Konteksti Podcast | Demokraci

PODCAST: Demokracia, të drejtat e njeriut dhe pandemia

Nga - 15.08.2020

Çka do të thotë pandemia për qeveritë me tendenca autokratike nëpër botë?

Në bisedën e radhës së Kosovo 2.0 flitet për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe pandeminë. Me të kapluar botën pandemia Covid-19, pos shqetësimeve për shëndetin publik dhe rënien ekonomike, nisën të ngreheshin pikëpyetje rreth asaj se si masat parandaluese të pandemisë mund të ndikojnë në cenimin e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë, si dhe në rritjen e diskriminimit.

Me kufizim të lëvizjes dhe të qarkullimit ekonomik e aspekteve tjera sociale, shumë organizata ngritën shqetësime se qeveritë, sidomos ato me tendenca autokratike, do të shfrytëzojnë masat parandaluese kundrejt pandemisë për qëllimet e tyre shtypëse e kontrolluese ndaj qytetarëve.

Rritja e rolit të aparateve represive shtetërore, përgjimet, anulimi i proceseve zgjedhore apo shtyerja e tyre, si dhe ndalimi i protestave ishin disa nga argumentet ku mbështeteshin organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe vetë Organizata e Kombeve të Bashkuara e institucionet e Bashkimit Evropian.

Rreth këtyre, gazetari i K2.0 Ngadhnjim Avdyli ka zhvilluar një bisedë me Visar Ymerin, drejtor i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”.