Në thelb | Prizren

Prizreni i filigranit

Nga - 28.02.2024

Mjeshtrit e filigranit mbajnë gjallë zejen tradicionale të qytetit.

Fatime Baruti, 75-vjeçare, punon me filigran qe pesëdhjetë vjet. Një kurs gjashtë-mujor ia kishte hapur dyert drejt “magjisë”, siç i thotë ajo, të këtij artizanati, që njihet si arti shpirtëror i qytetit të Prizrenit.

“Dhëndrri ynë ka qenë filigranist. Duke e parë punën e tij më pëlqente ky zanat. Në vitin 1965 u hap një kurs për filigran, të cilin e kemi ndjekur 25 vajza. Në fillim dukej vështirë derisa jemi adaptuar. Por me durim e vullnet ia dolëm. Pas përfundimit të kursit, një grupi prej 20 vajzave jemi punësuar në ‘Filigran’”, thotë Baruti.  

Si Baruti, edhe Prizreni ka histori të gjatë me këtë artizanat.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1947 atje u themelua kooperativa e argjendarëve ‘’Filigrani’’ — emri pësoi ndryshime disa herë — ku u punësuan të gjithë krijuesit aktivë dhe me përvojë në këtë zeje. Në vitet e mëvonshme, shkaku i ndryshimit të legjislacionit, kooperativa është regjistruar si organizatë e punës për prodhimin e stolive prej arit dhe argjendit. Gjatë veprimtarisë së saj deri në vitet e ‘90-a, ndërmarrja shënoi rritje të kontribuuesve aktivë, ku numri i filigranistëve dhe filigranisteve arriti në 150 sosh. Mjeshtrit/et e angazhuar/a në këtë ndërmarrje shquheshin për arritjen e kulminacionit të krijimtarisë së tyre përmes prodhimit të veprave monumentale me vlera të posaçme, kryesisht me qëllim të dhurimit të tyre tek liderët e kohës. 

Fatime Baruti, 75-vjeçare, në punëtorinë e sotshme të filigranit në Prizren. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Baruti thotë se në kohët e arta të “Filigranit” janë punuar edhe vepra me pesha të mëdha, si vazo apo anije 10 kilogramëshe, që janë realizuar me punë ekipore. Për të, magjia që ajo gjen duke punuar në këtë zeje vazhdon të jetë e pranishme edhe pas pesë dekadash pune.

“E veçanta e këtij zanati është që secilën herë krijohet një vepër e re. Dhe kjo më jep shumë vullnet për punë”, thotë Baruti. Sipas saj, teleisja me telat e argjendit e bart në dimensione tjera, larg nga vështirësitë e përditshmërisë. 

“Duke punuar në këtë tavolinë e gjej qetësinë. Dhe jam shumë e kënaqur që e kam zgjedhur këtë zanat, sepse po të isha në ndonjë punë tjetër, në këtë moshë nuk do të mund ta ushtroja”, thotë ajo.

Tavolinat e punës që aktualisht janë të vendosura në punëtorinë që gjendet afër qendrës historike të qytetit janë ndër gjërat e vetme që u kanë mbetur nga ish-ndërmarrja, që dekada më parë ka ushtruar veprimtarinë afër lagjes “Ortakoll” në rrugën “Joni”. Megjithatë, këto tavolina ende shërbejnë si arenë për shpalosjen e imagjinatës dhe aftësisë së tyre për të krijuar stoli të rralla nga telat e argjendit. Gërvishtjet në to përgjatë punës shumë-vjeçare ngjasojnë paksa edhe me rrudhat e moshës në fytyrat e Barutit dhe tre mjeshtërve tjerë të fundit të “Filigranit” në Prizren — Bashkim Tejecit, Xhafer Lushaj dhe Faik Bamja. 

Çdo ditë nga ora 08:00, të katër nisin punën. 

