Nga dritaret e qelisë nr. 35 të Pavijonit C në Dubravë - Kosovo 2.0

Nga dritaret e qelisë nr. 35 të Pavijonit C në Dubravë

25 vjet nga masakra në Dubravë.

*Më 22 dhe 23 maj 1999, mbi 100 të burgosur shqiptarë u vranë në burgun e Dubravës nga forcat serbe, ngjarje që sot njihet si masakra e Dubravës. Kjo masakër ndodhi në kontekstin e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi gjatë viteve ’90, ku tensionet etnike dhe politike shpërthyen në konflikte brutale që sollën shkatërrim dhe humbje jete të gjithë rajonin. Masakra e Dubravës ishte një ndër shumë akte të dhunës që pasqyronin përpjekjet e regjimit serb për të shtypur shqiptarët e Kosovës dhe për të konsoliduar kontrollin në një periudhë të trazuar. Gjatë kësaj periudhe, rreth 1,000 të burgosur po mbaheshin në atë burg, pasi ishin transferuar atje nga burgje të tjera në Kosovë dhe Serbi. Një pjesë e tyre ishin ushtarë të UÇK, të tjerë aktivistë për lirinë e Kosovës — që akuzoheshin për krime politike.

Sadik Zeqiri, sot drejtor i gazetës “Epoka e Re”, atëbotë i burgosur politik, kujton ato ditë.

22 maj, 2024

Ishte koha e darkës së 14 marsit të vitit ‘99, në burgun e Pejës ku kisha bërë më shumë se shtatë muaj. Një gardian shqiptar na dha bukë dhe më tha se ndoshta nesër do t’na transferonin në burgun e sigurisë së lartë në Dubravë. 

Gati një vit më parë, më 19 prill të vitit 1998, kisha veshur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duke lënë pas studimet në vitin e tretë, në degën e juridikut në Universitetin e Prishtinës. Isha vetëm 23 vjeç. Veç katër muaj më vonë, teksa po kaloja prej një fshati në tjetrin në Zonën e Dukagjinit në mëngjesin e 25 gushtit, u gjenda në një pritë të policisë serbe, teksa. Aty më arrestuan.

Ajo që më tha gardiani më stepi ashtu si isha, në këmbë. Mendova se ishte më mirë të na transferonin atje sepse të burgosurit kur i lëviznin për burgje të tjera dhe kur ndonjë e sillnin prapë në Pejë, thoshin se në Dubravë kushtet ishin më të mira dhe se hapësira më e madhe e bënte më të lehtë qëndrimin në burg. Por, në anën tjetër, nuk kisha dëshirë të më largonin nga Burgu i Pejës sepse aty familja ime, nëna dhe të tjerët, e kishin më lehtë e afër të më vizitonin. Vizitat lejoheshin çdo 15 ditë dhe ishte i vetmi ndërveprim që mund ta kishim me njerëzit nga jashtë. Ndonëse s’mund t’ua preknim as duart, mund të flisnim përmes grilave. 

Informacionet nga jashtë i merrnim edhe përmes të burgosurve të rinj që vinin. Shpesh luteshim që në qeli të na binte ndonjë i burgosur shqiptar që mund të na tregonte ç’po ndodhte jashtë. Nuk mund të shihnim televizor. E kisha të parapaguar gazetën “Blic” në gjuhën serbe, meqë gazetat shqip nuk lejoheshin. Por, edhe gazetën “Blic” na e sillnin gjysmake — ia hiqnin faqet ku flitej për zhvillimet politike në Kosovë dhe linin vetëm faqet me kulturë dhe sport.

Ilustrimi: Altin Ibrahimi / K2.0.

Gardianët na rrihnin aq shpesh sa që vështirë mund të mblidhnim forcat që të bëjmë diçka tjetër pos të rrinim shtrirë.

