“Gjuha kocka s’ka e kocka thyen” — kjo urti popullore për gjuhën e vë në pah fuqinë e saj transformuese. Gjuha asht mjeti ma i fuqishëm që e formëson mënyrën e t’menduemit dhe t’përjetuemit të botës. Ka fuqinë me krijue realitete, por edhe me i kufizue ato. Çdo fjalë dhe çdo strukturë gramatikore na detyron m’i pa disa gjana ma qartë dhe m’i injorue disa tjera. Në arenën politike, gjuha asht arma e parë në çdo betejë për pushtet.
Sloganet janë mjete të fuqishme të komunikimit politik, të konceptueme me ngjallë emocione dhe me u mbajtë n’mend. Zbërthimi i sloganeve të partive politike përmes lentës gjuhësore, letrare dhe semantike zbulon mënyrën se si krijohet dhe manipulohet realiteti politik.
Në nji botë ideale, sloganet politike do të ishin vargje poetike që e frymëzojnë dhe drejtojnë popullin drejt nji të ardhmeje ma të mirë. Por realiteti politik nuk e ka luksin e poezisë – ai kërkon togfjalësha të shkurtë, emocione dhe thirrje që i mbushin hapësinat boshe të bilbordëve.
Si poete, përkthyese dhe qytetare kureshtare, jam përpjekë me i zbërthy, ndriçu, e ndonjiherë edhe “përkthy” sloganet politike. Mbase përvoja në përkthim më ka mësue me gjetë kuptimin edhe aty ku duket se nuk ekziston, prandaj shpresoj që “fjalori” në vijim t’ju ndihmojë me pa përtej fjalëve të bukura ose, të paktën, t’ju argëtojë gjatë kafes së pasditës.
Cep më cep
Lëvizja Vetëvendosje (LVV)
Gjuhësisht: “Cep më cep” asht slogan minimalist, i ndërtuem me strukturë të thjeshtë: emën (konkret) – parafjalë – emën. Parafjala “më” bashkë me emnin e përsëritun formon togfjalësh ndajfoljor me kuptim vendi dhe gjithashtu njësi frazeologjike (p.sh. rrugë më rrugë, fshat më fshat). Edhe pse i mungojnë elementet kryesore të fjalisë, si kryefjala dhe kallëzuesi, kuptimi mbetet i qartë. Kjo strukturë eliptike përmbush kriterin e thjeshtësisë dhe efektivitetit, pra, i kursen fjalët për t’krijue nji stil të fuqishëm, të drejtpërdrejtë dhe që mbahet mend – tipar esencial për sloganet politike.
Simbolikisht: Slogani funksionon si metaforë hapësinore që sugjeron përkushtim ndaj popullit dhe territorit, ngjashëm me qasjet e rilindasve. Për shembull, në “Bagëti e Bujqësi” të Naim Frashërit, metafora hapësinore shpreh lidhjen e ngushtë me vendin: “Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqiptar”. Në letërsinë moderne, kjo lloj metafore përdoret me simbolizue ngulfatjen sunduese ose kontrollin e tepruem, si në romanin “1984” të George Orwell-it, ku hapësina publike dhe personale zhduken nën mbikëqyrje totale, ose tek “Kështjella”, e Ismail Kadaresë, ku muret simbolizojnë njikohësisht izolimin dhe mbrojtjen ndaj pushtimit osman.
Stilistikisht: Fraza asht e thjeshtë e ritmike, e përkryeme me u këndue në kor — ndoshta funksionon mirë edhe si refren — me nji tupan në sfond për efekt dramatik.
Semantikisht: “Cep më cep” krijon ndjesi gjithëpërfshirjeje, tue sugjeru që çdo cep, qoftë fizik a metaforik, asht i përfshim në vizionin e partisë. Megjithatë, le hapësinë për interpretime të dyfishta. Për disa, tingëllon si zotim për me mbërri në çdo skutë të shoqnisë, pa dallim, ndërsa për të tjerë mundet me përcjellë ndjesinë e ndërhyrjes së teprueme.
Nji propozim prej shpisë: Mbase slogani “Nji cep për nji mandat”, do të ishte ma i sinqertë për Lëvizjen Vetëvendosje, tue ia kursye edhe kohën partisë edhe pritjet popullit. Fundja, ma mirë nji cep i plotë sesa tanë cepat e lanun n’gjysmë.
Kosova mundet ma mirë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK)
Gjuhësisht: “Kosova mundet ma mirë”, asht slogan i ndërtuem mbi nji fjali të plotë, që përfshin kryefjalën “Kosova”, kallëzuesin “mundet” dhe rrethanorin “ma mirë.” Struktura e tij e thjeshtë plotëson kriteret sintaksore bazike, por krijon boshllëk në interpretim. Kallëzuesi “mundet”, i përket foljeve gjysmëndihmëse dhe sugjeron potencial, por jo domosdoshmërisht veprim. Ndajfolja rrethanore “ma mirë”, ka ngarkesë krahasuese, por mbetet i papërcaktuem në raport me kohën ose situatën – ma mirë se kur apo se ku? Në këtë mënyrë, fraza mbështetet në nënkuptimin dhe premtimin implicit, veçori e zakonshme e sloganeve politike.
Simbolikisht: Slogani “Kosova mundet ma mirë”, funksionon si simbolizim i shpresës, që synon me frymëzue ndjenjën e përmirësimit kolektiv. Ngjashëm me metaforën e Emily Dickinson për shpresën si “gja me pupla”, slogani sugjeron ndjesi optimizmi që mbështetet ma shumë tek ndjenjat sesa tek veprimet konrete. Për ma tepër, sloganet si “Yes We Can”, kanë përdorë metafora të thjeshta me nxitë optimizëm, tue e fokusue vëmendjen ma shumë në potencial sesa në të kaluemen.
