Sot shënohet 25-vjetori i Gjenocidit të Srebrenicës, i cili përbën krimin më të madh të luftës në Bosnjë. Nëntë viktima do të shtihen në dhe në Memorialin dhe Varrezën Srebrenicë-Potoçari, duke iu bashkuar më se 6600 sosh që tashmë gjenden aty.
Viktima më e re që varroset sot, Salko (Ahmo) Ibišević, ishte vetëm 23 vjeç, kurse më i vjetri, Hasan (Alije) Pezić, ishte 70 vjeç.
Imazhet e varrezave përplot me shënues varresh (nišani) që popullojnë hapësirën do të transmetohen anekënd botës.
Kur Presidenti Clinton dha një fjalim për hapjen e tyre në vitin 2003, kishte vetëm kodrina të jeshilta në sfond. Sot, këto varreza janë dëshmi e një ndër intervenimeve më të suksesshme të pasluftës në Bosnjë: kërkimi, gjetja dhe identifikimi i të zhdukurve të gjenocidit.
Është rezultati i përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për t’u ballafaquar me situatën, për zhvillimin e institucioneve të brendshme, krahas aktivizmit të përkushtuar të familjarëve të mbijetuar.
Të mbijetuarit e Srebrenicës kanë dalë në rrugë dhe pata gjykatave vendore e ndërkombëtare për të kërkuar informacion rreth të dashurve të tyre të zhdukur dhe për të kërkuar llogari prej kryesve serbë të Serbisë e të Bosnjës, krahas skuadrave të OKB-së që dështuan ta parandalonin gjenocidin.
Ata po ashtu identifikuan Potoçarin si vendin ku shumica dërrmuese e familjarëve deshën t’i varrosnin të dashurit e tyre.
Vdekja e të drejtave të njeriut
Në fillim të luftës, Organizata e Kombeve të Bashkuara e kishte telash të gjente një mënyrë për ta adresuar situatën e përkeqësuar të të drejtave të njeriut dhe çështjen e të zhdukurve në shtetet pasardhëse të Jugosllavisë ndërsa lufta gjëmonte në Kroaci në vitin 1991. Tensionet u shtuan në Bosnjë e Hercegovinë në vjeshtë të po atij viti, gjë që çoi në shpërthimin formal të luftës në prill të vitit 1992.
Në fund të misionit të tij, Mazowiecki arriti në përfundim që “të drejtat e njeriut thjesht nuk ekzistojnë në Bosnjë e Hercegovinë”.
Në muajt e parë të luftës, kishte raportime të vazhdueshme për viktimat civile, barbarizmat masive dhe kampet e burgimit. Në gusht të vitit 1992, Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut emëroi ish-kryeministrin polak dhe liderin e lëvizjes Solidaritet Tadeusz Mazowiecki si raportues të posaçëm dhe e ngarkoi me kryerjen e një hulumtimi emergjent për shkeljet e të drejtave të njeriut në ish-Jugosllavi.
Gjatë vizitës në Bosnjë atë muaj, Mazowiecki dhe ekipi tij nuk u lanë të hyjnë në kampin e burgimit Manjača në veriperëndim të Bosnjës. Në fund të misionit të tij, Mazowiecki arriti në përfundim që “të drejtat e njeriut thjesht nuk ekzistojnë në Bosnjë e Hercegovinë”.
Hulumtimi, i cili më vonë u quajt Raporti Mazowiecki, theksoi gjendjen tejet të vështirë të popullatës myslimane të Bosnjës (boshnjakët), fati i të cilëve u përshkrua si “veçanërisht tragjik” sepse “besonin që po kërcënoheshin me shfarosje”.
Raporti nxiti krijimin e një komisioni për ta ndriçuar fatin e individëve të zhdukur.
Deri në vitin 1994, Grupi Punues i OKB-së për Zhdukjet e Detyruara ose të Pavullnetshme (GPZhDP) kishte pranuar informata për rastet e zhdukjeve të 11,000 personave në ish-Jugosllavi. Atë vit u themelua një Proces i Posaçëm për Personat e Zhdukur në Territorin e Ish-Jugosllavisë, i drejtuar nga Manfred Nowak, me një mandat të përbashkët me atë të raportuesit të posaçëm për ta ndriçuar fatin e të zhdukurve dhe për t’i bashkërenduar përpjekjet për gërmimin e varrezave masive.
