Protestat vazhduan gjithandej Malit të Zi për natën e tretë me radhë të enjten (më 14 maj), pavarësisht nga kufizimet e vendosura për ta frenuar përhapjen e COVID-19.
Besimtarët e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) janë mbledhur në qytete dhe qyteza të ndryshme duke kërkuar lirimin e tetë klerikëve të arrestuar të martën. Të mërkurën, protestat në Nikshiq, qytetin e dytë më të madh në vend, dhe në qytezën e Plevlës përfunduan me ndeshje mes policisë dhe protestuesve, mirëpo protestat e së enjtes kaluan pa incidente.
Tensionet e funda vijnë për shkak të përçarjeve të vazhdueshme në Malin e Zi lidhur me Ligjin kontravers për Lirinë Fetare, i cili është miratuar në fund të vitit 2019. KOS-i e sheh ligjin si kërcënim ndaj ekzistencës së tij në Malin e Zi, duke thënë se do të lejohet kapja e faltoreve të tyre nga shteti. Qeveria argumenton se ligji i trajton të gjitha komunitetet fetare njësoj.
Mes dhjetorit të vjetëm dhe prillit të sivjetëm, KOS-i ka mbajtur litijet — tubime fetare dhe lutje masive — së paku dy herë në javë në rrugët e Podgoricës dhe në qytetet e tjera të Malit të Zi, para se ngujimi i pandemisë t’i shtynte për t’i mbajtur ato përkohësisht onllajn.
Vala e tanishme e protestave ndoqi arrestimin e Peshkopit Joanikije dhe shtatë popëve në Ditën e Shën Vasilit të Ostrogut, e cila është ditë e madhe feste në ritin ortodoks që zakonisht kremtohet çdo vit përmes një pelegrinazhi masiv drejt manastirit të Nikshiqit, që mban emrin e shenjtit dhe ku thuhet se ruhen mbetjet e tij. Tubimi tradicionalisht përfundon me litije të qytetarëve që parakalojnë nëpër qytet.
Ky tubim tradicional nuk ishte planifikuar zyrtarisht që të mbahej këtë vit, meqë masat e Malit të Zi kundër COVID-19 ndalojnë tubime të mëdha publike, dhe kufizojnë mbledhjet fetare vetëm brenda faltoreve. Sidoqoftë, mijëra besimtarë u bënë bashkë në rrugë, duke bërë që policia t’i arrestonte udhëheqësit fetarë, për të cilët më vonë thanë se nuk e kishin marrë lejen e nevojshme për ta arsyetuar procesionin.
Pas marrjes në pyetje në Zyrën e Prokurorisë Themelore të Nikshiqit, të kapurit u vunë në mbajtje për 72 orë. Kisha kundërshton çdo lloj pohimi se e ka organizuar tubimin, duke pretenduar se nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Vala e re e protestave
Pas arrestimeve, të mërkurën protestuesit i vendosën një sërë bllokadash në rrugë, kurse tubimet dhe ecjet e protestuesve u mbajtën në vende të ndryshme anekënd shtetit, përshirë Podgoricën, Tivarin, Beranin dhe Andrijevicën. Në Nikshiq dhe Plevël, protestat përfunduan me dhunë, ndërsa protestuesit dhe policia ia hodhën fajin njëri-tjetrit për përgjegjësinë.
Sipas policisë, qytetarët e tubuar sulmuan policinë pa provokim dhe vazhduan të hedhnin gurë, shishe, mjete piroteknike dhe gjësende të tjera drejt tyre. Protestuesit dhe qytetarët e tjerë thonë se policia i sulmoi ata dhe përdori forcë të tepruar.
Edhe protestuesit, edhe policia u lënduan gjatë ndeshjeve, dhe policia raportoi se 26 zyrtarë janë lënduar, ndërsa dhjetëra protestues janë arrestuar. Vetëm në Nikshiq thuhet se 14 qytetarë dhe 21 zyrtarë policorë janë lënduar.
