Jemi tejet të lumtur të ndajmë me ju lajmin për krijimin e hapësirës së përbashkët për të rinj e të reja entuziastë/e nga të gjitha gjinitë e prapavijat, e të cilët kanë vullnetin të kërkojnë ide të reja e të sfidojnë narrativat e rrënjosura rreth identiteve shoqërore përmes përdorimit të medias. K2.0 nisë 2019 duke ftuar të rinj e të reja që dëshirojnë të sjellin ndryshime për t’u bërë pjesë e një përvoje dhe një ambienti fantastik të të mësuarit, duke aplikuar në këtë thirrje të hapur.
Kjo mundësi mësimi synon të nxitë të menduarit kritik dhe të inspirojë aktivizëm që lidhet me çështjet e gjinisë, etnisë, religjionit dhe racës. E më e rëndësishmja është që ky program synon të pajisë pjesëmarrësit/et me mjetet e nevojshme për të iniciuar ndryshime pozitive. Kështu, programi përbëhet prej një përvoje shumë dimensionale 6-mujore të të mësuarit, përgjatë së cilës pjesëmarrësit/et kanë mundësi të jashtëzakonshme të eksplorojnë ide të reja, atyre u ofrohet një hapësirë për t’u shoqëruar, për të punuar, për t’u argëtuar me bashkëmoshatarë e mbi të gjitha për të vepruar!
Faza e parë e programit – Hyrje
Ky rrugëtim nisë me një kamp rezidencial që do mbahet përgjatë muajit shkurt, e ku 20 pjesëmarrësit/et e zgjdhur/a do takohen për katër ditë për të kuptuar më shumë rreth programit, njëri-tjetrit, si dhe për të fituar një pasqyrë të përgjithshme rreth ndërlidhshmërisë në mes gjinisë, etnisë, religjionit dhe racës.
Pas kampit, pjesëmarrësit/et do formojnë ekipet e tyre. Secili ekip do të zgjedhë një prej temave kryesore të programit: gjininë etninë, religjionin apo racën varësisht prej fushave të interesit të anëtarëve të secilit ekip.
Faza e dytë e programit – Ngritja e kapaciteteve:
Përgjatë fazës së dytë të këtyre 6 muajve – do mbahen katër diskutime të hapura rreth temave të lartëpërmendura. Pjesëmarrësit do kenë mundësinë të takojnë dhe të diskutojnë rreth filmave, fotografive, muzikës dhe formateve të tjera mediale me individë inspirues që kanë pasur ndikim kuptimplotë në mënyrën se si ne e perceptojmë botën rreth nesh.
Më pas, pjesëmarrësit do të jenë pjesë e shtatë punëtorive se si të pëdoren formatet mediale për ndryshim shoqëror, gjë që është edhe thelbi i vetë këtij programit. Punëtoritë për fotografi, video, shkrim dhe publikim, performanca artistike, muzikë, mjete online për shprehje kreative dhe metoda hulumtimi do t’i përgatisin pjesëmarrësit për fazën e fundit , fazë kjo që shënon edhe kulmin e programit – iniciativat dhe intervenimet në komunitet!
Faza e fundit e programit – Iniciativat dhe intervenimet në komunitet:
Në fazën e fundit, pjesëmarrësit dhe ekipet e tyre do fuqizohen që të përgatisin e të dizajnonë iniciativat e tyre në komunitet e tyre, e për të cilat do të mbështeten financiarit. Ne presim nga pjesëmarrësit që të jenë kreativë në zgjidhjet që i ofrojnë dhe që të jenë të përkushtuar në iniciativat që i propozojnë! Në fund të programit të gjithë pjesëmarrësit/et do të çertifikohen, ndërsa përgjatë programit, të gjitha shpenzimet që ndërlidhen me programin do të mbulohen nga K2.0.
Me padurim presim që në Lokomotivë të kemi pjesëmarrës që:
- Janë të moshës 18 – 24;
- Jetojnë në Kosovë;
- Janë të përkushtuar që në mënyrë aktive të përfshihen në të gjitha fazat e programit 6-mujor;
- Kanë vullnet që në mënyre kritike t’i sfidojnë narrativat e dëmshme rreth gjinisë, etnisë, religjionit dhe racës;
- Dëshirojnë të takojnë e të punojnë për së afërmi me bashkëmoshatarë të profileve të ndryshme;
- Janë të hapur ndaj ideve e mendimeve të reja dhe kanë vullnet të punojnë në ekip;
- Janë të aftë të identifikojnë dhe të vlerësojnë shqetësimet e komuniteteve nga ata/ato vijnë;
- Janë të aftë të krijojnë iniciativa që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet, sa i përket temave të gjinisë, etnisë, religjionit dhe racës.
Si të aplikoni:
- Dërgoni CV-në dhe një letër motivuese (me më së paku 500 fjalë ku tregoni motivimin tuaj për të marrë pjesë në program 6-mujor, pritshmëritë tuaja nga programi, si dhe mënyrën se si planifikoni të shfrytëzoni njohuritë tuaja në komunitetin tuaj) në [email protected] deri më: 31.01.2019
Programi Lokomotiva 2.0 mbështetet nga Prince Claus Fund.