Pikëpamje | Zgjedhjet 2019

Pas euforisë, duhet të fillohen punët e vështira

Nga - 10.10.2019

Problemet e trashëguara dhe premtimet e mëdha e shtojnë presionin qytetar për ndryshime të shpejta.

Gjashtë tetori 2019 ishte ditë e veçantë për shumë arsye. Zgjedhjet e shtata parlamentare në Kosovë ishin mirë të organizuara, të qeta dhe shpresëdhënëse. Kur qytetarët e përfunduan obligimin e votimit në orën 19.00 pas procesit zgjedhor të zhvilluar pa incidente të mëdha, partitë politike e vazhduan korrektësinë politike, duke e pranuar rezultatin e zgjedhjeve. E rezultati i zgjedhjeve ishte i qartë: votuesit ndëshkuan partitë e koalicionit qeverisës PAN, duke i votuar partitë opozitare, Vetëvendosjen (VV) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). 

Falë një avantazhi të lehtë të VV dhe bazuar në interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014 se partia që del e para udhëheq dialogun për krijimin e qeverisë, tashmë është e qartë se për herë të parë në historinë e qeverisjes në Kosovë, qeveria do të udhëhiqet nga Vetëvendosje, me Albin Kurtin si Kryeministër.

Tentativat e disa partive politike, të disa mediave, opinionistëve dhe përfaqësuesve të huaj për të portretizuar Vetëvendosjen si një alternativë të pasigurt për të ardhmen e Kosovës, dështuan. Qytetarët e Kosovës më shumë preferuan një të ‘ardhme të pasigurt’, sesa ‘sigurinë’ që ua sjell keqqeverisja dhe korrupsioni i partive që udhëhoqën me vendin deri tash.

Një gjeneratë e re, me probleme të shumta, do të kërkojë ndryshime të shpejta ose do të shqyrtojë largimin e shpejtë nga vendi.

Por, ndonëse entuziazmi dhe shpresa e qytetarëve për ndryshim duhet të vazhdojnë, entuziazmi i Vetëvendosjes duhet të përfundojë me shtatë tetor. Nga shtatë tetori, entuziazmi duhet t’ua lëshojë vendin përgatitjeve intensive për një fillim sa më të mbarë të qeverisjes së re. Sa më i madh ndryshimi në qeverisje, aq më të mëdha kërkesat e qytetarëve. 

Duke marrë parasysh se VV ka premtuar ndryshim rrënjësor, është e pritshme që presioni për të performuar do të jetë tepër i madh. Problemet e shtresëzuara përgjatë viteve nuk do të ikin lehtë e shpejt. Dhe ky presion nuk do të jetë karakteristik vetëm për qeverisjen e Vetëvendosjes. 

Në fund të viteve ’60 të shekullit të kaluar, studiuesi Samuel Huntington vërente se faktori kryesor që ndikonte në jostabilitetin politik dhe social në vendet në zhvillim ishte se pritshmërië e qytetarëve rriteshin më shumë sesa kapaciteti i qeverive për t’i përmbushur ato. Ky presion për ndryshime të lehta e të shpejta është më i madh tani në shekullin XXI. Një gjeneratë e re, me probleme të shumta, por me qasje të pandërprerë në internet, që krahasimin e progresit nuk e bën me vitet e kaluara a me qeveritë paraprake, por me ç’po ndodh në vendet e zhvilluara të botës perëndimore, do të kërkojë ndryshime të shpejta ose do të shqyrtojë largimin e shpejtë nga vendi.

Sipas rezultateve të para zgjedhore, një koalicion potencial VV-LDK do të arrinte numrin prej së paku 61 deputetësh në Kuvendin e Kosovës dhe bashkë me partitë që përfaqësojnë grupet etnike minoritare, në koalicionin e ardhshëm qeverisës do të kenë fuqi të mjaftueshme për ta shtyrë përpara programin qeverisës.

Që në ditët e para të qeverisjes, qeveria e re duhet t’i adresojë sfidat e elaboruara në vijim.

