Në Kosovë, ambienti është në shënjestër të ndotësve.
Ngujimi i qytetarëve për muaj me radhë në fillim të pandemisë COVID-19, përkundër pasojave dërrmuese në shumë sektore, i dha ambientit pak pushim nga ndotja. Kufizimi i lëvizjeve dhe veprimtarive të ndryshme ekonomike e kufizoi edhe mundësinë për të ndotur. Megjithatë, kjo liri nga ndotja ishte e shkurtër.
Ulja e ndotjes ishte sidoqoftë pasojë e paqëllimshme e kufizimit të lëvizjes. Kjo sepse institucionet vazhdojnë të mos kenë qëllim mbrojtjen e mjedisit. Aktiviteti njerëzor dhe industritë e mëdha që funksionojnë si ndërmarrje publike ose janë të licencuara nga shteti, vazhdojnë të jenë kryefjalë e ndotjes në Kosovë.
Këto janë në qendër të kësaj eseje fotografike, e cila synon të dokumentojë ndotjen dhe degradimin e mjedisit nga industritë e ndryshme që drejtpërsëdrejti apo tërthorazi ndihmohen nga shteti. Neglizhenca shtetërore më së miri vërehet te këto lokacione në vijim, të cilat rrezikojnë të mbesin të padukshme për shumicën, por janë sfidë e përditshme e atyre që jetojnë në to.
Gurthyesit që thyejnë ligjin
Të zgjohesh çdo mëngjes nga zhurma e makinerisë së gurthyeseve dhe pluhurit të cilin e krijojnë ato është diçka e rëndomtë për banorët e fshatit Caralevë të Komunës së Shtimes.
Ata bashkëjetojnë me dy gurthyes që janë shumë afër vendbanimeve të tyre, ku distanca me shtëpinë më të afërt është 108 metra. Sipas banorëve të fshatit, përveç ndotjes akustike nga makineritë gurthyese, është edhe ndotja e ajrit përmes pluhurit dhe ndotja e lumit Caraleva nga rrjedhja e vajrave të mirëmbajtjes së makinerive.
Banorët e fshatit gjatë viteve të fundit janë ankuar në lidhje me pluhurin e shkaktuar nga punimet e gurthyeseve, por ankesat e tyre kanë rezultuar të pasuksesshme për ndalimin e punës së këtyre kompanive.
Në Kosovë operojnë mbi 200 gurthyes, sipas Raportit “Pyje për asfalt” të publikuar nga Instituti Kosovar për Demokraci në shkurt të vitit 2020. Ligji për Minierat dhe Mineralet dhe Ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis përcaktojnë qartë standardet mjedisore për gurthyes që duhen respektuar me qëllimin për të mbrojtur shëndetin e njeriut dhe ambientin. Por përkundër kësaj, një numër i konsiderueshëm i gurthyesve gjatë punimeve nuk i respektojnë kufizimet ligjore për ndikimin e tyre në mjedis. E në shumicën e rasteve kanë të bëjnë me distancën minimale që duhet të kenë me vendbanimet dhe lumenjtë e zonës.
Në Kosovë operojnë mbi 200 gurthyes, një numër i konsiderueshëm i të cilëve gjatë punimeve nuk i respektojnë kufizimet ligjore për ndikimin e tyre në mjedis.
Lumenjtë e eksploatuesve
Nxjerrja e rërës dhe zhavorrit në mënyrë të pakontrolluar nga eksploatuesit ilegalë të zhavorrit ka ndikuar në dëmtimin e tërësishëm të shtretërve të lumenjve, përfshirë Lumbardhin e Pejës, duke e shndërruar atë në pellgje të vogla me biodiverstet të shkatërruar. Sikur të mos mjaftonte nxjerrja e zhavorrit, operatorë të ndryshëm ekonomikë të cilët bëjnë shkarkimin në lumë të ujërave të ndotura me mbetje industriale dhe substanca të tjera të patrajtuara, që kryesisht vijnë nga prodhues të asfaltit, industri ushqimore, hekurishte e të tjerë.
Shfrytëzimi i tejskajshëm dhe i pakontrolluar i lumit ka ndikuar në prishjen e baraspeshës ekologjike të natyrës, specifikisht në dëmtimin e shtratit të lumit, gjë që gjatë reshjeve atmosferike paraqet rrezik të shtuar për vërshime; ndërkohë edhe ndotja nga pluhuri i makinerive të përpunimit të zhavorrit ka shkatërruar florën rreth punishtes.
