Blogbox | Shtëpi

Nuk e lajmë njani-tjetrin n’lloç

Nga - 29.06.2023

Prapëseprapë, ka arsye për me qëndru në Kosovë.

Me dashtë me gjetë arsye pse don me dalë prej Kosovës, ki plot. Besa, nuk ki nevojë as me mendu shumë. Edhe vetë tash mundem me i listu të paktën 10 arsye pse kisha dashtë me dalë prej këtu. 

Po i kam edhe do arsye që m’bojnë me qëndru.

Para se me fillu me shkru këtë artikull, vendosa me i pyet shoqninë e kolegët se cilat janë gjanat që nuk u pëlqejnë në vendin ku jetojmë. E prita që njëjtë si unë, edhe ata kanë me listu përplot gjana si: ekonomia e dobët, niveli mesatar i arsimit, mundësitë e pakta për zhvillim, problemet me sistemin e drejtësisë, korrupsioni, nepotizmi e të tjera. 

E çka më dëshpëroi shumë, ishte reagimi që mora kur i pyeta se cilat janë gjanat e mira që i ka vendi ynë. Nuk patën shumë përgjigje. I kaplonte heshtja e bile shumë prej tyne kaluan disa minuta tuj mendu e prapë nuk kishin nji përgjigje me ma dhanë. E di që kemi shumë për me u anku në këtë vend e plot gjana na bajnë me ikë, jo veç në nji shtet tjetër, por me e gjetë nji vend n’fund t’botës, sa ma larg prej këtu.

Po prapë mendoja, ka gjana t’mira bre, që i bajnë njerëzit me qëndru. Të paktën duhet me pasë. Por përgjigjet që i mora, nuk m’dhanë shumë shpresë.

Përnjimend nuk e kemi nji sistem të mirëfilltë të drejtësisë, ekonomisë a arsimit, po a nuk kanë edhe vendet tjera probleme të ngjashme? Në fakt kanë, por nismat e udhëhequna prej qytetarëve kanë fuqinë me e ndryshu sistemin. Në shumicën e vendeve ma t’zhvillume n’botë, kur ka diçka të keqe, njerëzit organizohen në protesta e marshe derisa e arrijnë qëllimin e tyne. 

Tek ne? Çudia ma e madhe zgjatë tre ditë. Pastaj harrohet.

Ndër gjanat tjera që m’i kanë përmend shoqnia është edhe kjo; jemi shoqni kolektive, ndjenjën e komunitetit që e kemi këtu, rrallë e gjen diku tjetër.  Por kur vjen puna për ndryshim, shnëdrrohemi në shoqni individuale. Pra, n’rastet kur e kemi mundësinë me bo diçka për t’mirën kolektive, më duket se shumica kthehen e shikojnë përfitimin vetanak.

Po e marr nji shembull: unë vij nga qyteti i bukur i Pejës e malet që e rrethojnë atë vend ma japin nji ndjenjë të madhërishme, që nuk e gjej tjetërkund. E pastaj shikoj lumin dhe bërrllogun anash tij. Disa edhe me të drejtë faëjsojnë komunën, kompanitë e pastrimit. Por duhet ta shohim edhe veten –– ne jemi vetë ata që po e bojmë qat’ bërrllog e presim dikush tjetër me ardh me hekë.

Para se me mendu që po fajësoj njerëzit për veprimet e tyne dhe (mos) ndikimin në sistem –– jo. Unë thjesht po ua përkujtoj që mosmarrja e vendimeve të qëndrueshme nga ne, ndikon në krijimin e sistemve që nuk u përgjigjen nevojave tona si qytetarë. Edhe në rastet kur ka protesta apo lëvizje për ndryshim, shumë pak nga ne aktivizohemi në to, përderisa çështja për të cilën protestohet nuk na prek neve në rrafsh personal. E nëse nuk përfshihemi, ajo çështje ka me mbërri edhe te na e edhe ne kemi me pasë nevojë për tjerët.

Tash edhe unë ia nisa veç me u anku si shoqnia jem e kolegët, që i ceka ma herët. 

Ta ndërroj pak kahjen e artikullit

Këtu qëllimi ishte me shkru për gjanat që më mbajnë n’vendin tim.

