Pikëpamje | Kulturë

Po, grua jam. Dhe pikë.

Nga - 28.04.2023

Të jesh transgrua, edhe në një monodramë teatri është ende akt heretik.

Me një palë rruaza të gjata të kuqe, që rrinë përmbi një veshje të zezë e me njëfarë madhështie, në skenën e teatrit “Dodona”, lehtaz ngjitet Charlote von Mahlsdorf. Ajo është transgruaja për jetën e së cilës dramaturgu amerikan Dough Wright, në vitin 2003, shkruajti dhe solli shfaqjen “I Am My Own Wife”, që në shqip u soll me titullin “Unë jam vetë grua” nën regjinë e Kushtrim Koliqit.

Charlote ulet e vetme në muezun e saj –– “Muzeu i Lumturisë” –– dhe me krenari disi fisnike nis e na i tregon vjetërinat, që i ka mbledhur e mbrojtur me çdo kusht, si suvenire të mbijetesës së saj, si prova të përpjekjes së saj për liri.

Shpejt, muzeu i saj shndërrohet në fushëbetejë, ku Charloten e lufton gjithkush e gjithçka. Lehtësia me të cilën ngjitet në skenë vjen e pakësohet teksa ngjarjet në jetën e saj [në lindje Lothar Berfelde] shpalosen. 

Shfaqja është e zorshme, në dy rrafshe. 

Së pari, duket ndërmarrje që ka kërkuar fort mund nga aktori i vetëm i saj, Adrian Morina, i cili përbrenda një ore kapërcen nëpër diku 40 role –– Morina arrin të luajë rolin edhe të Charlote, edhe rolet e atyre që e urrejnë Charlote, që duan ta zhbëjnë atë. 

Ai s’e ngarkon publikun me asgjë tjetër, pos me peshën e shfaqjes. Në çastin që ai ngjitet në atë skenë bëhet Charlote dhe për atë orë sa zgjat monodrama, përmes respektit që ai ashiqare ka ndaj rolit që ka marrë, i falë Charlote von Mahlsdorf respektin, që s’ia ka falur askush në tërë jetën e saj të vështirë, të ndërlikuar, herë-herë, krejt të pamundur. Të paktën ai nuk e vë në pikëpyetje qenien e Charlote.

Së dyti, monodrama është e vështirë në atë që shpërfaqë dhe shtjellon –– jetën e mohuar të një transgruaje e rrjedhimisht jetët e mohuara të njerëzve LGBTQ+.

Charlote jetoi në Gjermaninë e shekullit XX. Thënë më drejt, Charlote i mbijetoi asaj Gjermanie. Rrëfimi i saj i mbijetesës nuk është rrëfim i dikujt që i ka shpëtuar një lufte të vetme –– është rrëfim i dikujt që u ka shpëtuar shumë luftërave dhe dikuj që jetën e ka luftë, për të qenë njeri, transgrua, grua. 

Të shpëtosh si transgrua

Morina, tash e tutje Charlote, ngjitet në muzeun e vet, në vendin e vet –– në qendër, mbas shumë kohësh së luftuari me periferinë ku me forcë është mbajtur qenia e saj. 

Si fillim, Charlote përjeton Luftën e Dytë Botërore ­­–– një luftë, ku njerëzit si ajo luftoheshin dyfish –– përmes listave të veçanta të kastrimit, dërgimit në kampe përqendrimesh, përdhunimeve e përndjekjes. Së dyti, ajo përjeton një luftë kundër qenësisë së saj, luftë brenda shtëpisë, me babain nazist, që ishte një burrë i dhunshëm ndaj Charlote, nënës dhe tezes së saj, një prej personazheve pothuajse të vetme që e pranon atë siç është. Së treti, ajo përjeton një luftë me shoqërinë, që përgjatë jetës së saj paraqiten në role të ndryshme, si moderatorë emisionesh, gazetarë, përfaqësues të institucioneve, psikologë e çka jo. 