Përbërja e qeverisë së re

Në bazë të asaj që ka deklaruar Kurti, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, gjatë debateve zgjedhore, qeveria e re do të përbëhet nga kryeministri, dy zëvendëskryeministra, 12 ministri dhe më së shumti 24 zëvendësministra. Pak a shumë, për të njëjtin formacion është deklaruar edhe LDK. 

Prandaj, sinjali i parë që qeveria e re do ta dërgojë tek qytetarët do të jetë dita e parë e punës: a do t’i përmbahet premtimit për përgjysmim të përbërjes së kabinetit qeveritar? Në rast se realizohet ky premtim, Kosova do të ketë qeverinë më të vogël nga viti 2004, kur kishte 13 ministri, 26 zëvendësministra dhe një zëvendëskryeministër.

Më pak ministra nënkupton më pak zyre të prokurimit, rrjedhimisht më pak mundësi për korrupsion.

Zvogëlimi i numrit të ministrive dhe të posteve ministore do të ndikojë edhe në zvogëlimin e shpenzimeve që lidhen me këto dikastere. Vetëm nga pagat e pozitave të larta në kabinetin qeveritar mund të kursehen mbi 11 milionë euro brenda një mandati të plotë qeverisës. Kursimet do të jenë dukshëm më të mëdha nëse llogariten edhe shpenzimet tjera që shkojnë me postin e një ministri, zëvendësministri a këshilltari politik, siç janë drekat zyrtare, veturat, telefonatat, mëditjet për udhëtime jashtë vendit, etj. Më pak ministri nënkupton më pak zyre të prokurimit, rrjedhimisht më pak mundësi për korrupsion.

Kursimet nuk janë efekti i vetëm që sjell një qeveri më e vogël, sepse në një qeveri më të vogël shtohet edhe efikasiteti. Në strukturën aktuale qeveritare janë nëntë ministri që mbulojnë aspekte të ndryshme të zhvillimit ekonomik. Njëra merret me tregti e industri, një tjetër me energjetikë, tjetra me zhvillim rajonal, një tjetër me investimet strategjike, etj. Me qëllim të koordinimit të ministrave, u paraqit nevoja për krijimin e grupeve ndërministrore, e më vonë edhe për koordinatorë të fushave për të cilat tashmë ekzistonin ministritë.

Prandaj, një qeveri më e vogël, siç është premtuar në fushatën zgjedhore, do t’i ulë shpenzimet, do t’i ulë keqpërdorimet, do të ngrejë efikasitetin dhe do të krijojë adresë të qartë të llogaridhënies.

Kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” dhe problemet në sektorin e energjisë

Më nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe koalicioni PAN i kanë lënë një barrë të madhe dhe afatgjatë qytetarëve të Kosovës. Kostoja e paraparë për ndërtimin e termocentralit prej 1.3 miliardë eurosh rrezikon shtrenjtimin e tarifave të energjisë për të pakten 44%. Po ashtu, me kontratë, shteti i Kosovës i garanton investitorit se i gjithë prodhimi do të blihet nga shteti dhe pastaj do të shitet me çmimin e tregut, duke i shkelë kësisoj ligjet e Kosovës dhe rregullat e Bashkimit Evropian për ndihmë shtetërore.

Fatmirësisht, duket se investitori nuk ka arritur t’i sigurojë financat për ndërtimin e termocentralit të ri dhe se shteti i Kosovës nuk do të ketë asnjë obligim ndaj investitorit në rast të prishjes së kontratës. Prishja e kontratës me Contour Global eviton një të keqe, por nuk do të thotë se qeveria e re do ta ketë të lehtë ta gjejë zgjidhjen e problemit të energjisë. Kosova duhet sa më parë të gjejë alternativë për termocentralin e stërvjetëruar ‘Kosova A’, i cili do të duhej të mbyllej më 2017.

Një alternativë e mbështetur gjatë fushatës zgjedhore nga Kurti është oferta e kompanisë gjermane “Bilfinger”, e cila parasheh revitalizimin e ‘Kosovës A’, për një afat kohor prej 18 muajsh deri në 6 vjet, dhe kalimi i termocentralit nën menaxhim të menjëhershëm tek qeveria e Kosovës. 