Kam pasë fatin me udhëtu në nji vend të jashtëm kur kam qenë adoleshente dhe e kam pa nga afër si është jeta atje. Me e pa nga afër nji kulturë e frymë tjetër jetësore ka qenë nji përvojë e paharrueshme dhe shumë e rëndsishme në zhvillimin tim. Si dhe ka kontribu që unë me zgjeru horizontin e mendimeve të mia. Besoj që ky ekspozim ka ndiku edhe që unë mos me e pasë atë bindjen se në momentin që dal prej Kosovës, krejt problemet e mia kanë me u zhdukë.

Vendi ynë ka shumë gjana interesante, shembull, të pakta janë ato vende ku ti mundesh me gjetë nji kafe t’mirë, ama shumë t’mirë, asi kafe që t’i çelë sytë veç erën tu ia ndi. Këtu e kemi jo veç kafenenë e preferume, por edhe njerëzit që ta mësojnë përmendsh porosinë e ta sjellin sapo të ulesh. Apo veç e bon atë gjestin me dorë edhe e dinë se çka po porositë. 

Këtu, ne e shijojmë ndryshe kafen, sepse jemi bashkë me kolegët, shoqninë, familjen. Nuk është thjesht kafja, por procesi –– qetësia që ta jep fakti që je me njerëz tu. Edhe përnjimend kënaqemi, para se me vazhdu me u marrë me krejt gjanat negative me t’cilat përballemi çdo ditë.

Jemi shoqni ku afërsia është e fuqishme. Derisa është krejt normale me jetu me familje, edhe kur jetojmë vetëm, prapë jemi afër njëri-tjetrit. Kur jemi keq, e kemi dikë afër me na ndihmu. Po ashtu është shumë normale që antarët tjerë të familjes me t’përkrahë financiarisht derisa të gjesh prapë nji punë tjetër, është shumë normale që edhe shoqnia me t’mbështetë, mos me t’lanë n’rrugë derisa të jesh prapë në nji vend të sigurt. Nuk e lajmë njani tjetrin n’lloç.

Besa, i ndihmojmë njani-tjetrit në dyqan, në autobus, në rrugë. Njerëz që s’i njohim, po e kemi dëshirën e fortë me i ndihmu, pa marrë parasysh se kush janë. 

Ah, po edhe kulturën e muhabetit mos ta harroj. Para pak muajsh ishte muaji i Ramazanit. M’kujtohen samunat e nxehtë (që në Prishtinë m’duhet me iu thanë pitalka se nuk m’marrin vesh). Samunat i gjen edhe në vende tjera, po nuk e ki furrën e mahallës ku i njeh krejt punëtorët/et e pret në rend me fqinjtë e tu, tuj folë, deri t’vjen rendi me i marr samunat.

Prej samunave po kcej tek arti, me shkru nji paragraf t’shkurtër që barazohet me vëmendjen që ne ia japim artit. Si shoqni e kemi harru ndjenjën që ta jep teatri e kinemaja. Kemi harru që arti është pjesë e jetës që na e mban shpirtin gjallë. Vlerën ia kemi humbë e nganjiherë vëmendjen e kemi te krejt gjana tjera, që veç art nuk janë. Por, kohëve të fundit po e vërej nji ringjallje të artit teatror e filmik, operas e baletit. Po e shoh se sa shumë njerëz të talentum kemi. E sa shumë emocione janë në gjendje me na sjell para syve tanë. 

Me ju pyet diçka, a keni provu najherë me shku n’teatër vetë? Nëse jo, bëjeni qetash!

Vetë kam shumë qejf dhe gjithqysh nji herë kam me provu me jetu në nji vend tjetër përpos Kosovës. E kam t’fortë ndjenjën me fillu nji jetë të re, në nji vend ku nuk m’njeh askush. Por kjo është ndjenjë tjetër prej asaj që me dashtë me dalë veç për me e lanë Kosovën. 

Krejt këto janë momente të vogla, e di, por që të mbushin me dashni. Mundohem me qenë ma e vëmendshme ndaj ktyne momenteve të vogla, me i vlerësu e me u mundu me i rikriju, që me gjetë arsye të mira me ndejtë n’vendin tem, e që edhe nëse largohem najherë, me pasë arsye që githmonë me u kthy n’folenë tem.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla përmes MidJourney

 

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Pse kjo klauzolë?