Dita ishte e vranët dhe meteorologët njoftuan për reshje shiu. “Pavarësisht se çfarë thonë meteorologët, nuk do të na ndalin”, tha Jelena Lacman në telefonatën e shkurtër teksa ecte me dy djem, Nikola dhe Pavle, për në vendtakim në shëtitoren Vito Nikolić nën malin Trebjesa, në kodrën me pamje nga qyteti i vjetër i Nikšić.
Në atë fundjavë nëntori, Lacman, Ivana Čogurić dhe një grup vullnetarësh nga Nikšić — të cilët ia kanë kushtuar kohën e lirë pastrimit të Niksić-it gati që një vit— po mblidheshin për një aksion tjetër. Të bashkuar rreth iniciativave Ekopatriotizam (Eko-patriotizëm) dhe Ekobonton (Eko-sjelljet), e kanë bërë këtë, duke kërkuar nga të gjithë në Mali të Zi ta bëjnë të njëjtën gjë për nëntë muajt e kaluar. Deri tani, kanë kryer mbi 40 aktivitete zyrtare dhe kushedi sa veprime tjera spontane.
Lëvizja filloi rreth një vit më parë, në një kohë paqëndrueshmërie politike për Malin e Zi, kur një konflikt i zgjatur me Kishën Ortodokse Serbe dhe pasojat e pandemisë kishin çuar në një ndryshim të pushtetit. Pastaj një valë e re COVID-19 i dha fund të hershëm debatit përmes mbylljes së re.
Ky ishte momenti kur Jelena Lacman, Ivana Čogurić, Bojana Kršikapa dhe Jelena Jovićević vendosën ta zëvendësonin kafen e përhershme të tyre të mëngjesit, madje edhe kafen e pasdites, me një ecje. Ndonëse prej vitesh jetonin në “qytetin nën Trebjesa”, vetëm tani e kuptuan se sa shumë mbeturina kishte rreth tyre.
Për herë të parë, i panë grumbujt e mbeturinave në rrugën e tyre dhe ato deponi të vogla plehrash në vendet më papritura, siç është kodra që nga njerëzit e Nikšić-it është cilësuar gjithmonë si “mushkëritë e qytetit”. Vendosën t’i zëvendësojnë ecjet e tyre me veprim. Kësisoj, i sollën diçka të re debatit: qese plehrash, doreza pastrimi, gërbujë, lopata dhe kositëse.
Pak para orës 11:00, Lacman arriti tek vendi i dakorduar — hapësirën e zbrazët midis kishës dhe muzeut në fillim të shëtitores Vito Nikolić. Këtu fillimisht e nisën pastrimin, gjë të cilën e kishin bërë edhe disa ditë më herët, por ka tepër shumë mbeturina për t’u mbledhur. Një grup njerëzish ishin bashkuar tashmë pavarësisht motit, më të rinjtë në mesin e tyre ishin parashkollorët. Dorezat shumëngjyrëshe vëreheshin lehtësisht nga larg dhe tashmë ndihej energjia pozitive e punës.
Dy ditë më herët, Ivana tha se kishte një seminar të planifikuar dhe se nuk do të ishte në qytet. Megjithatë, erdhi, e veshur me xhup të thjeshtë dhe çantë shpine në vend të veshjes serioze; kishte pirë kafe në shtëpi dhe erdhi me nxitim. Kur e pyeti dikush se a do të duhej të ishte në seminar, u përgjigj thjesht me një buzëqeshje: “E anulova. Seminare tjera do të ketë, si mund ta humbas këtë aksion?”
Krejt ishin aty, ndonëse një pjesë e Klubit të Alpinizmit dhe Skijimit Javorak do të mbërrinte pak më vonë — po përgatisnin drekën. Kishin qenë aty që nga fillimi, Nada Tadić me të rinjtë.
“Punën e kujt po e bëjmë?”
Ajo e diel ishte aksioni i parë i pastrimit, të cilit iu bashkuan zyrtarë lokalë të Nikšić-it, të drejtuar nga kryetari i ri i kuvendit Nemanja Vuković, i cili e kishte zëvendësuar kostumin e tij me një xhup dhe atlete.
“Jemi të vetëdijshëm se imazhi mjedisor i Nikšić-it është i tmerrshëm. Besoj se të gjithë duhet të kontribuojmë që qyteti ynë të bëhet një vend më i bukur dhe më i pastër për të jetuar”, tha ai me një gërbujë në duar.
Lacman, nga ana e saj, mendon se çfarë i provokoi zyrtarët lokalë të ndërhyjnë dhe të bëhen pjesë e këtyre aksioneve është fjalia “Punën e kujt po e bëjmë?”.
“Menduan se po u bënim thirrje dhe u ndienë të turpëruar që dikush tjetër po e bënte punën e tyre”, tha ajo. “Kjo nuk ka rëndësi për ne, e kuptojmë se edhe ata kanë nevojë për ndihmë dhe jemi të gatshëm ta ofrojmë atë. Duam të shërbejmë si model dhe t’i ftojmë krejt ata që janë të gatshëm të na bashkohen”.
Ajo dëshiroi ta theksojë se e rëndësishmja është se zyrtarët lokalë më në fund e kuptuan rëndësinë e çështjes. Ekopatriotët, siç e quanin veten e tyre, e kanë pastruar qytetin për tetë muajt e fundit me pak ose aspak ndihmë zyrtare.
