Në thelb | COVID-19

Pandemia në hijen e diskriminimit

Nga - 09.07.2021

Romët e rajonit kërkojnë më shumë informacione mbi vaksinimin kundër COVID-19.

Stojan dhe Jasmina Ibriq nga fshati Badnjevac, në komunën e Zhitoragjës në Serbi, u vaksinuan kundër COVID-19 disa javë më parë. Ata thonë se duan ta mbrojnë veten kundër virusit që shkaktoi afro 10 vdekje në fshatin e vogël me rreth 850 banorë. 

Të dytë morën dozën e vaksinës kur njëri nga ekipet mobile të qeverisë së Serbisë i vizitoi në mënyrë që vaksinat t’i arrinin pjesët më të largëta të vendit. 

Deri tash, rreth 40 përqind e popullsisë së Serbisë është vaksinuar, përfshirë shumë romë. Organizata, Opre Roma Srbija, kreu hulumtime në 20 qytete për ta gjetur numrin e romëve të vaksinuar. Rezultatet treguan se rreth 50 përqind e popullsisë së përgjithshme rome është vaksinuar. 

Pjesa tjetër e të anketuarve në Serbi emëruan mosbesimin ndaj institucioneve si arsye për mosmarrjen e vaksinës, por, po ashtu përmendën edhe informimin joadekuat dhe frikën për pasojat e mundshme mjekësore. Rreth 80 përqind e të anketuarve thanë se kanë përjetuar një lloj diskriminimi gjatë marrjes së vaksinës. 

Mungesë fushate, mungesë vetëdijësimi

Në qershorin e 2019-tës, qeveritë e rajonit të Ballkanit, përfshirë Turqinë, nënshkruan Deklaratën e Poznanit për integrimin e romëve në procesin e zgjerimit të BE-së. Dokumenti qartazi deklaron se qeveritë janë të obliguara t’i “rrisin përpjekjet drejt një barazie dhe integrimi më gjithpërfshirës të romëve.” Theksohet se ata kanë detyrim për të ‘siguruar mbulueshmëri më të madhe të shërbimeve shëndetësore për romët, minimalisht 95 përqind, ose shkallë të barabartë me pjesën tjetër të popullësisë.”

Në fillim-qershor këtë vit, u mbajt Forumi i Shoqërisë Civile si pjesë e Procesit të Berlinit, ku u miratua një rekomandim për t’u siguruar që më shumë duhet të bëhet me pakica – përfshirë romët – në mënyrë që të rritet imunizimi dhe lufta kundër COVID-19. 

Institucionet publike të rajonit kanë bërë fare pak për t’i informuar romët për rëndësinë e mbrojtjes dhe vaksinimit.

Po ashtu, kaloi edhe rekomandimi për mbledhjen e numrit të saktë të romëve të vaksinuar në shtetet që nënshkruan deklaratën e Poznanit. Kjo ende nuk ka arritur të realizohet, pasi asnjë nga shtetet nuk e ka filluar këtë proces. 

Në përgjithësi, përpjekjet për t’i vënë në praktikë kërkesat e deklaratës deri tash kanë qenë modeste. Kjo reflekton si në vëmendjen që iu kushtua romëve gjatë pandemisë, ashtu edhe gjatë procesit të vaksinimit, pasi institucionet publike të rajonit kanë bërë fare pak për t’i informuar romët për rëndësinë e mbrojtjes dhe vaksinimit. 

Idriz Ramiqi nga vendbanimi rom i Vardës, në komunën Kakanj në Kantonin e Bosnjës Qendrore, me një popullsi prej rreth 640 personash, thotë se askush në rrethin e tij të ngushtë nuk flet apo mendon të vaksinohet. Ai thotë se, deri diku, kjo është për shkak se ekziston një lloj frike mes njerëzish që kryesisht vjen prej mungesës së informimit për vaksinimin. 

Mejra Sheçiq, përfaqësuese e zgjedhur në kuvendin e distriktit të Bërckos, në Bosnje dhe Hercegovinë, është e vetëdijshme se shumica e romëve në komunitetin e saj nuk kanë mjaftueshëm informacion për imunizim. Foto: Arkivi privat i Mejra Sheçiq.

Informacioni i vetëm që mbërrin te banorët e Vardës vjen kryesisht prej të rinjve që e gjejnë atë online, përfshirë keqinformimin për dëmin e supozuar të vaksinimit. Ky lloj informacioni ka prirje të shpërndahet shpejt. 

“Shumë kanë dëgjuar për vaksinën, por asgjë më shumë,” thotë Ramiq, duke vënë në dukje se disa njerëz në Vardë kanë vdekur nga COVID-19 në muajt që lamë pas.

Bazuar në të dhënat e disponueshme, Bosnia e Hercegozina (B&H) është në mesin e dhjetë shteteve në botë që kanë shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga COVID-19. Sidoqoftë, statistikat s’janë të besueshme në një vend që ka tri nivele qeverisjeje: dy etnitete, dhe një distrikt – që s’janë gjithnjë të gatshme të shkëmbejnë informacione me njëra-tjetrën. 

