Në qendrën rinore “Diakonie” të vendosur në jug të Mitrovicës e në afërsi të lumit Ibër, i cili tashmë konsiderohet edhe si sinonim i ndarjes së këtij qyteti, më 19 janar u mbajt “Karavani i Tregimeve”. Kjo ngjarje kishte për qëllim që të rikthente kujtesën e një qyteti që ishte njëherë i bashkuar kulturalisht dhe socialisht, dhe është pjesë e projektit “Mitrovica’s Joint Stories”, të organizuar nga GAIA, organizatë joqeveritare e cila është degë e Service Civil International (SCI).
Ngjarja nisi me tregimet e tri grave të këtij qyteti — të etnisë shqiptare, boshnjake dhe serbe — Valbona Prekazit, Jasmina Kurshumlisë dhe Ružica Simić, përkatësisht. Që të trija, në të 50-at dhe 60-at, ndanë kujtime të jetës së tyre ndër vite, nga të dy anët e qytetit.
Në muret e qendrës rinore, po ashtu ishin të ekspozuara fotografi të grave mitrovicase kur jetonin në qytetin ende të pa ndarë, e të siguruara nga Muzeu i Mitrovicës, partner lokal i projektit. Atë natë, u shpalosën prej kujtimeve më të hershme që i lidhë qytetarët me këtë qytet, si vendeve të preferuara, dallimin mes Mitrovicës karshi qyteteve tjera, me traditën dhe jetën kulturore, me referencën si qyteti i bendeve të rock’n‘roll-it, ballove, sportit, zhvillimit ekonomik e industrial e deri tek pjesëmarrja e gruas në shoqëri.
Edhe pse atëherë kishin bashkëjetuar mes një diversiteti të madh kulturor, në kujtimet e tri grave, Mitrovica ishte ndryshe. Rrëfimet e tyre i njoftuan të pranishmit me një Mitrovicë që është thuajse në harresë, me një Mitrovicë të pandarë, një jete dhe një qasjeje krejtësisht ndryshe prej asaj që ishte jo shumë kohë më parë.
Për Valbona Prekazin, profesoreshë në Shkollën e Mesme Teknike në Mitrovicë, prej kujtimeve më të hershme që e lidhin me qytetin, janë përshtypjet e para si fëmijë që i ka pasë, pasi u zhvendosën me familje nga Prizreni në Mitrovicë në fillim të viteve të 60-ta.
“Na mahniti pamja e lumit Ibër, e cila ishte mjaft e shtrirë dhe e thellë, por mbi të një urë glamuroze e thurrur me metal”, tha Prekazi, të cilës përshtypje të thellë atëherë i kishte lënë plani urbanistik i Mitrovicës. “Në mes të qytetit ishte parku. Parku ka qenë jashtëzakonisht i bukur asokohe, me një bazen në mes dhe me shumë lule përreth, me shumë halore përreth, ku nuk depërtonte drita brenda”.
Të dielave, sipas saj, mblidheshin në stadiumin e Trepçës në pjesën veriore të parkut me dhjetëra mijëra spektatorë për të shikuar ndeshjet.
“Ekipi i Trepçës ka qenë çdo herë me nam dhe me za, kështu që ka hy në ligën e parë te Jugosllavisë ndër vite”, tha ajo, duke theksuar edhe ndriçimin që kishte zona industriale në Mitrovicë, që e kujton ende Prekazi kur kishte ardhur për herë të parë në Mitrovicë. “Udhëtonim me tren dhe diku ka mesnata kur mbërritëm në Mitrovicë na fascionoi ai ndriçimi i hyrjes në Mitrovicë me ato dritat, në atë zonën industriale të zhvilluar”.
Po atë ndriçim e kujton edhe drejtoresha e organizatës së të drejtave të grave “Women’s Rights”, Ružica Simić.
“Ajo që më ka impresionu më së shumti ka qenë ndriçimi i qytetit”, tha ajo. “Duke e pasë parasysh që jam nga një vend i vogël si Stantërg, ka qenë ai ndriçimi publik qysh prej fillimit të qytetit deri në fund te pjesa e Sitnicës”.
Për Simić, qyteti i Mitrovicës i kujton kohën kur shoqëria ka pasë tjetër kuptim dhe njerëzit janë shoqëruar, pa dallime.
“Aspekti kolektiv ka pasë shumë rëndësi në atë kohë, po mendoj kemi dal me familje të ndryshme jemi bo bashkë”, tha ajo. “Edhe nuk e kemi pytë kush çka është. Po interesi ka qenë me dal edhe mu kënaq bashkë”.