Pas shumë vitesh plot grindje, zhgënjim, trysni dhe pengesa të mëdha që Greqia — dhe më vonë Franca — ia kishte ngarkuar Maqedonisë së Veriut, qytetarët e këtij vendi të vogël në Ballkanin Jugor më në fund nisën të besojnë se mund t’i hapnin bisedimet për anëtarësim në BE. Por jo gjithçka në jetë punon si sahati.
Këtë herë ia behu Bullgaria me kushte dhe shtrëngesa thuajse akoma më absurde se ato të kaluarat. Sofja zyrtare ka rindezur disa konflikte të moçme duke kërkuar që Shkupi të pranojë se gjuha maqedonase është thjesht bullgarishte dhe se maqedonasit janë në fakt bullgarë. Argumenti është që kombi maqedonas u krijua në vitin 1944 nga Josip Broz Tito dhe Partia Komuniste e Jugosllavisë.
Deklaratat më të prera vijnë nga Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë Ekaterina Zakharieva dhe Ministri i Mbrojtjes Krasimir Karakachanov, si dhe nga disa zyrtarë të tjerë të lartë. Aq më shumë, Karakachanov kërcënoi ta dërgojë ushtrinë në Shkup për t’i urdhëruar t’i heqin pllakat përkujtimore nga Lufta e Dytë Botërore — ato shërbejnë për ta kujtuar kohën kur Maqedonia e Veriut ishte nën okupimin e Bullgarisë fashiste.
Traktati për fqinjësinë e mirë nuk prek Bullgarinë
Qeveria e Shkupit e udhëhequr nga Kryeministri Zoran Zaev është takuar me homologun bullgar në gusht të vitit 2017 për ta nënshkruar një traktat të fqinjësisë së mirë, i cili përbën një nga kërkesat themelore për anëtarësimin [e Maqedonisë së Veriut] në BE, së bashku me Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018. E miratuar në parlamentet e dy vendeve në janar të vitit 2018, “Traktati për Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë dhe Bashkëpunimin mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë” është paramenduar që do të sjellë një zgjidhje për të dy vendet, duke përfshirë krijimin e një komisioni shumëdisiplinor të ngarkuar me adresimin e çështjeve të ndryshme historike dhe arsimore.
Fatkeqësisht, puna e këtij komisioni u ndal vjet sepse Bullgaria këmbëngulte se Goce Delčev — një figurë revolucionare maqedonase që ka luftuar kundër osmanëve — ishte në fakt bullgar. Të dhënat historike e paraqesin Delčev-in si maqedon të lindur në Bullgari që ka përkrahur pavarësinë politike të Maqedonisë në atë kohë si një nga themeluesit e Vnatrešna Makedonska Revolucionerna Organizacija (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase, VMRO).
Për ta përforcuar pozitën e saj nacionaliste, qeveria bullgare ua ka dërguar anëtarëve të BE-së një memorandum ku shpërfaq pikëpamjet e veta.
Mundësia se kjo do të shndërrohej në një problem më të madh që do ta bllokonte hyrjen e shtetit në BE ka qëndruar në pritë që nga pranvera e vitit 2020. Në atë kohë, Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borisov deklaroi se nëse qeveria e Maqedonisë së Veriut do të synonte t’i anashkalonte pengesat në rrugën drejt BE-së, atëherë komisioni i historisë do të duhej të shpejtonte për ta pranuar Goce Delčev-in si bullgar. Anëtarët e komisionit u përgjigjën se ky është proces dhe se çështjet historike nuk mund të zgjidhen shpejt. Tash u kuptua se kjo nuk kishte pasur rëndësi për politikanët bullgarë.
Për ta përforcuar pozitën e saj nacionaliste, qeveria bullgare ua ka dërguar anëtarëve të BE-së një memorandum ku shpërfaq pikëpamjet e veta.
Memorandumi përfshin një pretendim të pabazë që “më se 20,000 njerëz” që identifikoheshin si bullgarë dhe përfaqësonin elitën intelektuale të Republikës Socialiste të Maqedonisë janë vrarë mes viteve 1944 dhe 1946, ndërsa më se 100,000 persona janë burgosur, janë ekzekutuar, ose janë mbartur në kampe të përqendrimit.