Për revitalizimin e ‘Kosovës A’ përmes ofertës së “Bilfinger” mund të pajtohet edhe partneri potencial i koalicionit, LDK. Në takimin e ish-kryeministrit Isa Mustafa me kancelaren gjermane Angela Merkel në qershor 2015, oferta e “Bilfinger” ishte paraqitur si formë e ‘ndihmës ekonomike’ për Kosovën nga vetë kancelarja Merkel. Por për shkak të planeve për ndërtimin e ‘Kosovës së Re’, oferta gjermane nuk kishte marrë përgjigje të qartë asnjëherë.

Revitalizimi i ‘Kosovës A’, njërit ndër termocentralet më të vjetra e më ndotëse në Evropë, mund të jetë opsion më i lirë sesa ndërtimi i ‘Kosovës së Re’ sipas kontratës së nënshkruar me ‘Contour Global’, por kjo assesi nuk e adreson problemin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike. 

Pas tërheqjes së mbështetjes për projektin e termocentralit ‘Kosova e Re’, Banka Botërore i ka ofruar ndihmë Kosovës për të gjetur zgjidhje duke u orientuar nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, duke përfshirë edhe instalimin e baterive të ‘Tesla’-s. Kjo ofertë e Bankës Botërore ishte përqeshur nga qeveria e kaluar, por duhet të rishikohet nga qeveria e re. Nëse bateritë e ‘Tesla’-s kanë arritur të zgjidhin problemet me furnizim të energjisë në Australi, pse jo edhe në Kosovë?

Kufizimi i shpenzimeve për veteranët e luftës

Qeverinë e re e pret një ‘ushtri’ prej mbi 38 mijë personave që marrin pensione të veteranëve të luftës. Pagesa mesatare mujore për pensionet e veteranëve sillet te rreth 6.4 milionë euro, kurse buxheti vjetor i afrohet 80 milionë eurove. Sipas hetimeve preliminare të prokurorisë, më se gjysma e personave që marrin pension të veteranit janë veteranë të rrejshëm (rreth 19 mijë persona).

Qeveria e udhëhequr nga Mustafa (LDK) në periudhën 2014-2017 dhe ajo e Ramush Haradinajt (koalicioni PAN) gjatë 2017-2019 nuk e kanë aprovuar asnjëherë raportin përfundimtar të veteranëve. Miratimi i raportit përfundimtar do të përmbyllte procesin e kategorizimit të veteranëve dhe do të lejonte hyrjen në fuqi të ndryshimeve të bëra në Ligjin për veteranët e luftës së UÇK, të cilat parashohin kategorizimin e veteranëve dhe kufizojnë shpenzimet vjetore për pensionet e veteranëve në 0.7% të GDP. 

Kategorizimi i veteranëve nënkupton se veteranët do të paguhen prej 120 euro deri 250 euro në muaj. Numri i atyre që paguhen 250 euro është shumë i vogël, ngase përfshin të gjithë ata ish-luftëtarë që kanë qenë aktivë nga viti 1991 deri në përfundim të luftës. Kësisoj, pensionet e veteranëve nuk ndërlidhen me pagën minimale, siç e parasheh ligji aktual.

Qeveria e re duhet të reformojë tërësisht sistemin e skemave sociale, duke i bazuar ato në gjendjen sociale, e jo në ‘statusin patriotik’.

Por, më e rëndësishmja, aprovimi i raportit përfundimtar për kategorizimin e veteranëve kufizon shpenzimet vjetore në 0.7% të GDP. Nëse kjo rregull do të ishte në fuqi tash, buxheti për veteranët sivjet nuk do të tejkalonte shumën prej 49 milionë euro. Kufizimi i këtillë i shpenzimeve nënkupton se lista e veteranëve mund të ketë deri në 100 mijë veteranë, por të gjithë ata duhet të ndajnë proporcionalisht buxhetin e destinuar për ta. Kështu, spastrimi i veteranëve të rrejshëm do të ishte më i lehtë ngase do të gjente mbështetje më të madhe nga vetë pjesëtarët e vërtetë të luftës. Aktualisht, Kosova shpenzon më se 1% të GDP për pensionet e veteranëve.

