Lansimi i zinës “Kështu duket paqja”
Të hënën, më 30 shtator, në ora 17:30, ju ftojmë në Hub 2.0 për lansimin e zinës të K2.0, “Kështu duket paqja”. Zina sjell rrëfime, të cilat eksplorojnë kujtesën, pasluftën dhe përkufizime e përjetime tjera të asaj se si jetohet në paqe.
Në një prej fjalorëve të shqipes, fjala “paqe” shpjegohet edhe si gjendje pa shqetësime e njeriut. Paqja shndërrohet në ëndërr për ata që përjetojnë luftë dhe shtypje. Bëhet vizioni që u prin përpjekjeve për çlirim. Nganjëherë bëhet qëllimi i fundmë – mendohet se me paqe gjithçka bie në vend të vet. Por paqja krijon shumë mund për t’u bërë. Kur fillon lufta mbaron paqja, por kur mbaron lufta, jo domosdo ka paqe.
Zina “Kështu duket paqja” përfshin kontributet e tetë autorëve/eve, të cilët/at, qoftë përmes rrëfimeve të veta, apo duke ju sjellur rrëfimet e të tjerëve/ave, argumentojnë se mbarimi i luftës, nuk është medoemos liri prej shqetësimit. Paqja, që lartësohet si gjendja e dëshiruar, është shqetësuese, e hidhët, e lodhshme.
Për të folur rreth zinës, rreth dokumentimit dhe rrëfimtarisë për të shkuarën sot, flasim me:
Aurela Kadriu, drejtore e programit në Qendra Multimedia, autore e “Gjithçka që humbi në luftë”.
Besian Beha, gazetar në “Nacionale”, autor i “Arkivi alternativ”.
Rexhep Maloku, gazetar në televizionin “Tema”, autor i “Në të keq e në të mirë”.
Diskutimi do të moderohet nga Dafina Halili, gazetare në Kosovo 2.0.
Ju ftojmë të na bashkoheni për diskutim, pije dhe ushqim.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0.