Kosova po kalon në një fazë relativisht të qetë të pandemisë COVID-19 pas valës së Deltas në mesin e gushtit, e cila shkaktoi 238 vdekje dhe afro 27,000 raste aktive në vetëm një muaj.
Çdo ditë në orën 3 pasdite, Ministria e Shëndetësisë (MSh) së Kosovës publikon raportin ditor, i cili kohëve të fundit vazhdimisht ka treguar më pak se 10 raste të reja pozitive. Si rezultat, njerëzit janë më pak të kujdesshëm bash në kohën kur bota po ballafaqohet me një valë të re të infektimeve nga varianti i ri, Omicron, i cili po përhapet me shpejtësi të dritës.
Para se varianti i ri të shfaqej në fund të nëntorit, vendet e rajonit po ballafaqoheshin me një valë infektimesh. Gjatë 28 ditëve të fundit, Serbia regjistroi afro 47,000 raste dhe 1,120 vdekje; Maqdonia e Veriut rreth 9,000 raste dhe 376 vdekje; Bosnja dhe Hercegovina rreth 15,000 raste dhe 870 vdekje; Shqipëria afër 9,000 raste dhe 123 vdekje. Ndërkaq, brenda 28 ditësh, në Kosovo u shënuan vetëm 249 raste dhe 7 vdekje.
Pas shfaqjes së variantit Omicron, më 1 dhjetor Qeveria e Kosovës vendosi për masa të reja. Deri tash, të gjithë ata që vijnë në Kosovë duhet të kenë së paku një dozë të vaksinës dhe testin negativ PCR, ndërkaq prej 3 janarit do të lejohen të hyjnë vetem ata me vaksinim të plotë. Ndërkohë, sipas vendimit të fundit, shtetaasit dhe rezidentët nuk mund të hyjnë në vend pa së paku njërën dozë, përveç nëse e marrin në pikat hyrëse, për çka do të mobilizohen ekipe mobile.
Por, ky vendim nuk e ka sqaruar paqartësinë rreth rregullave të udhëtimit. Njoftimet e lëshuara së voni nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (QKMK) lënë të kuptohet që rregullat e vjetra po zbatohen ende në kufij. Edhe pse QKMK e publikoi njoftimin mbi masat e fundit të 6 dhjetorit, e përcolli atë me një tjetër njoftim më 17 dhjetor duke iu kundërvënë vetes.
Në publikimin e radhës, ata ua rikujtuan udhëtarëve se qytetarët e Kosovës mund të hyjnë në Kosovë pa asnjë dozë të vaksinës, me kusht që të tregojnë një tekst negativ PCR ose të pranojnë të karantinohen për 7 ditë, diçka që lejohet vetëm sipas rregullave të vjetra.
Ky njoftim i kundërshton informatat që gjinden në uebfaqen e Ministrisë dhe vendimin e fundit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, çka krijon pështjellim në një kohë kur mërgimtarët ia mësyjnë Kosovës.
Përvoja e valëve të kaluara të pandemisë, na tregon se ato vijnë bashkë me diasporën; vala e gushtit u përputh me pushimet verore të tyre, gjatë të cilave masat kundër COVID-19 u shpërfillën si nga individët ashtu edhe nga institucionet publike.
Në prag të pushimit për festa të fundvitit, kur pritet që mbi 1 milion kosovarë t’ia mësyjnë shtëpive të veta nga të gjitha vendet e botës, Kosovën e rrezikon një valë e re. A ekziston një plan për ta shmangur përsëritjen e historisë? Duket se jo.
Omicron, sfida e re e vitit 2022
Varianti më i ri i virusit SARS-COV2 — i emëruar Omicron — u detektua në Afrikën e Jugut në fund të nëntorit, çka i çoi shumë vende t’i mbyllin kufijt e tyre ndaj vendeve të Afrikës, vetëm për të zbuluar më pas se ata tashmë kishin pasur raste me Omicron edhe para se shkencëtarët e Afrikës Jugore ta ngrisnin alarmin. Deri më tash, varianti i ri është identifikuar në 89 vende të botës, ndërkaq Kosova është në pritje të rezultateve të testit të mostrave nga Gjermania, të cilat sipas Ministrisë së Shëndetësisë do të vijnë në fund të kësaj jave.
Omicron i shpëton imunitetit
Në një konferencë më 20 dhjetor, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) njoftoi se rastet aktive të Omicron dyfishohen çdo 1,5-3 ditë, duke infektuar edhe ata që janë vaksinuar ose e kanë kaluar COVID-19. OBSh tha se tani ka prova të qëndrueshme që Omicron po përhapet dukshëm më shpejt se varianti Delta. Një studim zbuloi se Omicron replikohet 70 herë më shpejt se variantet e vjetra në tubat bronkiale, por ka më pak gjasa të infektojë mushkëritë.