Pos punës me argjend, në po ato tavolina, katër ish-punonjësit e ndërmarrjes së dikurshme për prodhimin e stolive prej arit dhe argjendit “Filigran”, që sot është transformuar në “Filigran” si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara (Sh.P.K.), po i vijojnë përpjekjet për të siguruar vazhdimësinë e këtij artizanati në qytetin e vjetër. Ata mirëpresin kursistët/et e rinj/reja, që duan ta mësojnë këtë zeje në punëtorinë e tyre në Prizren.

Por, në rrethanat e tanishme duket sikur ky mision nuk është fare i lehtë. 

Katër mjeshtrit e ndërmarrjes “Filigrani”. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Bashkim Tejeci, 65-vjeçar, rrëfen se shokët e lagjes ishin bërë sebep që ai të merret me filigran  që në shkollë të mesme. 

“Në lagjen ku kam lindur, që në Prizren njihet si ‘Mahalla e katolikëve’, të gjithë shokët e mi janë marrë me këtë zeje. Kur afrohej sezoni, ata shkonin me u përgatitë ndërsa unë e ndieja veten si të anashkaluar, apo të shprehem ndryshe mbetesha si ‘jetim’”, thotë Tejeci. “Qysh në atë kohë më lindi dashuria për zejen e filigranit”.

Prej viteve të ‘60-a në Prizren, në kuadër të shkollimit të mesëm ishte edhe drejtimi i filigranit.

Tejeci, në mesin e viteve të ‘70-a ishte në gjimnaz, por siç thotë ai: “thjesht nuk ma donte shpirti gjimnazin”. Qëllimi i tij ishte që ta vazhdonte zanatin dhe kësisoj u regjistrua në drejtimin e filigranit. Ndërkaq, në vitin 1979 ai u punësua në ndërmjarrjen “Filigran”.

“Prej atëherë për 45 vite pandërprerë merrem me zejen e filigranit”, thotë Tejeci. 

Bashkim Tejeci punon me filigran qe 45 vjet. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Ngjashëm me Barutin, lidhja me këtë zeje për Tejecin ka mbetur e pandërprerë edhe shkaku i natyrës së krijimit. 

“Karakteristika e këtij zanati është që mezi pret ta vazhdosh punën, pra në njëfarë forme të tërheq, ngase nga fija e telit krijon diçka dhe me padurim pret finalizimin apo kurorëzimin e punës”, thotë ai. Ai shton se ka pasur fatin që të punojë me mjeshtrit e zejes në mënyrë të koordinuar, gjë që i ka mundësuar edhe shumë kujtime të paharruara. 

“Po ta kisha edhe një jetë përsëri nuk do ta ndërroja profesionin, se filigrani ka shumë gjëra të mira, të ofron pavarësinë, kreativitetin, nuk ke kufizime, ka imagjinatë, pra bën pjesë në grupin e arteve”, thotë Tejeci. 

Bashkim Tejeci dhe Fatime Baruti. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Një episod që i ka mbetur në kujtesë është sidomos krijimi i anijes “Santa Maria” me peshë mbi dy kilogramë. 

“Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e paqeruajtësve gjermanë të KFOR, anijes ia vendosa flamurin gjerman. Komandanti i kontingjentit gjerman më tha ‘unë e marr nëse ia vendos flamurin origjinal’”, tregon ai. 

Ndërkaq me krenari tregon edhe si është punuar çelësi “Qytetar Nderi” për ish-kancelarin gjerman, Gerhard Schröder, por edhe dhuratat për ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeleine Albright e ish-kryeministrin britanik Tony Blair.

E Xhafer Lushaj, 64-vjeçar, nga Grejkoci i Suharekës, në rini kishte vënë re që në martesat në zonat rurale ka shumë kërkesa për stoli prej arit dhe argjendit dhe një gjë e tillë i kishte ngjallur interesimin që të merret me filigran. Edhe ai ishte regjistruar me disa shokë në shkollën e mesme, në drejtimin e filigranit. 

