Blogbox | Rinia

Nga frika te magjia e Brukselit

Nga - 26.12.2024

Një udhëtim që nisi me stres e mbaroi me kujtime të bukura.

Gjithnjë i them vetes se çdo herë e parë vjen me një dozë emocionesh për të panjohurën, duke u munduar të mos kaplohem nga stresi kur bëj diçka për herë të parë në jetë.

Megjithatë, udhëtimi im i parë me aeroplan nuk erdhi thjesht me një dozë emocioni, ishte stres më vete. Nuk kisha ide se çfarë të bëja më parë. Dhe s’kisha shumë prej kujt të merrja këshilla: në familjen time, prej kur u bë liberalizimi i vizave në vitin 2024, isha e para që po udhëtoja me aeroplan. Babi kishte udhëtuar kur u kthye nga Gjermania menjëherë pas luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, mirëpo që atëherë kishte kaluar kohë dhe nuk i mbante mend aq mirë procedurat. 

Në këtë mjegulli, fatmirësisht, nuk kisha nevojë të merresha me pjesën e rezervimit të biletës. Udhëtoja të isha pjesë e një vizite studimore në Parlamentin Evropian, në Bruksel të Belgjikës. Kur e mendoja këtë gjë, më dukej diçka shumë e mrekullueshme për të qenë e vërtetë. Por, sot kur e mendoj se Brukseli është shtëpia e institucioneve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian (BE), që për kohë të gjatë na mbajti të izoluar, kam emocione të përziera midis krenarisë dhe frustrimit. 

Krenari që më në fund po udhëtojmë lirshëm dhe frustrim për pengesat dhe vonesat në procesin e liberalizimit të vizave, që kanë krijuar një ndjenjë të braktisjes dhe të mosvlerësimit ndaj BE, që pritej të ishte i hapur dhe mbështetës ndaj nesh. 

Udhëtimi im i parë ishte caktuar për datën 15 prill. Edhe pse ditët kalonin, stresi sa vinte e shtohej, së pari për pjesën e udhëtimit sepse pjesëmarrësit/et tjerë/a në vizitën studimore nuk i njihja dhe do më duhej të udhëtoja vetëm derisa të takohesha me ta dhe së dyti, kisha stres edhe për atë se si do të jetë vizita studimore atje. 

Tri orë e gjysmë më herët

Më ka ndodhur që valixhen ta bëj gati edhe shumë herë më parë për pushimet verore. Mirëpo, këtë herë ishte ndryshe. Sigurohesha që përpos që po i fus të gjitha gjërat e nevojshme, të marr edhe rrobat më të bukura që kam në udhëtimin tim të parë. Pasi kisha frikë se mos harroja diçka, atë valixhe e shkretë e hapja e e mbyllja shpesh.

Erdhi dita e shumëpritur. Atë ditë të hënë e mbaj mend si sot. Kur e mendoja që në mëngjes jam në Prishtinë e në mbrëmje do jem në Bruksel më dukej interesante. Rruga nga Prishtina deri në aeroport ishte shumë e gjatë. 

Kolona e gjatë i shtohej stresit të vazhdueshëm se mos kisha harruar diçka. Ai rregulli që të jesh dy orë para fluturimit nuk ekzistonte në rastin tim — unë mbërriva tri orë e gjysmë më herët. 

Pasi aeroporti në Prishtinë nuk është aq i madh, pjesa e lajmërimit (check in) nuk ishte e vështirë për t’u gjetur. Derisa po prisja në radhë, u futa në aplikacionin Viber te grupi me pjesëmarrësit/et në vizitën studimore. Dhe zgjodha njërën nga vajzat nga Kosova aty në grup që t’i shkruaj dhe ta pyes se a ka ardhur në aeroport. Pas pak kohe që kontaktova me të, ajo u gjend anash meje dhe filluam të njiheshim në mes vete.

Momentin e nisjes s’do ta harroj kurrë. Ajo zhurma deri kur rrotat e aeroplanit nuk prekën tokën më, është ende e ngulitur në kokën time.

Pasi përfunduam pjesën e check-in, vazhduam lart në pjesën e kontrollit të sigurisë. Ajo procedurë ishte shumë stresuese. Të dukej që ke diçka ilegale me vete pa pasur fare. Përfundoi ajo pjesë dhe fillova të flas me pjesëmarrësen tjetër. Kuptova që edhe ajo po udhëtonte për herë të parë. Pra, as njëra, as tjetra, s’dinim çka po na priste. Pastaj u takuam edhe me pjesën tjetër të pjesëmarrësve/eve.

