Kanë kaluar më shumë se 16 vjet prej kur Bashkimi Evropian dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën marrëveshje në Selanik për vlerat e përbashkëta të demokracisë, sundimit të ligjit, respektit për të drejtat e njeriut dhe minoriteteve, solidaritetit dhe ekonomisë së tregut. Këto vlera përbëjnë themelet e Bashkimit Evropian.
BE-ja e ka përsëritur mbështetjen e saj të padyshimtë për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe është shprehur qartë se e ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Evropian. Procesi dhe perspektivat e ofruara nga BE-ja do të shërbenin si stabilizues për reforma në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet një agjende të përbashkët, dhe përkushtimit ndaj zbatimit të saj nga të gjitha palët, deri në anëtarësimin e tyre në të ardhmen, siç ndodhi në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Procesi i anëtarësimit në BE ka qenë shtytës dhe mbështetës i rëndësishëm për pajtim në rajonin që kaloi nëpër një dekadë të trazuar më luftëra, konflikte etnike dhe kriza ekonomike e shoqërore. Ky proces e ka udhëhequr një rrugëtim drejt respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit për të gjithë.
Në këtë periudhë u ndërmorën hapa legjislativë për t’i mbrojtur më mirë të drejtat e komunitetit të personave Lezbike, Gej, Biseksualë, Transgjinorë dhe Interseks (LGBTI), duke qenë se integrimi në BE shërbeu si stabilizues për reforma në rajon. E pamë një kohë të përparimit të mirëfilltë sa u përket të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit, përfshirë këtu mbrojtjen e të drejtave themelore të personave LGBTI dhe njohjen e njerëzve LGBTI si pjesë e shoqërive të Ballkanit Perëndimor. Procesi i anëtarësimit i ka amplifikuar zërat e nismave dhe aktivistëve lokalë për të drejtat LGBTI, duke e ndihmuar shtytjen përpara të punës së tyre jetike për mbrojtjen e të drejtave LGBTI dhe shoqërive demokratike.
Shumica e shteteve kanë zhvilluar Plane Kombëtare të Veprimit për të drejtat LGBTI, të cilat kanë krijuar apo kanë paraparë mbrojtje ligjore për personat LBGTI kundër diskriminimit dhe dhunës, dhe për trajtim të barabartë. Për shembull, është inkuadruar njohja e partneriteteve ndërmjet personave të të njëjtës gjini. Gjithashtu janë inkuadruar procedura të njohjes ligjore të gjinisë që ua mundësojnë njerëzve t’i marrin dokumentet personale në bazë të vetëvendosjes.
Këto reforma në kornizën e procesit të anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE janë në vazhdim e sipër. Përparimi në përpjekjet për barazi për personat LGBTI ende është i brishtë dhe nuk duhet të merret si i mirëqenë. Planet Kombëtare të Veprimit për të drejtat LGBTI ende duhet të zbatohen në mënyrë të mirëfilltë anembanë rajonit. Në dhjetor, pas refuzimit të negociatave për anëtarësim dhe përkundër këshillave të Komisionit Evropian, Shqipëria shkoi disa hapa prapa sa i përket respektimit të lirisë së fjalës duke miratuar ligje të diskutueshme kundër shpifjes.
Vendimi për të mos i nisur bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pavarësisht përparimit dhe përpjekjeve të tyre të qarta, e dëmton kredibilitetin e procesit të anëtarësimit anembanë rajonit. Ky proces ka qenë fundamental për përmirësimin e të drejtave ligjore dhe pranimin shoqëror të personave LGBTI. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë hapa të rëndësishëm dhe, si shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, kanë demonstruar se sundimi i ligjit dhe respekti për të drejtat e njeriut dhe minoriteteve përbëjnë themelet e këtyre dy shteteve.
Maqedonia e Veriut miratoi shumë ligje për t’i mbrojtur të drejtat e personave LGBTI në 24 muajt e fundit, duke e konfirmuar thelbin e vlerave evropiane për të drejtat themelore duke e përfshirë në mënyrë eksplicite orientimin seksual dhe identitetin gjinor në legjislacionin e arsimit, mediat, dhe kundër diskriminimit dhe krimeve të urrejtjes. Shqipëria i miratoi disa ligje për mbrojtjen e njerëzve LGBTI nga diskriminimi në punësim dhe arsim, si dhe disa ligje për krimet e urrejtjes që e përfshijnë orientimin seksual dhe identitetin gjinor.
