Nëse do të mund të ndërroje veç një gjë në Kosovë, çka do të ishte ajo? Kjo pyetje tingëllon e thjeshtë, por ka një përgjigje të gjatë. Për të zgjedhur ndryshimin e një gjëje në vendin tim, duhet që së pari të mendoj se çfarë dhe kush e bën vendin tim.
Në shumicën e rasteve, janë njerëzit dhe unë jam një nga ata njerëz. Mendoj që ekziston nevoja për një ndryshim të njëmendtë në mendësinë tonë, në mënyrë që të identifkojmë dhe pranojmë kufizimet tona, duke njohur njëkohësisht edhe potencialet e mëdha që zotërojmë për të sjellë zhvillim të jashtëzakonshëm në vendin tonë.
Sipas opinionit tim, problemi dhe kërcënimi më i madh me të cilin përballemi në Kosovë është që nuk kemi arritur të analizojmë dhe kuptojmë sesi strukturat tona –– institucionet shkollore, familja, media –– na kanë futur për një kohë të gjatë në konformitet.
Si rrjedhojë, na krijohet ndjenja që jemi pjesë e një tërësie dhe kjo na e ofron një ndjenjë të sigurisë. Kjo ndjenjë e sigurisë që kalon në rehati mund të ndikojë edhe negativisht te ne, sepse mund të përfundojmë duke u përpjekur të përshtatemi me status quo-në, duke u përpjekur ta modelojmë sjelljen tonë sipas sjelljes së të tjerëve, duke shprehur pajtueshmërinë tonë me opinionet mbizotëruese rreth diçkaje, duke përkrahur vendimet jo-adekuate apo edhe duke shtypur emocionet tona vetëm që të jemi ashtu siç komuniteti ynë pret që ne të jemi.
Çka e bën një vend?
Strukturat e përmendura më lart kanë ndikuar në ndërtimin e një realiteti normativ. Një realitet ku nuk kultivohet dhe promovohet imagjinata, origjinaliteti i te menduarit, kreativiteti, entuziazmi, të menduarit kritik dhe ndjeshmëria. Kështu, në vend se të eksplorojmë, ne mësojmë përmendësh. Në vend që të pyesim, ne gjykojmë. Në vend se të sfidojmë “kornizat ekzistuese”, ne trashëgojmë.
Nënshtrimi në këtë realitet na bën që të ‘mos lëkundim varkën’ drejt ri-formësimit të aftësive dhe mënyrave se si i përceptojmë gjërat, si veprojmë dhe si krijojmë shoqëri.
Filozofi i madh, Aristoteli ka thënë: “Një komb nuk ndërtohet nga malet dhe pemët, ai ndërtohet nga karakteri i qytetarëve të vet”.
Me fjalë të tjera, burimet natyrore si thëngjilli, nafta, lumenjtë dhe tokat pjellore nuk ndërtojnë një komb –– atë e ndërton mendësia e qytetarëve të vet –– sjelljet, qëndrimet karshi asaj që na rrethon. Mënyra se si mirëmbahet një mendësi e caktuar ndikon në produktivitetin e punonjësve, shprehitë e punës, përdorimin e teknologjisë, mënyrat e organizimit të tregut, administrimin publik e të tjera.
Mendësia ndikon në botëkuptimet tona, mënyrën se si përgjigjemi ndaj padrejtësive përreth nesh, se si i refuzojmë ato dhe se si punojmë kundër tyre. Si rrjedhojë, nuk mjafton të përqendrohemi në numra e statistika të zhvillimit ekonomik apo në analiza të ngushta që përjashtojnë kontekstin, që nuk marrin për bazë faktorët psikologjikë, social e kulturorë. Këta faktorë janë qenësorë në hovin e çfarëdo zhvillimi e sidomos atij ekonomik.
Nuk mjafton të përdoren modele matematikore në ekonomi për të përshkruar dukuritë ekonomike. Në vetvete, këto modele nuk kanë se si të na ndihmojnë të arrijmë zhvillim në rrafsh ekonomik, sepse ato nuk mund t’i ndryshojnë sjelljet e njerëzve.
Zhvillimi i vendit nuk mund të reduktohet në rritje sasiore dhe nuk mund të matet me numra. Ndryshimi i njëmendtë është ai cilësor, kur arrihet të ndryshohen sjelljet.
Prandaj, është e domosdoshme që vëmendja të kthehet te mendësia. E në thelb të mendësisë qëndron sistemi edukativ-arsimor që vazhdon të inkurajojë uniformitetin në vend të diversitetit, ngurtësinë në vend të ndryshueshmërisë, konformitetin në vend të kërkimit për njohuri të reja, riprodhimin e sjelljeve të vjetra në vend të fuqizimit për rimendim dhe sfidim të atyre sjelljeve.
Përpjekjeve për ndryshim duhet t’i bashkohet edhe media, e cila duhet ta rimendojë veten, të qëndrojë kritike dhe të motivojë të qenit kritik. Kështu, krijohen shoqëri të afta për të kërkuar llogari, përgjigje e ndryshim. Shoqëri që janë gjithnjë në kërkim të së resë dhe që sfidojnë rehatinë që pengon zhvillimin tonë të përbashkët.
Imazhi i Ballinës: Arrita Katona / K2.0