Në një ditë dimri në vitin 2018, kur po mësoja për provimet e afatit të janarit në Bibliotekën Kombëtare, të lehurat e qenve ma hoqën vëmendjen prej leximit në antropologji. Ulur pranë dritares së madhe të bibliotekës, nuk mund të mos ktheja kokën për të parë se çfare po ndodhte jashtë.
Një burrë, i cili mund të ishte në të pesëdhjetat, teksa ecte me disa qese në duar, në shumë pak sekonda u rrethua nga disa qen, me gjasë ishin tre prej tyre. Për disa minuta, u përpoq t’i largonte qentë, duke bërtitur dhe duke i lëvizur duart. Izolimi i dobët i objektit të bibliotekës e lejonte të lehurën dhe britmat e tij të përshkonin muret dhe ashtu e shtangur vazhdova të shoh atë që ndodhte jashtë. Shikova përreth nëse edhe dikush tjetër po shihte, por vendi ishte mjaft i zbrazët.
Atë ditë nuk qëndrova deri vonë në bibliotekë siç bëja zakonisht. Tash, kampusi i universitetit, objekti i bibliotekës dhe ambienti përreth u shndërruan në hapësira ku ecja me shumë kujdes dhe të cilat, përpiqesha t’i evitoja.
E gjithë kjo për shkak të asaj që pashë. Ky ndryshim i menjëhershëm i sjelljes më solli nëpër mendje disa pyetje. A duhet të shndërrohen hapësirat tona të përditshme në hapësira të cilave iu shmangemi sepse kemi frikë nga qentë endacakë? Dhe a duhet që qentë të asociohen me qenie të frikshme dhe kërcënuese? Mendoj që në të dy pyetjet, përgjigja është jo.
Një zgjidhje për të gjithë
Nuk është çudi që rrugëve të kryeqytetit të hasësh në grupe të mëdha të qenve endacakë, të cilët, ekspozohen ndaj kushteve të vështira atmosferike, mungesës së ushqimit, situatave të rrezikshme. E përpos kryeqytetit, problemi i qenve endacakë shtrihet në të gjithë territorin e vendit tonë, në zona urbane e rurale.
Frika prej sulmit nga qentë endacakë, shpeshherë i detyron njerëzit që të gjejnë rrugë alternative për t’iu shmangur vendeve ku qentë rrinë zakonisht. Shumë prej nesh veç i dimë këto vende. Kampusi universitar, parqet e shpeshherë edhe sheshet kryesore të qyteteve, janë veç disa prej tyre.
Halli me qentë endacakë është i kahershëm, ashtu siç janë edhe fjalët e premtimet për zgjidhje të këtij halli. Por, duket se kohëve të fundit –– qoftë për shkak të ankesave të qytetarëve që janë sumuar nga ta, apo si rezultat i aktivizmit për mbrojtjen e kafshëve të grupeve të ndryshme në rrjete sociale e jashtë tyre –– kjo çështje ka marrë më shumë vëmendje.
Lëvizjet dhe iniciativat që thërrasin për përkujdesje për qentë endacakë në kryeqytet, për t’i ushqyer e për t’i vaksinuar janë padyshim të rëndësishme, mirëpo përpjekjeve për zgjidhjen e këtij problemi duhet t’i bashkohen institucionet përkatëse. Vetëm kështu mund të zhvillohet një plan afatgjatë që do të çonte në adresimin e kësaj sfide me të cilën përballemi.
Zgjidhja, teksa duhet t’i mbrojë qytetarët nga rreziku, duhet të përfshijë domosdo vetëdije për të drejtat e kafshëve. Ashtu siç është e zakontë në Kosovë, edhe në këtë rast, mund të marrim praktika e të inspirohemi nga shtetet tjera.
Së pari, në sistemin arsimor, mund të përfshihet më shumë edukim apo mundësi për nxënësit që të ndërveprojnë me kafshë, të mësojnë për to dhe të kultivojnë dashuri për to. Kjo do të çonte në kuptueshmëri më të lartë për të drejtat e kafshëve dhe do të shtonte adoptimin e qenve endacakë. Kështu do të kultivohej një mendësi që qentë endacakë nuk i përjeton si armiq, por si miq.
Së dyti, investimi në strehimore është thelbësor. Sa më shumë strehimore që përmbushin kushtet e nevojshme për kafshët dhe që operojnë me ekipe të specializuara, aq më pak qen endacakë do të ketë në rrugë e rrjedhimisht më pak rrezik për qytetarët.
Së treti, kampanja të udhëhequra nga institucionet lokale dhe qendrore për adoptimin e kafshëve, respektivisht qenve endacakë, në vend të blerjes së kafshëve do të çonte te interesimi më i shtuar e potencialisht te adoptimi. Kjo normalisht lidhet me pikën e parë dhe të dytën. Po të kishte mjaftueshëm strehimore, mundësia për adoptim do të ishte më e lehtë. Nevojitet bashkëpunim midis institucioneve dhe lëvizjeve të ndryshme për mbrojtjen e kafshëve që ky proces të jetë i qasshëm dhe i dëshirueshëm.
Jemi mësuar të shohim lajme për sulmet nga qentë endacakë, por jo aq thirrje për t’i adoptuar ata. Thirrjet për adoptim bëhen kryesisht në baza individuale nga njerëz vullnetmirë, por ndërhyrja e institucioneve që kanë burimet dhe mundësinë për të përfshirë më shumë qytetarë në këto përpjekje është kritike.
Ka edhe shumë e shumë mundësi për zgjidhje, mjafton që t’i kërkojmë ato dhe të kemi vullnet për të punuar drejt atyre zgjidhjeve. Nëse do të kishte angazhim, atëherë as qytetarët nuk do të ndiheshin të rrezikuar e as qentë endacakë nuk do të jetonin në kushte të mjerueshme, pasiqë do të kishin strehë të sigurt, ushqim të mjaftueshëm, përkujdesje e mbi të gjitha, dashuri.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0