“Më pas e kreva shkollën e lartë pedagogjike dhe më caktuan me punë në një zonë malore. Nuk më pëlqeu dhe pasi u hap një konkurs në Prizren në ndërmarrjen “Filigran” u kyça aty, më pritën mirë dhe tani i kam bërë dyzet vite përvojë pune me filigran”, tregon Lushaj. Sipas tij, çelësi i suksesit në këtë zanat është vullneti dhe durimi. “Pa vullnet e durim nuk del asnjë punim i mirë”. 

Xhafer Lushaj në punëtorinë e filigranit në Prizren. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Ndërkaq, për dallim prej tre mjeshtërve/eve tjerë/a, Faik Bamja, 66-vjeçar, i cili sot më shumë ushtron rolin e menaxherit në punëtori, është lidhur pak më vonë me filigranin. Pas diplomimit, fillimisht u punësua në ish-ndërmarrjen “Printeks” dhe tek në vitin 1990 u bë pjesë e “Filigran”. Kujton se si përshtatja me këtë ekip ka qenë e lehtë, shkaku që ka qenë i rrethuar me mjeshtër të vërtetë të zanatit, që në të shkuarën kanë punuar edhe me ari, krahas argjendit. 

Faik Bamja, mjeshtër i filigranit e menaxher i punëtorisë. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Ai është i lumtur që përgjatë viteve, me gjithë vështirësitë e kohës, janë realizuar punime të ndërlikuara që shquhen për hijeshi e simetri, e të cilat kanë promovuar emrin e Prizrenit edhe në arenën ndërkombëtare. “Krahas kësaj kemi nderuar edhe trashëgiminë e gjatë të filigranit të Prizrenit”, thotë Bamja.

Humbja e shkëlqimit dhe beteja për vazhdimësi

Kjo trashëgimi e filigranit, sipas historianëve dhe njohësve të kulturës materiale të Prizrenit, daton prej shekujsh. 

Sipas historianit Abib Ahmedi të dhënat e para për argjendarët apo kujunxhinjtë e Prizrenit hasen në shekullin XIII. Por, filigrani lulëzimin e arriti gjatë Perandorisë Osmane, me ç’rast mjeshtrit e Prizrenit, sipas autorit të ndjerë Muhamed Shukriu, përmenden në literaturën osmane që në shekullin XVI. Sipas këtij të fundit, filigranistët kanë qenë ndër mjeshtrit më të njohur të qytetit, të cilët prej telave të metaleve të çmuara kanë krijuar stoli arti prej ari e argjendi, derisa kanë punuar edhe kuti të duhanit, çibuke, taketuke, pjesë të qystekut, unaza, byzylykë, vathë, mbërthecka për mëngët e këmishave, pjesë të gjerdanëve, pjesë të stolive për kollanë, tabakë, gota uji apo vere, filxhanë, pjesë të stolive për flokë të vajzave dhe grave, etj. 

Produkte të ndryshme të filigranit punuar nga mjeshtrit. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Tejeci tregon se në Kosovë punohen tri teknika të filigranit, teleisja në Prizren, ajo savat në anën e Gjakovës dhe me kokrra në Pejë. 

“Përparësia e teleisjes është që një punim i vjetër i dëmtuar mund të riparohet pa u dalluar edhe pas 100 vitesh”, thotë ai. 

Argjendarët e moçëm të Prizrenit kanë vepruar kryesisht në Çarshinë e kujungjillëkut, që konsiderohet edhe vatra e filigranit, dhe me nam edhe jashtë Ballkanit. Çarshia e Kujungjillëkut sipas historianit Ahmedi në Shatërvan të Prizrenit ka qenë afër Çarshisë së Armëpunuesve, pasi në atë kohë zbukuroheshin armët dhe pajisjet tjera të luftës. 

