Në thelb | Turizmi

“Prek n’rrush, shijo n’ven!”

Nga - 07.09.2023

Hardh Fest mbledh verëdashësit në Rahovec.

“Kookrrat!”.

“Rruushat!”.        

Janë thirrjet e zëshme të përkrahësve të vegjël të ekipeve rivale, anëtarët e të cilave kanë zbathur këpucë e çorape dhe janë futur në kazanët prej druri. 

“Hajde ma shumë”, u drejtohet fëmijëve njëra prej anëtarëve të ekipit “Kokrrat” ende pa nisur gara e shtrydhjes së rrushit, e cila mbahet në lëndinën poshtë “Konakut”, siç njihet hapësira ku mbahet festivali i rrushit “Hardh Fest” në Rahovec. Është dita e dytë e festivalit të sivjetëm. E shtuna e 2 shtatorit.

“Rruushat!”

“Kookrrat!”

Mbështetësit e ekipeve vazhdojnë të shtyhen me tërë fuqinë që t’ia marrin anën njëri-tjetrit. Dy palët janë më të zëshëm se zëri i grupit rock, Guns ‘n’ Roses që në zmadhues ia thotë këngës “Welcome to the jungle”. Por rrushi ende nuk është sjellë pranë kazanëve edhe pse kalojnë më shumë se dhjetë minuta prej kohës kur në program ishte planifikuar gara e shtrydhjes tradicionale të rrushit. 

Ora 15:15. Nis edhe kënga “It’s my life” e Bon Jovit, që shpërqendron paksa vëmendjen e garuesve dhe vizitorëve në pritje të arkave, të cilave organizatorët u thonë gajbe. Duket se nuk ka kush t’i sjellë. Organizatorët nisin ta ndiejnë pakënaqësinë e pazëshme të turistëve. “It’s my life, now or never” (Në shqip: Është jeta ime, tash ose kurrë), këndon njëzëshëm me Bon Jovin në refren një turiste norvegjeze.

“Nuk paska rrush në tokën e rrushit”, thotë një burrë në mes të të njëzetave, duke iu referuar shprehjes “toka e rrushit” që përdoret për Rahovecin, me të cilën shprehje krenohen jo vetëm vreshtarët e verëtarët, por gjithë rahovecasit, që preferojnë të njihen si “rahovecianë”.

Morten Visdal, norvegjez, të cilit në Rahovec i referohen si “dhëndër” meqë është i martuar me një rahoveciase, shpërqendron vëmendjen e garuesve dhe turistëve në pritje teksa kërkon të jetë pjesë e garës. Për të, dy norvegjezë të tjerë dhe Zanën nga Prishtina, shkelen rregullat që kërkojnë që garuesit të jenë të përcaktuar para se të nisë gara. Për burrat trupmëdhenj nuk ka kanotiere të verdha që u destinohen tinejxherëve që janë vullnetarë në festival, por njëra i bie tamam Zanës flokëdredha.

Rrushi po vonohet, derisa atmosfera mbahet me zmadhuesin që transmeton klasikë të muzikës rock. “Miqtë” rahovecias e njoftojnë Visdalin këmbëzbathur se atletet dhe çorapet ia kanë dërguar prapa banerit të sponsorit të garës, me qëllim që të mos i shkelen nga shikuesit e t’i zhyten nga shira e rrushit të shtrydhur.

Në krye të vreshtarëve të Mirsad Zekës, i cili me “kombin” Volswagen sjell gajbetë me rrush, shkruan “Grapeland” (Në shqip: Toka e rrushit), krahas flamurit amerikan dhe atij të Kosovës. Zeka, si gjithë vendasit, “rrush” e thekson me u grykore. Rrushi ndez sërish atmosferën garuese.

“Kookrrat!”

“Rruushat!”

Fotografia: Rexhep Maloku / K2.0.

“Veç për këtë aktivitet kam ardhë”

Bujar Gashi, zyrtar për komunikim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, njëherësh fotograf i pasionuar, e shikon nxitimthi kthjelltësinë e aparatit, para se të nisë shkrepjen e dhjetëra fotografive. “Veç për këtë aktivitet kam ardhë”, thotë ngutshëm Gashi, që objektivin, herë me syrin prapa e tij e herë pa e shikuar fare, “ngrin” çastet e para të zbrazjes së rrushit nëpër këmbët e garuesve. Zana rrudh fytyrën kur kalaveshët e rrushit i bien shputave.