Në anën tjetër, nuk ka kurrfarë të dhëne për faktin që shteti i Bullgarisë ishte aleat i Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore deri më 1944, i cili ka okupuar Maqedoninë si çlirimtar i vetëshpallur i popullit. Nuk përmendet as fakti se regjimi nazist i Bullgarisë dërgonte maqedonasit në kampe të përqendrimit, vriste qytetarë të pafajshëm dhe shtyente para procesin e bullgarizimit, imponimin e kulturës bullgare jashtë kufijve të vet.
Maqedonia u çlirua prej nazistëve në nëntor të vitit 1944. Po atë vit në gusht, ajo u shpall e pavarur dhe u bë njësi e veçantë brenda ish-Jugosllavisë, duke u shndërruar në Republikën Popullore të Maqedonisë (dhe më vonë në Republikën Socialiste të Maqedonisë) në fund të vitit. E këtillë mbeti brenda Jugosllavisë deri në shpërbërjen e Federatës Jugosllave në vitin 1991.
Frustrimi në rritje e sipër
E kaluara e lënë pas qëmoti ia doli të rikthehej në tryezën e negociatave ku diskutohet e ardhmja e Maqedonisë së Veriut; ky vend u pajtua për një kornizë negociatash me BE-në në mars para se të ftoheshin ministrat e punëve të jashtme dhe integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në Berlin gjatë nëntorit të këtij viti. Në fakt, Gjermania po shpresonte ta gjente një rrugë për ta kryer mandatin si presidente e BE-së — i cili mbaron në fund të vitit — duke e ndërmjetësuar një marrëveshje.
Fatkeqësisht, pajtimi që u arrit mes Ministres Zakharieva të Bullgarisë dhe Ministrit Bujar Osmani të Maqedonisë së Veriut në Berlin u shpërbë me lehtësi nga Kryeministri Borisov dhe Presidenti bullgar Rumen Radev në Shkup dhe në Sofje.
Pasi u bë kandidate e BE-së në vitin 2005, Maqedonia e Veriut pret për hapjen e negociatave që nga viti 2009.
Për shkak të bllokadës jorealiste dhe të patrembur të Bullgarisë, ka frustrime të mëdha në BE që kërcënojnë të shndërrohen në problem të përmasave të atij me Greqinë.
Më 17 nëntor, në takimin e ministrave të Këshillit Evropian ku pritej të miratohej korniza e negociatave për Maqedoninë e Veriut në mënyrë që të fillonte procesi i dialogut në dhjetor, Bullgaria vendosi të bënte veto.
Pasi u bë kandidate e BE-së në vitin 2005, Maqedonia e Veriut pret për hapjen e negociatave që nga viti 2009. Ato u vonuan për shkak të konfliktit për emrin dhe veton greke për negociatat.
Në ndërkohë, një grusht intelektualësh dhe mediumesh nga e tërë Evropa kanë ofruar interpretimet e tyre për këtë grindje.
Michael Martens — një korrespondent i Ballkanit për të përditshmen e rëndësishme gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung — në mënyrë ironike sjell ndër mend faktin që grekët kishin mohuar qenien e Maqedonisë së Veriut si shtet, ndërsa bullgarët shkojnë edhe më tej, duke e mohuar gjuhën dhe origjinën e popullit të saj përmes pretendimit se ato janë thjesht sajime artificiale.
Në artikullin e tij të ribotuar nga Deutsche Welle në maqedonishte, Martens e vesh shpjegimin me cinizëm: ai shkruan se bullgarët e shohin veten si “dhuratë nga Zoti”, duke iu referuar absurditetit të qasjes së Sofjës.
Ka po ashtu njerëz nga publiku bullgar që nuk pajtohen me pozitën zyrtare të Sofjës.
Shumë intelektualë kanë ngritur zërin e arsyes për të theksuar se pozita zyrtare bullgare është kundërproduktive për të gjitha anët.
