Keqësimi i kushteve sociale dhe ekonomike të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptas, mungesa e qasjes në testime për COVID-19 si dhe vështirësitë e nxënësve në ndjekjen e procesit mësimor online janë ndër gjetet kryesore të një hulumtimi nga organizata Admovere, e cila ka edukimin si një prej shtyllave të punës.
Në kuadër të diskutimeve për mënyrën si është menaxhuar situata me pandeminë nga organet shtetërore, Admovere ka publikuar raportin “Sfidat e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë gjatë Pandemisë Covid-19”. Në raport janë shqyrtuar masat e ndërmarra nga niveli qendror dhe lokal i qeverisë për t’i adresuar nevojat e këtyre komuniteteve, si dhe zbatimi i tyre në terren.
Një varg vendimesh janë ndërmarrë nga qeveria për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë COVID-19. Të parat datojnë që nga fundi i shkurtit 2020 për t’u ashpërsuar më tej më 13 mars, kur dolën pozitivë me virusin personat e parë në Kosovë. Fillimisht disa komuna u futën në karantinë, pastaj u kufizua lëvizja për qytetarët dhe u mbyllën shumë sektorë të bizneseve.
Në javën e parë të qershorit u larguan pothuajse të gjitha masat kufizuese, ndërkohë që prej atëherë numri i të prekurve me COVID-19 është rritur dukshëm.
Të dhënat për raportin janë grumbulluar që nga vendimet e para të qeverisë në fund të shkurtit e deri më 1 qershor, me fokus në komunat e Ferizajt, Lipjanit dhe Fushë Kosovës, ku jetojnë shumica e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve në Kosovë.
Durim Jasharaj, një prej autorëve të raportit, ka përcjellur nga afër se me çka janë përballur pjesëtarët e tri komuniteteve në tri komunat përgjatë pandemisë, ndërkohë që lënia e tyre mënjanë nga institucionet ka vazhduar.
Masa mospërfshirëse
Gjetja e përbashkët nga thuajse të gjitha institucionet që organizata Admovere ka kontaktuar për hartimin e raportit — si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal — është se ka mungesë të të dhënave për komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas.
“Është e rëndësishme me pasë statistika specifike për këto komunitete, duke e marrë parasysh se jetojnë në kushte më të rënda ekonomike e sociale”, thotë Jasharaj. “[Institucionet] na kanë thënë që në grumbullimin e të dhënave nisen me principin e barazisë, nuk bëjnë dallime etnike”.
‘‘T’gjithë janë cenu nga pandemia, por këto komunitete janë më të cenuara”, vazhdon ai, dhe thotë që beson se po të kishin mbledhur të dhëna specifike, institucionet do t’i kishin më të qarta vështirësitë e pjesëtarëve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptas dhe do të mund t’i informonin në mënyrë më efektive masat për t’u dalë në ndihmë atyre.
Jasharaj komenton mbylljen e shumë sektorëve të ekonomisë për një periudhë disa-javore gjatë pandemisë, nga e cila thotë se komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas “nuk është se janë goditur shumë, meqenëse ashtu-kështu janë të përjashtuar nga veprimtaritë ekonomike”.
Përveç kësaj, nuk dihet se sa prej atyre që kanë qenë të punësuar i kanë humbur vendet e punës, pasi shumica nuk kanë qenë të regjistruar formalisht dhe s’kanë pasur kontrata. Prandaj, sipas Jasharajt, shumë prej tyre nuk kanë përfituar nga masat e Pakos Fiskale Emergjente të qeverisë që kishin për qëllim mbështetjen e të punësuarve dhe të atyre që e kanë humbur punën gjatë pandemisë, pasi njëri prej kushteve ishte që të jenë punëtorë të regjistruar.
Ai e përmend një masë tjetër të Pakos, nga e cila kanë mundur të përfitojnë edhe pjesëtarët e këtyre komuniteteve: masa 15, e cila parashihte asistencë mujore prej 130 eurosh nga prilli deri në qershor për familjet pa asnjë të punësuar dhe që nuk janë përfitues të ndonjë skeme sociale.