Kreu i OBSH-së paralajmëroi se festimet e fundvitit në shumë vende do të çonin në "rritje të rasteve, sisteme të mbingarkuara shëndetësore dhe më shumë vdekje" dhe u kërkoi njerëzve t’i shtyjnë tubimet. "Një ngjarje e anuluar është më e mirë se një jetë e anuluar."
Shqetësimi alarmues me të cilin u prit varianti i ri ka të bëjë kryesisht me numrin jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve — më shumë 30 në proteinën kryesore të majës, strukturën që përdor virusi për të hyrë në qeliza. Për krahasim, varianti Delta i kishte 18 mutacione.
Ky ndryshim i ka shqetësuar shkencëtarët mbi atë se sa efektive do të jenë vaksinat. Studimet e fundit tregojnë se për ta mundur këtë variant, doza e tretë e vaksinës është e domosdoshme pasi sugjerohet se një përforcues ofron 80-86% mbrojtje kundër hospitalizimit nga Omicroni. Vetëm dy doza, në rastin më të mirë, janë 30%-40% efektive në parandalimin e infektimeve dhe vetëm 70% efektive në parandalimin e sëmundjeve të rënda.
Dyfishimi i përpjekjeve për vaksinim mund të jetë mbrojtja më e mirë kundër variantit të ri meqë hulumtimet preliminare tregojnë rezultate premtuese nga vaksinimi me përforcues dhe dozë të tretë në krahasim me vaksinimin bazik me dy doza. Sidoqoftë, procesi nisi ngadalë në Kosovë.
Përderisa pjesa e tjetër e botës po avanconte në vaksinimin e popullsisë së tyre, dozat e para të vaksinës erdhën vetëm në fund të marsit, kur të parët që u vaksinuan ishin punëtorët shëndetësorë. Vaksinimi masiv filloi vetëm në qershor. Që nga atëherë, vendi ia doli ta mbajë hapin me rajonin, bile edhe i tejkaloi fqinjët e vet, por deri në dhjetor janë vaksinuar me dy doza vetëm 60.5% e popullsisë mbi moshën 18-vjeçare.
Gjatë pikut të valës së gushtit, vaksinimi bëhej edhe gjatë fundjavave. Kur ra interesimi me rënien e rasteve, Ministria e Shëndetësisë provoi të hapte pika vaksinimi në sheshe të qyteteve, ndërkaq tash udhëtarët mund të vaksinohen edhe në aeroportin e Prishtinës dhe pikat e tjera kufitare. Që nga nëntori, filloi vaksinimi edhe në shkolla të mesme.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, çdo herë e më pak njerëz po vaksinohen që nga shtatori. Për krahasim, rreth 21,000 njerëz ishin vaksinuar më 10 shtator, përderisa më 10 tetor, ky numër u përgjysmua në rreth 10,200 persona dhe më 10 nëntor numri ra në 2,134. Situata u përmirësua pak. Më 10 dhjetor u dhanë rreth 4,000 vaksina, megjithatë gati dyfish më pak se në tetor dhe rreth pesëfish më pak se në shtator.
Deri më sot, grupmosha më e vaksinuar është ajo e 21-40, përcjellë nga mosha 41-60. Grupmosha më pak e vaksinuar është nën 20, çka është e pritshme marrë parasysh faktin se vaksinimi për personat nën moshën 18-vjeçare ka nisur veç para një muaji. Sipas të dhënave të disponueshme, më të vaksinuarit janë amviset dhe të pensionuarit, ndërkaq kategorinë më pak të vaksinuar e përbëjnë infermierët.
Menaxhimi i pandemisë është përballur me kritika që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit 2020. Në kulmin e valëve të pandemisë, sistemi i mbingarkuar shëndetësor i vuri në pah dy dekada neglizhencë institucionale ndaj këtij sektori. Që nga fillimi i pandemisë, janë mbajtur dy palë zgjedhje; të përgjithshme dhe lokale, fushatat e të cilave i kanë shpërfillur masat në fuqi. Në këtë mes, katër herë ka ndryshuar lidershipi i Ministrisë së Shëndetësisë.
Vala e re e mundshme nuk duket se po e alarmon kënd. Kur K2.0 e pyeti ministrinë për masat që po ndërmerren për hyrjet në Kosovë gjatë festave të Vitit të Ri, ata u përgjigjën se nëse ata që vijnë nuk janë të vaksinuar, mund të vaksinohen në Kosovë.
