Për ta shënuar tre-vjetorin e pavarësisë së Kosovës u thirr një manifestim i komunitetit shqiptar në një qytet të vogël në Gjermaninë veriperëndimore. Anipse të gjithë ishim ftuar për në orën 14:00, manifestimi nisi një orë më vonë. Filan-ministri nuk kishte ardhur dhe assesi nuk bënte të niste asgjë pa të. Kështu, të gjithë të pranishmit pritëm për gati një orë e disa filluan ta humbin durimin. Papritmas, u krijua një farë tollovie. “Erdhi ministri”, thanë të gjithë, me njëfarë ngazëllimi të madh.
Menjëherë na urdhëruan të dalim nga salla dhe ta presim para derës të gjithë me radhë, siç priten mysafirët nëpër dasma. Shoku im dhe unë nuk deshëm ta zbatojmë këtë urdhër dhe qëndruam në sallë, veprim ky që na i fitoi disa shikime shtrembër prej të tjerëve që dolën.
Në mërgatë është bërë traditë që në manifestime të tilla të ftohen përfaqësues politikë nga Kosova e Shqipëria, gjë që pa dyshim i shërben mbajtjes së kontakteve me vendlindjen dhe marrjes së informatave se çka po ndodh atje. Këto kontakte të ndërsjella janë shpeshtuar sidomos viteve të fundit. Kjo pasiqë mërgimtarët nga Kosova përpos lidhjes së fortë emocionale me vendin, shumë prej tyre kanë ndihmuar drejtpërsëdrejti në zhvillimin e shtetit duke investuar dhe duke ndihmuar vazhdimisht familjarët atje. Kjo lidhje bëhet edhe më e fuqishme marrë për bazë edhe marrëdhënien që Gjermania si shtet ka me Kosovën. Kjo marrëdhënie ruhet e kultivohet vazhdimisht.
Sado qenësor ky shkëmbim është për ne, nganjëherë ne e teprojmë edhe me respekt, i cili kalon në servilitet, në nënshtrim, sidomos kur e shoh qasjen që e kemi ndaj autoriteteve, cilado qofshin ato.
Të kthehemi te tifozllëku dhe respekti i tepërt i disa njerëzve që kanë ndaj politikanëve, i cili i kalon kufijtë e arsyes, në Kosovë e deri në mërgatë. Disa herë isha dëshmitar i skenave shumë të çuditshme, gati komike.
Skena e dytë ishte prapë një manifestim, një vit pas të parit. Një politikan nga Kosova kishte ardhur dhe edhe letrën me fjalimin e përgatitur, nuk e mbante dot vetë, por ia mbanin ndihmësit e tij, të cilët madje edhe ia vendosën në foltore. Mezi e lexoi. Të gjithë e vërejtën jozotësinë e tij profesionale, gjuhësore, kulturore, intelektuale.
Pasi përfundoi programi, nikoqirët na ftuan për darkë, e kishin shtruar për t’u shërbyer secili vetë në tavolinë suedeze. Politikani jonë aristokrat nuk luajti nga vendi. Të gjithë prisnin në radhë jo vetëm shqiptarët, por edhe mysafirët e shumtë gjermanë –– disa prej tyre politikanë dhe personalitete të njohura shoqërore. Kështu, asistentët e bashkatdhetarit tonë, i cili kishte arritur të bëhej politikan, nuk patën durim të prisnin në radhë, i larguan të tjerët me bërryla, ia mbushën pjatën plot me ushqim dhe ia dërguan atij, të gatshme në tavolinë.
Këto skena janë veç disa prej shumë sosh që më ka rënë t’i shoh e t’i dëgjoj e njëherit, skena që të bëjnë të reflektosh për rolin që politikanët duhet ta bartin. Padyshim që anipse të shumta, këto pamje nuk i sheh te të gjithë politikanët nga Kosova, pasiqë midis tyre ka të tillë që përqafojnë një qasje ndryshe, një që i afron ata më shumë me njerëzit dhe që i bën ata të duken ashtu si duhet, si shërbyes të këtyre të njerëzve.
Politikanët t’u shërbejnë votuesve
Aq shumë vëmendje marrin politikanet e politikanët në Kosovë, sa që të krijohet përshtypja që vetëm ata janë relevantë për shoqërinë. Të mbushet mendja që ata janë yje. Për çdo natë në televizionet e shumta, në rrjete (a)sociale, nëpër lokale, atyre u rezervohet e ruhet vendi më i mirë. Njëjtë ndodh edhe kur ata kanë “udhëtime zyrtare“ e kudo tjetër. Nuk mund t’ju shmangemi assesi. Disa simpatizues madje i trajtojnë edhe si hyjnorë, betohen në ta. Kështu, politika e sidomos politikanët kanë marrë rolin e hyjnisë –– nga ta priten mrekulli.
E përpos politikanëve e politikaneve, edhe tifozët e zjarrtë të tyre janë me të vërtetë, një tregim në vete. Nëse dikush merr guximin t’ua kritikojë “profetët“ politikë, t’i nxjerrin sytë. Nuk bën assesi. Të kërcënojnë apo fyejnë menjëherë.
Ata nuk hezitojnë edhe ta shprehin dashurinë e madhe që kanë për ta. “E dua filan politikanin. Ja ha zemrën!“, thurin vargje të zjarrta dashurie. Disa prej tyre edhe emrin e tyre e kanë përvetësuar, fotografohen me ta, qajnë, qeshin, i përcjellin kah të shkojnë, ua vizitojnë varret, ua puthin gurët e varreve.
Votuesit duhet të vetëdijësohen se politikanët në funksione qeveritare janë shërbëtorë të tyre, të gjithë vendit dhe si të tillë duhet të sillen. Kësisoj, postet duhet t’i bartin me qëllim që të shërbejnë e jo t’i shfrytëzojnë ato për privilegje e përfitime private. Të jesh shërbyes civil nuk duhet të jetë privilegj, por mbi të gjitha, përgjegjësi.
I rritur dhe shkolluar në një ambient tjetër, nuk mund t’i duroj këto gjëra. Edhe në vendet e zhvilluara si Gjermania nuk është gjithçka e përkryer, prandaj nuk dua assesi të bëj krahasimin naiv midis Kosovës dhe Gjermanisë. Megjithatë, nuk mund të mos i përmend disa shembuj që flasin për atë se si e përjetojnë veten dhe misionin e tyre politikanët gjermanë.
Këtu nuk ka distancë kaq të madhe midis politikanëve dhe qytetarëve. Në fakt, janë politikanët ata që nuk lejojnë që të bëhen përjashtime për ta. Presin në radhë, nuk imponohen, marrin kafenë dhe bukën nga shtëpia, në punë shkojnë me biçikletë ose tramvaj dhe veturat zyrtare i përdorin vetëm në raste të veçanta.
Unë shpesh e takoj kryetarin e komunës teksa blen ushqime në dyqan. Ai është aty pa truprojë, pa makina që t’i qesin veshët nga zhurma, pa mburrje, pa rroba të shtrenjta, pa “çallmë”.
Kështu do doja t’i shihja edhe politikanët e Kosovës, me punë shumë e më pak krekosje. Sjellje të këtilla nuk i bëjnë nder askujt, aq më pak qytetarëve që zgjedhin përfaqësues për t’i çuar përpara interesat e nevojat e tyre. Ky duhet të jetë misioni i vetëm i të zgjedhurve, jo krekosja e pakuptimtë.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0