Ndërkaq sipas Jasharajt, masa 9 e pakos emergjente është e vetmja që është fokusuar posaçërisht në këto komunitete meqë në të janë paraparë 2 milionë euro për financimin e projekteve “që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve joshumicë”.
Sado e mirëpritur që ka qenë kjo masë, sipas tij ka pasur organizata e aktivistë për të drejtat e komuniteteve që janë ankuar se procedura e aplikimit për këto fonde nuk është bërë në mënyrë të drejtë, pasi si përfitues potencialë janë pranuar edhe organizata që nuk merren aspak me këto komunitete. “Një shoqatë e alpinizmit ka përfitu”, është akuza që ka dëgjuar Jasharaj nëpër intervista gjatë hulumtimit.
Ndërsa të dhënat e nxjerra nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tregojnë se tre muaj e gjysmë pas miratimit të Pakos Emergjente Fiskale, për pikën 9 të saj institucionet ende nuk shpërndarë asnjë cent. Nga shuma totale e Pakos — rreth 180 milionë euro — janë shpërndarë vetëm 45% të parave.
Pa qasje në testim e shkollim
Përgjatë tre muajve, nëpër këto tri komuna bie në sy numri i vogël i pjesëtarëve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptas të testuar për COVID-19.
Deri më 1 qershor, në Ferizaj janë testuar 600 persona; prej tyre vetëm dy pjesëtarë të komunitetit ashkali. Në Lipjan janë testuar mbi 100 persona, por nuk ka të dhëna për numrin e të testuarve nga asnjëri prej tri komuniteteve. Ngjashëm ka ndodhur edhe në Fushë Kosovë, ku janë testuar afër 200 persona por nuk ka të dhëna nëse apo sa prej tyre janë pjesëtarë të tri komuniteteve joshumicë.
Në raport thuhet se as Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë të dhëna për numrin e të prekurve nga këto komunitete në nivel qendror.
Një tjetër gjetje shqetësuese është pjesëmarrja e ulët e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve në mësimin në distancë që ka filluar të ofrohet në fillim të prillit. Në Komunën e Ferizajt, mbi 50% e nxënësve romë, ashkalinj e egjiptas nuk e kanë ndjekur mësimin nga distanca.
“Nga 828 nxënës të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, 425 nuk e kanë ndjekur mësimin nga distanca”, thuhet në raport. “Në asnjërin nga nivelet e arsimit nuk ka ndonjë mësimdhënës të rregullt nga radhët e komunitetit rom, ashkali ose egjiptian. Janë vetëm tre mësimdhënës të angazhuar në mësimin shtesë”.
Situata ka qenë e ngjashme edhe në komunën e Lipjanit. “Në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët, nga 441 nxënës, mësimin nuk e kanë ndjekur 115 ose 26%, ndërsa në nivelin e mesëm të lartë, nga 30 nxënës, mësimin nuk e kanë ndjekur 19 ose 63% e nxënësve të këtyre komuniteteve”, thuhet në raport.
Ndërsa komuna e Fushë Kosovës nuk ka ofruar të dhëna se si ka shkuar mësimnxënia për nxënësit romë, ashkalinj e egjiptas.
Jasharaj thotë se nxënësit që janë pjesëtarë të këtyre komuniteteve kanë pasur vështirësi për shkak të mungesës së internetit apo pajisjeve teknologjike dhe si rrjedhojë nuk kanë qenë pjesë e mësimit në distancë. Sipas tij, këto shifra janë shqetësuese sepse në biseda me organizatat dhe aktivistët pranë këtyre komuniteteve është thënë se situata e krijuar mund të ndikojë që të shtohet numri i nxënësve që braktisin shkollimin. Komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas vazhdojnë të jenë ndër grupet më të prekura nga braktisja e shkollimit në Kosovë.
“Në kohë të vështira të dobëtit goditen më së shumti”, thotë Jasharaj.K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.