Pikëpamje | Marrëdhënie Ndërkombëtare

Palestina, Kosova dhe dilema e shteteve ‘të vogla’

Nga - 02.06.2021

Qeveria e re e Kosovës po baraspeshon parimet dhe pragmatizmin.

Më 16 maj, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nxori këtë postim në Twitter:

Ky postim nxiti kritika për shkak të qëndrimit haptaz pro-Izrealit; shumë shqiptarë të Kosovës tërhoqën paralele mes vuajtjes së tyre nën zgjedhën e regjimit të Milošević-it në vitet e 90-ta dhe atë të palestinezëve, duke nxitur qeverinë që të tregojë solidaritet me brengën e tyre. Të tjerë u ankuan pasi e panë këtë postim si përpjekje të qartë të qeverisë së Kosovës për t’i hyrë në qejf ShBA-së, duke ia mbështetur verbërisht aleatin, Izrealin.

Vetëvendosja erdhi në pushtet me pretendimin se do të qëndrojë larg nga politikëbërja pashije dhe egoiste që ka dëmtuar Kosovën për kaq gjatë,  prandaj dhe shumë mbështetës të saj mbetën të zhgënjyer nga ky veprim, anipse Ministrja e tanishme e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla është nga lista politike Guxo e jo nga Vetëvendosja.

Janë mbajtur marshe propalestineze në Kosovë — ashtu siç janë mbajtur edhe  grumbullime më të vogla në mbështetje të Izraelit — dhe ata që kritikojnë pozicionin që ka marrë Kosova sigurisht që kanë një bazë; derisa Izraeli ka të drejtë ta mbrojë veten, këtë mund ta bëjë vetëm brenda parametrave të së drejtës ndërkombëtare, diçka që Izraeli ka dështuar ta bëjë.

Kosova, Serbia, Izraeli dhe Palestina

Marrëdhënia mes Kosovës, Serbisë, Izraelit dhe Palestinës nuk ka qenë kurrë e drejtpërdrejtë. Siç ndodh shpesh në politikën ndërkombëtare, parimet janë mposhtur nga konsiderimet gjeopolitike, me ç’rast palët kanë marrë pozicione varësisht prej qëndrimeve të tyre për dy çështje kyçe; marrëdhënia e tyre me ShBA-në dhe dëshira vetjake për të mbështetur ose për të kundërshtuar parimin e vetëvendosjes.

Nën udhëheqjen e Titos, Jugosllavia ka ruajtur marrëdhënie të mira me Palestinën për shkak të Lëvizës së Shteteve të Painkuadruara; pas Luftës Gjashtëditore në vitit 1967, Jugosllavia këputi lidhjet diplomatike me Izraelin dhe njohu zyrtarisht Palestinën në vitin 1988. Pas zhbërjes së Jugosllavisë, miqësia vazhdoi me Serbinë dhe në dhjetor 1999, Presidenti i Autoritetit Kombëtar Palestinez Yasir Arafat — si përpjekje për të përforcuar kredencialet si kundërshtare e hegjemonisë së ShBA-së — i bëri ftesën famëkeqe Slobodan Milošević-it për të marrë pjesë në një kremtim ortodoks në Betlehem, gjë që shkaktoi zemëratë të madhe te shqiptarët e Kosovës.

Sidoqoftë, edhe regjimi i Milošević-it ka pasur lidhje të afërta me Izraelin. Izraeli, i etur për ta mbështetur një shtet që u kundërvihej separatistëve, kishte furnizuar Serbinë me armatim në vitet e 90-ta teksa ajo bënte luftë nëpër rajon.

Gjatë ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, ish-Ministri i Jashtëm i Izraelit Ariel Sharon — duke qëndruar prapa pikëpamjes së shumë njerëzve në Izrael që ishin të shqetësuar nga mbështetja e Perëndimit për separatistët — dënoi “intervencionizmin brutal” të NATO-s, duke thënë “Në momentin që Izraeli shpreh përkrahje ndaj modelit të veprimit që po e shohim në Kosovë, ka gjasa që [ne] do të jemi viktima e radhës”.

Edhe pse kosovarët dhe palestinezët ndajnë tipare kyçe, marrëdhëniet mes tyre kanë qenë rrallëherë të ngrohta.

Ai po ashtu kishte paralajmëruar që një Kosovë e pavarur “… paraqet rrezikun të bëhet pjesë e Shqipërisë së Madhe në të ardhmen dhe të shërbejë si bazë për terrorizmin radikal islamik — thelbi i së cilit tashmë ekziston aty — që mund të përhapet nëpër Evropë”.