Autoritetet vendore ende nuk po bëjnë mjaftueshëm për të siguruar vaksina për të gjithë. Andaj, një pjesë e madhe e popullsisë po shkon në Serbi, ku vaksinat janë në dispozicion për të gjithë. Zyrtarisht, vetëm rreth 7.7 përqind e popullsisë është e vaksinuar, por numri i saktë nuk dihet. Në të njëjtën kohë, B&H është një nga vendet e fundit në Evropë që nisi procesin e vaksinimit. Në fazën e parë të vaksinimit, që është ende në proces, përparësi kanë punonjësit mjekësorë dhe farmaceutikë dhe të moshuarit.  

Sidoqoftë, për të hyrë në Serbinë fqinje, duhen para, të cilat nuk mund t’i përballojnë shumë romë. E njëjta vlen edhe për qytetarët e tjerë të B&H. 

Edhe pse numri i plotë nuk dihet, sipas të dhënave të vitit 2013, rreth 50,000 romë jetojnë në B&H. Po ky studim tregon se një numër i madh i romëve ose nuk janë dokumentuar ose nuk posedojnë letërnjoftime. Kjo ua bën të vështirë t’i gëzojnë shumicën e të drejtave të tyre, përfshirë të drejtën për trajtim mjekësor. 

Çdokush ka qasje në vaksinat kundër COVID-19 dhe për ta marrë atë u duhet vetëm emri dhe mbiemri. Sipas ligjit, çdokush duhet të ketë qasje, por mungesa e informimit rreth vaksinimit dhe procesit të imunizimit vazhdon.

Fushata e vaksinimit në B&H është pothuajse e padukshme, madje edhe në transmetuesit publikë dhe në institucionet shëndetësore. Shumica e informacioneve mund të gjenden në portalin vakcine.ba, i menaxhuar nga një OJQ lokale. Por, nuk ka informata në gjuhën rome.  

I njëjti problem me gjuhën qëndron edhe në institucionet e tjera të shëndetit publik. 

Vaksinimi i të përzgjedhurve

Instituti për Shëndetin Publik i Republikës Srpska, njëra nga dy entitetet, i tha K2.0 se po “planifikojnë ta promovojnë vaksinimin te komunitetet rome,” dhe se nuk e kanë bërë një gjë të tillë deri tash për shkak të furinizimit të pamjaftueshëm me vaksina. 

Duke iu përgjigjur, përmes emailit, pyetjes sonë për fushatën e vaksinimit, Instituti tha se së voni janë mbajtur punëtori me përfaqësues të komuniteteve rome nga katër qytete, ku kanë diskutuar për pandeminë dhe mirëqenien e tyre. 

“Janë miratuar rekomandime për t’i implementuar aktivitetet prioritare në promovimin e shëndetit dhe parandalimin e faktorëve rrezikues të shëndetit në komunitetet rome në Republikën Srpska në vitin 2021,” thanë në korrespondencën tonë me email, pa dhënë detaje për rekomandimet dhe veprimet. 

Edhe pse K2.0 i dërgoi pyetjet e njëjta Institutit Për Shëndetin Publik të Federatës së B&H, nuk kemi marrë përgjigje deri në kohën e publikimit të këtij artikulli. 

Si pjesët e tjera të B&H, edhe distrikti i Brçkos vuan nga mungesa e informacioneve rreth vaksinimit në gjuhën rome.

As distrikti i Brçkos ende nuk e ka implementuar promovimin e vaksinimit te popullsia rome. Sidoqoftë, kjo është e vetmja njësi administrative në B&H që ka një përfaqësues rom në kuvendin e vet. 

Në një bisedë me K2.0, Mejra Sheçiq, thotë se ajo është vaksinuar si anëtare e kuvendit. Kuvendi aktual vendosi që ta vendosë veten dhe zyrtarët e tjerë në njërin prej grupeve prioritare, menjëherë pas punonjësve mjekësorë dhe të moshuarve.  

Sheçiq, po ashtu, thotë të ketë zhvilluar “biseda serioze” me bashkëatdhetarët e saj për vaksinimin dhe se është në dijeni që ende askush nuk i ka vizituar vendbanimet rome dhe promovuar rëndësinë e vaksinave. 

Si pjesët e tjera të B&H, edhe distrikti i Brçkos vuan nga mungesa e informacioneve rreth vaksinimit në gjuhën rome. 

Në kantonin e Sarajevës, më e populluara në B&H, problemet kryesore shkaktohen nga një sistem goxha i komplikuar i regjistrimit për vaksina. Ky sistem kërkon që çdo person të regjistrohet përmes një aplikacioni në telefon. Gjatë regjistrimit, duhet plotësuar një grumbull të dhënash, që është burim problemesh, sidomos për popullsinë më të moshuar. 

