Sot gjatë pasditës (e premtë, 24 nëntor) Lëvizja Vetëvendosje e dorëzoi një ankesë në Gjykatën Supreme pas vendimit të djeshëm nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për t’i rinumëruar tërësisht votat e balotazhit të zgjedhjeve lokale në Prishtinë dhe Prizren. Sipas rezultateve fillestare të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, kandidatët e Vetëvendosjes po kryesonin me pak më shumë vota në këto dy qytete, para se të numëroheshin votat me kusht dhe me postë.
Kjo parti beson se rinumërimi i të gjitha votave para përfundimit të numërimit të votave me kusht dhe me postë është “i kundërligjshëm” dhe “i palogjikshëm”. Ata e kanë etiketuar vendimin e PZAP si “politike”.
Thirrja e PZAP-së për rinumërim erdhi pasi u ankuan partitë e kandidatëve rival në dy qytetet – LDK-ja në Prishtinë dhe PDK-ja në Prizren. Këto parti deklaruan se janë të shqetësuara me numrin e lartë të fletëvotimeve të zbrazëta dhe argumentuan se është i domosdoshëm rinumërimi për shkak të dallimit tepër të vogël ndërmjet kandidatëve në këto qytete, në mënyrë që të shmangen gabimet të cilat mund të ndikojnë te rezultatet përfundimtare zgjedhore.
Demokracia në Veprim, një koalicion i OJQ-ve të cilat i monitorojnë zgjedhjet, e kanë komentuar vendimin për rinumërim si “të padrejtë”, duke thënë se balotazhi nuk ishte shënuar me probleme të cilat mund ta dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor. Ky koalicion shtoi gjithashtu se partitë politike duhet të tregojnë “pjekuri” në mënyrë që të lehtësohet tensioni që është krijuar në ditët e fundit.
Prej balotazhit të 19 nëntorit, Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka arritur ta finalizojë procesin e balotazhit, meqë disa vota me postë dhe me kusht kanë potencial t’i ndryshojnë rezultatet e afërta fillestare në këto dy qytete. Në kryeqytet, kryetari aktual Shpend Ahmeti i ka vetëm 237 vota më shumë se kandidati i LDK-së, Arban Abrashi, ndërsa më shumë se 1,800 vota ende nuk janë numëruar; në Prizren, Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes prinë me 327 vota kundër Shaqir Totajt të PDK-së, ndërsa 1,600 vota ende nuk janë numëruar në këtë komunë.
Gjykata Supreme i ka 72 orë për të reaguar ndaj ankesës së Vetëvendosjes.
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.