Sidoqoftë, qeveritë e njëpasnjëshme të periudhës pas pavarësisë në Kosovë kanë mbështetur haptazi Izraelin kryesisht sepse një veprim i tillë shihet si përforcim i kredencialeve proamerikane; fjala vjen, kur gjashtë investitorë të ShBA-së u takuan me ish-Kryeministrin Ramush Haradinaj në vitin 2019, tryeza e diskutimit — për kureshtje — ishte e zbukuruar me flamuj të ShBA-së, Kosovës dhe Izraelit. Ish-Ambasadorja e Kosovës në ShBA Vlora Çitaku ka thënë në të kaluarën se populli kosovar “e sheh Izraelin si një shembull se si mund të ndërtohet një shtet”.

Për më shumë, edhe pse kosovarët dhe palestinezët ndajnë tipare kyçe — ndër kryesoret është vendosmëria për t’u shkëputur nga një shtet shtypës — marrëdhëniet mes tyre kanë qenë rrallëherë të ngrohta. Tri ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008, Yasser Abed Raboo — ndihmësi i liderit palestinez Mahmoud Abbas — kishte thënë, “Kosova nuk është më e mirë se Palestina. Ne e meritojmë pavarësinë edhe para Kosovës”.

Për shkak të perceptimit të Kosovës si adhuruese e ShBA-së, Palestina nuk e ka mbështetur Kosovën në përpjekjet e saj për të siguruar njohje ndërkombëtare dhe në fakt ka votuar kundër anëtarësimit të saj në UNESCO në vitin 2015.

Po kështu, paçka se Serbia dhe Izraeli mund të duket si aleate të mirëfillta, Serbia shpeshherë ka mbështetur palestinezët, ndër të tjera dhe për shkak të marrëdhënieve të pezmatuara me ShBA-në. Në vitin 2011, Serbia kishte përkrahur kërkesën e suksesshme të Palestinës për të hyrë në UNESCO dhe në nëntor 2012 ishte vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që kishte votuar pro dhënies së statusit të vëzhguesit në OKB për Palestinën. Në 2017, Serbia kishte votuar pro rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që ftonte shtetet për të mos vendosur misione diplomatike në Jeruzalem.

Por, për t’i hyrë në qejf ShBA-së — dhe Presidentit Trump, i cili ishte dukshëm më pak pro-Kosovës — Serbia vendosi ta zhvendosë ambasadën nga Tel-Avivi në Jeruzalem kur nënshkroi marrëveshjen e Uashingtonit në shtator të vitit 2020. Por, si pjesë marrëveshjes, Izraeli po ashtu kishte pranuar ta njohë Kosovën, gjë që zemëroi Serbinë. Ambasadori i Izraelit në Serbi Yahel Vilan më vonë kishte thënë: “Vendimi i Izraelit për ta njohur Kosvoën është marrë nën presionin amerikan,” duke shtuar se “kjo lëvizje është pa dyshim kundër interesit tonë në Serbi”.

Në Uashington, Kosova po ashtu u zotua se do ta vendoste ambasadën në Jeruzalem; dhe derisa fakti që Kosova do të bëhej territori i parë me shumicë myslimane që do ta njihte Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit u përshëndet nga ShBA-ja, kjo gjë po ashtu zemëroi shumë të tjerë. Aleatja kyçe e Kosovës Turqia dënoi këtë vendim dhe BE-ja paralajmëroi Kosovën — dhe Serbinë — që kjo lëvizje do të ndikojë negativisht në aplikimet e saj për anëtarësim.

Vendimi po ashtu u dënua nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) dhe nga Lidhja Arabe; reagim të rrefkët pati edhe nga Ministri i Jashtëm i Palestinës.

Së pari Amerika?

Siç është tanimë e qartë, përgjigja e qeverisë së drejtuar nga Vetëvendosja për situatën në Palestinë është e ndërlikuar nga faktorë që janë jashtë kontrollit të saj. Marrëdhënia e Kosovës me Palestinën varet thellësisht nga qëndrimi i dy palëve ndaj ShBA-së.

Ç’është e vërteta, nëse krahasohen shtetet që kanë njohur Kosovën me ato që kanë njohur Palestinën, shihet një ndarje e qartë — por jo ekskluzive — ku ndryshorja është besnikëria ndaj ShBA-së.

