Për miratimin e ligjeve bazë kërkohet shumicë e thjeshtë, ndërsa për të ndryshuar kodet –– ligjet që organizojnë pushtetin gjyqësor, prokurorinë apo edhe institucione të tjera –– nevojitet ajo që njihet si shumica e cilësuar, më shumë se ⅗ e parlamentit. Një shumicë e tillë është e nevojshme edhe për t’i emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Avokatin e Popullit, e Kontrollin e Lartë të Shtetit, ndër tjera.
Përtej rrezikut që mund të sjellë koncentrimi i fuqisë te një parti, shqetësime ka pasur edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Procesi nuk u ka shpëtuar kritikave të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët në raportin për zgjedhjet u shprehën më kritikë se asnjëherë më parë.
Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, organ i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i cilësoi zgjedhjet si kompetitive, por edhe “në kundërshtim me standardet ndërkombëtare” në disa elemente. Raporti përmendi raste të frikësimit të mbështetësve të opozitës, keqpërdorimit të administratës publike dhe përdorimit të rrjeteve të patronazhimit për të ndikuar te votuesit.
Një vërejtje e rëndësishme, e evidentuar në raportin e vëzhguesve, ishte përfaqësimi i pabarabartë në medie, që e karakterizoi edhe këtë fushatë. Të dhënat e Autoritetit të Medias Audiovizive tregojnë se gjatë dy javëve të para të fushatës zgjedhore në Shqipëri, mediat kryesore nuk respektuan hapësirën e barabartë mediale që parashikon Kodi Zgjedhor. Përfaqësuesit e PS-së i mbizotëruan transmetimet në edicionet informative të 18 televizioneve, duke zënë 52.4% të kohës në tre stacionet më të ndjekura: Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus. Ndërkohë, partitë e vogla u përballën me vështirësi serioze për të siguruar hapësirë mediale. Kjo dominancë mediale shkon paralel me përqendrimin e pronësisë së medies në pak duar dhe lidhjet e forta mes pronarëve të medieve dhe politikës, veçanërisht me PS. Sipas raportit të Media Ownership Monitor, pronarët e medieve shpesh janë biznesmenë me interesa në sektorë si ndërtimi dhe energjia, të cilët përfitojnë drejtpërdrejt nga kontrata publike ose leje ndërtimi, që jepen nga qeveria.
Përpos përfaqësimit të parabartë në medie, fitorja e thellë e PS-së ka ardhur edhe për shkak të disa faktorëve që kanë bërë që terreni garues elektoral të jetë i pabarabartë, duke përfshirë numrin e madh të personave të punësuar në administratë publike, diasporën dhe sistemin zgjedhor që favorizon partitë e mëdha.
Administrata e fryrë
Sipas të dhënave zyrtare, pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 42% – më e ulëta ndonjëherë. Megjithatë, duke marrë parasysh faktin që një pjesë e madhe e elektoratit jeton jashtë vendit, pjesëmarrja reale brenda territorit të Shqipërisë shkon deri në 80%.
Një pjesë e rëndësishme e votuesve të PS janë punëtorët të administratës publike, numri i të cilëve është rritur pavarësisht digjitalizimit të shërbimeve. Procesi i digjitalizimit në Shqipëri, i nisur që më 2007 me formimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka bërë që shumë shërbime publike të kryhen online përmes platformës e-Albania, duke mbyllur kështu sportele të shumta, pas të cilave qëndronin një numër i madh punonjësish shtetëror. Ky transformim pritej të çonte në tkurrjen e administratës publike, pasi automatizimi i proceseve do ta reduktonte nevojën për punonjës në sportele dhe zyra fizike. Por, të dhënat tregojnë që, në fakt, ka ndodhur e kundërta.
Pas vitit 2018, shtimi i punësimeve në sektorin publik shkoi duke u rritur, duke arritur kulmin në vitet zgjedhore ose pragzgjedhore 2021 dhe 2024.
Mediat zbuluan se në zgjedhjet e 2021, bashkitë që drejtoheshin nga socialistët rekrutuan mijëra punonjës të rinj. Të dhënat nga 19 bashki, lidhur me punësimet me kontrata të përkohshme dhe të përhershme gjatë periudhës dymbëdhjetë-mujore para zgjedhjeve vendore të 14 majit, treguan një rritje të konsiderueshme të stafit administrativ në këto bashki, me 1,544 punonjës të rinj – një rritje prej rreth 9% në raport me totalin e punësimeve ekzistuese.