Më vonë, Mazowiecki dha dorëheqje në shenjë proteste për shkak të kundërpërgjigjes anemike ndaj egërsive në Bosnjë, sidomos në Srebrenicë. Letra e dorëheqjes përmbante një qortim të mprehtë ndaj OKB-së.
“Këto ngjarje përbëjnë një kthesë në zhvillimin e situatës në Bosnjë”, shkroi ai.
“Në të njëjtën kohë po merremi me vështirësitë e një Shteti, të një anëtari të OKB-së, për mbijetesë dhe për karakterin multietnik, dhe me përpjekjen për t’i mbrojtur parimet e rendit ndërkombëtar. Nuk mund të flitet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut me besueshmëri kur ballafaqohemi me mungesën e konsistencës dhe të guximit nga komuniteti ndërkombëtar dhe liderët e vet”.
Ky nuk ishte dënimi i parë nga një zyrtar i OKB-së.
Shenjat e hershme paralajmëruese
Një raport i Këshillit të Sigurimit të OKB-së i vitit 1993 nga ambasadori venezuelas i OKB-së Diego Arria, i cili më vonë u bë President i Këshillit të Sigurimit, pas një misioni në terren në enklavën e OKB-së përshkruante se ajo çfarë po ndodhte në Srenbrenicë ishte “gjenocid i ngadaltë”.
Nevoja e dhënies së llogarisë për të zhdukurit e konflikteve përfshihet në Ligjin Humanitar Ndërkombëtar (LHN). Konventa e Katërt e Gjenevës në mënyrë të nënkuptuar u kërkon palëve të konfliktit t’i lehtësojnë hetimet për individët e zhdukur si rezultat i armiqësive.
Me motiv nga të drejtat e familjeve, Protokolli 1 qartazi “i kërkon secilës palë të konfliktit t’i gjurmojë personat që janë raportuar si të zhdukur nga një palë kundërshtare”.
Deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit në vitin 1995 që shënoi fundin e luftës, rreth 100,000 kishin vdekur, shifër e cila përfshin mbi 27,000 njerëz të zhdukur.
Gjatë luftës, çështja e personave të zhdukur ishte përgjegjësi e shtabeve lokale të Kryqit të Kuq dhe në fund iu dorëzua Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK). Personat e zhdukur u regjistruan fillimisht përmes kërkesave të gjurmimit, të cilat dokumentojnë rrethanat e situatës ku është parë për herë të fundit personi në fjalë.
KNKK-ja themeloi dhe drejtoi një Grup Punues për Personat e Zhdukur në vitin 1996. Listat e saj ishin burim i rëndësishëm fillestar për të zhdukurit e Bosnjës.
Deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit në vitin 1995 që shënoi fundin e luftës, rreth 100,000 kishin vdekur, shifër e cila përfshin mbi 27,000 njerëz të zhdukur. Prej tyre, të zhdukurit e Srebrenicës përbënë sfidë për përpjekjet e identifikimit meqë trupat ishin zhvarrosur dhe ishin bartur në varreza dytësore disa muaj pas mizorive për t’i fshehur dëshmitë e krimeve.
Metodat tradicionale të identifikimit, që mbështeten në mbetjet mortore dhe në efektet personale të viktimave, nuk ishin të mundshme. Përdorimi i ADN-së së shpejti do ta përcaktonte marrëdhënien mes varrezave parësore dhe dytësore përgjatë një gjeografie të gjerë.
Gërmimet e hershme të varrezave masive u kryen nga Mjekët për të Drejtat e Njeriut (PHR) dhe Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY) në mbështetje të gjykimeve të veta.
Ajo që më vonë do të shndërrohej në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) u krijua me iniciativën e Bill Clinton-it në samitin G-7 në Lion të Francës në vitin 1996, me mandat për ta ndihmuar rajonin në përpjekjet e tyre për t’i gjetur të zhdukurit. Për ta bërë këtë, komisioni ndërtoi një laborator të klasit botëror në Sarajevë dhe punësoi një numër të madh të stafit vendës për ta çelur udhën e përdorimit të teknologjisë së ADN-së për çështjen e të zhdukurve.
Kjo teknologji përputhte ADN-në e eshtrave të nxjerra nga varrezat masive me ADN-në e mostrave të gjakut të familjarëve të mbijetuar.