“Kjo është traditë që ke mujtë me pa në çdo familje rahoveciane”, thotë Adnan Rexha, udhëheqës i një grupi vullnetarësh të “Hardh Festit”.

Agron Sokoli, drejtor i “Hardh Fest” qe gjashtë vjet, thotë se festivali ka dashur të ruajë traditën e hardhisë dhe të kulturës së punës. “Me vazhdimin e punës me festivalin, me edicionet e ndryshme, ka fillu me u rritë ideja në promovimin e trashëgimisë kulturore. Çdo send që kemi mundur me e lidhë me hardhinë, ne kemi ba që ajo të jetë më madhështore dhe nëpërmjet aktiviteteve të shëndetshme ta promovojmë hardhinë, peizazhet, rrugët fushore, turizmin rural, trashëgiminë kulturore të Rahovecit dhe më pastaj edhe promovimin e imazhit të shtetit të Kosovës”, thotë Sokoli para nisjes së garës së shtrydhjes së rrushit.

Vjollca Gurgule, drejtore e organizatës joqeveritare “SHL Kosova” që ka siguruar vullnetarët e festivalit, kërkon ndihmën e Rexhës për t’i larguar fëmijët përreth kazanëve pasi nuk i punon mikrofoni. “Hajde duartrokitje”, u bën thirrje të pranishmëve Gurgule para se t’i lexojë emrat e garuesve.

Genta, Kaltrina, Edonisi, Egzona, bashkë me Martenin e bashkatdhetarin Kyetil Dragebo janë në ekipin “Kokrrat”. Kiesiana, Melisa, Stina, Adri dhe Zana mysafire janë në ekipin “Rrushat”. Ndërkohë “rrushave” u shtohet edhe suedezi Maks. “Maks, thank you”, i drejtohet Gurgule skandinavit. Te “Kokrrat”, lëngun e bartin Muharremi dhe Ylli, te rivalët Rrezoni dhe Muharremi. Ndërkohë, Arbnora, Lahuta dhe Adnani në juri do të gjykojnë se cili grup ka lëngun më të pastër pas filtrimit me metoda tradicionale. Gjithçka gati.

Fotografitë: Rexhep Maloku / K2.0.

Gara e shtrydhjes nis paralelisht me këngën ritmike të Michael Jackson, “Smooth Criminal”. Muzika u jep zemër e ritëm. Shputat shtrydhin e ijet fërkohen. Herë shkelin shputat e mbuluar me rrush të njëri-tjetrit. Dëgjohet ndonjë “Uf!” e Zana ulur në cepin e kazanit fshin stërpikat e lëngut të rrushit në fytyrë.

Një norvegjeze, krahas përjetimit të garës si shikuese, i bashkohet zërit të legjendës së pop muzikës, Michael Jackson, teksa ia thotë këngës: “So Annie, are you ok/Are you ok, Annie”, (Në shqip: Annie, a je mirë?/ A je mirë, Annie?).

Gurgule thotë se shtrydhja e rrushit është një prej karaktseristikave të “Hardh Fest”, sepse tregon se sa shumë punë është dashur për të ardhur deri te vera e rakia.

Ylli i larë në shirë, siç quhet lëngu i shtrydhur i rrushit, nis mbledhjen e rrushit dhe lëngut bashkë për ta filtruar vetëm lëngun.

“Prej shirës kemi maru pekmez, verë ose raki. Dikush e ka përdorur edhe vetëm me pi si shirë”, thotë Rexha derisa gara zhvillohet me këngën e gjatë të Jacksonit.

Gashi mundohet të shkrepë fotografi prej të gjitha këndeve të mundshme. Duart e tij e të fotografëve të tjerë sa s’bëhen bashkë me këmbët e garuesve në kazanët e drunjtë. Tani të qullur në shirë e kalaveshë të shtrydhur.

Fotografia: Bujar Gashi.

Një “rrushe” vazhdon me dorën e djathtë në lëvizje t’i motivojë mbështetësit, të cilët menjëherë shpërthejnë: “Rruushat! Rruushat!” Por as “Kokrrat” nuk ia lënë mangut. Gurgule e ka hallin që të mos mbulohet baneri i donatorit të festivalit prapa shpinës së garuesve. Detyrohet ta ngrejë zërin. “Nuk na punoi mikrofoni”, thotë pastaj ajo.

Visdal merr zemër prej përkrahjes së gruas dhe miqve rahovecas. “Hajde, Marten!”, thërret njëri.

