Paguaj për të jetuar — Ekzaminim i sistemit të shëndetësisë

  • Kronikë dhe fotografi nga ngjarja
  • Më shumë debat mbi shëndetësinë i bën mirë shoqërisë

    Nga Eraldin Fazliu – 14.06.2018

    Kosovo 2.0 diskuton për sfidat e shëndetësisë kosovare.

    Mbrëmë në oborrin e Kosovo 2.0 për më shumë se dy orë u diskutua mbi sistemin shëndetësor në Kosovë. Ky debat i moderuar nga gazetarja e Kohës Ditore Saranda Ramaj, ishte vazhdimësi e diskutimit mbi shëndetësinë kosovare pas publikimit të monografisë nga Kosovo 2.0 këtë muaj.

    Anëtarë të panelit ishin Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, Artan Mustafa hulumtues dhe ligjërues në fushën e Politikave shtetërore të mirëqenies, Gresa Smolica koordinatore e projektit në Lëvizja FOL, Mrika Aliu drejtore ekzekutive në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.

    I pari që e morri fjalën ishte Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili. Ai e filloi debatin me një hyrje të përgjithshme të gjendjes së vështirë të sistemit shëndetësor dhe rolin që institucionet kanë treguar.

    “Kosova në dekadën e fundit ka pasur prioritete të ndryshme, por shëndetësia nuk ka qenë realisht prioritet dhe sistemi shëndetësor është pothuajse në gjendje depresive,” tha Ismaili.

    Edhe pse qeverisjet në dekadën e fundit gjithnjë e kanë pozicionuar shëndetësinë si prioritet në fushatat zgjedhore, në realitet nuk ka qenë pjesë e fokusit të tyre.

     Foto: Atdhe Mulla.

    Ministri vëri në dukje se kjo gjendje ka sjellë përveq zhgënjimit të qytetarëve me shërbime, edhe vet punëtorët shëndetësorë të jenë të pakënaqur me sistemin e shëndetësisë. “Kjo gjendje tregon se çfarë depresioni ka sektori i shëndetësisë dhe tash e kemi të vështirë të tërheqim edhe talentë të fushës që të vijnë e të punojnë për ne,” tha ai.

    Ismaili e përfundoi pjesën e parë të fjalimit duke thënë se ndër sfidat kryesore të ministrisë që ai drejton, mbetet rritja e buxhetit për shëndetësinë dhe rritja e reputacionit të dëmtuar.

    Mrika Aliu që është drejtoreshë ekzekutive e fondacionit humanitar Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, foli specifikisht për bashkëpunimin me institucionet publike dhe kontributin e përbashkët në uljen e shkallës së vdekshmërisë së fëmijëve dhe nënave në Kosovë.

    “Në vitin 2000 kemi pasur 65 vdekje maternale e në vitin 2015 nuk është shënuar asnjë vdekje,” tha ajo.

    Foto: Atdhe Mulla.

    Po ashtu, organizata ku punon ajo është përqendruar në furnizim me paisje specifikisht në klinikat e Pediatrisë, Gjinekologjisë dhe Neanologjisë, ku mungesa vërehet edhe më shumë. “Fokusi i ndihmës sonë është i orientuar me furnizim të paisjeve dhe medikamenteve mjekësore të cilat janë të nevojshme për të ofruar shërbime shëndetësore”, tha Aliu.

    Ndërsa Artan Mustafa, hulumtues në fushën e politikave shtetërore të mirëqenies e vazhdoi bisedën rreth ligjit për sigurime shëndetësore. Ky ligj, edhe pse ka kaluar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014 vazhdon të mbetet i paimplementuar.

    Sipas ligjit aktual 3,5 përqind të sigurimeve shëndetësore duhet të paguhen nga punëdhënësit dhe 3,5 përqind nga punëtorët. Por, duke llogaritur faktorë relevantë në Kosovë – indikatorët e korrupsionit të lartë në administratën publike, trashëgiminë e dobët të kujdesit shëndetësor publik që nga paslufta dhe mundësitë më të mëdha të tregut privat për t’u reformuar dhe për t’iu përgjigjur nevojave të konsumatorëve – institucionet private shëndetësore pritet të përfitojnë më shumë nga zbatimi i sigurimit të obliguar shëndetësor.

    Foto: Atdhe Mulla.

    Më tutje, Mustafa i cili ka kontribuar në monografinë e Kosovo 2.0 me një analizë për ligjin mbi sigurimet shëndetësore, ka folur mbi të tjera mangësi të ligjit aktual që nuk po gjejnë zbatim “Të varfërit kanë me qenë shtresa më e dëmtuar kur premiumet shëndetësore fillojnë të mblidhen e përfitues më të mëdhenj do të jenë institucionet private shëndetësore,” tha ai.

    Sipas tij, numri i madh i të papunëve dhe numri i vogël i punësimit, nuk do të mbush arkën e fondit për sigurimet shëndetësore. Poashtu, ai shprehi dilema rreth numrit të madh të atyre që do të përjashtohen nga pagesa e premiumeve, duke cekur numrin e madh të veteranëve të luftës.

    Mustafa e përfundoi hyrjen duke thënë se shteti i Kosovës historikisht ka qenë i padrejtë në dhënien e shërbimeve shëndetësore.

