A ju kujtohet filmi kult i vitit ’99, “The Matrix”? Ju kujtohet ai momenti kur Morpheus, lideri i rezistencës, don t’ia zbulojë Neos realitetin e Matrix-it dhe i thotë: “Merr hapin e kaltër – tregimi mbaron, zgjohesh në shtrat dhe beson çfarëdo don të besosh. Merr hapin e kuq – mbetesh në Botën e Çudirave dhe unë të tregoj sa thellë shkon gropa e lepurushit”.
Sipas ekspertëve të teknologjisë informative, ky tregim ka të vërteta këtu në Kosovë. Merr hapin e kaltër – tregimi përfundon, vazhdon të besosh se ta studiosh juridikun ose ekonomikun është mënyra më e sigurt për të gjetur punë në të ardhmen. Zgjohesh në shtrat dhe beson se investimi në bujqësi, rrugë dhe energji është i vetmi shteg drejt rritjes ekonomike për Kosovën. Merr hapin e kuq – mbetesh në botën e teknologjisë kompjuterike, dhe jo vetëm ti, por ndoshta i gjithë vendi mund ta nxjerrë veten nga thellësitë e varfërisë në të cilat ka ngecur.
Viteve të fundit me sa duket shumëkush e ka vënë re se ata që punojnë si të pavarur në sektorin e teknologjisë ose në kompani që merren me softuerë dhe shërbime teknologjike janë pjesë e asaj përqindjeje të vogël të njerëzve që kanë standard më të lartë jetese sesa shumica.
Këta, profesionistët e teknologjisë informative dhe zhvilluesit e softuerëve, janë përgjegjës për pothuajse gjithçka që ndodh sapo t’i prekësh pullat që i ndezin laptopat, kompjuterët, telefonat e mençur ose televizorët e mençur. Ata krijojnë aplikacione, uebfaqe, lojëra, efekte speciale për filma, e madje edhe e programojnë pullën e bekuar ‘snooze’ që e shtyn alarmin për disa minuta.
Njerëzit me këso aftësish janë shumë të kërkuar, veçanërisht mbasi janë vetëm 23 milion të tillë (pritet të bëhen 27.7 milion deri më 2023) në një botë të kapluar nga revolucioni digjital.
Meqë fatmirësisht interneti nuk njeh kufij dhe nuk kërkon viza, krejt çka të duhet për të hyrë në këtë biznes fitimprurës është një kompjuter dhe përvojë në programim.
Çelik Nimani, njëri nga partnerët e kompanisë kosovare për zhvillim të softuerëve, Frakton, thekson se numri i zhvilluesve nuk ka mundësi ta përmbushë kërkesën aktuale.
“Në pesë vitet e fundit kemi parë shpërthim në industrinë e zhvillimit të softuerëve, sepse të gjitha industritë e tjera po kërkojnë të digjitalizohen dhe t’i ofrojnë shërbimet e tyre nëpërmjet programeve kompjuterike”, thotë Nimani. “Gjithashtu, kompanitë e vjetra që përdorin softuerë të vjetër po synojnë të rinovohen dhe të fillojnë të punojnë me teknologji të reja”.
Por, kur kërkesa është e madhe, çmimet për shërbimet e tilla priren të jenë të larta, prandaj plot kompani, veçmas në shtetet më të pasura perëndimore, kërkojnë t’i kryejnë këto detyra me çmim më të lirë në shtete ku fuqia punëtore është më e lirë.
E kështu hyn në lojë Kosova dhe meqë fatmirësisht interneti nuk njeh kufij dhe nuk i duhen viza, krejt çka të duhet për të hyrë në këtë biznes fitimprurës është një kompjuter, përvoja në programim dhe ja, kështu bëhesh pjesë e asaj përqindjeje të vogël të njerëzve në Kosovë që kanë punë të mira, të sigurta dhe që paguhen rrastë.
Çelik Nimani është njëri nga partnerët në Frakton, një kompani kosovare për zhvillimin e softuerëve. Valmir Mehmetaj.
Kjo industri është ndër të paktat në Kosovë me mungesë të punonjësve e jo të punës. “Nëse i shikon vendet e lira të punës, sheh që çdo e dyta kompani po kërkon punonjës të rinj”, thotë Nimani.
Nuk janë vetëm bizneset e huaja që po e angazhojnë fuqinë kosovare në sektorin e programimit.
