Në thelb | Film

Jo edhe një supermarket

Nga - 30.03.2017

Lufta e OJQ-së së arteve Anibar kundër privatizimit të kinemasë Jusuf Gërvalla.

Qyteti piktoresk i Pejës shtrihet pranë Bjeshkëve të Nemuna, dhe e ka një lum që kalon përtej qendrës së tij. Në anën jugore të lumit shtrihen dy institucione kulturore; një teatër i quajtur Istref Begolli, dhe një kinema e quajtur Jusuf Gërvalla.

Prej vitit 1955, kur u ndërtua nga një sindikatë e punëtorëve, kinemaja Jusuf Gërvalla ka shfaqur filma për publikun e Pejës, por e ardhmja e saj si një kinema funksionale tani po rrezikohet. Do të vazhdojë të shfaq filma vetëm nëse ekipi që punon në prapaskenën e kinemasë, stafi i OJQ Anibar, është i gatshëm që të luftojë “deri në vdekje” për ta mbrojtur nga privatizimi. Në Kosovën e pasluftës, gati të gjitha objektet që janë prona të shtetit, përfshirë disa monumente të trashëgimisë kulturore, janë privatizuar, e shpeshherë janë shkatërruar ose shndërruar në supermarkete, butiqe ose parkingje. Edhe kinemanë Jusuf Gërvallën mund ta pret fati i njëjtë, nëse nuk ndryshojnë gjërat.

Kjo kinema mbeti e shkatërruar pas luftës, por në vitin 2001 komuna e Pejës e rinovoi atë me ndihmë financiare të donatorëve italian. Edhe pse ka funksionuar zyrtarisht prej atëherë, aktivitetet e kinemasë kanë qenë të rralla në fillim të shekullit 21, në formë të shfaqjeve të pakëta të filmave, dhe organizimeve të kohëpaskohshme të takimeve e ngarjeve përkujtimore.

Kinemaja Jusuf Gërvalla së fundmi është rrezikuar nga privatizimi. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në vitin 2010, Festivali Ndërkombëtar i Animacionit “Anibar”, u lansua nga një grup i aktivistëve të rinj të artit, duke i dhënë një shtytje skenës kulturore në Pejë. Gjatë shtatë ditëve të festivalit, mijëra persona e vizitonin Pejën, shfaqeshin qindra filma, dhe mbaheshin shumë punëtori e aktivitete tjera. Megjithatë, festivali po bëhej paraqitje e rrallë e ngazëllimit kulturor, meqë pjesa e mbetur e kalendarit nuk ofronte shumëçka tjetër.

Duke dashur që ta mbushin këtë zbraztësi, ekipi i “Anibar” u përpoq që ta merr përsipër e ta zaptojë kinemanë Jusuf Gërvalla; të krijojë një program të denjë për një qytet me mbi 100,000 banorë. Me shumë përpjekje e mbështetje nga e gjithë skena kulturore e Kosovës, në janar të këtij viti, “Anibar” arriti që t’i plotësojë ambiciet e tij, duke nënshkruar kontratë 15 vjeçare me komunën e Pejës për ta ringjallur kinemanë.

Vullnet Sanaja është themelues dhe drejtor i “Anibar’, dhe ai bashkë me kolegët e tij vendosën që t’i fokusojnë energjitë e tyre në mbledhje të fondeve për të ringjallur dhe digjitalizuar kinemanë. Ky grup po i bënte përgatitjet përfundimtare para publikimit të programit të vitit, por pastaj ndodhi diçka e papritur.

Ekipi i “Anibar” kishte punuar shumë për ta ringjallur kinemanë kur morri lajmin se procesi për privatizim ishte nisur. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

“Me të 10-in [mars] po planifikonim që ta publikonim programin, por me të 8-in na thanë se AKP [Agjencia Kosovare e Privatizimit] kishte marrë vendim për ta likuiduar”, tha Sanaja për K2.0.

Likuidimi është faza e parë e procesit të privatizimit, dhe pa marrë parasysh se a do të përfundohet ky proces, prapë se prapë do të duhen muaj, apo ndoshta edhe vite, për të mundësuar përsëri përdorimin e kinemasë.

“Pra me të 10-in, kur kishim planifikuar që ta publikonim programin, ne lajmëruam se procesi i likuidimit ishte nisur”, shpjegoi Sanaja.

Lajmërimi i AKP ishte i papritur për të gjitha partitë e përfshira, edhe komunën e Pejës, edhe “Anibarin”. Komuna ka deklaruar se posedon të gjitha dokumentet e nevojshme për të dëshmuar se kinemaja i përket asaj, por AKP pretendon se në të kaluarën, ndërtesa iu dorëzua një kompanisë që ishte pronë e shtetit. Në bazë të këtyre pretendimeve, agjencia dorëzoi një padi në Gjykatën Themelore në vitin 2014. Gjykata ende nuk ka marrë vendim në lidhje me këtë rast.