    “Edhe gjatë periudhës së vetqeverisjes socialiste [ish RSFJ Jugosllavisë] edhe tash kur jemi si shtet, shteti është shumë i mirë për 20 përqind të shoqërisë e sidomos për 10 përqindshin më të pasur”, ka thënë Mustafa, duke cekur se përqindja më e madhe e qytetarëve nuk kanë qasje për një kujdes më të mirë në shëndetësi, diçka

    që po manifestohet me pabarazinë më të madhe në Evropë dhe me emigracion të lartë.

    Ministri Ismali u përgjigj, duke thënë se ligji është në revidim dhe janë duke aplikuar një qasje “strikte” në kategorizim. Kur u pyet nga gazetarja Ramaj, nëse mund të ndaj detaje rreth elementeve kryesore të revidimit të ligjit, Ismaili tha se ende janë në proces dhe që nuk mund të flasë pa i finalizuar detajet. Por, sipas tij, fundi i vitit 2019 mund të jetë data më e afërt se kur mund të filloj implementimi i ligjit për sigurime shëndetësore.

    Ndërsa Gresa Smolica, koordinatore e projektit në Lëvizja FOL si dhe pjesë e panelistëve të debatit, ka folur mbi hulumtimet që i ka bërë organizata ku ajo punon mbi korrupsionin në institucionet shëndetësore dhe implikimet që mund të ketë kjo në zbatimin e ligjit për sigurimet shëndetësore.

    “Qytetarët e marrin si natyrale formën e dhënies së rryshfetit, që mandej me pas dobi ose me marr shërbim më të mirë shëndetësor,” tha ajo.

    Foto: Atdhe Mulla.

    Më tutje, debati vazhdoi me pjesëmarrësit prezent, shumica e të cilëve iu drejtonin ministrit dhe ndanin përvojat personale rreth qasjes në shërbime dhe pajisje.

    Ndër çështjet e përmendura ishin mungesa e medikamenteve bazike sikur penjëve, mos dhënien e shërbimeve elementare përfshirë edhe problemet me furnizim të medikamenteve të kancerit, mungesa e më shumë makinave MRI nëpër qendrat rajonale, e që janë esenciale për diagnoza për ekzistencën e tumoreve dhe për lëndime të brendshme, e deri tek mosfunksionimi i ashensorëve në spital.

    Nga biseda, u rikonfirmua që problemet e shëndetësisë që janë shtresëzuar me vite, do u duhet kohë për kurë. Por nevoja për më shumë informim dhe debate mbetet po aq e rëndësishme, e posaqërisht ndërmjet përfaqësuesve institucional dhe qytetarëve.K

    Fotografitë: Atdhe Mulla / K2.0.

  • Rreth kësaj bisede
  • Të gjithë sëmuren ndonjëherë, është fakt i pashmangshëm i jetës. Po ashtu, të gjithë kanë të drejtë universale për kujdes shëndetësor, për veten dhe familjen. Megjithatë, këtu i vjen fundi barazisë.

    Përderisa shëndeti është një e drejtë e jo luks, qeveritë kosovare një pas një, kanë dështuar ta transformojnë plotësisht sistemin publik të shëndetësisë për t’i ofruar qytetarëve shërbime shëndetësore kualitative, të qasshme dhe të bollshme. Ndonëse niveli i investimeve publike në institucionet publike të shëndetësisë është i ulët dhe korrupsioni mbetet problem i madh, institucionet private të shëndetësisë shpeshherë kanë përfituar nga kjo situatë. Në pjesën më të madhe të rasteve, burimet ekonomike personale janë të vetmet që garantojnë trajtimin për qytetarët.

    Përgjatë kësaj kohe, reformat e premtuara për një kohë të gjatë, siç janë prezantimi i Fondit për Sigurim Shëndetësor, janë vonuar vazhdimisht.

    Përderisa asnjë shtet tjetër në kontinent nuk e ka jetëgjatësinë më të ulët se në Kosovë, cilët janë hapat që duhet të ndërmirren për t’i siguruar qytetarët e Kosovës, që të mos paguajnë për të jetuar? A i ka të gjitha përgjigjet Fondi për Sigurim Shëndetësor? Çfarë mund të bëhet për qytetarët më të margjinalizuar që të kenë qasje në të drejtën themelore për kujdes shëndetësor?

    Bashkohuni me ne të mërkurën, më datë 13 qershor, nga ora 18:00, në oborrin e Kosovo 2.0 për një diskutim të hapur mbi qasjen në kujdesin shëndetësor në Kosovë.

    Për të nisur diskutimin, kemi ftuar:
    – Uran Ismaili – Ministër i Shëndetësisë
    – Artan Mustafa – Hulumtues dhe ligjërues në fushën e Politikave shtetërore të mirëqenies
    – Gresa Smolica – Koordinatore e projektit në Lëvizja FOL
    – Mrika Aliu – Drejtore Ekzekutive në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë

    Moderatore: Saranda Ramaj, gazetare.

    Adresa: Kosovo 2.0, Rr. Rustem Statovci 50-1 (përballë hyrjes së Parkut të Qytetit).K

  • Shikojeni këtë edicion tani
  • Rreth folësve/eve
  • Time:

    6:00 pm

    Place:

    Kosovo 2.0

    Date:

    13/06/2018