Përveç pensioneve të veteranëve, qeverinë e re e presin edhe 16 kërkesa për skema të reja pensionale, shumica për aktivizmin gjatë viteve të ’90-ta, si kërkesa për pensione për punëtorët shëndetësorë të viteve ’90, për policët e përjashtuar nga puna, shërbyesit civilë të përjashtuar nga puna gjatë viteve ’90, etj. Për t’i parandaluar skemat e reja pensionale të bazuara në këto kategori, qeveria e re duhet të reformojë tërësisht sistemin e skemave sociale, duke i bazuar ato në gjendjen sociale, e jo në ‘statusin patriotik’.

Zgjidhja e problemit të papunësisë dhe të emigrimit

Papunësia dhe emigrimi i popullsisë janë probleme të ndërlidhura. Papunësia e lartë dhe kushtet jo të mira të jetesës kanë shtyrë 15% të popullsisë që të largohen nga Kosova mes viteve 2007 dhe 2018. Ndërsa papunësia shkakton emigracionin, shkalla e lartë e emigracionit, sidomos e fuqisë punëtore, pamundëson zhvillimin ekonomik. 

Sipas ekonomistit Ruchir Sharma, asnjëherë në histori nuk ka pasur rritje ekonomike pa rritje të popullsisë në moshë pune prej së paku 2% në vit. Për ta kuptuar se cilat vende kanë probleme më të mëdha me humbjen e fuqisë punëtore, duhet të krahasohet numri i popullsisë në moshë pune, pra nga 15 deri në 65 vjeç, me ata që janë nën 15 dhe mbi 65 vjeç. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nëse vazhdon trendi aktual i emigrimit, do të ketë rënie të madhe të popullsisë në moshë pune dhe të popullsisë nën 15 vjeçe, dhe një rritje edhe më të madhe të popullsisë mbi 65 vjeçe.

Prandaj, çfarëdo që të bëjë qeveria e re, suksesi i saj do të matet me krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës. E kjo nuk do të jetë e lehtë fare. Sipas një sondazhi të NDI, papunësia është shqetësimi kryesor i 80% të popullsisë, kurse po të kishin mundësi, gjashtë prej dhjetë të rinjve të anketuar do të largoheshin nga vendi. 

Qeveria e re do të trashëgojë një ambient të pafavorshëm të trendeve ekonomike, meqë gjatë qeverisjes së PAN kemi parë zvogëlim të vendeve të punës, rënie të investimeve të huaja direkte, rritje të çmimeve të konsumit, rritje të deficitit tregtar. Kthimi i besimit të investitorëve duhet të jetë prioriteti kryesor i qeverisë së re.

Transparenca, llogaridhënia dhe luftimi i korrupsionit

Treguesi më i mirë i transparencës në qeverisjet e kaluara është se qytetarët asnjëherë nuk e kanë ditur numrin e zëvendësministrave, pra njërën ndër informatat më bazike. Ka filluar e ka mbaruar mandati i qeverisjes PAN dhe të gjitha mediat dhe raportet e shoqërisë civile kanë raportuar për “rreth 80 zëvendësministra”, pa e ditur asnjëherë numrin e saktë. 

Kontratat më të rëndësishme që kanë marrë miliarda euro të buxhetit të shtetit, siç janë ato për autostradat, vazhdojnë të mbeten të mbyllura. Shpenzimet e luksit të ministrive nuk raportohen asnjëherë.

Mjafton të hapim cilindo raport të auditimit të financave të institucioneve publike, për t’u shokuar nga niveli i keqpërdorimeve. Nëse kuantifikohen të gjitha shpenzimet e parregullta të buxhetit, të identifikuara në raportet vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit, del se mesatarisht 15% e buxhetit shtetëror shpenzohet në mënyrë joligjore. Dhe për këtë pakkush jep llogari.