Në këtë kontekst, postimi në Twitter i Ministrisë së Punëve të Jashtme mund të duket se ka kuptim strategjik; dobitë e mirëmbajtjes së një marrëdhënieje të afërt me ShBA-në janë më të mëdha në krahasim me lidhjet tashmë të dobëta mes Kosovës dhe Palestinës. Prapëseprapë, edhe pse zemërimi i Palestinës dhe zhgënjimi i atyre që kanë simpati propalestineze brenda Kosovës mund të kenë kosto të ulët krahasuar me vazhdimësinë e aleancës me ShBA-në, ka çmime të tjera që vijnë me adoptimin e një qëndrimi të tillë.

Fushata e Kosovës për të kërkuar njohje ndërkombëtare si shtet u pavarur është minuar me vite të tëra nga perceptimi që shqiptarët, të cilët përbëjnë shumicën, janë “sahanlëpirës të amerikanëve”. Deklaratat e kaluara me përmbatjtje tejet proamerikane, të bëra nga përfaqësuesit e Kosovës, kanë komprometuar thellësisht kredencialet e vendit; për shembull, në korrik të vitit 2019, ambasadorja e atëhershme e Kosovës në ShBA Vlora Çitaku ka thënë, “kur vjen puna te objektivat e mëdhenj të politikës së jashtme, Kosova gjithherë ndjek pozicionin amerikan”.

Do të ishte gabim strategjik nëse qeveria e re do të përqendrohej vetëm në marrëdhëniet me ShBA-në në planin e saj për politikë të jashtme.

Pretendimet e Kosovës për pavarësi nuk do të merren seriozisht nëse kjo e fundit e përsërit padiskutueshëm agjendën e Uashingtonit; thënë shkurt, të njihesh si “vendi më proamerikan në botë” ka kostot e veta. Kësisoji ekziston një dallim i prerë mes sjelljeve të arsyeshme strategjike dhe lajkatimit të stërtepruar. Qeveritë e kaluara në Kosovë vazhdimisht kanë rënë në kategorinë e dytë; qeveria e tanishme ka trashëguar doket politike që e lidhin Kosovën ngusht me mbështetjen e ShBA-së në rrafshin ndërkombëtar.

Ndonëse Kosova është fatlume në shumë aspekte që ka gëzuar mbështetje afatgjatë të ShBA-së, bota sot është shumë më ndryshe sesa që ka qenë në 1999 e madje edhe në 2008.

Edhe pse vazhdon të jetë shteti më i fuqishëm në botë, fuqia e saj është në rënie; kështu, do të ishte gabim strategjik nëse qeveria e re do të përqendrohej vetëm në marrëdhëniet me ShBA-në në planin e saj për politikë të jashtme. Miratimi i Marrëveshjes së Uashingtonit nga Qeveria Hoti i solli asaj lavdërime nga Shtëpia e Bardhë e Trump-it, por gjithashtu pati ndikim negativ në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, Turqinë, OBI-në dhe Lidhjen Arabe.

Natyrisht që Kosovës do t’i duhet mbështetja e vazhdueshme e Uashingtonit, por ajo gjithashtu duhet të kërkojë aleatë përtej ShBA-së, teksa fuqia e saj dobësohet dhe interesat strategjike ndryshojnë.

Dilema e shteteve ‘të vogla’

Përgjigja e Kosovës për ngjarjet në Palestinë thekson dilemën me të cilën përballen të gjitha shtetet “e vogla”; të përvetësojnë një qasje parimore ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të rrezikohen nga izolimi i dëmshëm, ose të bëjnë kompromise duke u rreshtuar me agjendën e fuqive të mëdha për të marrë mbështetje dhe për të siguruar mbijetesën. Ç’është e vërteta, vendet e jera sikur Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Maroku dhe Sudani janë gjendur po ashtu midis aleancave të tyre me Uashingtonin dhe simpatisë për Palestinën.

Sidoqoftë, pozita e Kosovës është shumë më e pasigurt për shkak se vetë ekzistenca e saj është në thelb funksion i mbështetjes së drejtpërdrejtë të ShBA-së, se statusi i saj ndërkombëtar mbetet i kontestuar dhe se përballet me kërcënime të vazhdueshme nga Serbia.

Kështu, edhe pse Vetëvendosja mori pushtetin me premtimin që do të vë në punë një qasje më parimore dhe të pavarur, brishtësia e trashëguar e Kosovës dhe nevoja e qartë për mbështetje të jashtme do të thotë që pragmatizmi është tejet i rëndësishëm për të siguruar që të mirëmbahen të gjitha aleancat pa kompremetuar parimet thelbësore ose të perceptimet për pavarësinë e Kosovës.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.