dajve në Piranë!” Ata pshtunë krejt.

Ferdija: Na luti nji nip i Mamushës, thojke, “Çohi hajdi në Mamushë!”
“Jo se s’na prekin neve…”  

Djalit tem veç nji parë puma (atlete) i kanë pshtu, qato ia ruj n’sobë, ia kom shti n’kese. 

Ajshja: Qe qëky [tregon fotografinë e djalit në mbështjellës të telefonit] qysh ka ikë prej ballkonit, nji pumë në ballkon, nja midis oborrit dathë. A djali jem [tjetri] nuk e din çikën e dytë, i madhi qëky, [tregon fotografinë e djalit në mbështjellës të telefonit] se e ka lanë grunë shtatzanë.

Ferdija: Sa fëmijë i ka lanë djali i madh?

Ajshja: Dy çika, dy çika…

Ferdija: Qe kjo Hyra e Mavriqve gjynahit edhe asaj dy djemtë, burrin… Ajo është e Piranës, katunarkë e jona. I ka thanë djalit ajo, “Hajt nanë, hajt shko me babën se nuk t’prekin, nuk t’bojnë kurgjo!” Tash po thotë, “Po du me i nxjerrë mendtë si i kom thanë djalit ‘Hajt shko me babën’”. S’e di sa vjet ia ka pasë i vogli, 12 a?

Ajshja: M’doket.

Ferdija: Qashtu. Se i ka ba djemtë ajo mas çikave, ka pasë çika niherë, e i ka ba djemtë. “Hajt nanë, hajt shko me babën se nuk të prekin ty!” Po thotë, “Zine se e kom çu me dorë temën me mytë!” 

Ajshja: Unë pa hi ata [forcat serbe] në oborr, kom dashtë me i ba djemtë gati. 

“Ngjiti me kolonë shkoni për Shqipni!”
“Jo bre nana jem shumë po tutesh!”
Ai [bashkëshorti], “U gru, m’i flakërove djemtë”.

Ferdija: Qëky djali që m’ka hupë thojke, “E moj nanë po ju baj dert juve”. Se vjehrra jeme plakë.  “S’un ngan nana Ide se për mu mos ki dert, unë zid-ëm-zid (mur-më-mur) ngaj për veti”. Dy metra u rrit i madh. Kuku, mjera nana. Edhe ma s’e kom pa prej asaj dite, veç e kom pa burrit i shkojshin lotët, na dajtën. 

Kjo kunata [e rrit] çikën e vogël t’djalit t’madh. I ka thanë [çika], “Moj nanë, qysh i ka pasë moj babi jem floktë, a t’zeza a t’bardha?” Se e ka lanë tre mujsh… Ka thanë, “Jo moj nanë t’zeza i ka pasë!” 

Ferdija: Boll valla kanë ba, n’Krushë t’Vogël e n’Krushë t’Madhe…

Ajshja: Krusha e Vogël, e vogël…

Ferdija: Po de, 100 mashkuj…

Ajshja: 105 t’mëdhaj…

Ferdija: E këtu 200 e s’di sa n’Krushë t’Madhe. Qëta të qeverisë s’janë tu kqyrë kurgjo. Këta veç për veti po kqyrin. Këta s’janë tu u marrë hiç… Heeej, 21 vjet me u ba e mos me ditë.

Ajshja: Qe po ia baj dert strujën (rrymën) kom me pagu, pasha Zotin edhe dertet e shpijës. Kur m’kanë ardhë faturat, hajt sot, hajt nesër! S’po e qet… A besojsh se s’kom pasë pare me ble lule për vorreza. Erdh nji gazetar në përvjetor. Djalin pa qejf, m’u harxhitën paret. Erdh me marrë informata, boll s’dojshna me dhanë. M’erdh marre që i thashë, “Çka me i thanë ditës së sodit? S’kom pasë pare nji lule me iu qitë vorrezave!” Kur i nxori 50 euro. Kom shku kom ble lula! Çka me të thanë tash, unë s’po di…Qe çfarë jete është.

Çfarë ka bërë shteti?

Sot në Kosovë mbi 1,600 persona konsiderohen të pagjetur nga lufta e fundit. Trupat e të vrarëve u shpërndanë nëpër varreza masive në Kosovë e Serbi.

Deri rishtazi, thirrjet sporadike të përfaqësuesve institucionalë që Serbia t’i kthejë eshtrat e të pagjeturve nuk janë reflektuar në strategji kombëtare për adresimin e çështjes së të pagjeturve me veprime konkrete. Ende nuk është bërë kërkim sistematik i mbetjeve mortore.

Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të familjarëve të të pagjeturve dhe organizatave të shoqërisë civile për ta bërë këtë çështje pjesë të dialogut me Serbinë, kjo gjë nuk ka ndodhur deri në bisedimet e fundit Kosovë-Serbi në Bruksel, në korrik të vitit 2020. Por familjarë të të pagjeturve dhe shoqata të ndryshme që veprojnë në këtë fushë kanë kritikuar qeverinë që nuk ka përfshirë zërat e tyre në proces.

Një ndër përkushtimet e vetme institucionale ndaj familjarëve të personave të pagjetur është njohja e statusit së tyre për përfitim nga skemat pensionale të financuara nga shteti. Mirëpo ky ligj — për Statusin dhe Të Drejtat e Dëshmorëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave Civile dhe Familjeve të Tyre — i sanksionon ata nga e drejta për përfitim nga pensioni i moshës. Ani pse viteve të fundit janë bërë përpjekje e premtime për rishikim të këtij ligji, kjo gjë ende nuk është bërë. Familjarët mbi 65 vjeç të personave të pagjetur duhet të zgjedhin nëse duan të përfitojnë nga pensioni për familjarë të viktimave civile apo nga ai i moshës.

Ferdija: Nana jeme thojke, “Oj çikë”, kur shkojsha n’Piranë, “a e ke marrë rrogën?” M’u kallshin mushknitë! 

Thojsha, “Qysh po m’thush moj qashtu? Çfarë rroge?”
“Po qe, unë e kom marrë”.
“Ti p’e marrish të pleqnijës, a unë p’e marri të mërzijës”. 

Ajshja: Po s’ja ka rrokë asaj.

Ferdija: Unë sa herë t’shkoj t’i marr ato pare, smuhna; n’dyshek bi, a besojsh? 

Ajshja: Jo, vallahin po. M’u tha sofra, m’u tha shpija. Çka me thanë. Po çohna n’sabah, kuku kah me ia nisë! Pa pasë deri qaty s’un po dalish. “Nanë, çka po menojsh?” Nana çka me menu! Po duhet parja, po duhet me u ble për shpi harxh, po duhet me u veshë me u mathë fëmija, po duhet buka. 

Kajherë valla p’i vikas (bërtas) ksajna nuses, “Mos më vet bre çka po menoj, ja unë me menu ja kush!” 

“Ani bre nanë se veç t’veta”. 

Ferdija: Mas luftës qëky “Radio Vatikani” e ka qitë që njo Hysein Muhadri e Nysret Hoti edhe Driton Hoti [djali] janë gjetë në filan venin. Po tani s’kenë kërkun hiç, veç e qitën fjalën në radio. Kish ni edhe vëllai jem n’Zvicër, m’thirri mu n’telefon po thotë, “Dada Dije, shyqyr si t’ka dalë djali!” Gëzimi i babës tem me gjithë nanën, kur i pashë erdhën, ”Shyqyr që ka dalë Dritoni!” Po çfarë të dalni, ma zi veç me na i kallë mushknitë.

Ajshja: Po me kanë ai qe 20 vjet…

Ferdija: Radio i ka qitë me emën e me mbiemën, po ai tani përnjiheri duhet me ardhë se duhet me ditë që n’filan veni jom…

Ajshja: S’u kanë axhami, shpijën e vet e kish ditë.

21 vjet më vonë, Ferdije Hoti është ende në pritje të çfarëdo informate për vendndodhjen e bashkëshortit dhe djalit. Foto: Aurela Kadriu / K2.0.

Ferdija: Na jemi kanë n’Elbasan n’Shqipni, thojshin, “Në Durrës është Muhameti [bashkëshorti]”. Ai Muhameti s’o bebë mos me ditë me ardhë me lypë familjen. 

Ajshja: Me t’u pas gjetë djali kish ardhë. Qe djali jem, ky që u kanë ushtar, ky ka ardhë në Shqipni m’ka gjetë masi u kry lufta. Na në Shqipni hala jemi kanë. Kur p’e shoh, “Kuku Milit”, thashë, “a erdhe?” Unë s’e kom lypë hiç, thojshna, “Jonë mytë këta, e le ma ai”. S’po ki çka me ba oj Ferdije…

Ferdija: Jo me ba s’kishim çka me ba, kurgjo…kaj, nejë, ha, pi, laj, pastro, gatuj, bo krejt puntë.

Ajshja: Me thanë nji trohëz diçka u shlirova.