Sipas platformës Open Business të Open Data Kosovo, 347 biznese që merren me programim kompjuterik janë hapur vjet në Kosovë, dhe kemi parë rritje të madhe vjetore në numrin e bizneseve të reja gjatë pesë vjetëve të fundit. Edhe numri i punëdhënësve të regjistruar është rritur shumë gjatë kësaj periudhe. Në vitin 2018, gati 700 njerëz janë evidentuar si punonjës në biznese programimi të regjistruara në Kosovë.
Respekti i ri për ata që ‘rrinë para kompjuterit gjithë ditën’
Duket se shumë njerëz e kanë pranuar memorandumin.
Donjeta Sahatçiu, kryeshefe ekzekutive në Rrota – njëra nga të parat agjenci digjitale në Kosovë – thotë se po bombardohen me e-maila prej të rinjve që po pyesin nëse mund të vijnë për stazhierë.
“Nuk duan para, asgjë, vetëm të mësojnë”, thotë Sahatçiu, dhe shton se nuk ka qenë gjithmonë kështu. “Më kujtohet se gjatë viteve 2010-11 ishte vështirë ta inkurajoje dikë të bënte stazh dhe ta kuptonte vlerën e stazhit”.
Donjeta Sahatçiu është kryeshefe ekzekutive në Rrota, një ndër të parat agjenci digjitale kosovare. Valmir Mehmetaj.
Më parë, fjalët “programim” dhe “i çartë” i hasje në të njëjtën fjali vetëm në kundërshti me njëra-tjetrën.
Arianit Fazliu, bashkëthemelues i Kutia Digital Agency, thotë që situata ka ndryshuar në dy vitet e fundit dhe se perceptimi negativ për “ata që rrinë para kompjuterit gjithë ditën” është zhdukur. Ai thotë se tani “të rinjtë e kanë parë se drita në fund të tunelit mund të arrihet shumë më lehtë nëpërmjet teknologjisë informative”.
Ndonëse ky vetëdijesim i shtuar për të mirat e industrisë mund t’i atribuohet faktit se teknologjia na është bërë si pjesë e trupit, të paktën në Kosovë, nuk mund të mohohet ndikimi i kompanive të teknologjisë informative, si dhe i organizatave e institucioneve të tjera tek zhvillimi profesional i të rinjve.
Për shembull, Nimani thotë se Fraktoni “merr stazhierë, i trajnon për dy tre muaj, dhe nëse janë të suksesshëm, fillojnë të punojnë si programerë të rinj e gradualisht zhvillohen më tutje. Kësisoj, ata zhvillohen profesionalisht brenda kompanisë”, shton ai.
Mund të tingëllojë e çuditshme mësimdhënia e programimit për fëmijë të moshës 7 vjeçare, por nuk është e çuditshme për të gjithë ata që i kanë parë sa me mjeshtëri manovrojnë fëmijët 3 vjeçarë me telefona të mençur.
Edhe nëse disa prej tyre vendosin të kalojnë në kompani të tjera, Nimani thotë se nuk ka rivalitet të keq ndërmjet tyre, sepse kjo vetëm sa e rrit më tej komunitetin e programerëve – për të cilin thotë se përfshin rreth 5000 anëtarë.
Është tepër pak, pohojnë të gjithë të intervistuarit, por ky problem po trajtohet prej të tjerëve si Hana Qerimi dhe partneri i saj Darsej Rizaj, të cilët në vitin 2015 vendosën ta hapnin Shkollën Digjitale, në të cilën investuan të gjitha 2000 eurot që kishin.
“Duke marrë parasysh rritjen e kërkesës prej tregjeve ndërkombëtare për t’i shfrytëzuar shërbimet e programimit nga Kosova, dhe në anën tjetër, nivelin e ulët të ofertës së programerëve në tregun tonë, unë dhe partneri im Darsej Rizaj dolëm me idenë që ta krijonim një kompani private e cila do ta aftësonte rininë kosovare për programim dhe do ta përgatiste për punët më të kërkuara sot dhe në të ardhmen”, thotë Qerimi.
Që nga fillimi modest i saj, Shkolla Digjitale tani i ka 1500 studentë aktivë të moshave 7-17 në Prishtinë dhe Ferizaj. Mund të tingëllojë e çuditshme mësimdhënia e programimit për fëmijët 7-vjeçarë, por nuk është për askë që ka parë me sa mjeshtëri manovrojnë fëmijët 3-vjeçarë me telefonat e mençur – sidomos “kur marrim parasysh kohën që e kalon rinia me teknologji, dhe në anën tjetër, kërkesën e madhe për këtë profesion në botë”, thotë Qerimi.
Ajo shton se nxënia e programimit në moshë të re ndihmon me zhvillimin e të menduarit kritik dhe logjik, të cilat i sheh si aftësi jetike të programimit.