Qeveria e re duhet ta ketë prioritet transparencën radikale. Studime të shumta kanë dëshmuar se transparenca, sidomos sa u përket planifikimeve dhe shpenzimeve buxhetore, rrit besimin e investitorëve, pamundëson korrupsionin dhe ndalon manipulimet me buxhetin në kohë fushatash zgjedhore.

Dialogu me Serbinë

Përmbyllja e dialogut me Serbinë është shqetësim i vetëm 7% të qytetarëve të Kosovës. Por është prioriteti kryesor i bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj, që në ditët e para, qeveria e re do të përballet me presionin e vazhdimit të negociatave dhe të arritjes së një marrëveshjeje finale me Serbinë. E as këtu qeveria e re nuk do ta ketë aspak të lehtë. 

Serbia ka arritur që të bindë bashkësinë ndërkombëtare se, pa pëlqimin e saj, Kosova nuk mund të dalë nga status quo-ja. Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe ShBA-në, kërkon nga Kosova që të bëjë sakrificat e radhës, në këmbim të sigurimit të një marrëveshjeje finale me Serbinë. 

Çfarë kompromisi të ri mund të bëjë Kosova, e që në të njëjtën kohë të ruajë funksionalitetin shtetëror? Edhe ashtu, mundësia e vetos që kanë përfaqësuesit politikë të minoritetit serb, bashkë me kundërshtimin e vazhdueshëm të shtetit të Kosovës, mban Kosovën në teh të funksionalitetit shtetëror.

Hapja e Pakos së Ahtisaarit dhe dhënia e më shumë të drejtave vetëm sa do të pamundësonte vendimmarrjen institucionale dhe rrezikon shndërrimin e Kosovës në një Bosnje të dytë, me ndikim të përhershëm nga Serbia. Në anën tjetër, çdo marrëveshje finale që parasheh ndryshimin e kufijve nuk do të ketë mbështetjen e qytetarëve. 

A do të arrijë qeveria e ardhshme që ta ndërrojë këtë kurs dhe ta heqë presionin ndaj Kosovës për kompromise të ardhshme? Pak e besueshme, sidomos kur kihet parasysh se që në fillim Qeveria Kurti do të shikohet me mosbesim nga partnerët ndërkombëtarë, për shkak të qëndrimeve të deritashme ndaj dialogut. 

Udhëheqja e deritashme e negociatave nga qeveritë e mëparshme duket se e ka prurë Kosovën para një akti të kryer të kompromisit të ri. Ky kurs do të mund të kthehej vetëm nëse arrihet konsenus i gjerë i të gjitha partive politike. Por edhe kjo është vështirë e arritshme në një skenë kaq të polarizuar politike.

Këto sfida, së bashku me problemet tjera të mëdha në fushën e arsimit, të shëndetësisë dhe të mbrojtjes së mjedisit, nuk do të jenë të lehta për t’u zgjidhur. Kritikat e vazhdueshme ndaj qeverive të gjertanishme për mosadresimin e këtyre sfidave nuk janë bërë ngase janë konsideruar sfida lehtë të zgjidhshme, por për faktin se deri më sot këto probleme janë shpërfillur.

Prandaj është shumë e rëndësishme që qeveria e re ta fillojë mbarë dhe sa më shpejt adresimin e sfidave. Krijimi i vendeve të reja të punës, ndalja e emigracionit, zgjidhja e problemit të energjisë, reformimi i skemave sociale, transparenca në qeverisje dhe llogaridhënia, reformimi i arsimit dhe i shëndetësisë janë të gjitha probleme që duhet të trajtohen njëkohësisht. 

Përndryshe, ndëshkimi i votuesve do të arrijë më shpejt sesa që arriti për partitë e koalicionit PAN. Sipas ekonomistit amerikano-jugor Moisés Naím, “në shekullin XXI, pushteti lehtë fitohet, vështirë mbahet, e edhe më lehtë humbet”.

Foto Kryesore: Arrita Katona / K2.0

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.