![](https://kosovotwopointzero.com/wp-content/uploads/2021/12/MNE-eco-activists_001.jpg)
Vullnetarët dhe punonjësit e komunës pastrojnë në Nikšić. Foto: Milica Radovanovic
Por, atë ditë në vendngjarje qenë edhe punëtorët e Ndërmarrjes Publike me makineri të ndryshme dhe një kamion, ndërsa drejtori solli sharrën e tij elektrike. Kryetari i kuvendit lokal të Nikšić-it u doli në mbrojtje të punonjësve të tij, duke fajësuar paraardhësit e tij dhe duke premtuar përmirësime thelbësore.
Ankesat për kompaninë e shërbimeve nuk janë aspak të reja. Një herë kërkoi kompensim financiar për largimin e plehrave në liqenin e Krupac-it, pak kilometra larg qendrës së Nikšić, ndonëse kjo është pikërisht detyra dhe funksioni i saj. Kjo, tha Vuković, është një praktikë e së kaluarës.
Autoritetet lokale po luajnë po ashtu me idenë e futjes së një shërbimi specifik të rojeve mjedisore dhe të koordinohen me Policinë Komunale dhe inspektimin komunal për këtë çështje për t’u siguruar që ata që hedhin mbeturina të sanksionohen. Sipas tyre, kjo duhet të ndihmojë në ndërtimin e një “marke mjedisore” për Nikšić-in.
Megjithatë, është e paqartë se sa lehtë këto dëshira do të përkthehen në realitet. Shumë shpesh, premtimet e kaluara politike nuk u pasuan me veprime konkrete nga ata në pushtet. Kjo ndodh, pavarësisht se Kushtetuta e shpall Malin e Zi si Shtet Ekologjik në nenin e saj të parë. Ndërkohë mbeturinat vazhdojnë të grumbullohen.
Në prill, Ministria e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit ftoi përfaqësuesit e Ekopatriotizam dhe Ekobonton të bisedojnë me ta. Megjithatë, siç rezulton, vullnetarët besojnë se “na ftuan të bisedonim vetëm për hir të vetëpromovimit të tyre. Shpresoj që e njëjta gjë të mos ndodhë me autoritetet lokale; se bashkëpunimi ynë nuk do të kufizohet në këtë. Nuk mund t’i bëjmë të gjitha vetë”, tha Lacman.
Lëvizjet e gjelbërta
Lacman mendon se arsyeja pse njerëzit u besojnë është se nuk përfitojnë nga aktivizmi i tyre. “Jemi një grup vullnetarësh. Gjithçka që bëjmë e bëjmë për veten tonë, për fëmijët e ardhmja e të cilëve varet nga kjo, për të gjithë njerëzit që jetojnë në qytetin dhe vendin tonë”.
Po ashtu ajo theksoi se bashkëqytetarët e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj pune dhe kësisoj kanë dhuruar pajisje, mjete dhe materiale, por se i refuzojnë donacionet monetare. Duan ta shmangin çdo lloj përfitimi material, theksoi ajo, duke shtuar se për këtë arsye nuk deklarohen si organizatë joqeveritare.
Edhe pse pastrimi i plehrave të njerëzve tjerë ndonjëherë duket i kotë për Lacman, ajo beson se vetëm duke ndryshuar mendësinë individuale mund të ndryshojë diçka. Në fund të fundit, plehrat po i varrosin të gjithë në masë të barabartë.
“Ndonjëherë na duket se e gjithë kjo është e kotë; pas pastrimit të një vendi, ne kthehemi pas shtatë ditësh dhe gjejmë mbeturinat e vjetra dhe të reja në po të njëjtin vend”, u ankua ajo. Megjithatë, shtoi se është e bindur se ia vlen t’i vetëdijsosh të gjithë për rëndësinë e mjedisit, edhe pse nuk është e sigurt se sa kohë mund të marrë.
![](https://kosovotwopointzero.com/wp-content/uploads/2021/12/MNE-eco-activists_002.jpg)
Jelena Lacman është njëra nga drejtueset kryesore të iniciativës. Foto: Milica Radovanovic
Teksa po ngjitej në shtegun e ngushtë pas kishës së Katedrales, me varrezat e qytetit në njërën anë dhe shëtitoren nga ana tjetër, Nikola 8-vjeçar e takoi atë në një shteg të rrëshqitshëm të bërë nga një grumbull gjethesh të rëna. Ai po e mbante një qese të madhe me mbeturina mbi shpatullën e tij të majtë, gjersa tërhiqte një kuti teneqeje me dorën e djathtë.
“A është kjo pjesë e një arkivoli?”, mërmëriti me vete ndërsa ndaloi, e vetëdijshme se varrezat kryesore janë afër. Kur u kthye dhe e mori teneqen nga Nikola, u trondit — jo nga ngarkesa e djalit, por sepse vetëm sa kishin hequr më shumë se 40 thasë të mëdhenj mbeturinash nga i njëjti vend. Dhe jo vetëm, ata madje kishin pastruar këtë zonë të paarritshme diku gjashtë muaj më parë.
Pavarësisht gjithçkaje, të gjithë dukeshin të gëzuar. Ekipi po qeshte dhe po bënte shaka, duke e inkurajuar njëri-tjetrin për të punuar. Në sfond, zhurmës së tyre iu bashkua edhe zhurma e një sharre elektrike dhe një makinë prerëse për të krijuar një kolonë zanore.