“Milit”, thashë, “a dish diçka për tjertë?”
“Jo bre nanë, luftë u kanë kjo”. E dike boll mirë.

Po thojnë që djalin e madh e kanë gjetë n’Prishtinë, tjertë ku janë…

Ferdija: Hiç asnjo?

Ajshja: Hiç moj…E kanë gjetë tash motmot m’doket. M’doket, po pa u gjetë krejt, n’u gjetshin, ani me u vorrosë…Përditë vorrime me ba s’ki hesap… Hiç s’e kom vorrosë, atje është. Se sen, folën majtën mledhje n’u gjetë bile edhe najnja, edhe najnja n’u gjetë qatëherë vorrosim… U lodhën edhe gjinja; vorros sot, vorros nesër, vorros masnesër, po shkon meselja gatë, gjinja veç me dekë, me u shtri me dekë. Me mërzi, me mërzi ma gjithë.

Çka me t’thanë bre bijë, veç emrat po iu lajnë qaty se s’po ma merr menja hiç. Burrit tem ia kanë…se po foli shumë… Nji copë vinjak (xhaketë) burrit tem edhe do eshna t’vegjël, ma s’pari i vorrosëm. 

Mas nji vjeti e kishin mushë kesen eshna e e prunën, “Sali Shehu [emri i burrit]!”
“Bre”, thashë, “unë nji burrë e kom pasë. S’i kom pasë dy burra”. 

Me kese, ti a rrush po më prun a? Thashë, “A din çka? Ku i ki gjetë, ku e ki menën, bon çka dush. Çele nji birë e shtine”.

Ferdija: “Unë e kom vorrosë burrin”, a i the ti?

Ajshja: Bijë, po këta kanë lujtë moj, krejt po lujnë me eshna. 

Ferdija: Djali i madh ka ikë n’12 t’natës: “Kqyre nanë”, tha, “çka po të thom. Unë du me ikë, du me shku ku t’më shohin sytë. Prej së largit le t’më vret”, tha, “ama në dorë nuk du me i ra”.

Edhe aty në Retijë, prej Retijës kanë dalë trup në Mamushë kanë shku…

Ajshja: Qy! Ka pshtu.

Ferdija: Ka pshtu. Nashta edhe ymri, po ka pshtu. 

Unë burrit i thashë, “Muhamet”, thashë, “mos rri. Kapi djemtë e shko”.
Tha, “Po, po. Unë nuk du me nejtë”. 

Kur dulëm prej asaj sobës që jemi kanë aty, Muhameti sefte i pari; kuletat ja u kanë marrë, letërnjoftimat, krejt përmi nji kerr i kanë qitë. Krejtve iu kanë marrë dokumente çka kanë pasë — krejt, krejt, krejt, çka i kanë dhanë qëta mashkuj, krejt.

Po djali s’ka pasë letërnjoftim se m’ka le’ n’Prizren tani krejt dokumentat i kishin çu në Pejë. Hupi djali pa letërnjoftim, pa kurgjo hiç.

Ajshja: Po. Qëky [djali i madh, Sahiti] e ka pasë zinxhirin e dukatit në qafë e milicia i kishin thanë, “Çka keni në qafë hiqni!” 

Ferdija: Po, krejt i kanë marrë.

Ajshja: Po. Ky e ka hekë zinxhirin e qafës edhe ia ka dhanë qëtij djalit që t’thashë që është n’dializë, edhe ia ka dhanë n’dorë, “Ruma!” Sa kom ardhë unë prej Shqipnisë që u lëshu rruga, kur kom ardhë në Krushë nja dy mujë, jo shumë o’ dy mujë, nja pesë javë qështu ky ma m’ra n’dializë, qëky djali. 

Ferdija: A mas luftës n’dializë a?

Ajshja: Mas luftës… Kuku, o kuku… E çova n’Prizren [në spital], nejti dy javë. Ra në dializë, thanë, “Çoje për Prishtinë!” Prishtina e nali. Kur shkova atë ditë thashë ta shoh djalin, n’të tretin kat u kanë. 

Kur bahet ora 12 e natës, veç kur u çu, atje koftë. 

“Nana jem, a ti je këtu, a?”
Thashë, “Po, nana kur kom ardhë dje n’sabah. Ti s’më ke folë”.
Ia nisi me kajtë. Nejti, nejti, tha, “A ka bre pak bukë?”
“Kuku nana”, thashë, “n’dalsha n’Prishtinë kom me hupë krejt. S’di me hi tani!”

