Më shumë se qindra protestues, kryesisht të rinj, u mblodhën në qendër të Prishtinës të premten (20 shtator), për të kërkuar më shumë veprime për mbrojtjen e ambientit.
Protesta ishte pjesë e grevës globale për klimën që është mbajtur anembanë botës në këtë ditë, si pjesë e të cilës qytetarët bënë thirrje që njerëzit në pushtet të bëjnë më shumë për ta luftuar ndryshimin klimatik, ndotjen dhe shkatërrimin e ambientit.
Një prej parimeve kryesore që u shprehën nga protestuesit në Kosovë dhe në botë ishte nevoja e madhe për të kaluar nga lëndët djegëse fosile në energji të ripërtëritshme. Kosova në veçanti e prodhon gati krejt energjinë e saj prej termocentraleve të thëngjillit, dhe po planifikohet të ndërtohet një termocentral i ri, pavarësisht shqetësimeve të dokumentuara në lidhje me shëndetin dhe ambientin.
Pati edhe ankesa për ndërtimin e hidrocentraleve të reja brenda parqeve kombëtare të Kosovës. Ndërtimi i hidrocentraleve, pa marrë parasysh shkatërrimin e ambientit që e shkaktojnë ato, është problem që i shtyu dhjetëra protestues të shkonin në Parkun Kombëtar Sharri në fundjavë për ta kundërshtuar ndërtimin e dy hidrocentraleve të cilat, ata thonë, e rrezikojnë biodiversitetin e mbrojtur të parkut.
Një protestë e ngjashme u mbajt në Pejë më herët gjatë vitit kundër planit për ta ndërtuar një hidrocentral në Lumbardh. Qindra protestues morën pjesë dhe me sukses e ndalën këtë projekt.
Greva për klimën e të premtes u mbajt njëkohësisht me edicionin e dytë të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë (JZhQK), që nisi më 16 shtator dhe do të vazhdojë deri më 22 shtator.
JZhQK është platformë që mundëson dialog mes palëve të ndryshme të interesit në lidhje me temat që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm, siç janë menaxhimi i qëndrueshëm i sektorit të mjedisit, burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe efiçenca, ekonomia qarkore, planifikimi urban, ndryshimet klimatike, menaxhimi i ujërave dhe edukimi për zhvillim të qëndrueshëm.
Learta Hollaj nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), është koordinatore e ngjarjes. Ajo tha se synimi i këtij edicioni të JZhQK është që mesazhet e nxjerra nga ngjarja të përcillen tek strukturat e reja që do të udhëheqin vendin pas zgjedhjeve dhe të shërbejnë si mjet për të matur progresin e arritur në temat e caktuara. JZhQK mbështetet nga disa qeveri lokale dhe institucione ndërkombëtare, nga BE-ja dhe Gjermania, si dhe nga organizatat lokale që kanë në fokus ambientin.
Çfarë po ndodh?
JZhQK përfshin aktivitete të ndryshme, si konferenca të nivelit të lartë në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm, trajnime mbi qëndrueshmërinë në sektorin privat, punëtori me të rinj, sport dhe balet për mjedisin, shfaqjen e filmave me kinema solare, dita pa automjete, masterklasa për vetëdijësimin rreth mbrojtjes së mjedisit, takim me qytetarët e Obiliqit për të diskutuar sfidat mjedisore të kësaj komune, e të tjera.
Si pjesë e JZhQK do të shfaqen dy filma në bashkëpunim me DokuFest dhe partnerë lokalë. Shfaqjet e filmave të përzgjedhur “Climate Change – The Facts” dhe “Trashed” janë mbajtur gjatë javës në Prishtinë, si dhe në Gjakovë, Mitrovicë, Kamenicë, Pejë dhe Graçanicë.
Hollaj thotë se këta filma të shquar i trajtojnë dy tema që trajtohen nga afër në kuadër të kësaj jave, dhe janë “të një rëndësie lokale, regjinale dhe globale”.
Protagonisti i “Trashed” nga Candida Brady, aktori britanik Jeremy Irons, mundohet të paraqesë shtrirjen e problemit të mbeturinave përmes udhëtimeve nëpër disa prej vendeve më të bukura në botë që u është zënë fryma nga ndotja. Filmi pikëllues është një përpjekje e suksesshme për të mbytur ndjenjat e fundit të skepticizmit dhe indiferencës ndaj ndotjes dhe mbeturinave.