S`fundmi | Demokraci

Opozita ngritet nga ndëshkimi i kosovarëve për pushtetin

Nga - 12.06.2017

Ky shkrim do të përditësohet me lajme të reja gjatë ditës.

Rezultatet fillestare nga votimet e djeshme në Kosovë tregojnë rritje të madhe për partinë opozitare Vetëvendosje, dhe humbje në numra për partitë që ishin më parë në qeverisje. Rezultatet e rangojnë koalicionin mes PDK, AAK, NISMA dhe partitë e tjera – PAN, si të parën, derisa VV u rangua si partia e dytë duke mposhtur LDK-në, partinë e ish-kryeministrtit Isa Mustafa.

Afro 40 përqind e kosovarëve të regjistruar për votim, të dielën më 11 qershor, dhanë verdiktin e tyre për atë se kush duan të qeveris me vendin e tyre.  Zgjedhjet e sivjetme parlamentare rezultuan pas shpërbërjes së Qeverisë së kaluar me një mocion mosbesimi ndaj saj.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) , prej diku 99.64 përqind të votve të numëruara, Kosova rezultoi se votoi për koalicioni PAN – me diku 34.02 përqind. Me këto shifra PDK nuk ka arritur votat e zgjedhjeve të kaluara (2014) kur kishte mbi 31.38 për qind pa asnjëren nga partnerët e sivjetme.

Vetëvendosje deri tash mori 27.07 përqind të votave, duke mposhtur kështu LDK-në, dhe duke dalë  partia e dytë më e votuar. LDK -ja del të jetë partia e tretë me vetëm 25.71 për qind të votave.

Me të përfunduar afati i votimit, të dielën në ora 19:00, zyrtarë të partive të ndryshme veç filluan të raportonin nëpër profile të tyre në Facebook për lajmet “të mira” që ju vinin nga komunat e ndryshme.

Në mbrëmje ndërkaq, pas orës 22:00, PAN dhe VV në dy lokacione jo fort larg njëra – tjetrës në sheshet e Prishtinës, dolën për të festuar fitoret e tyre.

Koalicioni PAN duke festuar vendin e parë në sheshin “Skënderbeu”, me kandidatin e tyre për kryeministër Ramush Haradinaj (në të majtë) dhe liderin e PDK-së Kadri Veseli (në të djathtë) duke iu adresuar masës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në sheshin “Skënderbeu” ishte vendosur PAN-i me kandidatin e tyre për kryeministër Ramush Haradinajn e AAK-së, dhe parnterin e tij Kadri Veseli nga PDK.

Ramush Haradinaj i quajti zgjedhjet e ditës së djeshme fitore të Kosovës, derisa tha se kjo e fundit vendosi që fitoren t’ia jap koalicionit PDK-AAK, Nisma.  “E di që na presin shumë punë”, tha Haradinaj në paraqitjen e tij në shesh.

Partneri i tij i koalicionit nga PDK, Kadri Veseli, ishte shumë më i zëshëm se “kryeministri i ardhshëm i Kosovës” – siç e quajti ai Haradinajn – dhe tha se Kosova vendosi për “Fillimin e Ri” duke iu referuar kështu sloganit të PAN-it në zgjedhjet e sivjetme.  “Do të punojë edhe për ata që nuk na votuan ne”, tha Veseli mbrëmë.

Vetëvendosje po ashtu ka festuar në Prishtinë. Kandidati i kësaj partie për kryeministër Albin Kurti ka thënë se ngritja e votave për partinë e tij është fitore e guximit mbi frikën.

Ndërkohë kandidati për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se subjekti i tyre si i vetëm doli i pari më i votuar duke e quajtur këtë ngritje si “fitore të guximit mbi frikën, e fitore të shpresës mbi dëshpërimin”.

Vetëvendosje si e vetme rezulton se ka fituar dukshëm më shumë përqindje të votave se sa koalicionet tjera (mbi 26 për qind).  “Njëri koalicion me 16 parti, e koalicioni tjetër me 6-7 parti janë tkurrur shumë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014-të. LVV tash është partia e parë, tash është partia më e madhe në Kosovë”, deklaroi Kurti mbrëmë në sheshin “Zahir Pajaziti”, disa metra larg vendit ku po festonte PAN-i.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, i dëshpëruar tingëllonte kryeministri në largim Isa Mustafa i LDK-së, e cila pësoi rëndë në këto zgjedhje, duke humbur vendin e subjektit të dytë politik në vend pas  humbjes së qeverisjes.

Mustafa i quajti votat e 11 qershorit vota të kundërshtimit. Derisa premtoi “reflektim” të LDK-së mbi rezultatin e zgjedhjeve. “Do të reflektojmë në interes të anëtarësisë dhe të qytetarëve. Vendimin do ta marrim edhe me deputetët pas çertifikimit të rezultateve si dhe me partnerët e koalicionit”, ka thënë ai duke falënderuar në fund kandidatin e LDK-së për kryeministër, Avdullah Hotin për një fushatë të denjë.

Derisa PAN dhe Vetëvendosje festonin, një natë e zymtë u shënua për LDK-në dhe kandidatin e kësaj partie për kryeministër, Avdullah Hoti. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) diku 50,063 të votave rezultojnë të jenë të pavlefshme derisa 29, 038 vota janë me kusht.  Akoma nuk janë dhënë rezultatet finale të numërimit të votave nga diaspora.

Prokuroria e shtetit dhe Policia në një konferencë të përbashkët në orën 21:00, kanë njoftuar se të dielën deri në orën 20.00, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës ka pasur disa raste të iniciuara që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit dhe se janë hapur 8 lëndë, kundër 8 personave.K

Foto Kryesore: Agan Kosumi / K2.0.