Identifikimi i parë u shpall në vitin 2001, i një djali të ri të vrarë gjatë gjenocidit.
Krijimi i një narrative të përbashkët
Suksesi i ICMP-së nuk është varur vetëm nga zbatimi i kësaj teknologjie dhe ekspertiza forenzike, por edhe nga roli i të ngarkuarve të rasteve që ua kanë shpjeguar procesin e identifikimit familjarëve, të cilët duhet t’i pranojnë gjetjet e raporteve të përputhjes së ADN-së.
ICMP-ja bëri fushata kontakti në Bosnjë dhe në shtetet ku boshnjakët kishin ikur si refugjatë për ta populluar databazën e vet me profile të ADN-së që e mundësonin identifikimin. Ajo po ashtu ofroi mbështetje të madhe për shoqatat e familjeve të Bosnjës.
“Për ne që kemi punuar në ICMP, kishte rëndësi të madhe të bënim çdo gjë të mundshme për të dhënë përgjigje për familjarët dhe për t’ua rikthyer emrin dhe dinjitetin turrave të eshtrave, por njëherazi për të treguar se si një vend i vogël që doli nga lufta e shndërroi tragjedinë e vet në diçka pozitive për tërë botën”, ka thënë ish-koordinatorja rajonale e Programit të Nismave të Shoqërisë Civile të ICMP-së Alma Mašić.
Paralelisht, Bosnja krijoi institucione të brendshme, hartoi ligje dhe përfitoi nga ekspertiza e ICMP-së.
Në vitin 2004, Ligji për Personat e Zhdukur vendosi kornizën ligjore dhe adresoi problemet sikur pamundësia e të mbijetuarve për të pranuar pagesat e pensioneve në mungesë të një personi të dashur të identifikuar. Komisionet në nivelin e entiteteve u shndërruan në procese të udhëhequra nga shteti dhe u themelua Instituti i Personave të Zhdukur, i cili merret me punët ditore në terren me mbështetje të ekspertëve të ICMP-së. Sistemi i brendshëm i drejtësisë penale nisi ndjekjen e krimeve të luftës.
Sot, familjet nderojnë kujtimin e të dashurve të zhdukur (ose dikur të zhdukur).
Këto zhvillime kanë ndodhur në një atmosferë të mohimit që është vazhdimisht e pranishme në Bosnjë dhe në Serbinë fqinje. Në shumicën e përpjekjeve për drejtësi tranzicionale dhe ndërtim të paqes pas konflikteve nënkuptohet që mbledhja e informatave, dokumentimi dhe llogaridhënia për pasojat e dhunës politike krijon narrativa të përbashkëta dhe ngurtëson proceset e tranzicionit.
Saktësia e këtij supozimi është qartësuar plotësisht në periudhën e pasluftës. Prapëseprapë, kërkimi i të zhdukurve është e drejtë e familjarëve të mbijetuar dhe kritike për një vend të dalë nga lufta.
Në librin “Të Zhdukur: Personat dhe Politika”, Jenny Edkins mbështet “një politikë të bazuar në konsideratën për kushin e jo çkanë, një politikë të bazuar në kategorizim, përcaktim dhe në kërkimin për të vërtetën”. Ajo po ashtu na kërkon të kuptojmë “politikën që anashkalon personin” krahas kuptimit të aspekteve politike që çojnë në zhdukjen e personit.
Sot, familjet nderojnë kujtimin e të dashurve të zhdukur (ose dikur të zhdukur). Kapitulli tragjik i Bosnjës ka ngritur vetëdijen për çështjen e të zhdukurve në shtetet e dala nga lufta. Kërkimi i personave të zhdukur duhet të vazhdojë edhe për më se 1000 rastet e pandriçuara të Srebrenicës, përpjekje e cila do të kërkojë përkushtim të vazhdueshëm të burimeve.
Më tej, aspektet historike të rrëfimit të Bosnjës duhet të kuptohen në mënyrë që të mbijetuarit e vendeve të tjera të mund ta përdorin këtë përvojë në avokimin e tyre për të drejtat e familjes dhe të drejtën për të ditur.
Viktimat që do të varrosen në Potoçari më 11 korrik 2020:
-
1971-1995
-
1969-1995
-
1925-1995
-
1970-1995
-
1947-1995
-
1943-1995
-
1941-1995
-
1972-1995
-
1968-1995
Imazhi i ballinës: Lara J. Nettelfield.