Pasi hëngrëm darkë, kah ora 9 e natës së 14 marsit, u fikën dritat dhe na lajmëruan, si çdo natë tjetër, të binim në gjumë. Në dhomën numër 4 të Pavijonit të Tretë në Pejë ishim gjashtë të burgosur. Pesë ishim shqiptarë, njëri ishte serb. Në qelinë prej 8 metra katrorë i fusnin deri në nëntë të burgosur, varësisht sa arrestonin në atë kohë. Në një shtrat të vogël, prej atyre dy-katësh, ndodhte të flinim dy persona.

Çdo ditë, zgjoheshim në ora 5:00 të mengjesit dhe s’na lejohej të flinim më. Rregullonim shtretërit, pastronim sytë e dhëmbët dhe prisnim vaktin e mëngjesit në dhomë rreth orës 7:00-8:00. Pas vaktit të drekës që na vinte në ora 12:00, mund të dilnim të shëtisnim për 10-15 minuta në oborrin e vogël të burgut. Deri në darkë, kalonim kohën në qelinë tonë duke luajtur shah, domino apo duke lexuar ndonjë libër që merrnim në bibliotekën e burgut. Kjo ndodhte kur mund të ngriheshim nga shtrati. Gardianët na rrihnin aq shpesh sa që vështirë mund të mblidhnim forcat që të bëjmë diçka tjetër pos të rrinim shtrirë.

Ato ditë, kisha shumë probleme me gjumë. Çelte agu e më gjente zgjuar. Kështu si unë, pa vënë gjumë në sy, ishte edhe ish i burgosuri serb që e kisha në dhomë. E pyeta bashkëvuajtësin, pse nuk po flinte ende. Më tha: “Sadik, sot kanë me ju transferu në Dubravë, aty kanë me ju tubu të gjithë të burgosurit nga të gjitha burgjet çka jeni shqiptarë, e prej aty pritet, nëse përfundon lufta, juve me ju lëshu grumbull nga burgu”. 

Pas pak minutash u ndezën dritat. Dyert e dhomave filluan të hapen një nga një. E hapën edhe derën e dhomës sonë. Brenda hynë dy gardianë me një listë në dorë dhe thirrën emrin tim. “Sadik Zeqiri, ke kohë pesë minuta të përgatitesh. Po transferohesh në Dubravë”, tha njëri. Të njëjtin lajmërim ua dhanë edhe disa të burgosurve tjerë. I mblodhëm plaçkat dhe u rreshtuam në korridorin e ngushtë. Na futën në furgonë të policisë dhe na nisën për Dubravë. 

Ilustrimi: Altin Ibrahimi / K2.0.

Nga dritaret e qelisë numër 35 të Pavijonit C

Në Dubravë, na shpërndanë nëpër pavijone të ndryshme, por shumicën prej nesh na dërguan në Pavijonin C. 

Mua më caktuan në dhomën numër 35, në katin e dytë, me dritare kah fusha e sportit. Aty na vendosën të katër të burgosurit që na sollën nga Peja. Në dhomë e gjetëm një të burgosur që kishte kohë aty. Edhe ai ishte pjesëtar i UÇK. Shoqëri e re, bisedë e re. Kishim çfarë të flisnim. Në dhomë ishim të gjithë shqiptarë. Dritaret e dhomës sonë në burg ishin të mëdha. Na kishte marrë malli ta shihnim natyrën, malin e fushën. Por, në pavijonin C, që mbante të burgosurit më të izoluar, veç ato dritare i kishim.

Burgu i Dubravës ishte organizuar në atë mënyrë që pavijonet ndaheshin sipas shkallës së izolimit. Pavijoni C ishte më i izoluari. Në këtë pavijon pothuajse shumica e të burgosurve ishin me aktakuza të ngritura dhe që pritej të dënoheshin me shumë vite burg. Pavijoni B, ishte disi më i lirë, së paku ushqimin të burgosurit e hanin në kuzhinë. Ndërsa, Pavijoni A ishte i tipit të lirë. Të burgosurit për vepra penale dhe ata serbë ishin të vendosur në këto dy pavijone.