Aksiom Association of Young Romani reagoi pasi u lansua aplikacioni, duke tërhequr vërejtjen se procesi ka një strukturë tejet të komplikuar, duke kërkuar lidhje të internetit dhe përdorimin e një telefoni të mençur ose kompjuteri. 

Në një raport të publikuar nga portali roman, Udar, Aksiom mirëpriti iniciativën e qeverisë në kantonin e Sarajevës për ta prezantuar një sistem elektronik të regjistrimit, por sugjeron që “duhet t’i kushtohet vëmendje faktit që një numër i madh i romëve, dhe kategorive të tjera, nuk kanë mundësi të barabartë për t’u qasur në platforma dhe shërbime online.”

Sistemi nuk ka ndërruar ende. 

Misteri i vaksinave

Sipas të dhënave të disponueshme, deri tash rreth 250.000 njerëz në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar, që përbën një “numër solid” sipas Suad Skenderit, drejtor ekzekutiv i OJQ-së në Shkup, Romalitico

Të dhënat e qasshme publike nuk e tregojnë etninë e të vaksinuarve në Maqedoninë e Veriut, por Skenderi pretendon se procesi nuk është konsideruar si diskriminues. Fushata e vaksinimit ishte e pranishme në të gjithë transmetuesit publikë, edhe pse nuk kishte qasje targetuese për të arritur te grupet e cënueshme dhe të paqasshme.

Edhe pse shteti u përfshi, shpërndarësit kryesorë të informacionit për vaksinim në Maqedoninë e Veriut mbesin OJQ-të dhe mediet rome.

“Jemi në dijeni që shumë romë kanë qasje në një spektër të gjerë të informacionit, përfshirë lajmet e rreme dhe teoritë konspirative,” tha Skenderi. “Shumë ende besojnë që COVID-19 nuk ekziston ose që bile edhe vaksinat përmbajnë mikroçipa që do të përdoren më vonë për t’i kontrolluar ata dhe jetëgjatësinë e tyre,” tha Skenderi duke iu referuar problemeve globale të keqinformimit, të cilat i idenitifkon edhe në mesin e popullsisë rome. 

Edhe pse shteti u përfshi, shpërndarësit kryesorë të informacionit për vaksinim në Maqedoninë e Veriut mbesin OJQ-të dhe mediet rome. Informacionet shpërndahen zakonisht përmes medieve sociale dhe internetit, në gjuhët rome dhe maqedonase. 

Sipas Skenderit, hulumtimi i fundit i organizatës Romalitico, tregon se romët jane të informuar për vaksinat dhe që do të vaksinoheshin nëse dikush do t’ua ofronte mundësinë. 

Lëvizja AVAJA, po ashtu, ka qenë e përfshirë në promovimin dhe fushatën informuese që nga fillimi i pandemisë. Ata synojnë ta rrisin vetëdijësimin e romëve dhe t’i largojnë ‘misteret’ që e rrethojnë vaksinimin. 

Lëvizja Opre Roma Srbija po bën diç të ngjashme. Në shkurt, lansuan kampanjën “Romë të shëndetshëm, Serbi e shëndetshme,” (Healthy Roma, healthy Serbia) dhe filluan të avokojnë për imunizimin e romëve. 

Në fillim të fushatës, u takuan me ministrin e administratës së shtetit dhe vetëqeverisjes lokale, duke ua bërë me dije se romët, përgjithësisht, kanë qasje më të dobët në shërbimet dhe sigurimin shëndetësor, “të dyjat për shkak të mungesës së dokumenteve personale, diskriminimit nga stafi mjekësor, si dhe varfërisë.”

Suad Skenderi, drejtor ekzekutiv i OJQ-së Romalitico, Shkup, pretendon se nuk është bërë mjaftueshëm për t’i informuar romët në Maqedoninë e Veriut për imunizimin. Foto: Arkivi privat i Suad Skenderit.

Sidoqoftë, hulumtimi i kryer nga organizata tregon si koronavirusi solli pasoja serioze për popullsinë rome. Hulumtimi tregon se komuniteti – ku rreth 50 përqind e anëtarëve nuk kanë qasje në elektricitet dhe ujë të pastërt – është i papërgatitur ta luftojë pandeminë. 

Përveç kësaj, pandemia dhe masat kufizuese krijojnë një situatë më të keqe për një numër të madh të romëve, duke i lënë pa asnjë mundësi për të punuar dhe siguruar të ardhura. Deri 85 përqind e të anketuarve deklaruan se nuk mund të mbijetojnë nëse institucionet nuk përfshihen. 

Në prill të këtij viti, Aksiom Association of Young Romani, në Bosnje, vazhdimisht theksoi problemet e diskriminimit, duke vënë në dukje se institucionet i kanë injoruar nevojat e popullsisë rome për dekada, “[zyrtarët] – obligim i të cilëve është t’u ndihmojnë atyre dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve – shpesh i diskriminojnë.”

Feature Image: Qendra kulturore rome në Nish (RKC).

  • PËR AUTORIN/EN Dalibor Tanić
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në serbisht/kroatisht/boshnjakisht.

KOMENTO