S`fundmi | Politika

PAN bllokon me mungesë Kuvendin

Nga - 04.08.2017

Seanca fillestare e Kuvendit shtyhet përsëri.

Kuvendi i Kosovës përsëri nuk arriti që ta zgjedh kryetarin e Kuvendit sot (4 gusht) pasi deputetët e koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN) dhe partive minoritare nuk u paraqitën në seancë. Seanca e mëngjesit ishte vazhdimësi e një seance që kishte nisur dje, por që ishte shtyrë kur deputetët e PAN dhe minoriteteve nuk u kthyen pas një pauze që ishte thirrur aksidentalisht nga kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci.

Mikullovci u detyrua që ta pauzonte seancën përsëri sot sepse sipas vendimit që morri Gjykata Kushtetuese pas zgjedhjeve të vitit 2014, vetëm partia apo koalicioni më i madh në Kuvend – në këtë rast PAN – ka të drejtë që ta nominojë i pari një kandidat për kryetar të Kuvendit.

Ndonëse Milaim Zeka i Nismës ishte i pranishëm, dhe ishte i vetmi deputet pjesëmarrës nga koalicioni PAN – ai e hedhi poshtë deklaratën e Mikullovcit që tha se prania e tij përfaqësonte PAN-in në këtë seancë. “Me gjithë respektin për Mikullovcin, unë nuk e përfaqësoj PAN-in, po veç vetën”, tha ai nga foltorja e parlamentit. “Nuk jam numër, por deputet”.

Pasi pritën deputetët e PAN -it për gati gjysmë ore, Mikullovci u konsultua me Glauk Konjufcën e Vetëvendosje dhe Avdullah Hotin e LDK para se ta shtyente seancën përsëri.

Anëtarët e koalicionit PAN, dhe ata të PDK në veçanti, kanë thënë se nuk ata nuk do të marrin pjesë në seanca të Kuvendit para se të përmbushen disa “kushte”. Pretendojnë se Vetëvendosje “po e përdorin” për qëllime partiake pozitën e Mikullovcit si kryesues i Kuvendit – në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Mikullovci është kryesues i seancës fillestare meqë është deputeti më i vjetër, si 76 vjeçar.

PAN doli e para në zgjedhjet e qershorit me 39 deputetë, megjithatë ata janë ballafaquar me probleme gjatë përpjekjeve të tyre për t’i siguruar 61 deputetët e nevojshëm për të siguruar mazhorancë parlamentare. Edhe pse kandidati i tyre për kryetar të Kuvendit nuk është nominuar zyrtarisht, gjerësisht besohet se do të jetë lideri i PDK, Kadri Veseli.

Nominimi i supozuar i tij u kundërshtua ashpër prej Vetëvendosjes dhe deputetëve të koalicionit LAA (LDK-AAK-Alternativa) në seancën e djeshme. Konjufca dhe Hoti përsëritën qëndrimin e tyre në seancën e sotme duke thënë se janë të gatshëm që të konsiderojnë çfarëdo kandidati tjetër prej PDK, por janë vendosmërisht kundër kandidaturës së Veselit.

Edhe pse PDK lajmëroi paraprakisht që PAN nuk do të merr pjesë në seancën e sotme, Teuta Rugova e LDK morri pjesë, pavarësisht spekulimeve që mund të mos paraqitet. Rugova dje votoi kundër linjës së saj partiake, në favor të propozimit të PAN për të mbajtur pauzë dy-orëshe në seancën e djeshme për “konsultime të mëtejme”. Kjo ishte përpjekje e PAN për t’i siguruar votat e nevojshme për kandidaturën e tyre. Në javët e fundit ka pasë vazhdimisht spekulime që Rugova do të votojë kundër partisë së saj e pro PAN gjatë zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, dhe më vonë të qeverisë.

Mikullovci i thirri liderët e të gjitha grupeve parlamentare në një takim në ora 12:00 për konsultime të mëtejme e për të vendosur se si duhet të vazhdojnë. Enver Hoxhaj i PDK po merr pjesë në takim.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0. (Foto nga arkiva prej seancës së ditës së enjte, 3 gusht).