“[Ta] keni parasysh se shumica e mërgimtarëve vijnë nga vende që kanë nisur vaksinimin para Kosovës dhe thirrja për ta është që të vijnë të vaksinuar. Nëse se kanë bërë këtë atje ku jetojnë e veprojnë, mund ta bëjnë në Kosovë kudo, nga pikat kufitare e deri në qendrat e vaksinimit”.
Ministria e Shëndetësisë shfaqi shenja optimizmi rreth fushatës së vaksinimit përforcues. K2.0 pyeti nëse vendi do të jetë në gjendje ta arrijë një shkallë të dëshirueshme të vaksinimit me dozë të tretë dhe përforcuese ndërkohë që vetëm 60% e popullatës është vaksinuar me dy doza, MSh-ja tha se vetë vendimi për dhënien e dozës të tretë dhe asaj përforcuese, tregon që Kosova ka marrë gjithnjë vendime “bukur të shpejta”.
“Brenda pak ditësh që nga fillimi i dhënies së dozës përforcuese dhe dozës së tretë janë dhënë rreth 4.000 doza dhe pritet që interesimi të rritet”.
Sipas të dhënave në uebfaqen e statistikave, deri sot, janë dhënë 1,712 doza të treta dhe 3,539 doza përforcuese.
Doza përforcuese & doza e tretë
Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre bije. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë.
Doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur — si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese, me rekomandim të mjekut. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe jo më vonë se 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.
Plani i Ministrisë së Shëndetësisë për një valë të re potenciale nga Omicron, nuk duket se përfshin ndonjë strategji specifike, përveçse dyfishim të praktikave të mëhershme.
Plani, sipas tyre është: “Resurset për t’i mbajtur në gatishmëri, furnizimi edhe më i mirë me barna, mbajtja e resurseve aktuale të mobilizuara dhe sipas nevojës edhe të shtohen, vazhdimi i vaksinimit edhe me doza të treta dhe përforcuese dhe hulumtimi e gjurmimi aktiv i rasteve. Gjithashtu, fuqizimi i mbikëqyrjes së masave në fuqi përmes institucioneve përgjegjëse”.
Sipas tyre, gjendja relativisht e qetë e pandemisë, mund të ndryshojë shpejt në rast se nuk vazhdon vaksinimi me shpejtësi me të madhe dhe nuk respektohen masat.
Masat aktuale në Kosovë — të miratuara më 1 dhjetor të këtij viti — janë veçse vazhdimësi e masave të mëhershme. Qytetarëve u kërkohet ta bartin maskën në të gjitha rastet përveçse gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo në prani të anëtarëve të ngushtë të familjes, gjatë aktiviteteve fizike dhe gjatë ngrënies apo pijes. Por, pak njerëz shihen me maskë.
Për të hyrë në kafene, restorante, transport publik, dhe objekte tjera publike, qytetarëve u kërkohet po ashtu ta paraqesin dëshminë e vaksinimit të plotë ose me një dozë, jo më të vjetër se 4 javë, bashkë me testin negativ për COVID-19, jo më të vjetër se 48 orë ose certifikatën e vaksinimit me një dozë bashkë me dëshminë se e kanë kaluar COVID-19 jo më të vjetër se 180 ditë. Por, as këto rregulla nuk respektohen.
Ndonëse masa të ngjashme ishin në fuqi kur u mbajtën zgjedhjet e kaluara lokale gjatë muajit tetor dhe nëntor të këtij viti, vetë partitë politike — edhe ajo në pushtet — u panë pa maska në mesin e qindra personave gjatë takimeve të mbajtura me qytetarë gjatë fushatës parazgjedhore.
Në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), varianti Omicron është dominues. Vendet tjera në botë kanë filluar t’i ndryshojnë masat aktuale dhe t’i rikthejnë kufizimet e lëvizjes. Holanda është i pari vend që vendosi ngujim të plotë për katër javë. Ndërkaq në Ballkan, Mali i Zi ka konfirmuar 5 raste të variantit Omicron.
Ndërsa shumë pyetje në lidhje me variantin Omicron mbeten pa përgjigje dhe pasiguria vërtitet, përpjekjet e çdo vendi synojnë një qëllim të njëjtë: parandalimin e mbingarkesës së sistemeve të tyre shëndetësore.
Me pak përgatitje dhe moszbatim të masave aktuale kundër përhapjes së COVID-19, a do të përsëritet historia në Kosovë? Numrat e ardhshëm të orës 3 pasdite do të na tregojnë.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla /K2.0
Ky publikim është pjesë e projektit Human Rightivism, i cili është financuar nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA), zbatuar nga Fondi i Zhvillimit të Komunitetit përmes Programit të tij të Human Rightivism. Pikëpamjet e autorit të shprehura në këtë publikim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë Suedeze të Zhvillimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA).