S`fundmi | COVID-19

Një ditar në prozë i COVID-19

Nga - 29.03.2020

Si u frymëzuan nga izolimi dy regjisorë të Prishtinës.

Në fillim të muajit, Leart Rama, regjisor i bazuar në Prishtinë, shkoi në Gjermani për një udhëtim të shkurtër me ekipin e tij. Ata ishin të ngazëllyer që po e xhironin një dokumentar të shumëpritur. Disa anëtarë të ekipit vendosën të shkojnë në Gjermani pavarësisht lajmit që e panë në rrjete sociale për përhapjen e COVID-19. Por së shpejti, shpresat e tyre u prishën prej telefonatave nga vendlindja, pasi që të afërmit e tyre i lajmëruan se Kosova së shpejti do të mbyllej. Pas 24 orëve, ata u kthyen në atdhe, duke udhëtuar me aeroplan, autobus dhe tren vetëm për ta kaluar kufirin nga Maqedonia e Veriut në Kosovë para se të mbyllej gjithçka. 

Si rrjedhojë e këtyre ngjarjeve, prodhimi i dokumentarit në Gjermani u shtye dhe fokusi u kthye te Kosova dhe ngujimi për shkak të COVID-19. 

Ndonëse Gjermania është një nga vendet e goditura fort nga COVID-19, Rama kujton se puna atje shkonte si zakonisht. Njerëzit gazmorë shoqëroheshin në rrugë, dyqane dhe bare. Ndërkohë, intensiteti po shtohej me secilin hap drejt Ballkanit; fytyrat plot frikë, dhe masat e sigurisë më të rrepta. 

“Kur erdha në Kosovë, u ndjeva si në luftë”, thotë regjisori 22 vjeç, pasi që ishte tronditur nga fakti se Prishtina e gjallë ishte shndërruar në një qytet fantazmash brenda vetëm 24 orëve. Por pastaj, pasi u lidh përsëri me vendin dhe njerëzit, në mënyrë të çuditshme skenari apokaliptik iu duk poetik. “U befasova kur e pashë se si njerëzit u mobilizuan aq shpejt, se si e reduktuan hapësirën e jetesës në ballkonet, dritaret dhe muret e shtëpive të tyre për të mirën e të gjithëve”.

Intuita e shtyu Ramën dhe partnerin e tij Redon Kikën, i cili e udhëheq kompaninë e produksionit Katarzë Films, për ta xhiruar atmosferën e trishtë në rrugë dhe për të reflektuar më pas me ato xhirime në formën e një ditari, për t’u ballafaquar më lehtë me situatën.

“Në fillim, ne nuk e morëm shumë seriozisht situatën me COVID-19, por kjo ndryshoi kur e kuptuam që vetizolimi ishte i pashmangshëm… e duke menduar se si ta përdorim këtë kohë për të dokumentuar atë që po ndodhte në Prishtinë, vendosëm të dalim jashtë, gjithmonë duke i përdorur të gjitha masat parandaluese”, thotë Kika. Në këtë projekt, përfshirja e Kikës, i cili është aktor me profesion, është kryesisht zgjedhja e poezive për secilin film.

Sa më shumë që xhironin, aq më shumë e kuptonin se bukuria e çuditshme e kësaj kohe historike ishte e pasur në dokumentim dhe kishte potencial për ta kthyer një ndjesi të solidaritetit kolektiv te njerëzit që po vetizoloheshin me guxim dhe durim. Pas videos së parë, erdhi ideja për ta lansuar një video seri, “Corona Diary” (Ditari Corona). Deri sot i kanë prodhuar shtatë video, secila jo më shumë se katër minuta e gjatë, me fokus në një temë vizuale, e përcjellur me poezi nga rrëfyesi. Të gjitha videot janë të publikuara në YouTube.

Të mbyllur në shtëpitë e tyre, qytetarët mbajtën protesta simbolike për Kosovën, të cilat për shumëkë sollën ndër mend demonstratat e viteve të 90-ta.