Një nga ta është themeluesi i Nismës Evropiane për Stabilitet (ESI) Gerald Knaus. Ai beson se trysnia që ushtrohet nga Bullgaria është “më kot” dhe se bllokada do ta çojë Maqedoninë e Veriut në një gjendje të dëshpërimit politik.
Ka po ashtu njerëz nga publiku bullgar që nuk pajtohen me pozitën zyrtare të Sofjës.
Gazetari bullgar Georgi Koritarov jep shtjellimin më të qartë për atë se si qeveria e vendit të tij i trajton shtetin dhe popullin maqedonas. Në një artikull ai shkruan se — në mënyrë që të rehatohen punët mes dy anëve — Bullgaria duhet së pari të kërkojë falje dhe pendohet për deportimin e 7,200 hebrenjve maqedonas drejt kampit të përqendrimit të Treblinkas gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky fakt qëndron në themelin e problemit që tash imponohet nga Sofja.
Për më tepër, 30 intelektualë bullgarë kanë nënshkruar një kundërpërgjigje ndaj planit të Bullgarisë për ta ndaluar konferencën ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së të caktuar për dhjetor. Duke i sfiduar pretendimet e Sofjës që kombi maqedonas është krijuar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, ata pohojnë që, në një kuptim, të gjitha gjuhët e standardizuara janë krijime artificiale. Kjo pikëpamje përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj Sofjës.
Në një intervistë për Deutsche Welle, historiani gjerman Ulf Brunnbauer shpotit sjelljen e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Ai thotë se fakti që Bullgaria shtyn para vetëm narrativën e vet historike është e njëjtë posikur Gjermania, në një situatë hipotetike, t’i nxiste austriakët të identifikoheshin si gjermanë, ose danezët t’u thonin norvegjezëve se janë një tip anomalie sepse dikur ishin pjesë e një perandorie.
Profesori Ivaylo Ditchev nga Universiteti i Sofjës përcjell një shteg të ngjashëm, duke sugjeruar se “Bullgaria po bën luftë simbolike sepse nuk ka politikë serioze”. Sa i përket kërkesës gjuhësore të Sofjës, ai thekson se — jo vetëm në Bullgari, por në tërë Ballkanin — gjuhët përdoren për t’i thelluar përçarjet “e jo për t’i bashkuar njerëzit”.
Mbase opinioni më realist dhe i çiltër për këtë sherr të çuditshëm është artikuluar nga profesori i Universitetit të Gracit Florian Bieber, i cili njihet gjerësisht si ekspert për Ballkanin.
Ai shënon që Bullgaria i bën trysni shtetit të Maqedonisë së Veriut të heqë dorë nga minoriteti i vet bullgar dhe njëkohësisht kërkon që t’i kundërvihet presionit që i ushtrohet këtij komunitetit. Për më tepër, profesori Bieber thotë që pala e Bullgarisë duket se po e nguc palën e Maqedonisë së Veriut, gjë që rrezikon t’i shkurajojë përpjekjet e së fundës për ta hequr qafe udhëheqësinë autoritare dhe për t’i vazhduar reformat; paskëtaj, anëtarët e opozitës së tanishme do të thonin pa ngurrim: “Ju kemi thënë se do të jetë kështu”.
Deklarata e fundit e Ministres Zakharieva se një vend që lartëson “një nga diktatorët më të mëdhenj” — presidentin e përjetshëm të ndjerë të Jugosllavisë, [Josip Broz] Tito — nuk mund të bëhet pjesë e BE-së, ka shkaktuar një potere. Në Maqedoninë e Veriut dhe përtej saj, përdoruesit e Facebook-ut janë tallur me komentin e ministres, kurse Bieber me sarkazëm tërheq vëmendjen te fakti që edhe Sllovenia, edhe Kroacia janë anëtarësuar në BE pavarësisht nga lartësimi i Titos.