Në pavijonin C, shumëçka ishte ndryshe nga burgu i Pejës. Nuk na linin të hanim në kuzhinë më. Ushqimin na e sillnin në qeli. Nuk na i lejuan më 10-15 minutat e shëtitjes në ditë. Nga zgjimi gjer në gjumë, rrinim nëpër qeli. Nuk mund të lexonim më, as të luanim shah e domino. As nëna nuk mund të më vizitonte më. 

Ditët ecnin e ne prisnim të liroheshim sepse ashtu na vinin informatat e pakta. Jashtë mureve po zhvilloheshin bisedime për ndaljen e luftës. Na patën thënë se nëse deri më 24 mars 1999 nuk pajtohet Serbia ta ndalë luftën, atëherë do të ndërhynte NATO për ta ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe do t’i fillonte bombardimet e caqeve ushtarake serbe në Kosovë dhe në Serbi. 

Meqë s’morëm ndonjë lajm se Serbia kishte vendosur ta ndalte luftën, në natën e 24 marsit qëndruam zgjuar duke pritur fillimin e bombardimeve në caqet serbe në Kosovë. I dëgjuam edhe ne në burg oshtimat e avionëve, bombardimet e tyre mbi makinerinë serbe. E ndienim që brenda lirinë, po edhe vdekjen. 

Bombardimet shtoheshin dita-ditës. Gjatë kësaj kohe të bombardimeve, filluan të mbushen pavijonet edhe me më shumë të burgosur. Çdo ditë vinin të burgosur të rinj nga burgjet tjera, edhe nga ato të Serbisë që mbanin qindra të burgosur shqiptarë. Ardhjet e tyre i shihnin nga dritaret e burgut, sepse nga pavijoni C shihnim edhe derën kryesore të hyrjes. Ne nuk dinim kush ishin ata, si dhe as prej nga vinin.

Ndiheshim keq kur dëgjonim ofshamat e të rrahurve, po ndiheshim shumë më mirë kur edhe neve na vinte rendi i rrahjes, sepse e kryenim “fruthin”, siç i thonim në burg.

Për ta merrnim vesh nga disa të burgosur shqiptarë të cilët ishin të dënuar për vepra penale dhe na sillinin ushqimin nëpër qeli. Ata na treguan se, më 29 dhe 30 prill, i kishin sjellë të gjithë të burgosurit shqiptarë prej burgjeve të Serbisë — burgu i Mitrovicës së Sremit, Burgu i Nishit, e tjerë — dhe i kishin vendosur në Pavijonin B. 

Kur i nxirrinin për të ngrënë në kuzhinë këta të Pavijonit B, ne dilnim në dritare që t’i shihnim sepse e dinim se aty ishin grupet e mëdha të të arrestuarve e të dënuarve si ushtarë të UÇK. I njihja shumicën prej tyre. Disa i kisha shokë të fakultetit, disa të tjerë i njihja për veprimtarinë e tyre, e për disa kisha dëgjuar dhe lexuar që e gjithë jeta u kishte shkuar duke u marrë me veprimtari politike e duke u arrestuar e liruar nga birucat serbe që përdoreshin si burgje.

Pasi nisën bombardimet, sjelljet e gardianëve ndaj nesh u përkeqësuan. U bënë shumë më të vrazhdë. Filluan të na rrihnin përditë. Rrahjet dhe maltretimet i fillonin në dhomat e izolimit e i vazhdonin deri në dhomën e fundit. Ndiheshim keq kur dëgjonim ofshamat e të rrahurve, po ndiheshim shumë më mirë kur edhe neve na vinte rendi i rrahjes, sepse e kryenim “fruthin”, siç i thonim në burg.

Nga dritaret e dhomës 35, pos që shihnim të rinjtë që po hynin, shihnim edhe të tjerë që po dilnin. Kjo, atëherë, na jepte një fije shpresë. 

Në paraditen e së dielës së 16 majit 1999, disa gardianë e shoqëronin një burrë për te dera e daljes së burgut. Për shkak të distancës, nuk e dinim kush ishte, por u gëzuam që dikush ose po lirohet, ose po i ndërrohet burgu. Më vonë kuptuam se ai burrë shtatlartë, kishte qenë profesori Ukshin Hoti, i njohur për angazhimin e tij në çështjet kombëtare dhe të drejtat e shqiptarëve. Hoti u arrestua dhe u burgos nga autoritetet serbe disa herë. Më 1994, u burgos për herë të fundit dhe u dënua me 5 vjet burgim për aktivitetet e tij politike dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

Pas pak minutash e liruan edhe një të burgosur tjetër nga pavijoni ynë. Atë e njohëm. Ishte nga Juniku, me mbiemrin Pepshi. Edhe atë e nisën kah dalja kryesore. Më kujtohet shumë mirë kur e dëgjuam të sapoliruarin që e pyeti gardianin: “Sot është e diel. Deri ku keni me m’dërgu?” Gardiani i tha do ta përcjellin deri në Pejë e më pas “shko kah të duash”. Këtë bisedë e kemi dëgjuar nga dritaret që i kishim hapur. Ashtu kuptuam se ai i burgosuri tjetër nuk qenka transferuar, por qenka liruar. Eshtrat e Pepshit janë gjetur dhe identifikuar në vitin 2005 diku në varrezat e rrethinës së Pejës. Fati i Hotit mbetet i pazbardhur edhe sot.

Më 18 maj, në hapësirat e burgut e sollën edhe një kontingjent të madh të njerëzve. Edhe pse i kishim larg, vëreheshin se ishin të veshur me tesha civile, disa edhe kishin flokë të gjatë. Sipas hamendësimeve tona, ishin zënë pengje. Ata i vendosën në një objekt që kishte qenë dhe ishte shfrytëzuar për shkollë. Më vonë kuptuam se ata ishin një grup prej 150 vetash nga Gjakova, të gjithë të zënë robër. 

Nëpër qelitë e Dubravës tani flinin e zgjoheshin gati 1,000 të burgosur.

Gjatë këtyre ditëve të bombardimeve të NATO-s i linim dritaret hapur për të shikuar dhe dëgjuar çkado që mundnim. 

Një ditë erdhi një nga gardianët që ishte në ndërrim dhe i hapi dyert e dhomës sonë. Na kishte vërejtur që po shikonim në dritare. Kur e hapi derën, na zuri duke shikuar nga dritarja. Gardiani ishte ose nga rrethina e Istogut ose e Pejës sepse e njihte gjuhën shqipe dhe nganjëherë edhe e fliste. Pasi na zuri në këmbë na tha: “afrohuni më afër dritareve t’ju tregoj kush janë këta fshatra”. Ndër ta e përmendi edhe Shushicën dhe tha se, përpos disa ushtarëve që kanë mbetur në male lart dhe ne në atë burg, asnjë shqiptar nuk ka mbetur në Kosovë. 

“Të gjithë i kemi vrarë dhe ata që kanë mbetur gjallë i kemi dëbuar nga Kosova”, tha ai. Gardiani ishte i gjatë, i ri dhe kishte flokë të bardha. Për dallim nga kolegët e tij, ky na dukej disi më i butë dhe reagimet e tij kishin një kufi veprimi. 

Ilustrimi: Altin Ibrahimi / K2.0.

Në gëzim, e thyem dhe e hapëm derën e dhomës. Kur dolëm jashtë, pamë të burgosurit e pavijoneve tjera duke ua hapur dyert të burgosurve. I pamë duke i bartur të plagosurit dhe duke i nxjerrë nga gërmadhat e dhomës të vrarët ku kishte goditur NATO.

Në Pavijonin C, e kishim të pamundur t’ua mësonim emrat gardianëve. I mbanim mend përmes fytyrës, ecjes dhe veprimeve të tyre. Për shembull, në dhomën tonë njërin e quanim “sakica” sepse, sapo merrte ndërrimin, fillonte rrahjet e të burgosurve që nga dhoma e parë e deri në të fundit. Burgu i ashpër ia zhduku kufirin edhe gardianit me flokë të bardhë një ditë. Na detyroi të laheshim me ujë të ftohtë. 

