Në thelb | Diaspora

Politizimi i diasporës

Nga - 26.10.2021

Llogaritjet elektorale rreth asetit më të çmuar të Kosovës.

Për çdo verë mijëra anëtarë të diasporës së Kosovës kthehen në shtëpi për t’i vizituar familjet e tyre dhe çdo vit dërgojnë miliona euro që e ushqejnë konsumin e brendshëm. Për dekada, dhe posaçërisht në 20 vitet e fundit, këto remitenca kanë qenë shpëtim për shumë familje.

Pavarësisht rëndësisë së diasporës për vendin, sigurimi i shifrës së saktë për madhësinë e saj nuk është e lehtë. Agjencia e Statistikave studimin më të fundit për këtë çështje e ka kryer në vitin 2014, duke gjetur se më shumë se 380,000 kosovarë jetonin jashtë vendit, më shumë se një e pesta e popullsisë së vendit. Agjencia e ka pranuar se shifra mund të jetë nënvlerësim.

Në vitet që pasuan, Kosova pësoi një eksod masiv drejt vendeve të BE-së. Mes viteve 2014 dhe 2015 u larguan dhjetëra mijëra persona. Disa u kthyen (ose i kthyen), por të tjerët ia arritën të qëndronin dhe të vendoseshin. Si rezultat, disa propozojnë se numri në ditët e sotme mund të jetë më afër një milion.

Një komunitet i kësaj madhësie mund të jetë kritik për ekonominë e vendit; sipas Bankës Qendrore, remitancat shpesh janë tre herë më të mëdha se investimet e huaja direkte (IHD). Edhe në vitin 2020, vit i pandemisë, ky raport mbeti i qëndrueshëm, me 980 milionë euro remitanca krahasuar me 342 milionë IHD. Këto shifra nuk e marrin parasysh faktin se shumica e IHD-ve të Kosovës vijnë nga diaspora.

Problemet ekonomike të pandemisë në vitin 2020 u ndërlikuan nga fakti se kufizimet e udhëtimit penguan shumicën e diasporës ta vizitojë shtëpinë. Por sapo u kthyen grumbull në vitin 2021, erdhën me një fluks prej 630 milionë eurosh vetëm në shpenzime direkte. Në këtë kontekst, ka kuptim se mbajtja e diasporës afër është shpeshherë lartë në agjendën e qeverisë.

Lehtësimi i udhëtimit

Qeveria është përpjekur t’i lehtësojë shpenzimet e diasporës dhe remitancat duke e bërë më të lehtë udhëtimin në Kosovë. Një nga shqetësimet më të përmendura me të cilat përballen udhëtarët e diasporës është çështja e sigurimit të makinës. Mijëra emigrantë kthehen me makina çdo vit.

Problemi është relativisht i drejtpërdrejtë. Sigurimi ndërkombëtar i makinave në Evropë bazohet në Kartonin e Gjelbër, dokument që lëshohet në përputhje me standardet e vendosura nga Këshilli i Byrove (KiB). Me Kartonin e Gjelbër, sigurimi i makinës nga çdo shtet anëtar i Këshillit vlen në të gjitha ato, kësisoj udhëtarët mbesin të siguruar kur janë jashtë vendit.

Pasi që Kosova nuk është anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare, sigurimet e huaja nuk vlejnë në territorin e saj, dhe anasjelltas, sigurimi kosovar i veturave vlen vetëm në disa vende fqinje. Si rezultat, udhëtarët që hyjnë në Kosovë duhet ta blejnë sigurimin e makinës kur të hyjnë në vend — një politikë afatshkurtër e përgjegjësisë ndaj palëve të treta — një shpenzim shtesë mesatarisht prej rreth 20 euro, por që mund të shkaktojë vonesa të konsiderueshme në kufi.

Ndonëse Vetëvendosje (VV) e vendosi si prioritet anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër në mandatin e saj të mëparshëm në qeveri, kjo ambicie përfundimisht mbetet jashtë kontrollit të saj pasi kërkon miratimin e vendeve të tjera anëtare, disa prej të cilave nuk e njohin Kosovën. Një çështje tjetër është se rreth 30% e veturave në Kosovë janë të paregjistruara. Ky numër do të duhej të zvogëlohej në 5% para se Kosova të mund të merrej seriozisht nga KiB.

