Mbi një dekadë më parë, përbrenda punës në një organizatë jo-qeveritare, pothuajse përditë më binte të dërgoja kërkesa në drejtoritë e arsimit në komuna të ndryshme nëpër Kosovë për leje që të mbanim trajnime rreth shëndetit dhe të drejtave seksuale e riprodhuese dhe dhunës në baza gjinore. Kërkesat ishin për shkollat në fshatra të Kosovës. Ato aprovoheshin, kryesisht pa vonesa. Me përjashtime të vogla tek-tuk, nuk paraqitej ndonjë vështirësi e përfillshme. Ndonjë drejtori ndoshta i prishej ngapak fytyra, por s’bënte zë.
Përditë, me kampanja, biseda, shkresa për institucionet, bashkë me aktivistë/e e organizata jo-qeveritare, avokonim që edukimi seksual të bëhej pjesë përbërëse e planprogrameve shkollore. Dilnim nëpër televizione e flisnim në gazeta duke thënë se si mësimdhënësit/et po i kapërcenin faqet e biologjisë e edukatës qytetare kur flitej për trupat e për seksin. Thonim se kështu nxënësit privoheshin nga dijet. Ndanim përvojat tona nga terreni duke treguar se sa pak flitej e dihej për shëndetin dhe të drejtat riprodhuese e seksuale.
Prapëseprapë, asgjë nuk depërtonte mjaftueshëm në vetëdijen publike. Madje as një thirrje e freskët e vitit 2021, kur aktivistët/et mbushën sheshet duke protestuar e duke kërkuar përfshirjen e edukatës seksuale në planprograme, pas një sërë raportimesh për ngacmime e sulme seksuale në shkolla.
Qeveritë e njëpasnjëshme nuk na dëgjonin. Edukata seksuale nuk u bë kurrë lëndë obligative në shkolla në Kosovë dhe vazhdoi të ishte temë e fjetur në rastin më të keq, e temë e diskutuar midis aktivistësh/esh e organizatash të shoqërisë civile, në rastin më të mirë.
Por, këto ditë gjërat ndërruan — edukimi seksual nisi të diskutohej më të madhe. Por, ky diskutim e pati të gabuar edhe premisën, edhe kahun. Këtij zjarri, fitilin ia ndezi Eman Rrahmani. Ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje e tash anëtari i “Lista për Familjen”, në seancën e 11 nëntorit të Kuvendit të Kosovës, ku në rend të ditës ishte shqyrtimi i parë i projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm, e mori fjalën.
Rrahmani fjalimin e nisi duke kërkuar llogari se sa para janë shpenzuar për “kalimin e ligjit ku lejohen martesa ose bashkëjetesa e burrit me burrë”. Pastaj, kërkoi nga ministri i kulturës të tregojë se “pse në secilin projekt të saj deri sot prioritet i jepet mbrojtjes së komunitetit LGBT”. I kërkoi edhe ministrit të shëndetësisë që të tregojë se sa para janë shpenzuar “për t’u lejuar fëmija të mos ketë të drejtë ta njohë kë e ka babë e kë e ka nënë”.
Rendi i erdhi ish-bashkëpartiakes së tij, Arbërie Nagavcit, ministre në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Rrahmani, atë e pyeti për “kurrikulën për arsim në edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues”, ndër tjera, duke pyetur: “Çka ju pengon familja?”
Rrahmani, me gjasë pyeste rreth listës për lëndë zgjedhore, të cilën MASHTI ua propozoi drejtorive komunale për arsim në qershor 2023. Kjo listë përfshinte edhe Edukimin Seksual. Ai, gjatë fjalimit, iu referua përmbajtjeve të tre doracakëve për mësimdhënës rreth edukimit seksual dhe shëndetit riprodhues.
Në doracakun për klasët 1-5 është një aktivitet që quhet “shoqëruesi i të verbërit”, i cili, siç shkruhet në doracak, është për t’u ndihmuar nxënësve në rritjen e ndërveprimit midis tyre dhe në reflektimin rreth mënyrave të komunikimit. Aty, mësimdhënësit udhëzohen t’u thonë nxënësve që ta gjejnë një partner për ta realizuar aktivitetin. Në secilin çift, njërit i duhet të veprojë si i verbër dhe tjetrit si shoqëruesi i të verbërit. ”Shoqëruesi i të verbërit mund të bëjë me të verbërin çfarë të dojë për rreth 5 minuta dhe pastaj i shkëmbejnë rolet”, shkruhet në përshkrim. Në fund tregojnë se si janë ndier.
Doracakët, në një shikim të shpejtë, kanë mangësi të vërejtshme gjuhësore dhe shpesh lexohen si dokumente të keqpërkthyera — çështje që s’janë pa rëndësi sepse mund t’i humbin kuptimin tekstit. Por në seancën e 11 nëntorit, Rrahmani pretendoi se doracakët udhëzonin një vajzë dhe një djalë që të dilnin para klasës, ku njëri i mbyll sytë dhe tjetri e prekë për pesë minuta në gjithë trupin e pastaj tregon se çfarë organi kanë prekur.
Pra, Rrahmani qëllimshëm shtrembëroi dhe manipuloi me faktet. E me këtë manipulim, ai shumë lehtë i bindi plot të tjerë, përfshirë opozitarë e qeverinë, që me nguti të distancohen prej edukimit seksual e t’i shterojnë energjitë e tyre në garën se kush mban bajrakun në mbrojtjen e familjes.
Kështu, kryeqyteti i priu ndalimit të shpejtë të përdorimit të këtyre doracakëve. Pastaj, vazhdoi Komuna e Vushtrrisë, që tha se këta doracakë do ta degradonin “familjen e shenjtë”. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një mbledhi në Shtime, u çoi mesazh atyre që “kanë menduar e po mendojnë t’i fusin duart e tyre tek familjet kosovare” duke u thënë “mbani larg duart prej familjes; mbani duart larg fëmijëve”. E çoi në këmbë një sallë të tërë.
E në fund, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e postoi një video në rrjetin social Facebook ku, ndër tjera, tha se politikat e qeverisë së tij janë për fëmijët dhe familjen, si dhe njoftoi se MASHTI ka nxjerrë vendim për largim nga përdorimi i doracakëve.
Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të caktuara për 9 shkurt 2025, duket se partitë politike janë njëmend gati të kapin çkado që u del përpara e ta shndërrojnë në magnet votash. Këtë herë, mirëqenia e fëmijëve u bë mjeti e jo qëllimi i partive. Nesër kushedi çka do të jetë.
Çka tash?
Një dekadë pas, një gjë është e qartë: me shumë gjasë kërkesat e njëjta që i dërgoja nëpër drejtori, sot nuk do të aprovoheshin. Pos që nuk do të aprovoheshin, ato me siguri do të refuzoheshin aktivisht. Nëse atëherë kemi pasur ndonjë vështirësi të vogël burokratike apo ndonjë drejtor shkolle që ka qenë pak më fytyrëngrysur kur ka marrë vesh se po flitet për edukatën seksuale, por s’ka bërë zë, sot është ndryshe.
Të flasësh për edukatën seksuale sot nuk është thjesht diçka e sikletshme me të cilën s’jemi mësuar. Sot ka artikulim të qartë politik e ideologjik kundër edukimit seksual e nismave të ngjashme. Prandaj, ai drejtori fytyrëngrysur tashmë nuk do të mjaftohej vetëm me ngrysje e pak mrrola në ballë. Atij madje s’do t’i binte fare të lodhej për ta penguar aktivitetin. Tani, për ato punë i ka qeverinë e drejtoritë komunale të arsimit.