Një ditë ishte shumë ftohtë. Na thanë që të shkojmë për t’i prerë flokët. Kishin kaluar nja katër muaj pa i prerë flokët. Një djalë që e gjetëm në dhomë na tregoi se, pasi po na dërgojnë që t’i presim flokët, brenda mundësive të kalojë në rendin ku njëri prej dy “bricave” është shqiptar. Na bënë rresht dhe na dërguan në pjesën tjetër të pavijonit, te dy berberët. Unë herë dilja në njërin rend, herë në tjetrin, që të shoh cili është shqiptari. Dhe, sipas mendimit tim, shqiptari m’u duk njëri që ishte më zeshkan se tjetri. Por ia kisha pas huqur. 

Atë ditë që të dy berberët kishin qenë serbë. Kur filloi të më qethë e falënderova dhe i thashë se po bën mirë sepse, ndoshta, po na lëshojnë këto ditë. Sapo thashë këtë fjalë më mëshoi me makinë në kokë, me gjithë fuqinë që kishte dhe më shau. Pasi na prenë flokët na dërguan në dhoma, na thanë të zhvishemi për t’u pastruar. U zhveshëm të gjithë në dhomë dhe u afruam aty ku kishte ujë. Gardianët, një ndër ta edhe ky djaloshi me flokë të bardha, na lëshoi ujë të ftohtë. 

Përpjekja për liri

Në mëngjesin e datës 19 maj kishim hapur dritaret t’i shihnim luftimet që bëheshin në disa fshatra aty në malet e Istogut. Në atë çast një zhurmë e madhe u dëgjua në afërsi tonën. 

Aeroplanët e NATO kishin qëlluar ngrohtoren e burgut si dhe drejtorinë e saj. U dëgjua një britmë e madhe. Filluam edhe më me interesim të shikojmë se çfarë po ndodhte dhe pamë se gardianët filluan të iknin në drejtim të derës kryesore të burgut. Pas pak minutash, aeroplani i NATO goditi edhe pavijonin tonë, C-në. Goditja fatkeqësisht mori jetën e tre të burgosurve shqiptarë dhe plagosi shumë të tjerë. Ne që qëlluam afër dritares shpëtuam, por nisëm të kërkojmë ndihmë, që të na i hapin dyert. Por, kërkesa jonë nuk shkonte më larg se në dhomën tonë. Askush s’kishte mundësi as të na dëgjonte e as të na ndihmonte. 

Filluam të mendonin se si ta hapnim derën. E shkatërruam një shtrat në dhomë dhe filluam ta godasim derën. Muret ishin plasaritur nga detonimi. Bëheshim dy nga dy sepse nuk kishim fuqi dhe as vend të godisnim të gjithë përnjëherësh. Ishim të gjithë nga 50 apo 60 kilogramë, jo më shumë. Njëri nga të burgosurit e dhomës vërejti nga dritarja se shumë të burgosur kishin nisur të na vijnë në ndihmë me mjete pune. Në gëzim, e thyem dhe e hapëm derën e dhomës. Kur dolëm jashtë, pamë të burgosurit e pavijoneve tjera duke ua hapur dyert të burgosurve. I pamë duke i bartur të plagosurit dhe duke i nxjerrë nga gërmadhat e dhomës të vrarët ku kishte goditur NATO.

Dolëm në oborr dhe u tubuam shumica e të burgosurve dhe u nisëm për te dera e daljes. Aty na dolën gardianët përpara dhe nuk na lanë të vazhdojmë tutje. 