Stilistika: Nga ana stilistike, fraza asht e qetë dhe ritmike, e bën të përshtatshme për mitingje dhe slogane publike. Thjeshtësia e strukturës e ban të lehtë për t’u mbajtë mend dhe për t’u përsëritë, ndërsa përmbajtja nuk krijon pritje të mëdha. Ky lloj formulimi ka nuanca neutraliteti që e shmang polarizimin, por që gjithashtu mund të perceptohet si e zbrazët për nga përmbajtja konkrete.
Semantikisht: Ky slogan sugjeron potencial për përmirësim pa i adresue drejtpërdrejt problemet specifike ose përgjegjësitë. Për optimistët, asht thirrje për besim në të ardhmen; për skeptikët, asht mënyrë për me iu shmangë fajin për të kaluemen. Përdorimi i dialektit geg e ban këtë slogan të dallueshëm dhe të afërt për publikun.
Nji propozim prej shpisë: Mbase nji slogan ma i sinqertë për PDK-në do t’ishte: “Kosova mundet ma mirë – kemi nxjerrë mësime prej të kaluemes”.
Bëhu Ndryshimi
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)
Gjuhësisht: Në aspektin gjuhësor, “Bëhu ndryshimi” asht slogan i thjeshtë dhe në shikim të parë, i fuqishëm. Ka strukturë të bazueme mbi foljen urdhërore “bëhu” dhe emnin abstrakt “ndryshimi.” Megjithëse as ky nuk i përmban elementet kryesore të fjalisë, por folja e nënkupton kryefjalën – qytetarin – dhe e vendos atë në qendër të veprimit, tue theksue se ndryshimi nuk asht vec veprim, por gjendje që individi duhet me mishërue. Struktura e thjeshtë e ban sloganin të fuqishëm dhe të lehtë për t’u mbajtë mend, por e kufizon përmbajtjen konkrete.
Ngjashëm me “Cep më cep”, edhe “Bëhu ndryshimi” ka ndërtim eliptik, tue u mbështetë në kuptimin e nënkuptuem që asht ideal për slogane, edhe pse e sakrifikon thellësinë semantike.
Simbolikisht: Në aspektin letrar, “Bëhu ndryshimi” mund lexohet si metaforë ekzistenciale, që e vë individin në qendër të përgjegjësisë sociale. Pra, i mungon aftësia e veprimit kolektiv, tue përforcue diskursin e individualizmit modern, ku suksesi apo dështimi shihet si produkt ekskluziv i përpjekjeve personale. Duket si huazim prej retorikës motivuese të librave “self-help”, ngase tingëllon si shprehje që e ndigjon në trajnimet e Ermal Mamaqit.
Stilistikisht: Nga ana stilistike, slogani ka ritëm të shpejtë dhe simetri fonetike, i përshtatshëm për përdorim në pllakate dhe rrjete sociale.
Semantikisht: Ky slogan krijon paradoks: ndryshimi kërkon sisteme dhe struktura, por slogani e redukton procesin në përgjegjësi individuale. Kjo qasje mund t’i frymëzojë optimistët që kërkojnë thirrje për veprim personal, por skeptikët e shohin si shmangie të përgjegjësisë institucionale dhe delegim të detyrave politike te qytetarët.
Nji propozim prej shpisë: Mbase nji slogan ma i sinqertë për LDK-në do t’ishte: “Bëhu ndryshimi – që na s’po mundemi m’u ba”.
Për Kosovën fituese
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Gjuhësisht: Slogani “Për Kosovën Fituese” asht i ndërtuem mbi nji frazë të thjeshtë me parafjalën “Për” që tregon qëllim, nji emën konkret “Kosovën” që e përcakton kryefjalën dhe mbiemrin “fituese” që shërben si epitet. Kjo strukturë synon me kriju ndjesi krenarie kombëtare, por që gjithashtu fsheh nji paqartësi të madhe semantike. Çka domethanë “fituese”? Fituese në çka? Në ekonomi, kulturë, sport…?
Simbolikisht: “Për Kosovën Fituese” mund të shihet si nji himn i shpresës, nji frazë që përfaqëson aspiratat kolektive të nji kombi për triumf. Ajo ngjan me metaforat që nxisin krenarinë dhe unitetin, të përdoruna nga romantikët dhe rilindasit për me frymëzue popullin drejt qëllimeve të mëdha. Kujton nji përrallë epike ku Kosova shfaqet si nji heroinë në prag të fitores, nji imazh që mban gjallë shpresën për nji të ardhme ma të mirë.
Stilistikisht: Nga ana stilistike ka ritëm të fuqishëm, tingëllon frymëzuese, e përshtatshme për mitingje dhe brohoritje kolektive. Mbase, do t’ishte slogan ideal për kombëtaren tonë në futboll.
Semantikisht: Slogani “Për Kosovën Fituese” ka ngarkesë të madhe simbolike, por përmbajtje të zbehtë. Fjala “fituese” krijon ndjesi triumfaliste, por pa përcaktu qartë kriteret ose objektivat e këtij triumfi.
Nji propozim prej shpisë: Mbase nji slogan ma i sinqertë për AAK do t’ishte: “Për Kosovën fituese – se boll kemi shkaktu humbje”.
Në politikë, sloganet janë si ato premtimet që ja bajmë vetes para Vitit të Ri: të nevojshme, të mëdha, madje tingëllojnë edhe bukur, por shumica harrohen para se me mbarue janari.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0.