“Shkallën më të lartë të zhvillimit të saj argjendaria e arriti në shekullin e XIX. Sipas të dhënave të konsullit francez në Shkodër, E. Vit, në Prizren më 1866 kishte 47 punishte të veçanta të argjendarisë”, ka shkruar Ahmedi në librin e tij “Theranda-Prizreni ndër shekuj”. 

Në kooperativën e hapur pas Luftës II Botërore, në vitin 1990 ishin të punësuar 145 persona. E në vitin 1922 në Prizren identifikoheshin mbi 35 dyqane të argjendarisë.

Argjendari në Prizren. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

“Kemi pasë një treg të gjerë dhe dyqanet tona. Por me kalimin e kohës dhe me të gjitha turbullirat ndërmarrja nisi të fundosej. Pas lufte u munduam diçka me bë, por nuk arritëm ta shpëtojmë nga ‘kthetrat’ e privatizimit”, tregon Bamja. 

Pas viteve të ‘90-a, për shkak të luftës në Kosovë dhe ndryshimeve politike, ekonomike e sociale që pasuan, ndërmarrja “Filigrani” nuk arriti të rimëkëmbej. Ajo u privatizua në vitin 2006 teksa shumica e filigranistëve/eve aktivë/e të qytetit të Prizrenit shpërnguleshin në vendet tjera, në kërkim të një ambienti më të mirë punues. 

Ata që qëndruan, ndër ta edhe Bamja, patën shpresë që ndërmarrja mund të ringjallej. 

“Pas privatizimit të ish-ndërmarrjes, një grup prej 10 kolegësh u mobilizuam dhe në vitin 2006 filluam të punojmë”, thotë Bamja duke shtuar se në vitin 2007 regjistruan ndërmarrjen “Filigrani ShPK”.

Fillimisht punuan në hapësirën e ish-fabrikës së duhanit në Prizren teksa prej vitit 2017 janë vendosur në punëtorinë ku janë sot, që është pronë komunale në qendër të qytetit.

Në punëtorinë ku punojnë sot, i kanë edhe makinat për krijimin e telave prej argjendi. Fillimisht granulatët e argjendit me peshë 100 ose 200 gramë shkrihen në vendin e posaçëm, e pastaj derdhen në kallëp. Kjo shufër pastaj hollohet në makinë, ku krijohen telat prej argjendi. Telat krijohen me trashësinë 1mm dhe 0.25 mm, të cilat pastaj me punë dore shndërrohen në punime filigrani. 

Rreth 20 persona në vit aftësohen në zejen e filigranit. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0.

Në këtë punëtori prej disa vitesh me mbështetjen e Komunës së Prizrenit mbahen kurse tetë-mujore për pjesëmarrës/e të rinj/reja, si pjesë e përpjekjes së katër filigranistëve për ta shmangur shuarjen e kësaj zejeje tradicionale.  Prej vitit 2018 e këndej janë trajnuar afërsisht 125 pjesëmarrës. Mesatarisht 20 në vit.

Binjakët Drilon dhe Dren Gashi, 26-vjeçarë, në vitin 2023 kanë ndjekur kursin tetë-mujor dhe sivjet kanë vendosur që ta vazhdojnë aftësimin edhe për tetë muaj të tjerë.  

“Tetë muajt e shkuar kanë qenë të shkurtër dhe kemi vendos me ardhë sërish për me mësu më tepër për këtë zanat, ku prej një fijeje të hollë krijohen artikuj tepër të bukur. Bazën e kemi mësuar, si format e syve, zogjve, e tjera, por na duhet ende me u aftësu për formate më të mëdha e më të ndërlikuara”, thotë Driloni. 

Drilon e Dren Gashi ndjekin kursin e filigranit. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0

Ngjashëm si binjakët edhe aktivistja kulturore, Fitore Rexhepi, 31-vjeçare, është duke vazhduar ciklin e dytë tetë-mujor të aftësimit për filigran, për vetë faktin që puna me fijet e argjendit i ka dhënë qetësi, por edhe ka shtytur kreativitetin e saj. 

