Për një çështje familjare, Nora Gjakova pothuajse e braktisi xhudon: kjo kishte të bënte me vëllain e saj të vogël, Akilin. Nora është tash shpresa Olimpike e Kosovës, por ajo ende e kujton veten kur ishte 10 vjeçe, me lotë në sy, duke luftuar për vëllain e vogël.
“Pothuajse hoqa dorë,” tha Gjakova teksa e ndante tregimin e saj të parë me xhudo. “Ai është katër vjet më i ri se unë. Ne shkonim në xhudo bashkë, dhe ai ishte më i mirë. Ai mua më gjuante, dhe mua kjo nuk më pëlqente.”
“Sigurisht që shumë shpejt më kaloi dhe dorëheqja nuk ishte më në pyetje. Ai nuk kishte shans me mua, derisa mbushi 15 vjet dhe u bë më i rëndë se unë,” tha Gjakova, duke i kujtuar fillimet e saja si atlete me buzëqeshje. Luftimet me të vëllain ishin motivim afatshkurtër që Gjakova të mirëmbante frymën garuese në këtë sport. Nxitësit e tjerë së shpejti u futën në lojë, si psh: udhëtimet, takimi i njerëzve nga e tërë bota, mundësia e suksesit dhe në veçanti arritjet e Majlinda Kelmendit, e cila u bë kampione botërore e juniorëve gjatë kohës sa stërvitej Gjakova dhe që e inspiroi atë që të vazhdonte tutje. Pesë vite djersitje, lotë dhe mundje me vëllain, e bënë Gjakovën – vajzën e mësuesit të edukatës fizike në shkollën e artit të Pejës – një garuese serioze.
“Kosova nuk të ofron diçka më shumë pos shkollës. Peja e ka xhudon që mund të të çojë në maje të botës. Të tjerat nuk janë të zhvilluara mjaftueshëm, madje as nëse krahasohen me shtetet fqinje,” tha Gjakova.
Në turnirin e kampionatit botëror në Zagreb, më 2008, ajo u shpall e para në kategorinë e peshës së saj, dhe më 2010, ajo u rendit në vendin e shtatë. Gjatë kësaj kohe, ajo vizitoi qytete në tri kontinente, përfshirë Algjerinë, Turqinë, Hungarinë, Gjermaninë, Austrinë, Kroacinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën. Për dallim nga kundërshtarët e saj, ajo ka udhëtuar me njërin nga pasaportat më pak të njohura botërisht: me pasaportën kosovare. Me këtë pasaportë, njeriu mund t’i vizitojë vetëm pesë shtete pa vizë.
“Ne familjarisht merremi me sport,” tha Gjakova. “Prindërit më mbështesin dhe më motivojnë plotësisht. Për këtë jam me fat.”
Ka kaluar shumë kohë prej kur Gjakova dhe vëllai i saj i morën mësimet e para në xhudo. Tani, në moshën 22 vjeçare, ajo mban medalje të njohura nga Grand Prix, Grand Slams dhe Kupa Botërore, disa prej tyre në emër të Kosovës, e disa në emër të Shqipërisë, para se Kosova të njihej nga Federate Ndërkombëtare e Xhudos më 2012. Në nëntor 2014, ajo u bë Kampione Evropiane nën moshën 23 vjeçare, duke e përfaqësuar Kosovën. “Në këtë kategori ka xhudoka të cilat në ndonjë ditë më të mirë, nuk do të mund t’i mundja,” tha Gjakova.
“Me Majlindën kemi qenë në kategori të njëjtë me vite të tëra. Ne garonim kundër njëra tjetrës, dhe kjo na ka ndihmuar shumë,” tha Gjakova. “Ajo nuk është e lehtë ndaj meje dhe kjo është gjë e mirë sepse më përgatit për garë të vërtetë. Mendoj se me një strategji të mirë të lojës, do ta mund cilëndo kundërshtare.”
Vetëbesimi i Gjakovës është rritur prej kur ajo e fitoi medaljen e fundit, që i erdh pasi kaloi pothuajse një vit të tërë larg garave të xhudos. Më 2013, në turnirin Grand Prix në Rijekëtë Kroacisë, ajo e lëndoi gjurin gjatë luftës së parë. Nuk ishte shumë e sigurtë se çka mund t’i ketë ndodhur këmbës së saj, por ishte e sigurtë që ajo donte të vazhdonte me garën. “Kur je aty, dëshiron të vazhdosh dhe të luftosh për medalje; nuk të shkon mendja për lëndime,” tha ajo.