Kultura queer, përmes së cilës shumë individë LGBTQ+ dhe mbështetësit/et, shprehen dhe rezistojnë, shpesh përballet me papranueshmëri në shoqëritë që mbizotërohen nga një kulturë patriarkale dhe heteronormative.
Shpesh, këto shoqëri përpiqen që këto manifestime të kulturës t’i vënë në hije, t’i shtypin e t’i përçmojnë. Por njerëzit nuk zmbrapsen dhe përdorin artin e kulturën si forma thelbësore të aktivizmit të tyre kundër shtypjes e për të bërë zërin e tyre të dëgjohet.
Një prej këtyre formave janë edhe shfaqjet drag. Shfaqjet drag nuk janë veç formë argëtimi. Përgjatë viteve, kanë shërbyer si mjet i fuqishëm për të ndërgjegjësuar shoqërinë, për të thelluar kuptimin dhe respektin për të drejtat dhe lirinë e shprehjes të të gjithë individëve, pavarësisht seksualitetit ose identitetit gjinor.
Pra, përveç elementit estetik e artistik, shfaqjet drag kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shtyrjen përpara të kauzës për një shoqëri më të drejtë e më të barabartë.
Kam marrë pjesë në shumë shfaqje drag në Kosovë, performanca të cilat më kanë shtyrë të hulumtoj më tutje për historinë e kësaj forme të të bërit art. Gjatë këtij hulumtimi, kam vënë re një fenomen interesant dhe kundërthënës. Publiku në Kosovë është pranues ndaj humoristëve, që përdorin elemente të kulturës queer dhe/ose të drag, por tejet i vrazhdë ndaj vetë artistëve, qoftë queer, apo drag.
Një ilustrim të kësaj e pamë sidomos në dhjetor të vitit 2022, kur në reality show Big Brother VIP Kosova (BBVKS) hyri aktori Edon Shileku. Aktori, hyrjen e tij e bëri në personën e tij drag — Victoria Owns. Midis mospranimeve për Shilekun/Victoria Owns, aktori tjetër, Vedat Bajrami, i cili dhjetëra herë në skeçet e tij ka luajtur rolin e gruas, u prit ndryshe, krahëhapur.
Performacat drag mes aktivizmit dhe spektaklit
Shfaqjet drag kanë rrënjët larg në histori, duke filluar me aktorët burra që visheshin si gra për të interpretuar rolet femërore në teatro klasike, siç ishin ato të Greqisë së lashtë dhe periudhën e Shakespeare.
Megjithatë, drag, si një formë arti, që i shërben ndërgjegjësimit për të drejtat LGBTQ+, filloi të fitojë popullaritet në shekullin XX, sidomos gjatë viteve të ‘20-ta dhe ‘30-ta në zonat metropolitane si New York dhe San Francisco. Disa prej pionerëve/eve përfshijnë artistë/e si Marsha P. Johnson, aktiviste trans dhe një figurë qendrore e kryengritjes Stonewall dhe Divine, persona drag e aktorit amerikan Harris Glenn Milstead. Këta pionierë ndihmuan në formimin e skenës drag si një platformë për rezistencë, shprehje dhe art.
Shfaqjet drag janë një bërë formë e fuqishme e artit dhe rezistencës edhe në Kosovë. Ndonëse për shumë mund të tingëllojë si diçka e re, drag ka qenë këtu qëmoti. Në vitet e ‘90-ta, ndejat drag organizoheshin kryesisht nëpër në shtëpi dhe ambiente tjera private. Përditë e më shumë, ato po zënë hapësirat publike. Tash e një vit, këto performanca kanë edhe një shtëpi të re, në qendër të Prishtinës, pubin e parë LGBTQ+ në Kosovë — Bubble.
Sado që ato ndodhin, hapësira mediale për performancat drag e kulturën queer mbetet e ngushtë. Por, një vit më parë, në dhjetor 2022, ndodhi diçka monumentale. Publiku kosovar, në një televizion nacional, pa një performancë drag.
Aktori Shileku (me personën drag Victoria Owns) u bë pjesë në edicionin e parë të këtij spektakli me një hyrje të veçantë.
Derisa ky shënoi moment të rëndësishëm për dukshmërinë e artit dhe kauzës queer , performanca dhe vetë pjesëmarrja e Shilekut/Victoria Owns, shpejt u bënë subjekt i komenteve të ashpëra, fyese e kërcënuese në rrjetet sociale. Në faqet e rrjeteve sociale të televizionit Klan Kosova, në gati çdo postim dedikuar mbretëreshës drag, Victoria Owns, kemi parë thirrje për përjashtimin e tij, për bojkotimin e këtij edicioni dhe moslejimin e fëmijëve ta shohin atë, duke e quajtur degjenerim për rininë tonë.
Në rezistencë për ta pranuar, Shileku/Victoria Owns hasi edhe brenda shtëpisë. Pos personës drag, Shileku ndërkohë tregoi se është biseksual. Përveç komenteve urryese, që u shtuan në hapësirën online, edhe një numër i vetë bashkëbanuesve në shtëpinë e BBVKS manifestuan haptaz mospranimin e tyre, përmes bisedave, komenteve e veprimeve me nuanca të qarta bifobike, homofobike dhe transfobike.