Nazistë e jo nazistë, ushtarë e jo ushtarë –– të gjithë kundër saj e ajo e vetme u mbijeton të gjitha luftërave –– u mbijeton si transgrua. Luftëra që sot, në një shekull tjetër, ende i përjetojnë njerëzit LGBTQ+ e edhe gratë në Kosovë e përtej.

“Unë jam transvestite”, thotë Charlote qysh në fillim të monodramës, “jeta ime është një jetë normale”.

Ajo, e me siguri plot të tjera si ajo, është lodhur me persiatjet e atyre që e shohin. Që pa nisur ndërveprimin me ta, ajo dëshiron t’u bëjë një nder atyre: t’i çlirojë nga kurreshtja që është e papastër, t’i çlirojë nga burgu i pyetjeve pa përgjigje. Charlote e di mirë se në muzeun e saj të lumturisë, të cilin e ka ndërtuar me kaq shumë zell, prapëseprapë antikuari, që ngjall më së shumti interesim është vetë ajo. Më nuk e lufton këtë.

Ajo do ta zhbëjë mistifikimin që vizitorët e muzeut ia bëjnë jo muzeut, po asaj. Ajo duket se e di se të tjerët nuk e tejkalojnë dot vetveten, nuk heshtin dot, nuk presin, s’kanë durim, por gjuhen rrufeshëm, me pyetje, me dyshime, me frikë –– me shumë frikë për ballafaqimin me këtë qenie anormale, të pështirë, të pavend.

Madje, për ta thelluar prezantimin e saj, përvjel edhe mëngët. Na e tregon lëkurën e saj, na i qet përpara mishtë e eshtrat e saj dhe thotë ja, më shihni, njeri jam. Asaj pra, si shumë njerëzve transgjinorë, ia kanë prurë punën gjer aty saqë ajo veten prezanton me “jam njeri”.

Kjo i bie të jetosh në një përballje të pambarimtë me refuzim ndaj njerëzillëkut tënd –– të quhesh çnjeri, më pak se njeri, kopje, i pavërtetë, siç e përshkruan filozofja Judith Butler.

Një trup heretik në një botë të ngushtë

Kjo është monodrama, që luhet përditë në jetën e njerëzve transgjinorë, që jetojnë në trupa, të cilët gjithkush i matë, i observon dhe në fund, pa lavdi, i shpallë ata trupa “heretikë”, sipas termave të studiueses Anne Fausto Sterling.

Charlote, çkado që provon të bëjë, si një grua, si krijuese e “Muzeu i Lumturisë”, si dikush që ka ruajtur një hapësirë të lirisë, si koleksionuese e antikuareve me vlerë, si çkado –– gjithçka përfundon në një pyetje të vetme: “Çka je ti? A je djalë a qikë? A je mashkull a femër”? 

Njerëzit, të cilët ia bëjnë këtë pyetje kanë parë shumë luftëra. Kanë dëshmuar një prej historive më të terrta të njerëzisë, holokaustin. Vetë Charloten, një ushtar nazist, teksa shkon nëpër shtëpi për të rekrutuar ushtarë të tjerë, e përdhunon atë. Në një pikë, ajo vret babain e saj. Ajo dyshohet për spiunazh. Por, gjithçka përligjet disi, kapërdihet nga të gjithë, përpos një gjëje –– trupit, identitetit të Charlote. 

Ajo është thyerja më e madhe e ligjit, jo përdhunimet, vrasjet, racizmi, nazizmi, holokaustet, femicidi. Ajo as faj nuk mund të bëjë, sepse nuk njihet si njeri.