“Më pëlqen fakti që fillojmë me një fije dhe e kthejmë në forma, duke filluar prej lastrës, syrit të lastrës, format tjera tetëshe, zogjtë, të cilat përdoren për me i përbush stolitë qoftë vathët, broshët, qaforet. Krejt procesi të jep një qetësi gjatë punës”, thotë Rexhepi. 

Krahas hapjes së dyerve për kursistët, mjeshtrit e fundit të “Filigranit”, në saje të organizatorëve të bienales së artit bashkëkohor “Autostrada Biennale” në Prizren kanë bashkëpunuar edhe me artistë ndërkombëtarë. 

Në veprën “For A Rose Is a Rose Is a Rose?” artistja Camila Rocha, nga San Paulo, në vitin 2021 ka ndarë portretet e saja të ndërlikuara florale me mjeshtrit e filigranit, duke bashkëkrijuar linjën e saj të parë të stolive. Derisa Rocha ka dërguar videot me vizatime, në të njëjtën kohë ajo ka shikuar videot e mjeshtërve të filigranit se si ngadalë dhe me saktësi krijojnë objekte të reja. 

Ndërsa në vitin 2023 kanë qenë pjesë e krijimit të video instalacionit “Mamma perdonami” nga artistja Genny Petrotta, nga Italia, që eksploron trashëgiminë kulturore të komunitetit arbëresh në Sicili dhe historinë e kryengritjeve fshatare.

Vepra “For A Rose Is a Rose Is a Rose?” artistja Camila Rocha, nga San Paulo. Fotografia: Autostrada Bienale.

Në tavolinat e tyre shpeshherë kanë pritur edhe turistë të huaj, duke ua sqaruar procesin e punës. Gjithashtu kanë mirëpritur edhe delegacione të ndryshme të ambasadave të akredituara në Kosovë, ku mysafirëve u kanë mundësuar krijimin e formave të thjeshta me fije argjendi. 

Por ideja e kamotshme e tyre për hapjen e një paraleleje të filigranit në kuadër të shkollave të mesme profesionale ka mbetur e parealizuar.

“Po bëjmë luftë me vetveten që ta hapim një paralele të shkollës së mesme që të nxjerrim kuadro. Me kurs po mundohemi, por me shkollë është tjetër, sepse kandidati edhe shkollohet. Nëse nuk krijohen kuadro të reja atëherë rrezikohet edhe filigrani tradicional i Prizrenit”, thotë Tejeci. 

Pjesë nga procesi i punës me filigran. Fotografia: Atdhe Mulla/ K2.0.

Menaxheri Bamja tregon se janë munduar të bindin Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për hapjen e paraleles, por pa ndonjë sukses. “Ne po mundohemi që ta ruajmë këtë trashëgimi të Prizrenit. Prizreni krenohet me filigranin, por nuk jetohet vetëm me kujtime. Duhet siguruar vazhdimësia e në këtë aspekt përgjegjësi ka edhe shteti”, thotë Bamja. “Ne vullnetin e kemi, por po ka shumë sfida. Tash kemi mbetë vetëm katër veta dhe nuk e besoj se dikush e vazhdon më këtë punë në mënyrë ekipore si ne”.

Sipas tij, një ide tjetër që ka qarkulluar në vitin 2020 nga Komuna e Prizrenit dhe MKRS ka qenë edhe krijimi i Muzeut të Filigranit. 

“Ka qenë një nismë. Madje ne shprehëm gatishmërinë që tavolinat e punës t’ia dhurojmë muzeut”, thotë Bamja. 

Në Ligjin mbi ndarjet buxhetore të vitit 2024, tek projektet kapitale të planifikuara nga MKRS figurojnë mjetet e planifikuara për Muzeun e Filigranit në shumën totale prej 200,000 eurosh. 

“Me sa jemi në dijeni deri më tani nuk ka pas ndonjë lëvizje konkrete për Muzeun e Filigranit”, thotë Bamja. 

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla/K2.0

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.