Zëdhënësi i AKP-së, Yll Kaloshi, ka deklaruar publikisht se prona është e regjistruar në emër të kuvendit komunal të Pejës, por as kjo, e as rasti që ka shkuar në gjykatë, nuk e kanë frenuar AKP-në, që megjithatë e ka nisur procesin e privatizimit të kinemasë.

Ky argument është për përdorimin e kinemasë gjatë viteve të 70-a nga organizata kino Rad, që ishte pronë e shtetit. Komuna e Pejës pretendon se ky përdorim ishte vetëm i përkohshëm, ndërsa AKP pretendon se iu dorëzua përfundimisht kino Rad-it, duke e bërë kështu pronë të shtetit, dhe rrjedhimisht të mundshëm privatizimin. Sanaja beson se pronarë të vërtetë janë populli i Pejës, meqë paratë për ndërtimin e kinemasë u mblodhën nëpërmjet një sindikate, me kontribute të të gjithë punëtorëve të qytetit.

Kinemaja ka formuar një pjesë të pasur të trashëgimisë kulturore të Pejës prej kur është hapur në 1950-at. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Qytetarët më të moshuar të Pejës veçanërisht e shohin kinon Jusuf Gërvallën si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së tyre. Një mësuese e dalë në pension tha për K2.0 se gjatë rinisë së saj ajo shkonte në kinema me të fejuarin e saj çdo natë. “Ishte vend i kënaqësisë dhe haresë; vend kyç për të gjithë të rinjtë e asaj kohe”, tha ajo.

Një qytetar tjetër rreth pesëdhjetë vjeçar gjithashtu ishte vizitor i shpeshtë në këtë kinema gjatë rinisë së tij. “Filmat shfaqeshin tre herë gjatë ditës, prej orës katër, gjashtë dhe tetë”, tha ai. “Ai vend nuk duhet të privatizohet; duhet të riaktivizohet”.

E ardhmja e kinemasë gjithmonë ka qenë çështje kyçe e politikës lokale. Secila administratë komunale ka shprehur dëshirën për ta restauruar, por u ka munguar një vizion i qartë për ta bërë këtë. Më në fund sivjet Anibar kishte përfytyruar një program dhe një të ardhme për këtë vend, si dhe gatishmërinë për ta bërë realitet.

Deri më tani, “Anibar” ka gjetur mbështetje nga 70 OJQ tjera, nga komuna e Pejës, dhe mijëra qytetarë të Kosovës, të cilët kanë nënshkruar një peticion për ta ndalur procesin e privatizimit.

“Pas presionit publik, zyrtarët e AKP-së më në fund kanë filluar të shohin nëse mund të gjejnë mënyra për të përshpejtuar ndalimin e procesit të privatizimit të kinemasë, e për t’ia kthyer atë komunës si aset”, tregoi Sanaja.

Derisa ata i kërkojnë këto mënyra, Sanaja thotë se është detyrë e publikut që të vazhdojnë të ushtrojnë presion, deri sa të dëshmohet ligjërisht se prona i përket qytetit dhe nuk është në shitje.

Pas kësaj, vazhdoi ai, “Anibar” do t’i kthehet synimeve të saja prej janarit. “Idea është që ta digjitalizojmë kinemanë, e pastaj mund të shfaqim filma tërë kohën. Do të bëhej burim i të hyrave, që na lejon pastaj të kemi program vazhdimisht”, shpjegoi Sanaja.

Kinemaja ka projektorë të vjetër dhe artefakte tjera të filmit, të cilat aktivistët po konsiderojnë t’i ekspozojnë në një muze brenda ndërtesës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Përveç digjitalizimit, ekipi i Anibar dëshiron që ta ringjall kinemanë dhe ta kthejë në gjendjen e saj të mëparshme. Ata theksojnë faktin se ka hapësirë të mjaftueshme në atë ndërtesë për t’i shndërruar disa pjesë në muze ku mund t’i ekspozojnë disa projektorë të vjetër të filmit dhe pasuri tjera kulturore që kanë mbetur nga e kaluara.

Sanaja thotë se Anibar është “për zhvillim kulturor, arsimim demokratik dhe prodhim të filmave”.

“Peja ka hapësira që mund t’i mbështesin të gjitha këto aktivitete dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qytetit, jo vetëm në mënyrë kulturore, por edhe në mënyrë financiare”, thotë ai.

Deri më tani në Kosovë, hapësirat e “zaptuara” publike janë dëshmuar si suksese kulturore; Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, Klubi i Boksit dhe Termokiss në Prishtinë, Kinemaja Lumbardhi në Prizren, dhe tani Kino Jusuf Gërvalla, në Pejë.

Për ta inkurajuar këtë mendësi dhe formë të aktivizmit, Petrit Gora, drejtori artistik i “Anibar”, ka lajmëruar se për edicionin e tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, temë kryesore do të jetë hapësira publike. Me nëntitull ‘Rimarrja e Qytetit’, festivali do të organizojë biseda, punëtori dhe aktivitete tjera për ta theksuar këtë çështje.

Aktivistët shpresojnë se do të bëhet lëvizje kombëtare e do ta pasurojë jetën kulturore në Kosovë.K

Fotografia kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.