Prandaj Charlote flet që herët. Ajo e di se tjetri përballë saj veç ka rrëshqitur në rrugëtimin e përpjekjes për ta zbërthyer atë, për ta çmontuar atë, për ta ekzaminuar atë e përfundimisht, për ta diagnostikuar, patologjizuar e kriminalizuar atë. Ajo vendos pozicionin e saj që në fillim, mbase me shpresën se një herë në jetë nuk do të ketë nevojë t’i dëgjojë broçkullat nga njerëzit rreth saj, të cilët duket se e ndiejnë njëfarë obligimi moral ndaj njerëzimit që t’ia rëndojnë jetën.

Ajo përballet me gjyqin e atyre që kanë fuqi e pushtet të bëjnë gjyqe, kryesisht burra. Përballet me ata që duke mbrojtur njëfarë “postulati” të pashkruar të natyrës, fillojnë dhe e luajnë vetë natyrën, përpiqen të bëhen jo thjesht rojtarët e “së natyrshmes”, por ia nisin të mendojnë se natyra janë ata. I thonë se ajo është e sëmurë, i thonë se ajo është njollë e natyrës, ajo është rrena e madhe e botës. 

Dhe sa me përpikëri natyrën e kanë luajtur shumë të tjerë në realitet.

Sepse, ata që janë të bindur që natyra është aty për t’ua kënaqur sytë atyre, nuk vetëmjaftohen me asgjë. Në Kosovë, para disa ditëve, qejfin ua prishi ideja që një grua mund lindë e rrisë fëmijë pa u martuar. Pastaj, i pengon një grua që s’do të lindë fare fëmijë. Shpesh, qejfi u prishet nëse një lezbike a gej do të martohet me të dashurin/ën. Pastaj, një vajzë që hipë në taksi me pesë djem; një vajzë 11-vjeçare që e përdhunojnë pesë burra e djem; një drag queen që futet në një reality show; një transburrë që qeth flokët në kokë të vet; një grua që kërkon pronën e saj; një grua që jeton; një transgjinor/e që jeton.

Ata e nisin diku, por nuk e mbarojnë kurrë dhe këtë e kemi parë gjithkund: në rrugët e qyteteve tona, në gjykatat tona, në shkollat tona, në parlamentin tonë, në vendet e punës, përbrenda shtëpive. Nuk ka vend ku ata rojtarë apo personifikues të natyrës nuk kanë hyrë për të na treguar se si t’i jetojmë jetët tona.

Natyra, kështu shndërrohet në një njeri, antropomorfizohet. Ajo, me një kërbaç në dorë, vepron përmes duarve të miliona njerëzve, që në emër të saj thirren e në emër të saj shtypin. Të lindesh mashkull e të jetosh si burrë qenka e natyrshme, plani i madh i natyrës. Por, a nuk është e drejta për ta jetuar jetën në plotninë e saj, po aq e natyrshme? A nuk janë liria, qenia dhe qenësimi, po aq të natyrshme?

Apo natyra është bërë shufra metalike, kërbaçi i atyre që kanë pushtet ta zotërojnë atë dhe të caktojnë parametrat e së natyrshmes e së panatyrshmes. Nëse kjo është natyra, atëherë më mirë të bëhemi qenie të panatyrshme, më mirë ta shkundim në themel këtë natyrë, deri sa ajo të bëhet natyrë që na hyn në punë të gjithëve.

Prandaj Charlote ndien barrën që ta prezantojë veten ashtu siç e prezanton. Ajo flet e para, mbase me lëngimin që një herë në jetë, ajo tregojë vetë rrëfimin e saj, të vërtetën e saj, të cilën duket se gjithkush beson se mund ta tregojë më mirë se ajo. 

Ajo thotë: Unë jam vetë grua. 

Unë jam grua. Unë jam vetë grua. Jam gruaja e vetes. Jam grua e vetmuar. Jam e vetme, grua. Jam grua për vete. Veç për vete jam grua. Secila formë e fjalisë do të kishte kuptim si titull i shfaqjes “Unë jam vetë grua”. 