Sipas të dhënave nga organizata joqeveritare Çohu, rreth 1,100 hektarë janë sipërfaqe të degraduara të lumenjve të Kosovës. Më i dëmtuari është Drini i Bardhë, lumi më i gjatë në vend i cili përshkon të gjithë Rrafshin e Dukagjinit, pastaj Lumbardhi, i cili shtrihet kryesisht në Komunën e Pejës, dhe Ereniku i Gjakovës.
‘Mali’ i mbeturinave
Të jetuarit me mbeturina që të rrethojnë nga çdo anë është diçka e përditshme për banorët e lagjes Ali Ibra (ish-Kolonia) në Komunën e Gjakovës. Që prej shumë vitesh, ata ndajnë lagjen e tyre me mbeturinat masive komunale, të cilat nga dita në ditë vazhdojnë të shtohen.
Ky stacion i mbeturinave është vendi ku bëhet shkarkimi i mbeturinave komunale të mbledhura gjatë ditës nga Kompania Regjionale e Mbeturinave (KRM) “Çabrati”, të cilat arrijnë sasinë rreth 80 deri në 90 tonë. Kjo sasi ditore e mbeturinave që prej korrikut të këtij viti bartet brenda 24 orëve nga po e njëjta kompani për në Deponinë Sanitare në fshatin Landovicë në Prizren.
Në Kosovë janë identifikuar 2,529 deponi ilegale të mbeturinave në Kosovë, të cilat janë si pasojë e cilësisë së ulët të shërbimeve të kompanive rajonale të mbeturinave.
Në bisedë me banorët e kësaj lagjeje, ata shprehen të kënaqur me ndërhyrjen e Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Gjakovës për pastrimin e mbeturinave të krijuara rreth stacionit, por një gjë të tillë e shohin si të pamjaftueshme për përmirësimin e mjedisit në të cilin jetojnë. Ky stacion transferues i mbeturinave ende mbetet i papërballueshëm për arsye të kundërmimit të mbeturinave, të kontaminimit të tokës, të emetimit të lëngut dhe grumbullimit të qenve endacakë, gjë që e bën të rrezikshme edhe lëvizjen e qytetarëve, e posaçërisht të fëmijëve pa shoqërimin e ndonjë të rrituri.
Gjithashtu banorët theksojnë se janë ankuar verbalisht tek institucionet lokale për largimin e këtyre mbeturinave dhe ndryshimin e lokacionit të këtij stacioni të transferimit të mbeturinave. Por një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur.
Sipas të dhënave nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë të vitit 2019, përveç këtij stacioni legal të transferimit të mbeturinave — që operon në kuadër të KRM “Çabrati” dhe i cili është i vetmi që bën mbledhjen, deponimin dhe transferimin e tyre brenda territorit të Komunës së Gjakovës — në këtë komunë gjithashtu janë identifikuar edhe 118 deponi ilegale të krijuara nga hedhja e pakontrolluar dhe ilegale e mbeturinave. Kështu janë krijuar deponi që janë të ndryshme për nga madhësia dhe për nga lloji i mbeturinave.
Sipas raportit “Menaxhimi i Mbeturinave Komunale në Kosovë”, i publikuar në vitin 2019 nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit, janë identifikuar 2,529 deponi ilegale të mbeturinave në Kosovë, të cilat janë si pasojë e cilësisë së ulët të shërbimeve të kompanive rajonale të mbeturinave, që përkon me mbulim të ulët me shërbim kryesisht në zonat rurale. Një faktor tjetër i krijimit të deponive ilegale është edhe mungesa vetëdijes së qytetarëve për ndikimin që shkakton në mjedis hedhja e pakontrolluar e mbeturinave.
Jetë në tokë të kontaminuar
Përveç mbeturinave nga amvisëritë, ka edhe të ashtuquajtura mbeturina të veçanta, për të cilat nuk ka sistem funksional të mbledhjes dhe deponimit edhe pse kjo gjë është e rregulluar me Ligjin për Mbeturinat.
Në listën e ndotësve më të mëdhenj nga metalet e rënda është zona e Parkut Industrial të Mitrovicës
Zakonisht këto mbeturina të veçanta vijnë nga industritë të cilat kanë funksionuar në sistemin e mëhershëm politik të socializmit dhe që tani nuk janë funksionale, por nga të cilat kanë mbetur deponi me mbetje industriale, respektivisht metale të rënda.
Në listën e ndotësve më të mëdhenj nga metalet e rënda është zona e Parkut Industrial të Mitrovicës me një sipërfaqe prej 34,62 hektarësh dhe me distancë vetëm 15 deri 20 metra nga lumi Sitnica, gjithashtu afër spitalit të qytetit dhe vendbanimeve. Mbetjet industriale në këtë zonë e bëjnë kontaminimin e tokës, ndotjen e ajrit, ndotjen e ujit sipërfaqësor dhe nëntokësor me kimikate të rrezikshme për mjedisin, respektivisht për shëndetin e banorëve dhe biodiversitetin e zonës.
Në kuadër të këtij parku industrial është fabrika e akumulatorëve, metalurgjia e zinkut dhe industria kimike, të ndodhura në hyrje të qytetit dhe që shtrihen përgjatë tij, në një hapësirë e cila nuk është funksionale që nga vitet e 90-ta dhe që për një kohë të gjatë përdoret si deponi e mbetjeve industriale të cilat vlerësohen të jenë rreth 1,520,000 tonelata.
Ndotja e tokës me kimikate të rënda në këtë zonë është kryesisht me plumb, ku niveli i tij tejkalon për 20 herë vlerën e lejuar të Bashkimit Evropian. Ndikimi i tij në shëndetin e fëmijëve është më i madh; sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë thuhet se prodhon një spektër dëmtimesh në të gjithë organizmin e fëmijës, përfshirë në aftësitë kognitive. Ekspozimi ndaj plumbit gjithashtu shkakton anemi, hipertension, dëmtime renale, imunotoksicitet dhe toksicitet për organet riprodhuese. Efektet neurologjike nga plumbi besohet të jenë të pakthyeshme.
Ajri që ngulfat
Ajri i pastër është nevojë themelore për një jetë të shëndetshme, por që perceptohet si privilegj për banorët e shumë qyteteve në Kosovë. Niveli i ndotjes rritet dukshëm gjatë vjeshtës dhe dimrit, ndërsa shkaqet kryesore janë trafiku urban, industria energjetike, ngrohja me lёndё djegёse si thёngjilli, druri, peleti e derivatet e naftёs.
Prej ndotësve më të mëdhenj të ajrit në Kosovë për vitin 2019 cilësohet Termocentrali Kosova A dhe Termocentrali Kosova B, të cilët pothuajse gjatë tërë vitit 2019 kishin tejkaluar vlerat kufitare të emetimit në ajër të dioksidit sulfurik, oksidit të azotit dhe pluhurit.
Si pasojë e ndotjes së vazhdueshme në Kosovë, brenda vitit ka rreth 835 vdekje të parakohshme.
Si pasojë e ndotjes së vazhdueshme në Kosovë, brenda vitit ka rreth 835 vdekje të parakohshme për shkak të sëmundjeve të cilat vijnë si rezultat i përqendrimit të lartë të ndotësve në formën PM10 dhe PM2.5, që janë grimca të ngurta apo pika të lëngshme, të ndryshme për nga madhësia dhe kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në ajër. Këta ndotës janë kategorizuar si kancerogjenë nga Agjencia Ndërkombëtare Kërkimore mbi Kancerin.
Sipas raportit “Fatura e papaguar shëndetësore – Si na sëmurin neve termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor” nga Health and Environment Alliance (HEAL) theksohet se nga të gjithë ndotësit e emetuar, më të dëmshmit për shëndetin janë grimcat PM2.5 dhe gjithashtu faktohet se Kosova A dhe B janë emetuesit më të mëdhenj në Evropë, me një total prej 7,500 tonësh PM2.5 në vit. Këto termocentrale emetojnë katër herë më shumë PM2.5 sesa shumica e termocentraleve me qymyr në Ballkan dhe rekordin e emetimeve e mban njësia 5 e termocentralit Kosova A, që emeton nëntë herë më shumë PM2.5 sesa mesatarja e termocentraleve të Ballkanit.
Imazhet: Leart Jusufi / K2.0.
Ky publikim është pjesë e ciklit të tretë të Programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Programi bashkëfinancohet nga National Endowment for Democracy. Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL). Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.