Njëri prej të arrestuarve ishte gazetari Velisha Kadiq nga Nikshiqi, i cili punon si korrespondent për Večernje Novosti të Beogradit. Ai pretendon se zyrtarët policorë e kapën dhe e tërhoqën në një veturë derisa ishte në detyrë.
Kadiq thotë se ai po i bënte foto një djali që po rrihej kur një grup policësh iu afruan dhe — pa e lënë të shpjegojë përse po fotografonte skenën — ia fshinë përmbajtjet e telefonit dhe e dëmtuan me gaz lotsjellës. Gazetari u lëshua pas tri orësh me një kërkimfalje.
Në një rast tjetër të dhunës së dyshuar policore, një baba thotë se biri i tij 16-vjeçar është shkelmuar në fytyrë nga një zyrtar policor. Një incident i ngjashëm është parë në Plevël, ku një grua u lëndua duke pritur në rend para një barnatoreje.
Incidentet kanë shkaktuar shumë polemika në Malin e Zi, me dënimin e veprimeve të policisë dhe të përdorimit të forcës përtej mbështetësve të KOS-it; analistët kanë theksuar se supozimet për dhunë policore nuk janë të rralla në Malin e Zi.
Sidoqoftë, pas analizës së pamjeve nga protestat, Këshilli për Kontroll Civil të Punës Policore erdhi në përfundim se forca e përdorur si përgjigje ndaj sulmeve që iu nënshtruan policët ishte e përligjur.
Shkallëzimi i lojës së fajësimit
Edhe zyrtarët qeveritarë, edhe qytetarët vazhdojnë të flasin për dhunën. Ajo për çfarë nuk mund të pajtohen është përcaktimi i sulmuesve dhe i viktimave.
Në një njoftim publik të enjten, kryeministri Dushko Markoviq ka thënë se Mali i Zi “ka pësuar një sulm të rëndë”, para se t’i akuzonte protestuesit për rrezikimin e shëndetit publik dhe shpërfiljen e përpjekjeve të bëra gjatë muajve të fundit për ta frenuar përhapjen e koronavirusit.
“Nuk ka shpjegim apo arsyetim të përligjshëm për këto lloj sjelljesh dhe veprimesh”, ka thënë Markoviq. “Ndërsa ishin në detyrë për ta ruajtur rregullin dhe ligjin, disa pjesëtarë të forcave policore janë sulmuar dhe janë lënduar nga ekstremistët”.
Sidoqoftë, KOS-i ka ngulur këmbë për qëndrimin e tyre. Prej kur u arrestuan peshkopi dhe popët, zyrtarët kishtarë kanë planifikuar ta parandalojnë shtyrjen e mbajtjes para gjykimit. Prokurorët thuhet se kanë paralajmëruar që klerikët mund të dënohen me burg deri në 12 vjet nën akuzat e shkeljes së kufizimeve të virusit.
Liderët e KOS-it në Malin e Zi, përfshirë kreun e tij, Mitropoli Amfilohije, kanë paralajmëruar se do t’i vazhdojnë protestat derisa të lirohen klerikët, edhe nëse do të nënkuptonte se edhe ata vetë do të arrestoheshin.
“Kemi dorëzuar një kërkesë që ata të lirohen nesër në mëngjes”, ka thënë Gojko Peroviq, një klerik i KOS-it, i cili foli në Katedralen e Podgoricës të enjten (më 14 maj). “Nëse ajo nuk ndodh, do të vijmë këtu sërish. Në çastin kur të na shohin nesër, mund të na mbledhin një nga një. Mitropoli Amfilohije ka thënë se ai duhet të arrestohet i pari, por nuk do të lëmë të ndodhë ajo para se të kapemi të gjithë ne”.
Protestat e radhës pritet të mbahen të premten.K
Imazhi i ballinës: Boris Pejović.