Ka kuptim secila trajtë sepse secila fjali është shetitur nëpër buzët e grave. Dhe, përpos si titull shfaqjeje, secila formë e fjalisë ka po aq peshë politike, revolucionare madje, në botën që kërkon t’ua pakësojë qenësinë grave përditë, lypë me ngulm t’i reduktojë ato, t’i zhbëjë, në dy kuptime: t’ua vjedhë idetë, fuqinë, autonominë dhe t’i zhbëjë tërësisht, duke i vrarë, dhunuar, nëpërkëmbur ato.

Dhe, të jesh grua në vetvete është e zorshme. Të jesh transgrua është e mosqoftëshme. Charlote von Mahlsdorf është grua, transgrua. Lindur mashkull, me fatin e një djalërie e burrërie të përshëndetur e të ruajtur para duarsh, jetesa si grua është edhe më e rëndë.

Kush guxon t’i marrë dynjasë një burrë? Kush guxon t’i dalë natyrës kundër?

Guxon Charlote. Guxojnë gratë. Guxojnë njerëzit LGBTIQ+. Guxojnë njerëzit, të cilëve u është vjedhur natyra. Ata, të cilëve natyra u është kthyer kundër. 

Prandaj, kur Charlote thotë që në fillim se jeta e saj është një jetë “normale”, ajo na fton ta mendojmë “normalen”, që është shtyllë e rrëfimit të saj. 

Normale për Charlote është një jetë dhimbjeje, refuzimi, mbijetese. Aq shpesh i janë hedhur vezë në drejtim të saj, aq shpesh është analizuar trupi i saj si krijesë ilegale në një hapësirë që ia mban vetes si të pastër nga krimi, e që është e zhytur në të. Aq shumë është ndëshkuar saqë sikur s’do të lodhet më të shpjegojë vetveten. 

Në përpjekje për ta eksploatuar edhe një herë jetën e saj, në fund të shfaqjes Charloten e ftojnë në një emision televiziv. Një nga një, të ftuarit e tjerë nisin prapë ta gjuajnë me vezë, me fjalë, me diagnoza. 

Ajo shikon. Dhe kur i merr në duar të veta vezët që ia gjujnë të gjithë në drejtim të saj, ajo dëshmon se në fakt, “normal” është bërë manifestimi i dhunës e dhunimi për shtypësit e saj, të cilët, kanë pushtetin ta përcaktojnë normalen. 

Por, sado të përpiqen ata ta normalizojnë dhunën e tyre, nën kërbaç nuk rrnon askush. Prandaj, dikur i plasë edhe asaj. Na e valvit para fytyre flamurin shumëngjyrësh, që rri në ballë të përpjekjeve për të drejtat LGBTQ+ e na quan të gjithëve, në publik “fashistë, nazistë, komunistë”. 

Gjithkujt që shtypet, i plasë dikur. 

“Më falni, ku k*** e dini ju kush jam unë?”, i  pyet të gjithë. 

Dhe këtë pyetje, në vend se ta parashtrojë Charlote a Charlotet tjera të botës, është koha t’ia parashtrojë vetes secili, që mendon se mund të rravgojë nëpër jetët e njerëzve si të ishte pronar i tyre. 

Përpara se të hudhen në gjah për t’i korrigjuar trupat që s’janë gabim, për t’i shëruar sëmundjet që nuk ekzistojnë, për të drejtuar çka nuk është e shtrembëruar, le të pyesin gjahtarët: Kush jam unë të flas në emër të natyrës? Kush hamamin jam unë t’ia mas me centimetra lirinë tjetrit? Kush dreqin jam unë?

 

Shënim i redaksisë: Shfaqja “Unë jam vetë grua” është produksion i INTEGRA. Për herë të parë në Kosovë u shfaq në vitin 2019. Së fundmi, më 19 prill u luajt në teatrin “Dodona”, ndërsa pritet që të luhet më 16 maj në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla për INTEGRA

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.