I vogël është numri i atyre që nuk e prishin terezinë hijeve të shtandeve të verarive e të ushqimit të shpejtë, ku prodhues të shumtë të verës anekënd Kosovës e Shqipërisë promovojnë shijet e tyre për vizitorët e festivalit, e biznese tjera ofrojnë ushqim. 

“Xha Beqo” ia kthen borxhin Kosovës

Në dy anët e lëndinës, vazhdon puna e furnizimit, shitjes dhe negocimit në këndet e verëtarëve dhe të vreshtarëve. Sivjet, pesë prodhuese janë nga Shqipëria. Është hera e parë që janë pjesë e “Hardh Fest”. 

Ardit Fiska, nga veraria “Alpeta” nga rrethi i Beratit, thotë se po ua kthen “borxhin” miqve nga Kosova që ishin pjesë e panairit të sivjetëm të verës dhe rrushit në Berat. “Babai im ka shumë miq këtu dhe ka qenë në Suharekë që në vitin 2004. Dje erdhëm me vonesë, por darka, mbrëmja, ishte shumë mirë”, thotë Fiska, duke iu referuar mbrëmjes muzikore të 1 shtatorit që mblodhi mijëra shikues në koncertin me muzikë pop, rock dhe me DJ.

Ngjitur me këndin e “Alpetës”, që brend special ka verën “Xha Beqo”, punëtorët dhe pronarët e “Kosova Wine”, shkarkojnë pako brendesh të ndryshme verërash.

Fatmir Shehu ishte 29 vjeç kur si refugjat lufte preku “ëndrrën amerikane”. Por bashkë me babain, Selamiun, u kthyen që traditën e vreshtarisë dhe verëtarisë ta kthenin në biznes, duke eksportuar produktet e veta deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi i shërben me verë disa vizitorë, Shehu ngulmon ta nisë intervistën me historinë e çypit të verës.

“Vizitorët e shumtë po befasohen qysh po e prodhojmë venën, por është artefakt dhe është fotografia që e kemi pjesë të qytetit aty, është çypi më i madh që më 1968 e kemi gjetur përfundi verarisë. Ai çyp është mbi 2,600 litra, është mbi dymijë-vjeçar”, thotë Shehu. 

Ai thotë se është pjesëtar i brezit të shtatëmbëdhjetë të familjes që merret me prodhimin e verës së rrushit, por që gjatë komunizmit jugosllav, sikur se të gjithë rahoveciasve, u ishte ndaluar prodhimi i verës për nevoja tregtare. “Por në Rahovec kanë qenë mbi 1,000 prodhues të vegjël familjarë – përpara iu thoshin izbica, kështu u thoshin”. Rahovecit do t’i lejohej vetëm kultivimi i vreshtave, derisa rrushi akumulohej nga verëtaria e vetme shtetërore.

“Na bajshim raki e vena n’shpi, nuk e lajshim pa ba. E mashtrojshim shtetin”, qesh Shehu, 53-vjeçar. “Unë e mbaj mend kur e sillnin rrushin n’shpi, kish edhe punëtorë, e shkelshin rrushin. Kur dojshim me pjek raki, ka tri herë n’ditë u dashke me përzi në ato kacat prej druri”.

Në pikun e zhegut të së shtunës, në vendin që njihet për shprehjen “Mos majtë moti qysh do rrushi”, Yllëza Pista, profesore e gjuhës dhe letërsisë shqipe, por që pasion ka artin prej argjile dhe materialeve të ndryshme natyrore, mundohet t’u ndihmojë fëmijëve që bashkërisht ta sigurojnë një pjatë rrushi prej terrakote. Edhe fëmijët janë të angazhuar në kuadër të “Hardh Fest Kids”.

“Ideja është që të ruhet trashëgimia kulturore. Fëmijët, duke punuar, e ruajnë, e pëlqejnë dhe e kuptojnë se rrushi është pjesë e qytetit të Rahovecit dhe e kuptojnë se s’duhet me u largu prej traditës”, thotë ajo, pa i hequr duart nga tavolina.

“Po baj rush”, thotë një vajzë e vogël nga Prishtina që ndërpritet nga nëna: “Ende s’po mundet me theksu mirë rr-në”, thotë ajo. Anuari, një nga fëmijët, mban në duar fletën e vizatimit me një kalavesh rrushi.

Fotografia: Rexhep Maloku / K2.0.