“Për ditën e parë, deshëm të reflektojmë mbi kuptimin e ‘izolimit’”, thotë Kika. Ai e zgjedhi poezinë “Jetë, jetë” nga Arseny Alexandrovich Tarkosky. Kjo video reflekton mbi vërejtjet fillestare të regjisorit. E paraqet madhështinë e lagjeve dhe komenton në pranverën që po vjen. Stina e pranverës është e dukshme në drunjtë që ngadalë po çelin dhe në telat e teshave që vallëzojnë me ritmin e erës, në kontrast me atmosferën e zbehtë të rrugëve të zbrazëta.

“Pas videos së parë, ne vendosëm t’i përfshijmë poezitë tjera për shkak se plot njerëz na kontaktuan duke kërkuar të bëhen pjesë e serisë”, tha Kika. Ai e theksoi poezinë “Shpia jem me rranjë” nga Eli Krasniqi, e cila u përfshi në videon e dytë, “Shtëpia”. Poezia e saj flet për mungesën e shtëpisë, për faktin se në këto kohë ende ka shumë njerëz që janë larg shtëpisë dhe shumë familje që janë bashkuar pas një kohe të gjatë”, thotë Kika.

Eli Krasniqi, e cila u shpërngul nga Prishtina në Graz të Austrisë para disa viteve, e dëgjoi May-Linda Kosumovic duke e lexuar poezinë e saj. Kjo poezi, e cila fillimisht ishte shkruar gjetiu në diasporë dhe për dëshirën e saj për t’u kthyer në shtëpinë e prindërve, mori një formë tjetër me karantinën — një ndjesi të dyfishtë të izolimit, sipas Krasniqit.

Rastësisht, disa prej xhirimeve u bënë në lagjen e saj të vjetër, dhe kjo ngjalli ndjenja te poetja. “Është paradoksale, sepse ndonëse i sheh nga afër apartamentet dhe ballkonet, shtëpia përsëri shndërrohet në një ëndërr të pamundshme, duke marrë parasysh kontekstin e karantinës. Veç se po ndihem e izoluar në Graz. Kur do të hapen kufijtë përsëri, që ta lë këtë shtëpi ku jam tani, për të shkuar te shtëpia tjetër, ku i kam prerë rrënjët sa e sa herë?” thotë Krasniqi.

Prishtina proteston nga ballkonet

Paqja e trishtë u ndërpre në ditën e tretë të ditarit. U dokumentuan qytetarët kosovarë që vështronin të heshtur prej dritareve dhe ballkoneve të tyre deri sa godisnin tiganë dhe tenxhere për t’i protestuar kundër politikanëve të Kosovës që po nxisnin pasiguri mbi të ardhmen e qeverisë gjatë pandemisë. Protestat u organizua për disa ditë radhazi nga grupi aktivist “Replikë” dhe u nxitën nga një konflikt brenda qeverisë.

Leart Rama vendosi ta dokumentojë këtë periudhë historike për Kosovën dhe botën. Foto: Jetmir Idrizi.

Protestat e organizuara nëpërmjet Facebook-ut u bënin thirrje të gjithë qytetarëve që t’i nxisin politikanët e tyre për t’u marrë me krizën COVID-19 duke u fokusuar në përgatitjen e sistemit të shëndetësisë, në vend se të merren me konflikte përçarëse. Të mbyllur në shtëpitë e tyre, qytetarët mbajtën protesta simbolike për Kosovën, të cila për shumëkë sollën ndër mend demonstratat e viteve të 90-ta si reagim kundër abuzimit të forcave policore serbe ndaj shqiptarëve.  

Rama ishte shumë i ri për t’i përjetuar protestat paqësore të viteve ’90. Ai mësoi për to nga tregimet e familjarëve. “Kur i dëgjova goditjet e tenxhereve, u rrënqetha dhe më dolën lotët”, thotë ai. Në këtë video nuk pati poezi, sepse për të tingujt e protestuesve ishin vetë melodia dhe poezia.

"Kosova është vend i varfër ku nuk funksionojnë të gjitha gjërat si duhet, por ne kemi guximin t’i vetëzotërojmë kohërat e vështira."

Leart Rama, regjisor

Pa dashur ta romantizojë situatën e vështirë, ajo që për të ishte thellësisht prekëse dhe që ia vlente të dokumentohet ishte fryma e njerëzve që nuk u dorëzuan së vepruari, që u dëgjuan edhe pse nuk mund të dilnin. 

Në Sheshin Zahir Pajaziti me kamerë në dorë, Rama e kishte të vështirë të përqendrohej, pasi që ishte një përvojë gjithëpërfshirëse. “Disi u ndjeva shumë mirënjohës që arrita ta kapi këtë moment që do të shkruhej në historinë e Kosovës”. Përkundër pritjeve të tij, kur e publikoi videon online, ajo u përhap në mënyrë virale në rrjete sociale. “E kuptova që të gjithë ne ishim bërë veprimtarë dhe dëshmitarë në këtë moment nëpërmjet xhirimeve”, thotë Rama.

Pas protestës ra adrenalina, dhe u publikua video e katërt, “E Diel”, që adreson atmosferën e zymtë të izolimit. Kërcen nga kolektiviteti te nxitja e vetmisë me një poezi nga Eljesa Beka, e cila thotë se u ndie e kënaqur që e ndau një pjesë intime të vetes. “Me këto pamje dhe tinguj, fillova t’i vlerësoj më shumë njerëzit, lirinë, dhe Prishtinën, edhe pse ky qytet ndonjëherë din të jetë shumë i zbehtë”.

Solidariteti i komunitetit artistik

“Kosova është vend i varfër ku nuk funksionojnë të gjitha sendet si duhet, por ne kemi guximin t’i vetëzotërojmë kohërat e vështira”, thotë Rama. 

Ai u rrit në Rahovec, ndërsa studimet për filmin dhe regjinë i ndoqi në Universitetin e Tiranës. Para disa vitesh erdhi për të jetuar në Prishtinë, të cilën e adhuron për solidaritetin kolektiv dhe energjinë kreative që e ka. Disa javë më parë, Rama u zgjodh për të marrë pjesë në një masterklasë të mirënjohur që mbahet nga Werner Herzog në Kolumbi, ëndërr të cilën arriti ta realizojë falë donacioneve nga komuniteti kulturor i Prishtinës.

Ndonëse ky udhëtim është shtyer, Rama është motivuar t’ia kthejë qytetit të mirën. “Ditari Corona” u financua më herët gjatë vitit nga Komuna e Prishtinës nëpërmjet një granti për Katarzë Films për prodhimin e serisë së dokumentarëve “Untold”.

Ata kishin planifikuar të dokumentojnë histori të patreguara të jetës së përditshme në Kosovë. Por tani ai grant e financon “Ditarin Corona”. Pa këtë grant, Rama dhe Kika nuk do të kishin pasur mundësi t’i ndajnë këto xhirime, pasi që puna e pavarur në Kosovë është e vështirë për shkak të situatës ekonomike. Rama i inkurajon të gjithë regjisorët ambiciozë të aplikojnë për financim, t’i marrin pajisjet e tyre dhe të mundohen të krijojnë; që ta kenë lirinë t’i ndajnë tregimet e tyre. 

Për shkak të kësaj pandemie, Rama është i shqetësuar për situatën financiare në javët e ardhshme. Por puna me serinë “Ditari Corona” i jep energji për të vazhduar. Gjithmonë me maska dhe dorëza, dhe duke respektuar orarin zyrtar për mbyllje brenda shtëpive, Rama dhe Kika kanë vendosur të vazhdojnë me prodhimin e ditarit deri sa të kryhet kjo situatë. 

“Për shkak të bashkëpunimit me tjerët që shprehën gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë, duke ndarë poezi dhe muzikë, apo duke shërbyer si rrëfyes, ky projekt ka evoluar në një gjë të bukur. Në këto kohë të izolimit, kjo energji kolektive na motivon të vazhdojmë të prodhojmë më shumë video me dhe për njerëz tjerë”, thotë Kika.K

Imazhi i ballinës nga dokumentari Corona Diary prej Katarzë Films.