Tani frika kishte depërtuar deri në palcë. Nuk dinim ç’të bënim. Situata brenda burgut të Dubravës kishte dalë jashtë çdo kontrolli. Gjatë kësaj dite, e cila as vetë nuk e di se sa ka zgjatur, ia kemi dalë disi që të shpëtojmë. Forcat e NATO-s atë ditë më nuk kanë gjuajtur në brendësi të objektit të burgut. Edhe më 20 maj ka qenë qetë dhe kemi fjetur siç kemi mundur nëpër pavijonet e padëmtuar. Më 21 maj prapë forcat e NATO-s kanë sulmuar pavijonet e si dhe rrjetin e ujësjellësit dhe, me siguri, edhe bazën e centrales telefonike. Ishin dëmtuar pothuajse të gjitha objektet. 

Në natën e datës 21, në të hyrë të datës 22 maj, kemi fjetur jashtë. Shumica te fusha e sportit, dikush me batanije e dikush i pambuluar. Ashtu na çeli mëngjesi i 22 majit 1999. 

Ilustrimi: Altin Ibrahimi / K2.0.

Derisa hyra në rresht, të burgosurit u rrëzuan përtokë

Nga pikat vrojtuese që ishin aty afër në mëngjesin e datës 22 maj na kanë urdhëruar të rreshtohemi për të na dhënë një lajm me rëndësi. Unë kam qenë afër me një të burgosur tjetër, Rasim Selmanin. I kam thënë të marrim pak ujë në shishe e t’i pastrojmë sytë. Ujë kishim mjaft sepse ishte goditur tubi kryesor nga raketat dhe ishte bërë aty si pishinë. Rasimi më priti, i pastruam sytë dhe u ndamë. 

Derisa hyra në rresht veç i pashë të burgosurit duke u rrëzuar përtokë. 

Ngrita kokën të shikoj se çka po ndodh sepse në njëfarë forme të gjithë ishim të mpirë dhe nuk dinim nga po vinin plumbat kur, më në fund, pashë nga pikat e vrojtimit duke hedhur bomba mbi ne e duke gjuajtur me armë. Kush ka qenë në rendin e parë është vrarë nga gardianët dhe uniformat e tjera serbe që ishin të stacionuara përreth burgut të Dubravës. 

Militarët dhe uniformat serbe si dhe detonimet e NATO-s kishin hapur pjesë të murit e që disa të burgosur i kishte bërë të binë pre e idesë për t’u arratisur. Këtë fat e kanë përjetuar mbi 20 të burgosur kur një nga të burgosurit u kishte thënë se mund t’i nxjerrë nga burgu. Ata kishin vepruar sipas idesë së tij dhe ishin larguar.

Ne ndërkohë nuk dinim ku të fshiheshim. Ishim shumë të ekspozuar në një fushë sporti teksa gjuajtjet vinin prej gjithkund. Filluam të iknim deri në një pjesë ku mund të fshiheshim përkohësisht, më pas me vrap të afroheshim rreth objekteve. Edhe gjatë ikjes, shumë nga ne janë plagosur e vrarë nga armët dhe nga bombat që i hidhnin gardianët e policët serbë. Pas një kohe pushuan gjuajtjet dhe filluam të dalim nga aty ku ishim fshehur për t’i kërkuar të afërmit dhe të tjerët. Po ashtu, edhe për t’iu ofruar ndihmë mjekësore të plagosurve. Gjatë kësaj dite pandërprerë ka pasur gjuajtje nga të gjitha anët e burgut. 

S’kishim ku të fshiheshim. Një grup ishim të fshehur pas një grumbulli drush që ishin afër kuzhinës. Afër nesh, njërin e kapi snajperi në kokë duke ia nxjerrur trutë jashtë. I burgosuri ende ishte gjallë dhe i lëvizte këmbë e duar. Në ato qaste erdhi Bislim Zogaj, student i mjekësisë e dhe me duar ia afroi pjesët e kokës. 

Kishte filluar të errësohej dhe ne nuk dinim kah t’ia mbanin as ku të flinim e as ku të fshiheshim. Të burgosurit e vjetër, të cilët kishin më shumë përvojë dhe ishin edhe më të moshuar se ne, kishin tubuar të plagosurit dhe ua kishin dhënë edhe ndihmën e parë me mundësitë që kishin. 