Ishte herët të gjenim portën dhe po qëndronim në pjesën e jashtme të aeroportit. Kështu kaloi koha dhe duhej të ishim gati për t’u futur në aeroplan. Bëja çfarë të tjerët shihja se bënin. U futa në aeroplan me shpresën se ulësja ime do ishte afër dritares. Dhe ashtu edhe ndodhi. 

Momentin e nisjes s’do ta harroj kurrë. Ajo zhurma deri kur rrotat e aeroplanit nuk prekën tokën më, është ende e ngulitur në kokën time. Derisa aeroplani ishte duke u ngritur në qiell, shikoja para, pas dhe anash meje nëse gjithçka ishte në rregull. Ulësja në mes ishte e zbrazët, ndërsa në tjetrën ishte një grua, të cilën e zuri gjumi sapo u ul. Uau, mendova me vete, sa i thjeshtë është për dikë ky fluturim.

Derisa ngriteshim në qiell, pamja sa shkonte e bëhej më e bukur. Para një minuti isha në tokë e tash në qiell. Qesha. Vazhdova ta shijoj pamjen dhe mendime të ndryshme më silleshin në kokë. Kur gjithçka m’u duk në rregull, m’u kujtua se sa e lodhur jam dhe vendosa që një sy gjumë do të ishte zgjidhja. 

Në Bruksel

Rruga për në Bruksel ishte e gjatë, pasi fluturimi ishte me dy ndalesa. Ndalesa e parë ishte në Mynih të Gjermanisë. Asgjë nuk ishte si në aeroportin paraprak. Aeroporti i Mynihut ishte shumë herë më i madh se ai i Prishtinës dhe për të gjetur portën, jo vetëm që kemi ecur shumë, por kemi përdorur edhe tren e autobus. 

Gjithandej shihje njerëz që ishin duke vrapuar me valixhe, të jepnin përshtypjen se ai fluturim për ta është jetë a vdekje. Në të katër anët kishte shumë zhurmë dhe derisa arritëm tek porta u dërrmuam, lëre më ta mendoje që vetëm gjysma e fluturimit ka kaluar. Mirëpo, përkundër kësaj isha e mbushur me energji dhe entuziazëm. 

Arritëm në Burksel vonë në mbrëmje dhe me taksi shkuam në hotel. Pasi u sistemuam në dhoma, me pjesën tjetër të pjesëmarrësve/eve, ramë dakord që të dalim për pica. Ajo ditë u mbyll me shumë të qeshura — krejt ndryshe nga si kishte nisur.

Të nesërmen, u nisëm për te Parlamenti Evropian. Sapo arritëm, ndieja një energji ndryshe. Parlamenti ishte një hapësirë e madhe dhe ngado që ktheja kokën shihja njerëz, pothuajse të gjithë të veshur me kostume serioze. Në disa hapësira më dukej sikur të isha në ndonjë televizion, sepse njerëzit intervistoheshin, kishte kamera gjithandej. 

Brukseli, ku kishte pesë minuta shi e dhjetë minuta diell, nuk ishte për njerëz të tillë si puna ime që duan verë gjithmonë. Por, sado që moti nuk ishte në anën time shumicën e kohës, kjo nuk do të thoshte që mos ta shfrytëzoj mundësinë e të mos vizitoj vendin. Pjesa e vjetër e qytetit ishte mahnitëse. Brukseli njihej për çokollata — në çdo të dytin hap gjendeshe para një dyqani që i shiste ato. Kishin shije fantastike. Njerëzit ishin shumë mikpritës e të shoqërueshëm. 

Të gjitha këto elemente kanë bërë që ky udhëtim të gdhendet në kujtesën time si një përjetim i mrekullueshëm. Tashmë çdo herë kur kujtoj Brukselin ndiej nostalgji për të dhe kohën që kalova atje. Pos kësaj, ajo përvojë më mësoi diçka të re: se sa shumë gjëra të reja mund të bëj, sa shumë njerëz të rinj mund të njoh, sa shumë kujtime të reja mund të krijoj. 

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.