Hana Qerimi është bashkëthemeluese e Shkollës Digjitale. Valmir Mehmetaj.
Nga hija në vlerë
Industria e teknologjisë është bërë shumë e suksesshme për standardet kosovare, veçanërisht në vitet e fundit – por duket se qeveria ende mbetet e pavëmendshme ndaj potencialit që ofron kjo ekonomi. Ndonëse askush nuk e kundërshton se aftësia e programimit mund të çojë te suksesi e pasuria, kjo prapëseprapë dukshëm mungon prej planeve qeveritare për zhvillim ekonomik.
“Ata kanë prioritete të tjera”, thotë Nimani. “Bujqësia vazhdon të jetë orientimi kryesor i qeverisë për shkak se produkti i saj shihet. Ndërsa softuerët – edhe pse ne vazhdimisht krijojmë vende të reja të punës, standarde më të mira të jetesës, rroga më të larta dhe punonjësit i kemi 21-23 vjeçarë, që do të thotë se punësohen sapo ta kryejnë fakultetin, e ndonjëherë edhe përpara – kjo nuk u bën përshtypje atyre”.
Mundësitë dhe aftësitë e ndërhyrjes teknologjike në Kosovë duken të mrekullueshme dhe të pafund.
Nimani sugjeron se zyrtarët qeveritarë priren të flasin për këtë kur shfaqet si temë në diskutime të ndryshme, por nuk janë proaktivë për ta krijuar një vizion për të ardhmen.
“Tjetra është se teknologjia informative është i vetmi sektor industrial me bilanc pozitiv”, pohon ai. “Kur eksportojmë, sjellim para në kuptimin më të thjeshtë. Edhe statistikat e vitit të kaluar thonë që janë eksportuar shërbime në vlerë prej 300-400 milionë eurosh”.
Megjithatë, pozitivja është se sido që të jetë, sektori i teknologjisë informative – të paktën për tani – duket se do të vazhdojë të zgjerohet vetë, si deri tani.
Sipas Ermal Sadikut, kryeshef ekzekutiv i njërës prej kompanive më të mëdha për zhvillim të softuerëve, LinkPlus IT, arsyeja pse qeveria nuk investon seriozisht në sektorin e teknologjisë informative është kryesisht sepse produkti nuk është i dukshëm.
“Është shumë më lehtë të investosh në një fermë ku i sheh pulat”, thotë ai, “por arsyeja tjetër është se më vështirë vidhet [në industrinë e teknologjisë] sesa për shembull me asfalt”, industri kjo në të cilën kemi parë skandale të ndryshme korrupsioni vitet e fundit.
Kosova digjitale
Nëse qeveria ndonjëherë e shyqrton seriozisht investimin në industrinë e teknologjisë, mundësitë dhe aftësitë e ndërhyrjes teknologjike në Kosovë duken të mrekullueshme dhe të pafundme. Njëri nga hapat e parë në këtë drejtim mund të jetë digjitalizimi gjithnjë më i madh i burokracisë së përhapur kosovare që varet nga letra.
“Me digjitalizim, jeta për shoqërinë në Kosovë do të bëhej më e lehtë”, thotë Sadiku. “Nuk do të duhej të prisnim për çertifikata të lindjes e të martesës apo për letërnjoftime, sepse këto do të digjitalizoheshin, dhe kështu do t’i kishim nëpër telefona. Nuk do të duhej të vrapoje për një dokument që tregon se nuk je nën hetime, sepse do të mund ta shkarkoje me një email”.
Sadiku përfundon se në përgjithësi, proceset si aplikimi për leje ndërtimi do të shndërroheshin nga të vrapuarit vërdallë për t’i noterizuar dhe procesuar “20 dokumente të ndryshme”, në disa klikime me maus.
Kosova e ka popullatën më të re në Evropë dhe tashmë njërin nga nivelet më të larta të kyçjes në internet në Evropë, duke qenë se prin në Ballkan me 84.8 përqind të amvisërive të kyçura; infrastruktura e nevojitur për t’i digjitalizuar institucionet kosovare dhe për ta formuar një gjeneratë të re të programerëve dhe specialistëve të suksesshëm të teknologjisë informative është relativisht e lirë – shumica e njerëzve tashmë kanë kompjutera dhe telefona të mençur.
Prandaj përbërësi kyç që mungon nga rrëfimi i suksesit teknologjik kosovar e që mund ta ngrejë vendin në skenën ndërkombëtare, duket se është vullneti institucional.
Foto kryesore: Forcat Ajrore të ShBA (përshtatur nga Atdhe Mulla) / K2.0.