Një grup i të burgosurve kishte depërtuar nëpër plumba deri në ambulancën që ishte brenda mureve të burgut dhe kishte marrë aty çfarë kishte gjetur. Më pas, me këto mjete sanitare, shumë të plagosurve u është shpëtuar jeta. Ndërsa shumë nga ta edhe kanë vdekur nga mungesa e trajtimit mjekësor. 

Edhe unë isha plagosur në atë ditë në fushën e sportit dhe shokët ma lidhën plagën me një fashë veç sa për ta ndalur gjakun.

Ilustrimi: Altin Ibrahimi / K2.0.

Pasi u errësua, një vendës imi më njoftoi se te ngrohtorja, në bodrum, e kishin përgatitur vendin për të fjetur. Kishin futur edhe sfungjerë aty dhe, sipas tij, vendi ishte i sigurt. Shkova te ta, por s’i gjeja edhe dy bashkëfshatarët e mi. Pasi e takova njërin prej tyre, i tregova që mund të shkojmë të flemë atje sepse ishte vend i sigurt. Por, ai më tha se ishte më mirë të shkojmë te kuzhina te Pavijoni C që të bëheshim bashkë me 600 të burgosurit tjerë që kishin shkuar aty. Ndërkohë e takoj edhe një shok timin të fakultetit, Demirin. Edhe Demiri më thotë të shkoj te Pavijoni C.

Atyre të cilët shkuan për të fjetur në bodrumin e ngrohtores, nuk u çeli mëngjesi. Paramilitarët serbë i vranë në gjumë, përpos dy apo tre të burgosurve, të cilët kishin hyrë nëpër gypat e gjerë të ngrohjes dhe kishin shpëtuar pa u hetuar. 

Mëngjesi i datës 23 maj na çeli me gjuajtje të bombave dhe të armëve nga paramilitarët serbë të cilët kishin hyrë brenda burgut. Ata kishin disa shirita të kuq në krahë, disa shirita të gjelbër e disa edhe të verdhë. Gjuanin edhe ish të burgosurit serbë të cilët tanimë ishin armatosur dhe luanin rolin e vrasësve. Shumë të burgosur ishin fshehur nëpër pusete në oborrin e burgut. Ata kaluan më së keqi në këtë ditë të 23 majit, sepse ushtria, policia e paramilitarët i hapnin kapakët e puseteve dhe i vritnin aty brenda, pastaj u gjuanin edhe bomba. 

Neve na kishin rrethuar kuzhinën komplet dhe gjuanin në muret e saj dhe na kërkonin me megafon të dilnim jashtë. Askush nuk merrte guximin të dilte i pari. Megjithatë, një burrë, rreth të pesëdhjetave nga Gjakova, që më vonë mora vesh se ishte Mehdi Ferizi, doli jashtë me duar pas koke. E urdhëruan bacën Mehdi të na lajmërojë neve për herë të fundit që të dalim jashtë. Dolëm edhe ne, me duar të lidhura pas koke dhe u rreshtuam të gjithë. Para nesh qëndronin komandanti i burgut, disa gardianë dhe disa të tjerë në uniforma, por me shirita të kuqë në krahë, të gjithë të armatosur, me armët drejtuar kah ne. Të gjithë menduam se aty tashmë përfundoi çdo gjë, jeta jonë dhe veç pritnim të na vritnin. Filluam të përshëndetemi mes vete dhe t’ia marrim hallallin shoqi-shoqit. Afër nesh kishte edhe disa bure të mbushura me benzinë. 

Na thanë të nisemi dy nga dy në drejtim të sallës së sportit. Na tubuan të gjithëve në sallë, disave u thanë të shkonim t’i thërrisnim të gjithë të fshehurit dhe, po ashtu, t’i mbledhnim edhe të plagosurit në sallë. Derisa u tubuam të gjithë, pothuajse gjithë kohën një i uniformuar qëndronte te dera me një zollë në krahë në drejtimin tonë.

Ilustrimi: Altin Ibrahimi / K2.0.