Me një gotë vere të bardhë në duar, Anne Mozelius, menaxhere e tri restoranteve në Suedi, dhe e bija e saj someliere, Julia, flasin me Shehun për traditën dhe biznesin e familjes. Edhe për shtrirjen e bashkëpunimit biznesor. “Kemi parë shumëçka, por ka edhe shumë më shumë për të parë, sepse kemi ardhë mbrëmë natën vonë”, thotë Anne. “Na pëlqeu këtu menjëherë. Vendi i mrekullueshëm dhe vera shumë e mirë”, thotë ajo. “Njerëz shumë të mirë”, shton Julia. “Po, njerëzit shumë të dashur. Shumë më të hapur dhe më të afërt se në Suedi”, ia kthen e ëma. “Shihe Valbonën”.

Ato i ka sjellë Valbona Shala, pronare e kompanisë “Dardania Wine”, që merret me distribuimin e verërave kosovare në Suedi. “Jam e para që e kam startu në Suedi. Tani kam fillu me shitjen e verërave të Kosovës nëpër restorante. Kam mendu se do të jetë vështirë”, thotë ajo, duke treguar se fillimisht nisi me eksportimin e dy llojeve të verërave nga Kosova, por që tani ka 15 lloje. “Më shumë i blejnë atje suedezët”, thotë Shala. Ajo dhe suedezët kanë diskutuar me verëtarët e panairit të “Hardh Fest” për mundësinë e zgjerimit të kapaciteteve eksportuese në shtetin skandinav.

Sadik Demiri, nëpunës i administratës komunale të Shtërpcës, thotë se “Hardh Fest” është festivali më i preferuar për të. “Prej të gjitha festave origjinale çka mund të krenohemi me to është rrushi se kjo është festë tradicionale”, thotë Demiri, i cili bashkë me vëllain e tij kanë shikuar edhe garën e shtrydhjes së rrushit. “Është një traditë e kahershme edhe kjo e shtrydhjes së rrushit. Është interesante”, thotë ai.

Fotografia: Rexhep Maloku / K2.0.

Gara e shtrydhjes nisë të nxehet, derisa udhëheqësit e grupeve, Ylli dhe Muharremi, kullojnë djersë. Edhe lëng rrushi. Por, Ylli ua merr zemrat shumicës së shikuesve. Edhe Gashit, fotografit. “Bravo Ylli”, i drejtohet pasi ul për pak aparatin. “The Final Countdown” e Europe i paralajmëron “Rrushat” e “Kokrrat” se fundi është afër. Kovat janë mbushur sa nuk zënë më.

Gurgule, pa mikorofon, nxit pakënaqësi në mesin e “Rrushave” kur i shpall fitues dy grupet. “Ylli! Ylli!”, është brohoritja në kor që përkrah Yllin e befasuar që ngrit duart në shenjë pakënaqësie.

Fotografia: Rexhep Maloku / K2.0.

Norvegjezit Visdal ia sjellin atletet e çorapet, derisa me humor krenohet para bashkëshortes e miqve nga Rahoveci. “Ishte qejf i madh, vërtetë ishte qejf i madh. Do të kthehem nga Kosova në Norvegji me një kujtim të veçantë, sepse këta kanë bërë fotografi, kështu që do të jetë një kujtim i mirë”, thotë Visdal. “Miqtë” e marrin për ta çuar te çezmja që t’i lajë këmbët e qullura në rrush e shirë. Verën e kishte shijuar, por me shtrydhjen e rrushit me të dy këmbët, e “preku” edhe traditën.

“Slogani sivjet është ‘Prek n’rrush, shijo n’ven’ për arsye se njerëzit me ardhë në Rahovec dhe direkt ta prekin rrushin dhe të vijnë ta shijojnë venën n’vendin e venës”, thotë Sokoli, drejtori i “Hardh Fest”. 

“Ideja ka qenë nga turistët që kanë ardhur më herët nga vendet e ndryshme dhe na kanë pyetur: ‘Si vjelet rrushi?’ Dhe prej kurreshtjes i kam pyetur ‘Pse po pyetni si vjelet rrushi?’”, thotë Sokoli. “Dikush ka mendu si molla, si dredhëza, prandaj kemi mendu që sivjet slogani me qenë ‘Prek n’rrush, shijo n’ven’, që njeriu me ardhë në Rahovec që të gjitha këto me i pa prej vendit burimor dhe ku janë”. 

 

Imazhi i ballinës: Bujar Gashi.