Në nëntor, Asociacioni për të Drejta të Barabarta për Komunitetin LGBTI në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi (ERA) i mblodhi mbi 200 mbrojtës të të drejtave të njeriut në kryeqytetin shqiptar Tiranën për konferencën rajonale të komunitetit LGBTI. Gjithashtu, marshi i parë i lezbikeve* u mbajt në rrugët e qytetit pa incidente. Ndërsa në qershor 2019, Maqedonia e Veriut e mbajti Paradën e Parë të Krenarisë në qershor 2019, dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e organizoi Konferencën e parë Kombëtare për Avancimin e të Drejtave LGBTI.
Dështimi i Këshillit Evropian për të lëvizur para me bisedimet për anëtarësim, pavarësisht përparimit të rëndësishëm të këtyre shtete, sjell jo vetëm rrezikun që qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të largohen nga procesi i zgjerimit, por edhe që besimi në këtë proces të humbet në rajon. Qeveritë nuk do të qëndrojnë më prapa përkushtimit të tyre për t’i mbështetur të drejtat e njeriut, përfshirë këtu ato të personave LGBTI, si një vlerë që duhet të mbrohet dhe përmirësohet.
Pa mbështetje të qartë nga BE-ja dhe duke e ndalur procesin e integrimit në BE, aktivistët dhe komunitetet LGBTI në Ballkanin Perëndimor përsëri rrezikohen nga margjinalizimi i shtuar dhe prapambetja. Ndërkohë, lëvizjet LGBTI do të kenë edhe më pak mbështetje dhe hapësirë për zhvillim.
Si në Evropë, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, kemi qenë dëshmitarë të rritjes së vazhdueshme të populizmit, ekstremizmit religjioz dhe politik, dhe rritjes së forcave të fuqishme që veprojnë kundër të drejtave të grave, të drejtave seksuale dhe të riprodhimit, dhe të drejtave LGBTI. Këto forca po bëjnë përpjekje për t’i kufizuar dhe rrezikuar të drejtat dhe liritë e personave LGBTI. Pasi që aktivistët dhe komunitetet LGBTI ende jetojnë në një Ballkan Perëndimor të brishtë dhe ende jo të formuar plotësisht, i cili ballafaqohet me shumë sfida që lidhen me të drejtat e njeriut, ne duhet ta deklarojmë keqardhjen tonë më të thellë dhe shqetësimin e lartë për gabimin historik të Këshillit Evropian, pra refuzimin për t’i nisur bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Prania e fuqishme dhe e përkushtuar e BE-së në Ballkanin Perëndimor është jetike për përmirësimin e përgjithshëm të pozitës së grupeve të margjinalizuara, si personat LGBTI. Mungesa e saj mund ta dëmtojë shumë procesin ende të brishtë që është zhvilluar në 15 vjetët e fundit. Lëvizja LGBTI në rajon, përfshirë këtu Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjithmonë e ka mbrojtur kauzën e integrimit në BE dhe vlerat e saj, sa herë që është pyetur. Ne e njohim BE-në si aleatin më të fuqishëm të shoqërisë civile LGBTI në rajon, dhe kemi luftuar plot guxim, siç po luftojmë ende, për përparimin e të drejtave të secilit individ LGBTI.
Pra u bëjmë thirrje BE-së dhe të gjitha Shteteve Anëtare që ta rrisin nivelin e ndërgjegjësimit për pasojat e gjera të kësaj situate dhe të bëjnë gjithçka që është e mundur për t’i zhbllokuar bisedimet për anëtarësim dhe për ta ritheksuar perspektivën evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Foto kryesore: Lazara Marinković.
Organizatat në vijim të cilat janë pjesëtare të ERA dhe ILGA-Europe dhe vijnë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë kontribuar në pikëpamjet e këtij shkrimi dhe i mbështesin ato: ILGA-Europe — European region of the International Lesbian, Gay, Bisexual, Trans and Intersex Association, ERA — LGBTI Equal Rights Association for Western Balkans and Turkey, Aleanca LGBT (Albania), Pink Embassy (Albania), The National Network Against Homophobia and Transphobia (North Macedonia) comprised of Coalition Margins, Macedonian Helsinki Committee, Subversive Front, HERA (Health Education and Research Association) and LGBT Support Center.