Mua s’më vizitoi kush deri kur u lirova nga burgu i Nishit më 9 mars të vitit 2001. E vetmja që mund të më vizitonte ishte nëna, por nga mërzia që kishte për mua, kishte humbur shikimin. Ajo vdiq në moshën 59-vjeçare, në janar të vitit 2008.

Pasi u tubuam pothuajse të gjithë, na u kumtua lajmi se, pasi nuk ka kushte dhe siguri në hapësirat e Burgut të Dubravës, nesër në mëngjes, më 24 maj, do të na transferojnë për në burgjet e tjera. 

Të nesërmen, rreth 800 të burgosur, nga rreth 960 sa ishim në tërësi, u nisëm për në burgun e Lipjanit, me autobusë dhe me kamionë, ku i kishin vendosur të plagosurit. Pas nesh, të vrarë në hapësirat e Dubravës, lamë mbi 130 veta. Afër portës kryesore, pamë rreth 20 të vrarë grumbull dhe kuptuam që ishin nga grupi që kishin tentuar të arratiseshin disa ditë më parë. Gabimisht kishim menduar se ia kishin dalë të arratisen.

Pas pak më shumë se dy javësh, në mëngjesin e hershëm të datës 11 qershor 1999, na nisën për në burgjet e Serbisë. Mua bashkë me 600 të burgosur të tjerë na nisën për në Nish, të tjerët në Pozharevc, Mitrovicë e Sremit, Leskovac, Vranje, Beograd e qytete tjera. Shumë nga ne ishim të plagosur e kishim frikë të tregonim se mos na vrisnin. U lamë pa përkujdesje. Kishte më shumë se një muaj që s’ishim pastruar, që nga hera e fundit kur gardianët, edhe ai me flokë të bardhë, na shtynë të lahemi me ujë të ftohtë. Morrat ishin bërë pjesë e ditëve tona.

Rrugës për në Nish nga Lipjani, shihnim shumë automjete civile e ushtarake që kishin marrë rrugën për në Serbi bashkë me ne. Kishim dyshimet tona se lufta mund të ketë përfunduar, por nuk e dinim sigurt. Kur arritëm në Nish, na i lëshuan lajmet në gjuhën serbe dhe kuptuam se kishte marrë fund lufta në Kosovë. Por, veç pas një muaji, në korrik, filluam ta kuptonim saktë se ç’po ndodhte me Kosovën kur filluan vizitat e familjarëve. 

Mua s’më vizitoi kush deri kur u lirova nga burgu i Nishit më 9 mars të vitit 2001. E vetmja që mund të më vizitonte ishte nëna, por nga mërzia që kishte për mua, kishte humbur shikimin. Ajo vdiq në moshën 59-vjeçare, në janar të vitit 2008. 

Sot e atë ditë unë ende mbaj pjesën e plumbit serb të futur brenda në trupin tim më 22 maj 1999. Kur jam liruar nga burgu e kam vizituar mjekun dhe pas fotografimit, më ka thënë se një herë qenke jo mirë me shëndet e “kur të trashesh pak të heqim sepse edhe ashtu tash rreth pjesës së plumbit është mbushur me shtresë dhjamore dhe nuk do të kesh telashe”. Kurrë më nuk kam shkuar te mjeku për këtë çështje. Do ta mbaj atë plumb në bark aq sa të kem jetë. 

Me atë plumb, për çdo 22 maj, bashkë me shokët e burgut vizitojmë burgun e Dubravës, ku lamë shumë të shokë tjerë. Me ata që i shpëtuam vdekjes nga burgu i Dubravës, takohemi shpesh. Jemi tashmë një familje e madhe — shkojmë bashkë në dasma e në të pame.

 

Imazhi i ballinës: Ilustrim i profilit të Sadik Zeqirit në të 20-tat. Altin Ibrahimi / K2.0

Sadik Zeqiri është drejtor i përgjithshëm i gazetës “Epoka e re”. Ai ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Sadiku është ish ushtar i UÇK dhe ish i burgosur politik.

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.