Grindjet në Shkup dhe një numër i panjohur i pasaportave bullgare
Ndërsa shtresa e dijetarëve në Bullgari dhe pjesa tjetër e Evropës fshikullojnë trazimin e Maqedonisë së Veriut, opozita në Shkup kërkon që Kuvendi ta mbajë një diskutim publik për të ashtuquajturat “vija të kuqe” në këtë mosmarrëveshje. Sidoqoftë, Ministri i Jashtëm Osmani dhe Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian Nikola Dimitrov nuk pranojnë të pajtohen.
Prapëseprapë, nëse analizojmë më thellë marrëdhëniet mes të dyja vendeve —pavarësisht nga historia e dhimbshme dhe lojërat e pista politike — do të shohim se dy popujt janë të lidhur në nivele të ndryshme.
Në anën tjetër, lideri i opozitës Hristijan Mickoski nuk ka lëshuar mundësinë për të fituar pika të lehta politike përmes goditjeve të ulëta, duke i bërë thirrje qeverisë ta zgjidhë çështjen me Bullgarinë pa e mohuar identitetin [maqedonas] “ose Zaev-i do të duhet të ballafaqohet me popullin”.
Prapëseprapë, nëse analizojmë më thellë marrëdhëniet mes të dyja vendeve —pavarësisht nga historia e dhimbshme dhe lojërat e pista politike — do të shohim se dy popujt janë të lidhur në nivele të ndryshme.
Shumë maqedonas kanë studiuar në universitetet e Sofjës dhe Bllagoevgradit (dhe vazhdojnë të aplikojnë për studime aty) dhe vizitojnë rregullisht vendpushimet malore bullgare siç janë Bansko dhe Borovec. Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut është përplot me makina të përdorura me targa bullgare të importuara nga BE-ja që shiten me çmime të lira.
Lidhja e lartpërmendur është përdorur nga qeveria bullgare pak para se shteti të bëhej pjesë e BE-së: shtetësia bullgare atëherë shitej për 150 euro. Prej anëtarësimit të Bullgarisë në BE, maqedonasit aplikojnë masivisht për pasaporta bullgare që kushtojnë prej 600 deri në 1,000 euro. Posedimi i pasaportës bullgare është mënyrë e lehtë për pjesëtarët e fuqisë punëtore të pakualifikuar dhe të tepërt të Maqedonisë që të dalin për të punuar në BE.
Po, ndihemi të inatosur dhe të fyer
Publiku në Maqedoninë e Veriut ndihet i inatosur nga vërejtja dyfytyrëshe e BE-së se çështja mes të dyja vendeve duhet të zgjidhet, jo vetëm sepse sjell ndër mend atë çfarë ka ndodhur me Greqinë. Sikundër është e qartë për të gjithë, BE-ja nuk ka kurrfarë qëllimi të përzihet në punët e pista të Ballkanit dhe të merret me frustrimet e dikujt tjetër që janë të ngulitura në ëndrra të papërmbushura irridentiste.
Sidoqoftë, ky distancim nga frustrimet e Ballkanit vë në pyetje legjitimitetin e BE-së, meqë u hap udhë komplekseve të superioritetit dhe të inferioritetit të ushqyera nga anëtaret e saj për ta kushtëzuar zgjerimin.
Maqedonasit jetuan me konfliktin e ngritur nga grekët për më se 20 vjet vetëm sepse Greqia pati mundësinë ta shtynte argumentin e vet për dekada si anëtare e BE-së. Këtë herë shtrohet pyetja: a ka Bullgaria mjaft fuqi për ta penguar procesin e zgjerimit pa e ngjallur tërbimin e Gjermanisë, të Kancelares Merkel dhe të gjithë BE-së.
Nëse Maqedonia e Veriut do të bëhej faktori i paqëndrueshmërisë në rajon prapë për shkak të brutalizimit të saj nga një anëtar i BE-së, faji nuk do t’i binte Shkupit, por Brukselit. Mbase është koha e përshtatshme që Brukseli të vetëreflektojë dhe ta rishqyrtojë nëse parimi i konsensusit ka bërë të veten, dhe nëse Bashkimi ka nevojë për një sistem të ri.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.