Kom dalë i kom ble bukë, i kom ble rrush. Veç ia ngjita qe qashtu e ngreha e pshteta n’krevet, ia qita nji peshkir, ia qita bukën, hangri. E shihke që unë kërkun s’ishna.

Tu e çu kafshatën në gojë veç kur ka ba, “Kush ma ka marrë zinxhirin e Dritonit?” Ai djali që ia ka lanë.
Thashë, “Nana, qe t’kish ra te kreveti, qe”.
“Ruma! Kur të del [gjindet] Dritoni m’ka thanë ma japish mu”.
“Hiç”, thashë, “mos ki dert!” Ia lidha, ia lashë. 

E qështu puna jeme. Flakë…

Ferdija: Hiç…Tash s’ka shpresa hiç…

Ajshe Shehu vazhdon të mos ketë asnjë informacion se ku gjenden tre djem të saj që nga viti 1999. Foto: Aurela Kadriu / K2.0.

Ajshja: Jo, jo. S’ka kurgjo.

Ferdija: Jo, hiç. Shtatë vjet m’doket mas luftës, 42 jonë vorrosë. I kanë pru në shkollë tani dogri (drejt) n’vorreza i kanë çu. Se ka pasë edhe trupa tunxhi [i gjithë trupi] që i kanë gjetë n’Krushë. Tash edhe 65 m’doket a 62 nuk jonë gjetë t’Krushës.

Ajshja: Po ajo që po gjindet tunxhi, po du me thanë ma lehtë. Lehtë nuk është, po po duhet me thanë…komplet p’e dish.

Ferdija: Do t’Hotve që jonë mytë, ata jonë kanë p’e zamë tunxhi. Fahredin doktori me djalë, djalit i ka ra… Jo djalin e kanë vra, Fahredinit i ka ra granata.

Ajshja: Jo bijë tanët Drini i ka çu krejt, as s’maj ymyt bile.

“Jonë me nji ven, i kemi pa”. Neve shpresat na kanë majtë, a t’thashë ma herët? “Po bre i kemi pa në kamion t’Krushës s’Vogël”. Na qetësohu! Herë u qetësojshim, herë u tranojshim, herë…

Ferdija: Na n’xhami jemi kanë tani prej xhamisë na thanë, “Hajde me dalë!” Tani kur kemi dalë krejt nusës unazat, se kjo nusja nondë muj [martesë] i ka pasë. Krejt unazat që ia kanë marrë, çka ka pasë, mu unazën… Krejt nuseve të reja çka kanë pasë dukat, krejtve iu kanë marrë, pare… Vjehrra ia dha 500 marka, i tha, “Lëshomi djemtë!” 

Kur mas nji trohë here i tha, “T’i dhashë paret, lëshomi djemtë!”
Kur ia ka bo me shkelma vjehrrës teme, “Hajde, brže (më shpejt)!” 

Tani kur ia bani qaty me shkelm ma e kom ditë që s’ka kurgja, kur kemi dalë tani teposhtë xhamisë krejt katunit p’i del flaka, tu u kallë shpijat…Kijamet u kanë! 

Ajshja: Kijamet, shumë, shumë, shumë!

Ferdija: Veç gra edhe fëmijë t’vegjël ka pasë aty, mashkuj s’ka pasë. Kur kemi shku te [fshati] Celina, djali i vogël na ka zanë; që i kishin lëshu këta çka jonë kanë do si ma t’ri. Ata tjertë krejt i kanë majtë aty. Po djali u tutë shumë, u shashtrisë. Thojke, “Nanë masi kemi dalë na kanë krisë automatat”.

Ajshja: Si unë de…

Ferdija: A thu qatëherë i kanë mytë… A sa u kanë djali aty tha, “Na kanë thanë bini përmys edhe mos e çoni krytë”. Njani i Beqalive… Iu ke ni zanin ktyne Beqalive? 

Iu kanë thanë [forcat serbe], “Kush doni me pi ujë?”
Ai [i Beqalive] u kanë si pa qejf, u kanë i smutë, ka thanë, “Unë po du ujë!”

Kur u çu me pi ujë t’i kanë ra me automata e kanë ulë [la] në gjak. Ky djali i vogël kallxojke. Edhe plus ai njeri i atij oborrit që e ka ble kerrin, Mercedesin…

Tha [djali i vogël], “E nxur polici shkrepsën prej xhepit t’vet, ia dha”.
“Merre shkrepsën shko kalle kerrin!”
“Me dorë t’vet”, tha, “e ka kallë kerrin!” Qatje nalt përmi xhami.