Kjo situatë sugjeron prirjen për të “fryrë” stafet dhe zgjeruar kështu aparatin administrativ në prag të zgjedheve. Ky prirje u reflektua edhe në zgjedhjet e fundit, ku në fund të vitit 2024 numri i të punësuarve në sektorin publik arriti në 184,000 persona. Kjo përfaqëson një rritje prej 20,000 punonjësish, ose 12.4%, krahasuar me vitin 2013—vitin kur PS erdhi për herë të parë në pushtet.
Të dhënat treguan se tendenca për ta zgjeruar aparatin administrativ ka qenë veçanërisht e shprehur në nivelin menaxherial, ku shtimi i pozicioneve të drejtorëve ka qenë disproporcional. Si pasojë, që nga viti 2023 është krijuar një raport i pazakontë: për çdo tetë specialistë apo punëtorë të thjeshtë, emërohet një drejtor, çka ngre shqetësime për fryrje të panevojshme të administratës dhe efikasitetin e saj.
Çka tregoi vota nga diaspora?
Për herë të parë, diaspora shqiptare pati mundësinë të votojë në zgjedhjet parlamentare, një zhvillim që është kërkuar prej vitesh nga shoqëria civile. Rreth 1.1 milionë qytetarë jashtë vendit u regjistruan për të votuar, por vetëm rreth 200,000 e ushtruan të drejtën e votës.
Në kuptimin e mbarëvajtjes së votimit nga diaspora, procesi u shoqërua me probleme: verifikime të vonuara, mungesë transparence dhe pretendime për manipulim. Probleme pati edhe me verifikimin e aplikimeve, pasi një pjesë e votuesve jashtë vendit nuk mund të regjistroheshin, pasi nuk kishin adresë të saktë banese. Pati dhe kërkesa për shtyrje afati për regjistrimin nga jashtë si pasojë e këtyre parregullsive.
Vota e diasporës mori vëmendje të madhe mediale gjatë numërimit, për shkak të përplasjeve mes partive, si edhe për faktin që procesi i numërimit zgjati më shumë sesa ai brenda vendit. Teksa ishin numëruar rreth 145,000 fletëvotimi (74%),pa numëruar mbetën rreth 50 mijë zarfe të ardhura nga Greqia. I gjithë ky ngërç u shkaktua ngase PD ngriti dyshime se votat që erdhën nga Greqia ishin manipuluar dhe se zarfet e ardhura janë plotësuar nga militantë të PS-së. Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u shpreh se PD nuk arriti t’i argumentonte këto pohime dhe votat u numëruan.
Ndërkaq, pritshmëria ishte që vota e diasporës ta ndëshkonte PS-në, duke qenë se një pjesë e madhe e anëtarëve të diasporës, janë emigrantë që janë larguar për shkak të keqqeverisjes dhe mundësive të pakta në vend. Por, rezultatet treguan një pamje tjetër: 61.14% e diasporës votoi për PS-në, 23.54% për PD-në dhe pjesa tjetër u nda mes partive të reja si Nisma Shqipëria Bëhet, Lëvizja Bashkë dhe të tjerë.
Një nga arsyet mund të jetë që një pjesë e emigrantëve kanë qenë jashtë vendit për dekada dhe zhvillimet politike i ndjekin përmes mediave tradicionale — të cilat janë kryesisht të afërta me qeverinë. Për ta, PS përfaqëson stabilitetin dhe zhvillimin infrastrukturor që ata shohin gjatë pushimeve në Shqipëri, pa pasur mundësi t’i përjetojnë çdo ditë problemet e saj.
Përpos këtyre faktorëve, në mënyrën se si ka votuar diaspora, ka ndikuar fakti që PS ka ndërtuar ndër vite një rrjet të fuqishëm organizativ në komunitetet shqiptare jashtë vendit. Në vende si Greqia, Italia, Gjermania apo Mbretëria e Bashkuar, ekzistojnë grupe dhe shoqata që ndihmuan në mobilizimin e votuesve.
Megjithatë, edhe nga radhët e diasporës pati votë për opozitën, çka tregon se diaspora nuk është një grup homogjen, por një mozaik me perceptime të ndryshme politike dhe sociale.
