Outloud Podcast

Paun Živković, mësuesi i zhdukur i Ferizajt

Nga - 02.03.2022

Një vajzë pret përgjigjet.

Jasmina Živković-Jovanović na pret në oborrin e saj, afër hyrjes së qytetit të vogël të Štrpce. Ajo na drejton për në dhomën e saj të ngrohtë e të rehatshme të ndejës, nga e cila shihen malet malet piktoreske të Sharrit.

Jeta e saj kryesisht sillet rreth familjes së saj dhe qytetit të vogël. Por sa herë që ka mundësi, ajo udhëton për në Prishtinë për të marrë pjesë në takimet e Qendrës Burimore të Personave të Zhdukur, organizata kryesore joqeveritare që punon për t’i zgjidhur rastet e personave të zhdukur gjatë luftës dhe menjëherë pas saj.

Jasmina dhe familja e saj ende nuk kanë asnjë informacion rreth vendndodhjes së babait të saj, Paun Živković, i cili u zhduk në vjeshtën e vitit 1999.

Mes janarit të ’98-tës dhe dhjetorit të ’99-tës, më shumë se 13,000 njerëz u vranë ose u zhdukën gjatë luftës në Kosovë. Mbi 10,000 ishin civilë. Fondi për të Drejtën Humanitare vlerëson se në Kosovë janë vrarë 8693 shqiptarë, 1196 serbë, 445 romë dhe minoritete të tjera.

Në qershor të vitit 1999, Paun dhe familja e tij u larguan nga Ferizaj, ku kishte punuar si drejtor i shkollës së mesme teknike, duke u shpërngulur në Štrpce. Ky ishte fati i shumë serbëve të tjerë vendas, të cilët u frikësoheshin sulmeve hakmarrëse të shqiptarëve në boshllëkun e pushtetit të krijuar nga tërheqja e makinerisë serbe të luftës.

Më 28 shtator të njëjtit vit, bashkë me punonjës të tjerë të shkollës serbe dhe i shoqëruar nga trupat polake të KFOR-it, Paun shkoi në vendin e tij të mëparshëm të punës për t’i mbledhur dokumentet e nevojshme për ta vazhduar vitin e ri shkollor në Štrpce. Kjo ishte edhe hera e fundit që ai u pa.

Në këtë podcast në vetë të parë, Jasmina flet me K2.0 për mënyrën se si e kujton babain e saj, heshtjet gjatë festave ortodokse dhe ditëlindjeve familjare si dhe konceptin e saj për drejtësinë.

 

 

 

 

Ky podkast është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e tij i takon vetëm Kosovo 2.0 dhe Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Pse kjo klauzolë?