Këta që ka lypë ujë e kanë rrehë, e kanë përgjakë. E atij zotit të shpijës i ka thanë, “Qe shkrepsën, shko kalle kerrin!”

Ajshja: Moj për qëto t’rejat u tutke njeri…

Ferdija: Ajo kunata thojke masanej, “Kuku”, thojke, “i harrova djemtë tani. Nuset e reja, çika e madhe!” Kësaj nuses s’madhe, kjo krejt dukatin e ka pasë të lidhun n’mindil edhe ia ka shti n’xhep djalit, [polici] në xhep e ka kqyrë djalin e ia ka marrë krejt dukatin.

Kjo s’u kanë luftë me luftue veç ushtari me ushtar, po kjo luftë e keqe të pafajshmit i ka marrë. 

Ajshja: Prej tyne s’ke pasë me ikë, patjetër ke pasë me iu ra n’dorë.

Ferdija: S’po kemi çka me ba se randë boll për nana. Kur po dalin në televizor, “Familjarët e të pagjetunve!” “Nanat e të pagjetunve!” Randë për neve shumë edhe shumë randë është nana me përmenë ashtin e evladit me ia gjetë ku o’ e ku s’o. Jemi lodhë ma. 

Përgjatë viteve të pasluftës, shumë familjarë të personave të pagjetur ndihen të neglizhuar nga qeveritë e njëpasnjëshme në vend. Foto: Aurela Kadriu / K2.0.

Ajshja: Për mu çka me thanë, mos të thotë kërkush me i ra naj rast që mytna…Kërkush mos të thotë! 

Ferdija: Janë ba shumë vjet, ku me të shku menja tash, ku me majtë shpresa tash. Qe 21 vjet, nji herë veç e kom pa djalin n’andërr, kurrë ma hiç. Mas luftës kur jemi ardhë u kanë qështu nja gjashtë-shtatë muj edhe m’lypi ujë me u la. 

Thashë, “U moj nanë, ujë në banjo nuk kemi tash, jemi djegë. Po ta nxej n’shporet nana”. E diçka si u përpjeksha me kallë shporetin e me nxe ujin, o kur m’ka dalë gjumi n’sabah, veç nji Zot që ma ka ditë! Thashë, “Kuku, kokna në andërr moj!” Si u gëzova, si kishna qejf me ia nxe ujin, po çfart, kurgjo hiç…

Ajshja: Jo unë kur t’mërzitna m’fol kjo nusja.
“Oj nanë, oj nanë!”
Unë i thom, “A din çka, lem rahat!”
“Ani, ani se po t’la rahat”. 

E din që kujtohna për ta, kujtohna t’i kisha pasë. Qysh e dhanë shpirtin? A kanë lypë ndihmë? Qysh i kallën? Nashta i kanë kallë për s’gjalli…

Ferdija: Unë po thom po duhesh me jetu, po duhesh nji trohë me folë e me keshë për hatër t’gjallëve.

Ajshja: Unë a t’thashë, po keshi me zor.

Ferdija: Po për hatër t’gjallëve, se na tash veç si figurë me hi e me dalë, me hangër me pi, me punu nji trohë, si figurë. Se për mu ma jetë s’ka.

Ajshja: A unë mendtë edhe zemrën edhe trutë i kom te djemtë. Unë nuk po shkoj as në përvjetore, n’dakik m’lëshojnë kamtë.

Ferdija: Jo unë po shkoj, po shkoj me kojshi po rri. Kur janë kanë do vorreza t’vogla, i kanë pasë ba të vogla do që i çun [mbetjet mortore] tani i murrën…

Ajshja: Po lujnë me eshna, po bajnë hajgare…

Ferdija: E atëherë shkojsha i preksha ren [gurët e varreve], thojsha, “Moj nanë, nashta t’kom qëtu, nashta qëtu, nashta qëtu”. 

Kajsha, u mërzitsha…Kurgjo hiç! Tash ma jom pshtetë për zidi — ma mirë me ia ditë vorrin, shejin…Me ia çu nji lule me shoqe…Hiç kurgjo! 

Ajshja: Me kanë t’vërtetë, po. M’u kish shnoshë zemra.

Ferdija: Nashta ta bijnë ashtin e hujë, ku p’e din ti…K

Kjo bisedë është bërë në gjuhën shqipe dhe është redaktuar për shkurtësi dhe qartësi.

Imazhi i ballinës: Aurela Kadriu / K2.0. 

Kthehu prapa tek Monografia