Sistemi favorizon partitë e mëdha
Në korrik të vitit 2020, Kuvendi i Shqipërisë ndryshoi Kushtetutën, për t’u dhënë qytetarëve të drejtën që të votojnë preferencialisht për kandidatë individualë brenda listave me shumë emra të partive, duke hapur rrugën për reformën zgjedhore. Ky ndryshim largoi vendin nga sistemi i mbyllur i listave, ku partitë caktonin renditjen e kandidatëve dhe qytetarët votonin vetëm për partitë, jo për individët. Reforma përcaktoi që të paktën dy të tretat e listës së çdo partie duhet të jenë të hapura për votë preferenciale, duke krijuar një sistem hibrid.
Në korrik të vitit 2024, Kodi Zgjedhor u ndryshua për ta zbatuar këtë sistem me lista gjysmë të hapura. Tani, një e treta e listës së kandidatëve të çdo partie mbetet e mbyllur — e përcaktuar vetëm nga drejtuesit e partisë — ndërsa dy të tretat janë të hapura, duke i lejuar votuesit të ndikojnë në renditjen e kandidatëve përmes votës preferenciale. Reformat përfshinë gjithashtu kuotën gjinore, duke kërkuar që të paktën një në çdo tre kandidatë, si në pjesën e mbyllur, ashtu edhe në atë të hapur të listës, të jenë gra. Megjithatë, sistemi ende kritikohet pasi që nuk siguron përfaqësim të barabartë.
Në zgjedhjet e fundit, ndonëse me sistemin e ri, partitë më të vogla, pavarësisht se së bashku mblodhën rreth 150,000 vota, nuk arritën t’i përkthejnë ato në mandate. Pavarësisht votave të mbledhura, një pjesë e konsiderueshme e tyre rezultojnë “të djegura” — një term që përshkruan votat që nuk arrijnë të prodhojnë mandate në Kuvend. Kjo ndodh për shkak të formulës “D’Hondt”, e cila në praktikë favorizon partinë që del e para në një qark.
Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet mori rreth 70,000 vota në nivel vendi dhe fitoi vetëm një mandat, kjo pasi votat e mbledhura ishin të shpërndara në shumë qarqe dhe vetëm votat që mblodhi në Tiranë, rreth 16,000 vota, i siguruan një mandat. Ndërkaq, Lëvizja Bashkë mblodhi rreth 20,000 vota në nivel vendi dhe fitoi një mandat në Tiranë, të cilin e siguroi me rreth 12,000 vota. Ndërsa, partia Mundësia mblodhi rreth 40,000 vota në nivel vendi dhe mori dy mandate në Tiranë.
Marrë parasysh të gjithë këta faktorë, që ndërtojnë një terren të pabarabartë të garës zgjedhore, mbeten ende shumë punë që Shqipëria ta ketë një proces të drejtë zgjedhor dhe përfaqësim të duhur.
Në kushtet aktuale, Shqipëria mund të përfitojë nga një ndërgjegjësim më i gjerë shoqëror, rreth nevojës për përfaqësim më të drejtë në Kuvend, që do të nxiste ndryshimet e nevojshme në mënyrën se si funksionon sistemi zgjedhor. Në mungesë të këtij ndërgjegjësimi, një nga rrugët më të mundshme është bashkëpunimi i vazhdueshëm i forcave opozitare.
Partive opozitare u duhet ta bëjnë analizë të njëmendtë të situatës së tyre të brendshme, duke identifikuar sfidat në organizimin e brendshëm dhe duke marrë përgjegjësinë për rezultatet e deritanishme zgjedhore, pavarësisht vështirësive që sjell një terren i pabarabartë. Në rastin e PD-së, një hap i rëndësishëm do të ishte largimi nga udhëheqja e atyre figurave që kanë sjellë humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore. Kjo nuk është thjesht një çështje simbolike, por një hap drejt reformimit politik. Edhe partitë e reja kanë arsye për të reflektuar lidhur me përvojën zgjedhore.
Pavarësisht dallimeve ideologjike, sfidat kryesore qëndrojnë të përbashkëta; nevojitet ndërtimi i një bashkëpunimi mes këtyre forcave, jo domosdoshmërisht mbi bazën e një ideologjie të përbashkët, por mbi një marrëveshje politike dhe sociale, që synon një sistem zgjedhor më të drejtë dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
Feature image: Majlinda Hoxha / K2.0.