Përkundër mureve, jo vetëm fizike, por edhe mendore, që jo rrallë karakterizojnë hapësirën tonë ballkanike, Shkëlzen Gashi (Xeni) dhe organizata “ADMOVERE”, përmes vëllimeve “Sërbia tjetër”, kanë dëshmuar se ka zëra që ngrehin kokat përmbi këto mure dhe kërkojnë e gjejnë fijet e holla, që mund të lidhen dhe të bëjnë një shteg. Nëpër këtë shteg mund të kalohet nga gjendja konfliktuoze në atë paqësore, nga mosbesimi në besim.
Kështu, nga shikimi nëpërmjet tytës së pushkës, arrihet shikimi sy më sy, pozitë kjo, e cila mundëson komunikimin si mjetin më të mirë për marrëveshje dhe mirëkuptim.
Është në natyrën e frikacakëve të ndërtojnë mure, ndërsa të guximshmit ndërtojnë ura. Këtë më së miri e shpjegon edhe shkrimtari argjentinas Jorge Luis Borges në esenë e tij “Muri dhe librat”, ndërsa shkruan për Murin Kinez si një mrekulli e ndërtuar nga djegia e librave dhe nga frika për të vërtetën që bartin ato.
Nga ky këndvështrim duhet parë edhe vullneti i Xenit e mbase edhe guximin e tij intelektual, sepse idetë e tilla ende janë pronë e pakicës në hapësirat ballkanike, ku njerëzit me shumicë bien e zgjohen me mite të ndryshkura, të veshur me emblema e flamuj që i yshtin kundër njëri-tjetrit. Në veçanti, miti serb për Kosovën vazhdon të projektohet si një e drejtë historike, e cila bie ndesh me realitetin dhe si e tillë vazhdon të prodhojë keqkuptime deri në konflikt.
Xeni, në përgatitjen dhe botimin e kësaj kolone për tre personazhe të rëndësishme, që shpërfaqin një Serbi tjetër: arkitektin Bogdan Bogdanović (vëllimi I, 2021), politikanin Miloš Minić (II, 2021) dhe avokati Srđa Popović (III, 2022), ka ndjekur metodën e përzgjedhjes, duke u përqendruar kryesisht në qëndrimet dhe reflektimet e këtyre personazheve në raport me Kosovën.
Prandaj në “Sërbia tjetër” paraqiten fragmente nga intervista të ndryshme, në medie po ashtu të ndryshme, sikundër dhe nga periudha të ndryshme, për të ndërtuar kështu një lloj kronike të ngjarjeve, gjë që na mundëson të kuptojmë më mirë edhe gjendjen, përkatësisht pozitën e dy popujve sot, të cilët ndodhen në një proces të vështirë dialogu. Si rrjedhojë, “Sërbia tjetër”, duhet shikuar si vlerë e shtuar edhe në kuadër të dialogut, që po zhvillohet tash e sa vjet ndërmjet Serbisë e Kosovës, me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar.
Srđa Popović, avokati i pashoq
Dihet se në luftë së pari vritet e vërteta –– digjen librat dhe gazetat. Pastaj vriten e digjen njerëzit, gjë të cilën e kemi parë dhe përjetuar në lëkurat tona –– ne banorët e këtyre hapësirave të ngulfatura nga gënjeshtra dhe mashtrimi. Njësoj dihet se jeta e intelektualëve është jetë për të vërtetën, përkatësisht i gjithë kuptimi i qenies së tyre mbështetet mbi këtë premisë.
Të tillë janë edhe tre personazhet e kolonës “Sërbia tjetër”, të cilët patën guximin të ngriheshin mbi atë gërmadhë gënjeshtrash e mashtrimesh, që kishte ndërtuar politika shtetërore serbe, duke shfrytëzuar mitet si të drejtë historike për të shtypur të drejtat etnike të të tjerëve në këto hapësira.
Në vitin 2022 u botua vëllimi i tretë, i cili u promovua në festivalin “Mirëdita Dobar Dan”, në maj këtë vit. Ky vëllim në qendër ka avokatin Srđa Popović. Një intelektuali të tillë, të përkushtuar kështu për të vërtetën e kemi zor t’ia gjejmë shokun në këto hapësira, ku ende nuk kultivohet mendimi filozofik dhe ku ende historia vazhdon të shkruhet në formë të letrarizuar.
Popović u lind më 1937 në Beograd dhe vdiq po aty, në vitin 2013. Aktivitetin prej një oponenti të dalluar e kishte filluar qysh herët, kur në vitin 1976 ishte dënuar me një vit burg sepse kishte ndarë të njëtat bindje me klientin e tij, poetin dhe disidentin serb Dragoljub Ignjatović.
Si avokat, guximshëm kishte mbrojtur jo vetëm studentët dhe profesorët e demonstrative të vitit 1968 në Beograd, por kishte mbrojtur edhe studentët e Prishtinës të demonstrative të vitit 1981. Në vitin 1990 themeloi gazetën e përjavshme “Vreme”, si kundërpërgjigje ndaj instrumentalizimit të medieve serbe nga regjimi i Slobodan Milošević, madje në këtë projekt, ai kishte angazhuar gazetarët, që kishin humbur vendet e tyre të punës. Një vit pas, u zgjodh president i Lëvizjes Evropiane në Serbi, kur edhe, pas kërcënimeve të vazhdueshme nga regjimi, u shpërngul në ShBA. Në Beograd u kthye pas 10 vitesh, pra pas rënies së regjimit të Milosević.
Një intelektual si Popović, kapërcen përmasat kombëtare dhe bëhet pjesë e vlerave universale, pa dallim race, etnie a besimi. Në këto hapësira edhe mund të gjesh intelektualë që veprojnë si oponentë politikë, por janë të rrallë, shumë të rrallë ata intelektualë që shfaqen si oponentë kombëtarë, çfarë është avokati Popović.