Ndërkohë, qeveria nxori 5 milionë euro nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike Covid-19 për ta mbështetur diasporën dhe që nga 1 korriku, sigurimet kufitare paguhen drejtpërdrejt nga shteti përmes kësaj pakoje. Udhëtarët, përfshirë të huajt që nuk janë nga diaspora, thjesht e marrin dokumentin në kufi pa shpenzime shtesë. Në fund të verës shpenzimet e qeverisë për subvencionimin e sigurimit për veturat e huaja arritën në 2.4 milionë euro.

Vlen të përmendet se VV – parti kjo që pretendon mantelin e socialdemokracisë progresive – ka promovuar këtë politikë regresive.

Një raport i fundit i Institutit GAP është kritik ndaj kësaj politike. Ata argumentojnë se programi duhet të zëvendësohet nga një opsion i parapagesës në internet derisa të sigurohet anëtarësimi në Kartonin e Gjelbër. Shumica e anëtarëve të diasporës janë relativisht të pasur në krahasim me njerëzit që jetojnë në Kosovë. Çdo transferim i drejtpërdrejtë buxhetor për ta do të thotë se taksapaguesit vendas, zakonisht të varfër, po subvencionojnë diasporën më të pasur, rast bazik i politikës regresive.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se VV-ja — parti që pretendon mantelin e socialdemokracisë progresive — e ka shtyrë këtë masë pavarësisht kundërshtimit të fortë nga shoqëria civile dhe sindikatat.

Një faktor i mundshëm që kontribuon në këmbënguljen e VV-së për këtë vendim është mbështetja e fortë që e kanë në diasporë. Për shembull, në zgjedhjet e shkurtit 2021 VV-ja fitoi afërsisht 75% të votave nga jashtë. Me kaq shumë mbështetje për një parti të vetme, debati rreth reformës zgjedhore është bërë thelbësisht i njëanshëm.

Pengesat elektorale

Kosova nuk ka një qark të veçantë për votuesit e diasporës, kështu që ata votojnë kudo që janë regjistruar kur kanë jetuar në Kosovë. Përveç kësaj, nuk ka regjistrim të detyrueshëm konsullor, kështu që lista zgjedhore nuk bën asnjë dallim mes banorëve dhe qytetarëve jashtë vendit.

Kur mërgimtarët dëshirojnë të votojnë, duhet të aplikojnë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Megjithatë, procesi nuk është projektuar të përballojë numër të madh kërkesash dhe është shumë burokratik dhe i ndërlikuar.

Germin, një OJQ e krijuar për të lidhur diasporën me vendin e origjinës, ka bërë hulumtime mbikëqyrëse për zgjedhjet e njëpasnjëshme, duke theksuar mangësitë e sistemit aktual. Organizata ka bërë thirrje për ndryshimin e kuadrit ligjor për ta lehtësuar votimin jashtë vendit dhe propozon alternativa të tilla si rafinimi i sistemit aktual të postës apo edhe votim të plotë elektronik.

Për momentin, diaspora ka mbetur me sistemin aktual, i cili kërkon rishikime të vështira të dokumenteve dhe një proces të gjatë me KQZ-në. Si rezultat, pavarësisht madhësisë së saj, historikisht votat nga diaspora në proceset zgjedhore kanë qenë vetëm rreth 1% e totalit.

Interesi për të votuar nga jashtë është rritur vazhdimisht me kalimin e viteve dhe në vitin 2021 kishte rreth 56,000 vota, më shumë se 6% e pjesëmarrjes totale, megjithatë procesi është ende i ndërlikuar dhe shpesh i pamundur për t’u përmbushur brenda afatit. Kjo çon në refuzimin e një numri të konsiderueshëm kërkesash nga KQZ. Për ta anashkaluar këtë rrezik, edhe sot, shumica e pjesëtarëve të diasporës preferojnë të udhëtojnë për të votuar në qendrat e tyre të caktuara të votimit.

Fushëbeteja politike

Lehtësimi i votimit dhe udhëtimit ka pasoja elektorale shumë reale. Me kaq shumë votues potencialë që jetojnë jashtë vendit, pjesëmarrja e tyre ka potencialin ta ndryshojë rezultatin në çdo palë zgjedhje.

VV-ja mendon njëjtë. Partia ka akuzuar të tjerët se po pengojnë pjesëmarrjen e diasporës për t’i ulur shanset e saj, jo vetëm në lidhje me proceset e verifikimit dhe numërimit, por edhe në lidhje me rregullat e udhëtimit. Në prag të zgjedhjeve të parakohshme të shkurtit, VV-ja akuzoi qeverinë e kryeministrit të atëhershëm Avdullah Hoti se po e përdor pandeminë si justifikim për t’i dekurajuar votuesit e mundshëm.

Sipas kësaj partie, qeveria njëkohësisht po lehtësonte kufizimet brenda vendit për ta rritur popullaritetin e saj dhe po forconte kërkesat e hyrjes përmes izolimit të detyrueshëm. Kjo do të komplikonte llojin e udhëtimeve të shkurtra të fundjavës që shpesh bëhen në fundjavën elektorale, ndaj VV-ja e konsideroi si politikë targetuese kundër tyre.

Që kur VV-ja erdhi në pushtet në shkurt, roli i diasporës në politikën kombëtare ka qenë më i diskutueshëm se kurrë.

Diaspora mbetet thelbësore për ekonominë e Kosovës, por institucioneve publike u mungon vizioni i qartë se si ta drejtojnë potencialin e saj në dobi të vendit.

Në fillim të prillit, kur Kuvendi ishte në ngërç për ta zgjedhur presidentin e ri, dhe si rezultat ishte në prag të zgjedhjeve të tjera të parakohshme, qeveria e udhëhequr nga VV-ja prezantoi një ndryshim të dytë të fundit në ligjin zgjedhor. Ky ndryshim do t’i kishte lejuar njerëzit të votonin drejtpërdrejt nga ambasadat dhe konsullatat jashtë vendit, duke e lehtësuar procesin për qindra mijëra votues.

Ndryshimi, i cili u prezantua më 2 prill, u miratua me shpejtësi përpara afatit më 5 prill, datë në të cilën Kuvendi duhej të zgjidhte presidentin e ri ose të shpërndahej. Opozita, por edhe shumë komentues politikë, ishin kundër propozimit të befasishëm, duke e parë këtë veprim si kapje të pushtetit.

Në fund iniciativa u tërhoq dhe Kuvendi më në fund zgjodhi Vjosa Osmanin presidente të re të Kosovës brenda afatit. Por çështja thelbësore e votimit nga jashtë mbetet e pazgjidhur.

Këto ngjarje tregojnë se diaspora është shndërruar në një fushëbetejë elektorale për partitë politike. Edhe pse VV-ja e prezantoi ndryshimin sërish në qershor përmes një procesi të zakonshëm, Kuvendit nuk po i ngutet për ta përfunduar dhe që atëherë nuk ka pasur ndonjë zhvillim.

Pa diskutime të mëtejshme mbi këtë temë, debati ka ngecur mes prioriteteve të tjera. Si rezultat, zgjedhjet lokale në tetor u zhvilluan pa asnjë zgjidhje për sfidat e votimit nga jashtë.

Diaspora mbetet thelbësore për ekonominë e Kosovës, por institucioneve publike u mungon vizioni i qartë se si ta drejtojnë potencialin e saj në dobi të vendit. Partia në pushtet thekson forcimin e lidhjeve me diasporën, por pas skadimit të Strategjisë së mëparshme për Diasporën në vitin 2018, institucionet shtetërore nuk kanë arritur të dalin me një zëvendësim. Drafti i atij viti mbetet i pluhurosur në ndonjë raft.

Ndërkohë ka pasur iniciativa harrnuese si subvencionimi i sigurimeve kufitare. Ndërsa kjo qasje mund të ndihmojë në përmirësimin e problemeve të ngushta në afat të shkurtër, ato kanë kostot e tyre dhe janë të ndjeshme ndaj lojërave politike. Pa një strategji afatgjatë, këto iniciativa rrezikojnë ta politizojnë përherë diasporën.

Nëse angazhimi me diasporën bëhet thjesht një çështje e politikës partiake, Kosova rrezikon ta humbasë njërin nga asetet e saja më të mëdha. Koha nuk është në anën e saj. Gjersa brezi i parë i emigrantëve priret t’i ruajë lidhjet e forta me vendin e tyre të origjinës, kjo pashmangshmërisht zbehet me kalimin e brezave.K

Imazhi i ballinës: K2.0.

 

 

 

Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.